Sinjalet që erdhën dje nga autoritetet e Kuvendit të Shqipërisë dhe nga ndërkombëtarët, nuk sollën thuajse asgjë të re në panoramën e trazuar të grevës së urisë të disa partive të vogla parlamentare kundër Kodit Zgjedhor. Nga njëra anë Byroja e Kuvendit u bëri thirrje grevistëve që të lirojnë ambientet e grevës dhe të gjejnë një mënyrë tjetër për ta afishuar kundërshtimin e tyre ndaj procesit elektoral, kurse nga ana tjetër evropianët lëshuan një apel të ndrojtur dhe asnjanës (që në kushtet konkrete veçse e shton amullinë dhe kaosin), për një kompromis “gjithëpërfshirës” mes palëve. Orët që pasuan treguan se as grevistët nuk lëvizën nga pozicioni i tyre dhe as dy partitë e mëdha nuk shkuan më larg sesa dërgimi i një ekipi të vogël deputetësh për të transmetuar mesazhin e Byrosë Parlamentare. Në ditën kur në sallën plenare të Kuvendit pritet të zhvillohet seanca e radhës, askush nuk e ka të qartë sesi do të mbahet ajo dhe se cila do të jetë klima mes dy krahëve.
Greva e urisë është një mjet ekstrem i reklamimit të të drejtave të dhunuara. Si e tillë, ajo mbështetet mbi mesazhin e fortë që transmeton akti i privimit nga ushqimi. Në tri ditë është parë se ky qëllim është arritur pjesërisht. Janë sensibilizuar ekranet televizive dhe faqet e para të gazetave. Problemi është se ç’do të ndodhë në ditën e katërt, të pestë apo të gjashtë të kësaj greve, në momentin kur partitë organizatore do të duhet të marrin një vendim në lidhje me vazhdimin ose jo të saj. Një grevë urie ka si limit të saj të fundit aftësinë fizike të anëtarëve të saj për të duruar mungesën e ushqimit. Sa larg shkon ky limit kësaj radhe? Sa do të jenë të gatshëm deputetët e LSI dhe PDK, në shkëmbim të një kompromisi, që të lëshojnë nga plani i tyre për ta penguar me çdo kusht miratimin e Kodit Elektoral, ashtu siç ai duket se do të paraqitet?
Ky moment delikat përkon në mënyrë të pashmangshme me një tjetër vendimmarrje të anës tjetër. Si do të sillet dyshja PD-PS ndaj kërkesës së partive më të vogla, nëse greva zgjatet përtej ditës së sotme? Sa do të ndryshojë eventualisht Kodi pas presionit të kësaj greve? Nuk përbën sekret fakti se palët po e vrojtojnë aktualisht nga larg njëra-tjetrën. Ka shumë mundësi që në këto orë ato të kenë shkëmbyer edhe mesazhe direkte apo indirekte. Ka gjithashtu shumë mundësi që secila prej palëve kërkon tashmë të ruajë faqen dhe të dalë sa më dinjitoze nga kjo përballje mur me mur. Dhe kjo puna e dinjitetit mund të rezultojë mjaft e koklavitur, nëse bashkohet me negociata të vështira, ku as PD e PS dhe as LSI e PDK nuk duan të lëshojnë diçka. Nëse socialistët i tremben mundësisë që LSI të bashkohet me PD nëpër komisionet zgjedhore, përse nuk gjendet një formulë numerike që ta shmangë këtë bllokim eventual? Nga ana tjetër, nëse Meta e Ndoka do ta kenë të pamundur të filtrojnë njerëzit e tyre nëpër komisione, përse nuk gjendet një modalitet për ta zgjeruar bazën e vendimmarrjes edhe jashtë formulës së ngushtë të vetë komisioneve? Skemat teknike për gjetjen e një zgjidhjeje ekzistojnë, por duket në këto kushte, rreziku më i madh nuk vjen nga formulat, por nga mungesa e vullnetit politik të aktorëve kryesorë, të cilët ndihen më të sigurt në llogoren e tyre politike, sesa në tryezën e bisedimeve.
Trekëndëshi PD-PS-grevë urie, i ngjan momentalisht një hapësire mjaft të pasigurt dhe të paqëndrueshme. Është e qartë se secili prej aktorëve të këtij trekëndëshi luan sipas interesave të veta. Berisha ka interes që ky sherr të zgjasë dhe të ketë kosto sa më të lartë jo vetëm për Metën, por po aq edhe për Ramën. Ai nuk e ka problemin e kreut të PS, në lidhje me peshën e aleatëve të vegjël të krahut të tij. Vështirë se dikush brenda të djathtës mund ta rrezikojë thesin e votave të PD në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, Rama është i detyruar të vëzhgojë nga afër jo vetëm Metën brenda grevës së urisë, por edhe kryeministrin, i cili është mjeshtër i lojës së dyfishtë. Rama është koshient se në këtë moment, kur procesi zgjedhor që ai dëshiroi për muaj me radhë është aq pranë miratimit, të durosh pa çeduar presionin e LSI tani, do të thotë të hedhësh një gur solid në rezultatin e nesërm elektoral. Ç’ka kërkon ta sabotojë me çdo kusht Ilir Meta, njeriu që qëndron në cepin e tretë të trekëndëshit, e që e di mirë se nëse zgjedhjet zhvillohen sipas kësaj dizenjoje, shanset e tij për të manovruar në rrafshin elektoral dhe atë politik, zvogëlohen shumë. Ish-kryeministri e ndjen se ndodhet në mesin e një përbetimi të vogël, që po kërkon t’i shkurtojë shifrat dhe t’i ulë peshën që ai beson se ka në të majtën shqiptare.
Por si ai, si vetë Rama, e dinë mirë që ky sherr i fundit së pari ndihmon politikisht Berishën dhe, së dyti e thellon rrezikshëm krizën e besimit që ka përçarë PS e LSI që prej dy vjetësh. Kjo krizë vetëm rastësisht ka brenda aktorë politikë jashtë të majtës. Ajo është dhe mbetet një përplasje që prek dhe dëmton opozitën, shumë më tepër se pozitën. Në këto kushte, populli opozitar e imagjinon jo pa ankth momentin kur ndoshta këto dy parti do të duhet të ulen për të ndarë pushtetin e nesërm. E kur ato nuk i besojnë njëra-tjetrës as komisionerët e fshatrave, ç’mund të pritet për kryeministrin, ministrat dhe shpurën e zyrtarëve më të ulët që vijnë pas tyre?! Nëse shihet kështu, kjo është fatkeqësisht një krizë për sot dhe për nesër.