Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nevoja për një debat politik rreth “Berluskaosit energjitik”

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 17 vite më parë

Mero Baze
Nevoja për një debat politik rreth “Berluskaosit energjitik”

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, inkurajoi qeverinë shqiptare t’u hapë rrugë investimeve në prodhimin e energjisë dhe lëndëve të ndërtimit në Shqipëri, me destinacion eksportin në Itali. Ai mbështeti nënshkrimin e dy kontratave në fushën e energjisë, një fabrike çimentoje, si dhe asistoi në nënshkrimin e një kontrate që një kompani italiane ka fituar për ndërtimin e rrugës Levan- Damës.

Axhenda e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, është një tregues i qartë i modelit të zhvillimit të vendit që ka zgjedhur tashmë qeveria shqiptare. Duke qenë vend kufitar me Italinë dhe Bashkimin Evropian në përgjithësi, Shqipëria po kthehet në një park për prodhimin e energjisë, çimentos dhe importit të produkteve të gazit dhe naftës dhe të furnizojë prej këtej vendet perëndimore. Projektet marramendëse që po ofrohen, janë investime që Italia dhe vende të tjera të BE duan t’i bëjnë jashtë territorit të tyre, për shkak të impaktit që ato kanë në mjedis dhe kostot e larta që janë në vendet e tyre.

Dy kompani italiane do të përfitojnë direkt pas firmosjes sot me palën shqiptare të drejtën për ndërtimin e një parku energjitik që do të përmbajë rigazifikimin, një pontil dhe depozita nënujore, si dhe një projekt tjetër për ndërtimin e një parku energjitik në Karaburun që prodhon energji përmes erës. Problemi i energjisë bërthamore nuk ishte temë e axhendës së vizitës së Berluskonit, por Berisha tha se për energjinë bërthamore shohim tek Italia një partner të denjë.

Por shumë vëzhgues të situatës e shikojnë euforinë e këtyre kontratave të përkohshme. Nëse kontratat nuk mbeten thjesht në krijimin e një klime elektorale, ato mbeten për t’u debatuar, pasi janë jotransparente dhe përbëjnë një tendencë të papremtuar të së ardhmes së vendit, drejt kthimit në një punishte për vendet fqinje. Raste të tilla euforike ka pasur dhe më parë. Kryeministri Berluskoni ka nënshkruar 6 vite më parë një kontratë për eksportimin e ujit të pijshëm të Syrit të Kaltër të Bistricës në Pulia, por nuk u realizua kurrë. Nga ana tjetër kontratat ngjajnë joserioze, po të kemi parasysh se ato bien ndesh me kontrata të tjera që vetë qeveria ka nënshkruar me partnerë të tjerë për të njëjtin objekt. Kështu, kontrata e grupit “Falcione” për ndërtimin e një rigazifikuesi mes Fierit dhe Vlorës dhe impianteve nënujore të tyre, bie ndesh me të njëjtin projekt që qeveria e kryeministrit Berisha ia ka premtuar dhe ka licencuar një kompani zvicerane, “ASG Power”, në prani të ambasadores amerikane në Tiranë para dy vitesh. Nuk jam i sigurt sa serioz ka qenë Berisha me ambasadoren amerikane përkrah, kur ka licencuar këtë projekt, por fakti që ai po e përsërit këtë skenë me Berluskonin është dukshëm joserioz. Po ashtu, ndërtimi i një fabrike çimentoje në veri të vendit është në vazhdën e licencave që iu jepen kompanive të huaja për prodhimin e çimentos në Shqipëri, licenca që tejkalojnë dhjetëra fish nevojat që ka Shqipëria për çimento në të ardhmen. Deri tani Shqipëria ka dhënë licenca për grekë, spanjollë dhe italianë, të cilët kanë premtuar të prodhojnë aq shumë çimento, sa të furnizojnë tregun italian, grek e spanjoll.

Kjo tendencë zhvillimi, pra kthimi i Shqipërisë në një aneks për produktet energjitike dhe ndërtimore të vendeve perëndimore, është tashmë një tendencë e konsoliduar nga kjo qeveri, por e papremtuar dhe e padebatuar me publikun. Nga një vend që tenton të ngrejë industrinë turistike, Shqipëria po shndërrohet në një aneks ndërtimesh që do të prodhojnë lëndë të para dhe energji për vendet fqinje. Zërat që po kundërshtojnë deri tani këtë tendencë janë pjesë e shoqërisë civile dhe shtypit, por ende nuk kemi një opozitë politike kundër kësaj tendence. Nuk është tragjedi dhe as fat që opozita ta mbështesë këtë rrugë, por thjesht duhet të shprehet dhe të dëshmojë planin e saj për këtë tendencë tashmë në konsolidim për zhvillimin e vendit. Kjo ka shumë rëndësi të dimë, nëse duhet t’i bëjmë në të ardhme modifikime kësaj rruge, apo të ndjekim një tjetër strategji të zhvillimit të vendit përmes turizmit dhe industrisë bujqësore, siç kemi prioritetet natyrore. Nëse të dy palët kanë të njëjtën strategji, atëherë na mbetet të pakësojmë dëmet e kësaj strategjie, duke forcuar opozitën jopolitike, medien dhe shoqërinë civile që duhet të ndërgjegjësojnë shoqërinë për problemet që na presin. Nëse opozita ka plan tjetër, kundër kësaj tendence, atëherë çështja është më e thjeshtë, pasi do konkurrojnë dy strategji të ndryshme politikisht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama