Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjeopolitika shqiptare sërish e rrezikuar

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 17 vite më parë

Adri Nurellari
Gjeopolitika shqiptare sërish e rrezikuar

Gjeopolitika shqiptare sërish e rrezikuar

Botuar tek gazeta Shqip

www.adrinurellari.com

 

Gjashtë pikat e propozuara nga Ban Ki Muni pavarsisht se paralajmërojnë një erë të re të gjeopolitikës shqiptare fatkeqësisht nuk ka marrë në Tiranë jehonën që meriton ky propozim për nga domethënia strategjike. Përqëndrimi tek rutina dhe grindjet e përditshme të brendshme të Shqipërisë edhe njëherë siç është bërë zakon, ka eklipsuar dhe shpërfillur rrezikun që paralajmëron ky propozim tronditës për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë shqiptarëve në rajon.

Pikësëpari këto gjashtë pika janë duke cënuar pavarsinë e Republikës së Kosovës duke rivënë në pikëpyetje shumë prej shtyllave thelbësore të një shteti të pavarur e sovran. Këtë gjë  e bën madje duke shkuar një hap më prapa se vetë rezoluta 1244 duke i dhënë mundësi Serbisë që të jetë palë bashkëqeverisëse brenda Kosovës. Së dyti është duke rishikuar disa elemente që ishin të trajtuara dhe kopsitura në hollësitë më të imta prej pakos së Ahtisaarit duke konfirmuar institucionalisht ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Së treti, dhe që është më e rëndësishmja, ky propozim është mbështetur jo vetëm nga Serbia dhe OKB-ja të cilat e kanë hartuar këtë marrëveshje por edhe nga Bashkimi Evropian e për më tepër edhe përfaqësia diplomatike e SHBA-ve në Kosovës është shprehur në favor të marrjes në konsideratë dhe shqyrtimit të këtyre pikave prej qeverisë së Kosovës.

Asnjëherë prej vitit 1998 nuk ka rastisur të kemi pasur një pozicion më negativ të komunitetit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës dhe faktorit shqiptar. Ky është një ndryshim radikal që dëshmon për një dorëzim ose zhgënjim të vendeve mike të perëndimit ndaj aftësive shtetëformuese të shqiptarëve në Ballkan.

Rrënjët e këtij ndryshimi duhen parë tek paaftësia e  elitës politike shqiptare për të përfituar nga mundësitë e dhëna prej historisë së viteve të fundit dhe për të kapitalizuar dhe maksimalizuar pozitën shumë të favorshme ndërkombëtare që kemi pasur dekadës së fundit kur flamurmbajtës të çështjes shqiptare u bënë SHBA-të dhe një sërë vendesh të zhvilluara të Evropës.

Konkretisht ky propozim çon drejt ndarjes së Kosovës duke materializuar institucionalisht atë që kishte ndodhur në terren dhe që në fakt dëshmon edhe për dështimin e politikës shqiptare për të siguruar përhapjen dhe konsolidimin e pushtetit të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës. Pra një njohje de jure e asaj qe ekziston de facto.

Kjo situatë fatkeqësisht evokon një të kaluar të hidhur të Bosnjes e cila ende sot është një bombë me sahat që rri e ç’aktivizuar vetëm prej prezencës në çdo kapilar të komunitetit ndërkombëtar. Bosnja-Hercegovina u pranua si anëtare e OKB-së fill pas Kroacisë dhe Sllovenisë dhe qeveria e Sarajevës gëzoi njohje të gjerë ndërkombëtare mirëpo kjo gjë nuk dekurajoi serbët në projektet e tyre të zgjerimit të territoreve të kontrolluara dhe të pastrimit etnik. Edhe pse këto përpjekje në vetëvete u dënuan nga mbarë opinion ndërkombëtar pasi kishin gjenocidin si instrument parësor, ato nuk shkuan kot por u shpërblyen pasi paqja e nënshkruar në Dejton në dhjetor të vitit 1995 njohu de jure atë që kishte ndodhur de facto në terren, pra avancimin e pozicioneve të serbëve. Sot Bosnje-Hercegovina nga një shtet që fillimisht u njoh nëpër botë si shtet sovran i pavarur me territor kompakt, është njohur nga bota si një shtet jo-funksional me pushtet të fragmentuar në katër njësi që do të zhytej në luftë nëse të huajt do largoheshin.

Një ndjenjë e hidhur déjà vu mund të shihet me Kosovën ku entuziazmi i shpalljes së pavarsisë dhe njohjes prej shumë vendeve perëndimore nuk u shoqërua me përpjekje të suksesshme në terren për të siguruar ushtrimin e pushtetit në gjihtë territorin e Kosovës, për të mundësuar integrimin e popullsive minoritare si dhe për të penguar e çmontuar strukturat paralele serbe të kontrolluara nga Beogradi. E kundërta ndodhi, dehja që erdhi nga shpallja e pavarsisë dhe njohja ndërkombëtare uli vëmendjen ndaj asaj që po gatuhej në Kosovë prej qeverisë së Beogradit dhe i dha rrugë të lirë përhapjes dhe çimentimit të strukturave paralele serbe jo vetëm në veri të Kosovës por edhe në komuna të tjera ku banojnë serb. Pasiviteti, mungesa e iniciativës dhe kurajos së qeverisë kosovare e cila mendonte që meqënëse çlirimi erdhi nga avionët e NATO-s edhe shteti detyrimisht do të ndërtohej prej perëndimit inkurajoi përpjekjet e Beogradit në terren të cilat arritën kulmin e vetë me organizimin e zgjedhjeve serbe ne rehati të plotë në 11 maj në Kosovë.  Bile kësaj radhe shuplaka ndaj pavarsisë erdhi jo thjesht nga organizimi i zgjedhjeve kombëtare, por edhe i atyre lokale brenda një shteti të shpallur të pavarur të cilat nuk ishin lejuar më herët as nga UNMIK-u. Në pothuaj një dekadë gjysëm-pavarsi e mandej pavarsi, ku shqiptarët kanë pasur gjithnjë e më shumë autoritet e dorë të lirë në terren, jo vetëm që nuk u mundësua shtrirja e kontrollit të Prishtinës në gjithë territorin dhe integrimi i popullsisë por u bë një zmbrapsje konstante në terren përballë iniciativës këmbëngulëse të serbëve.

Plani i gjashtëpikësh i OKB-së është një rezultat e për rrjedhojë shpërblim i kësaj këmbëngulje në terren të serbëve dhe një ndëshkim ndaj mefshtësisë dhe mungesës së iniciativës dhe guximit të shqiptarëve. Mjerisht sërish topin në dorë e ka Beogradi dhe shqiptarët thjesht reagojnë. Këtë paaftësi shtetformuese pas shpalljes së pavarsisë të shqiptarëve e kanë vënë në dukje raportet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Bashkimit Evropian apo të tjerave organizma që kanë monitoruar Kosovën. Në vend që elita politike shqiptare të ishtë vizionare dhe proaktive duke mos rreshtur në përpjekjet e saj për të kërkuar konsolidimin e shtetit të Kosovës ajo ka qenë e tërhequr, e sëmurur nga një kompleks inferioriteti ndaj të huajve, dhe në rastin maksimal thjesht reaktive në ato momente kur thika ka shkuar në palcë, sikurse ndodh tani.

Por problemin e të qenurit pasiv dhe reaktiv lidhur me çështjen e Kosovës nuk e ka thjeshtë Prishtina por edhe Tirana dhe mbarë faktori shqiptar. Është e pafalshme dhe e pashpjegueshme heshtja e qeverisë shqiptare ndaj këtij plani tronditës që rihap kutinë e pandorës. Të paktën ministri i mëparshëm Besnik Mustafaj pati kurajon patriotike që të deklaronte se po të vihej në tryezë çështja e ndarjes së Kosovës, Tirana nuk do të garantonte për zhvillimet e mëtejshme të cilat do preknin edhe kufijtë e Maqedonisë. Ndarja e Kosovës cënon disa nga parimet më thelbësore të raporteve ndërkombëtare të Ballkanit pasi krijon një precedent ku shtetet që kanë rrjedhur prej Jugosllavisë të mos respektojnë kufijtë që kishin si entitete kur ishin pjesë e Jugosllavisë. Përpos kësaj rishtron në tryezë idënë e ndërtimit të shteteve të pastra kombëtare dhe i jep udhë idesë së homogjenizimit kombëtar në Ballkan.

Mirëpo Tirana nuk mund të rrijë pasive në këtë lojë sikurse ka bërë deri tani e të reagojë me retorikë vetëm atëhere kur të jetë bërë katastrofa. Nëse ndodh ndarja e Kosovës skenari është me të vërtetë i rrezikshëm pasi po morrën Serbët veriun e Kosovës potencialisht gjithë serbët në komunat e tjera do shkojnë në veri dhe Serbia nuk do e kenë për gjë që të shpopullojnë luginën e Preshevës nga shqiptarët pasi Kosova nuk do mund ti kërcënojë me raprezalje në Kosovë.

Është e domosdoshme që elita politike shqiptare të ndërgjegjësohet e të marrë përsipër përgjegjësitë që i ngarkon ky moment historik duke kërkuar me ngulm në komunitetin ndërkombëtar që nëse vihen në jetë standardi i homogjenizimit etnik dhe shkeljes së parimeve të Badinterit ato të aplikohen kudo e jo vetëm në kurriz të shqiptarëve. Më së paku në këtë situatë duhet diskutuar që në shkëmbim të komunave Zubin Potok, Zvecan, Leposavic trungut shqiptar t’i bashkohen krahinat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Por ç’është më e rëndësishmja kjo do të thotë që nëse komuniteti ndërkombëtar i jep shtetit xhelat të Ballkanit mundësinë për të bërë një bashkim etnik atëhere edhe ne të bëjmë çmos që  të rishtrohet në tryezë seriozisht ideja e bashkimit i Kosovës me Shqipërinë dhe të rishikohet me këmbëngulje e ardhmja e territoreve shqiptare në Republikat e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Nëse sërish elita politike shqiptare qëndron pasive edhe kësaj radhe duke lejuar pa rezistencë që stabiliteti i Ballkanit të imponohet nga jashtë, sërish, pa pjesëmarrjen dhe në kurriz, të kombit shqiptar ajo ka për të mbajtur në histori një njollë të madhe tradhëtie të interesave kombëtare.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama