Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shpata e Skënderbeut dhe Profeti Ibrahim

Botimi i përkthimit të monografisë mbi Skënderbeun të Oliver Jens Schmitt ka ndezur në mediumet e Shqipërisë, por edhe në shumë forume të internetit debatin mbi personazhin dhe mitin e Skënderbeut. Edhe pse nga pothuaj të gjithë shkruesit, pranohet që shumica dërrmuese e tyre nuk e kanë lexuar librin, kanë mjaftuar reagimet e nxehta në disa gazeta kundër përkthyesit të librit, Ardian Klosi për të rihapur debatin mbi Skënderbeun.

Debati mbi Skënderbeun në Shqipëri në fakt është i vjetër. Ai është aq i vjetër sa ç’janë dhe vetë shqiptarët si komunitet i imagjinuar njerëzish. Njëqind vjet më parë, shqiptarët debatonin, ashtu sikurse edhe ne sot, në ishte Skënderbeu hero i shqiptarëve apo jo. Këtu më vjen ndër mend se si, në janar të vitit 1908 psh. një Lap Martallozi shkruante i revoltuar në gazetën “Drita” të Sofjes se si në Shqipëri, njerëzit mësonin nëpër meqtepë, se sulltanët turq ishin të shenjtë dhe janë dërguar “në kahuristanë për të bërë fet’h nga Allahu,” dhe se “Skënderbeu s’qe tjatër veçse një hajdut”, “se hoxhët kishin gjetur në një qitap arabisht që tregonte se shqiptarët ishin arapë që një mijë e një e treqint vjet më parë iu zemëruan halifesë hazretit Ymer dhe u bënë muhaxhirë në Shqipëri.” Lap Martallozi ankohej edhe se nëpër skolitë e grekut që ekzistonin në Shqipëri, njerëzia mësonte që “gjith njerzit e mbëdhenj janë grekë, le Filipi, Leka i madh, Batlemeu, Pirua dhe Skënderbeu, po aq edhe Krishti”(Lap Martallozi, Liria dhe zgjedha, Drita, Janar 1908).

Por problemi i Skënderbeut ka qenë i përhapur në të gjithë vilajetet ku jetonin popullatat shqipfolëse në Perandorinë Osmane. Nga vitit 1908 e deri më 1912 në këto vilajete pati më mijëra shqiptarë që refuzonin idetë e shqiptaristëve mbi kombin, ndër të cilat hynte edhe miti i Skënderbeut. Ky problem u trashëgua edhe pas krijimit të Shqipërisë si shtet, ku si në jug ashtu edhe në Shqipërinë e Mesme dhe Gegëri, Skënderbeu shihej si shpikje e kombëtaristëve, apo ndonjëherë si hero i toskëve që e kishin marrë Skënderbenë si hero të tyre nga shkrimet e albanologëve perëndimorë, të cilët, siç tregon Clayer, ‘zbuluan’ shqiptarët në shekullin e 19të. 

Këtë gjë e tregon edhe Enis Sulstarova në shkrimin e tij “A duhet çmitizuar Skënderbeu?” (Gazeta Shqip, 8 dhjetor 2008). Ai thotë: “…Skënderbeut u krijua nga Rilindja Kombëtare Shqiptare qindra vjet më vonë vdekjes së tij. Qëllimi i Rilindjes ishte krijimi i shtetit kombëtar shqiptar dhe miti i Skënderbeut i shkonte për shtat: periudha e Skënderbeut u kujtonte shqiptarëve ekzistencën e shtetit mesjetar; Skënderbeu kishte luftuar kundër Perandorisë Osmane; me mitin e Skënderbeut si "mbrojtës i Evropës" mund të kërkohej nëpër kancelaritë evropiane përkrahje për të drejtat e kombit shqiptar. Në njëfarë mënyre, Rilindja Kombëtare e zbuloi mitin e Skënderbeut nga vetë shkrimtarët evropianë të Rilindjes Evropiane që e kishin krijuar atë.”

Një rrëfim më të qartë mbi zanafillën e Skënderbeut ka dhënë Fatos Lubonja në shkrimin "Bëhu i ditur të jesh i lirë" (Korrieri, 30 nentor 2008). Duke cituar librin e ri dhe tronditës të Nathalie Clayer, Lubonja tregon që ky mit u promovua nga austro-hungarezët të cilët morën një mit shqiptaro-sllav që ekzistonte në zonat e Shpuzës dhe të Podgoricës, ku Skënderbeu paraqitej si luftëtar sllav, dhe e shndërruan në një hero të popullit të ri që po formësohej në brigjet e Adriatikut. Siç kanë treguar shumë shkrues mbi këtë temë (Fatos Lubonja, Nathalie Clayer, Hysamedin Feraj, Egin Ceka etj) miti i Skënderbeut është përdorur në forma të ndryshme dhe nga grupime të ndryshme në historinë e shqiptarëve. Ai është konstruktuar së pari si mit i krishtërimit, dhe "atlet i Krishtit", është rimarrë më pas në emër të nacionalizmit, është përdorur si simbol i Bektashizmit nga Naim Frashëri, është përdorur për të prodhuar një shqiptar anti-turk nga nacionalistët, është përdorur si simbol i bashkim-vllaznimit jugosllav nga komunistët, është përdorur si mit për proçesin e shqiptarizimit të muslimanëve në ish-Jugosllavi, është përdorur si mesia i enverizimit, dhe tashmë me rënien e komunizmit në Evropën Juglindore, ai po vazhdon të përdoret si mit i proçesit të nacionalizimit në Kosovë dhe Maqedoni. Zhvendosja e busteve të Skënderbeut në drejtim të Prishtinës, Dibrës dhe të Shkupit tregon që ky mit vazhdon të përdoret nga nacionalizmi shqiptar, i cili kohëve të fundit është duke u gërshetuar me mitet e Katolicizmit, ku siç vëren Abdi Baleta, Skënderbeu shpesh bëhet pjesë e një triniteti katolikocentrik ku Ismail Kadare, Nënë Tereza e Skënderbeu shiten si pjesë e një embleme kombëtare, një "trini e shenjtë" personalitetesh mbi bazë të katolicizmit: Skënderbeu si luftëtar për Papën, jo për babën; Nënë Terezën si të vetmin burim shpirtëror për shqiptarët dhe Kadarenë si të vetmin frymëzues kulturor për konvertimin në katolicizëm. Sipas Baletës, Kadareja reagon ashpër kundër de-mitizimit të Skënderbeut për arsye personale, pasi kërkon që të jetë pjesë e tresheve të mëdha, “pasi qysh në kohën e komunizmit e kishin përgatitur për në "treshen e madhe" gjirokastrite Enver Hoxha-Eqerem Çabej-Ismail Kadare, për të krijuar bindje të pakundërshtueshme tek shqiptarët se pushteti i mendjes dhe i forcës mbi ta duhej të vinte vetëm nga Gjirokastra (Enveri si simbol i pushtetit politik, Çabej si simbol i pushteti shkencor, Kadareja si simbol i pushtetit krijues).” (Abdi Baleta, Forumi Çamëria, 23 nëntor 2008)

Çfarë të bën përshtypje në reaksionet që shkakton debati mbi mitin e Skënderbeut, është se përpjekja për ta parë Skënderbeun si tokësor dhe si ka qenë në të vërtetë, shkakton sulme kundër personave që përpiqen të ndajnë Skënderbeun mitik nga ai historiku. Më kujtohen këtu sulmet që u bënë në vitin 1998 kundër librit "Skicë e mendimit politik shqiptar" nga Hysamedin Feraj, e deri te sulmet e sotme kundër Klosit, apo Lubonjës nëpër gazeta dhe disa forume të internetit, ku tituj si "Përse sulmohet Heroi ynë kombëtar, Skënderbeu", (prononcime të Agim Isakut, Artan Lames, Luan Ramës, Edlira Gjonit, në "Tirana Observer" 19 nëntor 2008); "Skënderbeu, ky titan", ("Standard" 15 nëntor 2008); "Pse po ringjallen Ballabanët?" (Fahri Balliu "55" 18 nëntor 2008), tregojnë tensionin që shkakton te disa besimtarë të mitit të Skënderbeut, ndasia shkencore e Skënderbeut mitik nga ai historiku. Në këtë vazhdë, reagimet me të mahnitshme kanë ardhur padyshim nga Mira Meksi që në Shekulli thoshte që “shkelja apo rrëzimi i tyre (qoftë dhe në tentativë) është thjesht tradhti ndaj kombit". (Mira Meksi, Shekulli, 18 nëntor 2008); dhe padyshim nga Ismail Kadare i cili personat që kërkojnë të shohin objektivisht mitin e Skënderbeut i quajti “pjesa renegate e popullit shqiptar” që kërkojnë të shohin “Gjergj Kastriotin si një renegat, tradhtar e armik” dhe që të “jesh kundër Gjergj Kastriotit, do të thotë të parapëlqesh robërinë para lirisë dhe Shqipëria do të ishte vendi i parë në Europë që do ta bënte këtë” (Shekulli, 18 nëntor 2008). Kjo frymë e cila bën “tradhëtarë” dhe “të rrezikshëm” për “sigurinë kombëtare”, personat që nuk besojnë në mite, bëhet edhe më serioze nëse dikush lexon Xhavit Shalën i cili kërkon të “godasë” një grup besimtarësh muslimanë, të cilët nuk besojnë në festat dhe simbolet kombëtariste (Revista Urtësia, Tetor 2008).

Por siç Renani ka thënë “të harruarit, apo gabimi historik është një faktor i rëndësishëm në krijimin e kombit”, (Becoming National, Oxford University Press, 1996) edhe debati mbi Skënderbeun ne si shqiptarë na mëson këtë gjë. Pra ndërtimi i historisë së kombit mbi harresën apo rrëfime të gabuara është pjesë e nacionalizmit. Dhe në fakt mbrojtësit e Skënderbeut, duke dashur që të ruajnë mitin e tij, kërkojnë në fakt që historia të lexohet gabim.

Që historia ndërtohet mbi mite, duket se është edhe teza që Sulstarova pranon në shkrimin e cituar në fillimin e këtij shkrimi. Por, në kundërshtim me Lubonjën, i cili mendon se që dikush të jetë i lirë, duhet të jetë i ditur, Sulstarova thotë: “Në Shqipëri çmontimi i identitetit shqiptar nuk po na sjell ndonjë emancipim të madh qytetar, vetëm intensifikimin e politikave alternative të identitetit, që kanë për bazë fenë ose etninë. Diku miti i Skënderbeut si "Atlet i Krishtit" po përdoret si thirrje për konvertime të shqiptarëve myslimanë në krishterim, diku kryetari i një bashkie Skënderbeun e bën grek, diku tjetër sajohen varre për ushtarët grekë, si shtylla për të mbajtur në këmbë mitet e "çlirimit të Vorio-Epirit". Nuk është e thënë që përgjigjja e shqiptarëve ndaj këtyre dukurive duhet të jetë patjetër dhe gjithmonë referimi te miti i Skënderbeut, aq sa ai të na zërë hapësirën qytetare dhe mendimin kritik, mirëpo në krahun tjetër identifikimi me bashkësinë shqiptare, me gjithë shndërrimet e pashmangshme që sjellin kohërat dhe kontekstet e reja, ka si derivat të vetin interpretimet e pareshtura të figurës së Skënderbeut, sepse një bashkësi që quhet "shqiptare" nuk mund të ekzistojë në hapësirë dhe në kohë pa simbolin e Skënderbeut.”

Edhe pse unë jam dakort me Sulstarovën në lidhje me konstruktet e reja identitetare në Shqipërinë e sotme, në anën tjetër jam i mendimit që problemi i tij qëndron në besimin në forcën e mitit për të ndërtuar bashkësi moderne. Sulstarova gabon kur mendon që ‘një bashkësi që quhet "shqiptare" nuk mund të ekzistojë në hapësirë dhe në kohë pa simbolin e Skënderbeut.’ Me këtë lloj konkluzioni, Sulstarova jo vetëm që sjell një hipotezë të pavërtetueshme historikisht, por bie në pozitat e Ardian Vehbiut i cili mendon që "Historia e Shqipërisë, ashtu siç është përpunuar në formë mitologjike, është pjesë e misionit të shkollës për t’u dhënë fëmijëve një identitet qytetar modern.” (Shekulli, 18 nëntor 2008). Qëndrimin e Vehbiut e qorton me të drejtë Lubonja i cili thotë: “A formojmë vërtet një identitet qytetar modern duke i ushqyer fëmijët me mite nacionaliste ashtu siç janë farkuar ata një shekull e gjysëm më parë dhe përforcuar me frymë totalitare nga diktatura komuniste? … Nëse fëmijëve tanë do t\\\\\\\'u tregojmë gënjeshtra, edhe ata do të vazhdojnë të tregojnë gënjeshtra e ne do të vazhdojmë të kultivojmë kulturën e rrenës dhe manipulimit.” ("Bëhu i ditur të jesh i lirë", Korrieri, 30. 11. 2008).

Kundërshtimet që i kanë ardhur mitit të Skënderbeut prej afro një shekulli nga shqiptarët, dhe tensionet që ai shkakton sidomos në mesin e shume grupeve shoqërore, ku shkruesi i këtij shkrimi di sa e sa raste njerëzish dhe grupesh kulturore për të cilët ky mit është thjesht i papranueshëm; provojnë se teza e Sulstarovës se ‘një bashkësi që quhet "shqiptare" nuk mund të ekzistojë në hapësirë dhe në kohë pa simbolin e Skënderbeut’ është e gabuar. Ka shumë shqiptarë që nuk janë bërë të këtillë falë mitit të Skënderbeut, por si pasojë e proçeseve të tjera identitare që nuk janë pjesë e këtij shkrimi. Por në anën tjetër jam i mendimit se kultura e vazhdimit të imponimit të mitit të Skënderbeut në Shqipëri, siç ndodhi me shqiptarët gjatë komunizmit kur dhuna shtetërore impononte mitet e Stalinit, Hoxhës dhe Skënderbeut tregojnë që shoqëria shqiptare dhe në veçanti klasa e saj intelektuale nuk është pjekur ende për të kaluar fazën tranzitore të ‘shekullit të shkurtër të 20të’ siç e quan Hobsbawm atë, dhe të lërë pas të kaluarën e frikshme të kontinentit tonë kur në emër të kombit janë bërë krime nga më të frikshmet. Imponimi i mitit të Skënderbeut ndaj grupeve shoqërore që nuk e duan atë, apo “goditja” e personave që nuk besojnë në mite, siç kërkon të bëjë Xhavit Shala, rezikon të krijojë të njëjtat reaksione dhe kriza identitare në vendin tonë siç krijon edhe imponimi i Ataturkizmit kundër armenëve, kurdëve dhe grupeve të tjera në Turqi; apo siç edhe Kurani na mëson mbi historinë e profetit Ibrahim, i cili kur jetonte në qytetin Ur irritohej nga imponimi i idhujve që i bëhej popullatës lokale nga idhujtarët, në një kohë kur këta idhuj – ishin krijesa të vdekura dhe pa ndonjë fuqi – por qëndronin në atë vend vetëm për shkak të një konsensusi dhe dëshire imponuese të elitës sunduese.

Rasti i muslimanëve të Shkodrës kur në 2006 ata refuzuan vendosjen e bustit të Nënë Terezës në hyrje të qytetit, por edhe tensionet që janë shkaktuar në Shkup nga vendosja e bustit të Skënderbeut dhe e Nënë Terezës nga maqedonët, por edhe deklarata e Bollanos që Skënderbeu është grek, tregojnë që ne në Ballkan jemi akoma pre e politikave inatçore etniko-fetare të shekullit të XX, si pasojë e të cilave në shekullin e kaluar janë shkaktuar një seri tensionesh dhe shtypje identitetesh alternative që ekzistojnë në shoqëritë e Ballkanit. Në këtu mund të përmendim edhe rastin e luftës në Kosovë, ku ishte imponimi nga Millosheviçi i mitit të Car Llazarit dhe Betejës së Kosovës ai që acaroi nacionalizmin serb dhe çoi në shtypjen e shqiptarëve dhe luftën e Jugosllavisë. Edhe pse Brubaker ‘kombin’ e sheh si një kontigjent dhe kategori praktike i cili bën të mundur funksionimin e shtetit modern, jam i mendimit që kopjimi në rastin shqiptar i modelit republikan francez të idesë së kombit dhe imponimi nga lart i “historisë korrekte” dhe i “heroit korrekt” me mite siç bën Kadare, i cili në vitet e komunizmit “thoshte se shpata e shqiptarëve të Skënderbeut ishte e drejtë, pasi shqiptarët ishin të mirë, kurse shpata e turqve (jatagani) ishte e shtrembër sepse ata ishin të këqij” (cituar nga Lubonja) është një lloj totalitarizmi identitar. Si pasojë e këtij totalitarizmi sot Shqipëria është shumë herë më e varfër kulturalisht, pasi sistemi i kaluar i zhduku asaj pak a shumë minoritetet gjuhësore, kulturore dhe fetare dhe prodhoi njeriun e realizmit socialist me Skënderbeun si mesi; Enver Hoxhën si pejgamber; dhe Kadarene si Ati intelektual i kombit.

Me rënien e komunizmit dhe dobësimin e ideologjisë nacional-komuniste, shqiptarët e Shqipërisë janë liruar nga shumë mite të të kaluarës. Në këtë vazhdë mendoj që edhe rrëfimi i drejtë i Skënderbeut, nuk do të bëj ndonjë hata të madhe, pasi siç Umut Ozkirimli thotë ‘identitetet janë një projekt në vazhdim e sipër apo një ‘work in progress’, që ndërrojnë sipas konjukturave historike, ekonomike, politike dhe sociale.’(Umut Ozkirimli dhe Steven Grosby, në Nations and Nationalism, 2007) Shqiptarët do të ishin bërë shqiptarë edhe nëse hero i tyre do të ishte Sulltan Abdylhamiti, Esat Pasha, Haxhi Qamili, Lenini, Stalini apo dikush tjetër në vend të Skënderbeut. Pse siç Gellner thotë, nacionalistët dhe shteti kombëtar do të krijonin ndonjë mit apo hero tjetër, do ta zbukuronin me bëma dhe heroizma, dhe kombi do të mrekullohej ndërsa do të lexonte mbi heroizmat e të parëve të tij.

Për sa më sipër jam i mendimit që detyrë e elitave shqiptare sot, është që të reflektojnë me seriozitet dhe shkencërisht mbi të kaluarën e tyre, duke përfshirë këtu edhe përdorimin, historinë dhe mitin e Skënderbeut, pa patur frikë apo komplekse kombëtariste. Nëse duam me të vërtetë që të ndërtojmë një komb evropjan, pa ‘fyhrer’, ‘komandantë’ dhe ‘atletë të Krishtit’, por me qytetarë dhe evropianë të njëmendtë, baza e këtij qytetari nuk duhet të jetë miti dhe legjenda, por dituria e cila të bën të lirë, siç edhe Lubonja thekson.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama