Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Persiatjet e nje amerikani mbi Diten e Pavaresise se Shqiperise

Shkruar nga: Xhon L. Uithers, II  
Botuar më: 16 vite më parë

Xhon L. Uithers, II
Persiatjet e nje amerikani mbi Diten e Pavaresise se Shqiperise

Një vit më parë si sot pata privilegjin të isha i pranishëm në ceremonitë në Vlorë për të shënuar përvjetorin e nëntëdhjetepestë të pavarësisë së Shqipërisë. Tek shihja Presidentin Topi të ngrinte flamurin shqiptar në sheshin historik të qytetit, mendja më shkoi te heronjtë dhe heroinat e së kaluarës. Këta kishin qenë mbledhur këtu në vitin 1912 në rrethana të kobshme. Ishin mbledhur pa ndonjë ushtri për të luftuar trupat e huaj që pushtonin nga çdo anë. Kishin arritur aty me burime të pakta. Gjithçka kishin ishte një flamur, endur nga dora e Marigo Posios; kurajë në besimet e tyre; dhe një ide fisnike. Por, në fund, ajo ide do të triumfonte dhe Shqipëria do të ishte e lirë.

Sot, do të doja të ndaja përsiatjet e mia personale mbi kuptimin e kësaj dite për mua, një vizitor prej shumë larg. Hera-herës, kam parë një foto të jashtëzakonshme nga ditët e hershme të luftës së Shqipërisë për pavarësi. Studiuesit, me sa kam kuptuar, debatojnë nëse është bërë pikërisht më 28 nëntor 1912, ditën kur flamuri krenar i Skënderbeut u valëvit përsëri mbi tokën shqiptare, apo disa ditë më pas, apo edhe një vit më pas. Megjithëkëtë, ajo çka nuk mund të debatohet është që fotografia kap një çast magjepsës në luftën e Shqipërisë për liri dhe që ende përçon, kaq vite më pas, frymën e fuqishme të atyre kohërave.

Fotografia tregon një ndërtesë të thjeshtë dykatëshe me dritare me grila dhe model të pandërlikuar. Pak metra mbi hyrje varet një ballkon i vogël druri mbushur me burra. Një grup i madh vëzhguesish, shumë prej të cilëve kanë qeleshen tradicionale, është mbledhur poshtë. Mbi kokat e tyre tunden flamuj me modele të ndryshme. Pavarësisht faktit që imazhi i fotos është bardhezi, atmosfera është e qartë: dielli i shkëlqyeshëm, mërmëritja e trazuar e turmës, si dhe pritja në rritje për atë që do të ndodhë pas pak.

Mes atyre që rrinë shtrënguar në ballkon, dalloj sakaq një individ. Flokët dhe mjekra e bardhë si dëborë, të cilat dallojnë mprehtë nga kapela dhe veshja e errët, më thonë menjëherë që është Ismail Qemali, udhëheqësi i kryengritjes, burri që ngriti flamurin në Vlorë dhe bindjet demokratike të të cilit e ngritën aq lart sa u bë Kryeministri i parë i Shqipërisë.

Ka diçka mbresëlënëse në qëndrimin e Qemalit. Ndërkohë që ata përreth tij ose shohin poshtë nga turma ose te njëri-tjetri, Qemali vështron tutje masës së shumtë që është poshtë, drejt diçkaje të largët, thua se po shquan pikërisht atë çast një shenjë, një sinjal, ndoshta ndonjë ogur në horizontin e pasigurt të së ardhmes.

Askush nuk mund ta marrë vesh ndonjëherë se çfarë po mendonte atëherë. Por e dimë çfarë mendonte më pas kur ish kthyer me mend tek ato ditë të trazuara. Ai pati shkruar: Ka mundësi të thuhet që qysh [ditën e pavarësisë], qeveria mund të mos ketë bërë disa gjëra të caktuara që duhet t‘i kishte bërë, apo që disa prej këtyre gjërave, nuk i bëri mirë. Megjithatë, të jeni të sigurt që bëri gjithçka mundi. Por ka diçka me vlerë të madhe që qeveria e ka bërë dhe që askush nuk mund ta vërë në dyshim: dhe kjo është, që e ka ngritur lart flamurin e lirisë shqiptare.

Fjalët e tij janë të fuqishme, si dhe prekëse. Nuk janë të ndonjë figure mitike, por të një burri prej mishi dhe gjaku, i cili bëri gabime, ishte i ndërgjegjshëm për to dhe, prandaj, ishte edhe i vetëdijshëm për rrugën e gjatë që kishte Shqipëria përpara drejt pavarësisë së mirëfilltë. Brezat e pasmë mund të kujtojnë pozën e tij mitike për t‘u mbështetur nëpër dhjetëvjeçarë lufte, diktature, dhe trazimesh derisa u fitua liria e vërtetë, por është humaniteti i tij për të cilin admirohet vërtet.

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.C., varet portreti i një burri tjetër. Është thatim, veshur elegant, dhe përcjell një kaparosje prej aristokrati. Mbi hundën e tij të gjatë me hark qëndrojnë një palë syze me tel rrotull. Një prej duarve pushon lehtë mbi krahun e karriges; tjetra mban një vëllim të madh me veshje të kuqe. Kokën e ka pakëz të kthyer anash, sikur do të jetë përballë me shikuesin. Por, në sytë e tij është edhe ai vështrimi i largët, që të kujton atë të Qemalit, thua se edhe ai ka humbur në një vizion tutje së tashmes. Ky është Udrou Uillson, Presidenti i njëzetetetë i Shteteve të Bashkuara.

As atë që mendon burri në portret nuk mund ta dimë. Mund të ishte ndonjë prej atyre idealeve të larta që bota do t‘i quante përgjithmonë si "Uillsoniane?" Mund të ishte fjalimi i tij madhështor për popujt e të gjitha kombeve, Katërmbëdhjetë Pikat, mes të cilave bëri thirrje për "garanci ndërkombëtare për pavarësinë politike dhe ekonomike dhe integritetin territorial të një numri shtetesh ballkanike?" Apo mos ishte premtimi për Shqipërinë, vendi ku unë shërbej tani? Përpara Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919, ai tha: "Kam vetëm një zë…dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë".

Ndonjëherë më pëlqen të imagjinoj çfarë do të kish ngjarë nëse këta dy burra mbresëlënës do të ishin takuar. Nga "Kujtimet" e tij, mësojmë që Qemali udhëtoi në Paris si përfaqësues i bashkësisë shqiptaro-amerikane, pikërisht në atë Konferencë Paqeje ku do të ishte edhe Uillsoni. Megjithatë, nuk dimë nëse u takuan ndonjëherë dhe pak gjasa ka të jenë takuar.

Sa të ndryshëm ishin ata dy burra! Me sa di, nuk kishin ndonjë gjuhë të përbashkët. Për sa kam mësuar, nuk patën komunikuar kurrë drejtpërdrejt, as me letër, as me telegraf. Nuk mund të përcaktoj as nëse ia përmendën ndonjëherë emrin njëri-tjetrit. Megjithatë, besoj që kishin një lidhje më të fortë se dallimet dhe largësitë që i ndanin: lidhja e shpresave, ëndrrave dhe aspiratave të përbashkëta, si dhe përkushtimi i ndërsjellë ndaj lirisë së të ardhmes që ishte tema qendrore kur një tjetër patriot i madh shqiptar, Fan Noli, foli ballë për ballë me Uillsonin në verën e vitit 1918.

Në atë bisedë, kur i thanë që Uillsoni do të ngrinte zërin për Shqipërinë në Paris, Noli pat komentuar: "Ai zë do të mjaftojë për shqiptarët… Do të jenë ngaherë mirënjohës dhe plotësisht të siguruar për të drejtat e tyre". "Mos ua thuaj këtë," ish përgjigjur Presidenti, duke buzëqeshur, "se pastaj do e lënë punën e do squllen… ajo që duhet është që të punojnë më fort se kurrë më parë".

Ismail Qemali do t‘i kishte kuptuar mirë fjalët e Presidentit. Do ta kish rrokur kuptimin e Uillsonit se liria nuk është një ngjarje e veçantë, që ndodh një herë e pastaj lihet pas dore, por, përkundrazi, një vazhdimësi përpjekjesh dhe vigjilence dhe lufte. Dy burrat do kishin rënë në një mendje se vetësundimi nuk është krijimi, aq më pak atribut i qeverive apo pronë e elitave, por e drejta në lindje e popullit si i tërë, ushqyer, mbështetur dhe ruajtur vetëm me anë të vullnetit të tyre. Dhe mund të kishin arritur në përfundimin që mësimi i tyre i përbashkët për ne, shqiptarë dhe amerikanë njësoj, është që demokracia nuk ka të bëjë vetëm me çka është sot, por edhe me çka mund të jetë nesër.

Ose, siç mund ta shprehte ai që do jetë së shpejti Presidenti amerikan, "Po, ne mundemi!" Pra, 28 nëntori është vërtet një ditë për ne, shqiptarët dhe miqtë e shqiptarëve së bashku, që të kujtojmë kampionët e pavarësisë së Shqipërisë - ata që vazhdojnë të na frymëzojnë me sakrificën dhe kurajën e tyre për ta bërë këtë vend të lirë. Është edhe një ditë që ne t‘ia ripërkushtojmë veten idealeve - lirisë, demokracisë, të drejtave të patjetërsueshme të njerëzve - të cilave ata u kushtuan jetën. Por, në fund, ndoshta është më së shumti një ditë që të gjithë ne të bëjmë atë që bënë heronjtë e mëdhenj të së shkuarës dhe të ngremë vështrimin drejt horizontit.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama