Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Çfarë nuk shkon pas Dhjetorit

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 17 vite më parë

Skënder Minxhozi
Çfarë nuk shkon pas Dhjetorit

Historia dhjetoriste që po vihet re këto ditë, përveç falsitetit të përvitshëm të mbarsur me fjalime që nxirren nga sirtarët sa herë afrohet kjo datë, ka sjellë me vete edhe pyetjen po të zakonshme 'çfarë ka shkuar keq me Shqipërinë pas dhjetorit të vitit 1990'. Një pyetje, e cila pse bëhet rëndom edhe jashtë formatit të kësaj date ...reflekton në një masë të madhe pakënaqësinë e gjerë të shqiptarëve për mënyrën sesi u përdrodh historia jonë e përbashkët pas netëve të mesdhjetorit të vitit '90. Ka pasur dhe ka shumë shpjegime për arsyet e këtij tranzicioni konvulsiv shqiptar, nga ç'ishte përfytyrimi i studentëve atë dhjetor të largët. Nga mungesa e eksperiencës së vendit për të ndërtuar demokracinë e deri te dora e zezë 'sabotatore' e regjimit të përmbysur, nga kriza ekonomike që na tërhoqi drejt fundit për shumë vite rresht e deri tek apatia e Perëndimit për të hedhur mbi ne një 'shi jeshil' dollarësh, të cilët do ta kthenin përmbys për mbarë jetën tonë sa hap e mbyll sytë.

Ka shumë realizëm dhe njëherazi fantazi në perceptimin popullor për dështimin, në linja të përgjithshme (ose më mirë devijimin nga ëndrra kolektive), të qeverisjeve pluraliste në 18 vjetët e fundit. Veçse ekzistojnë, mesa duket, edhe disa interpretime të cilat marrin parasysh disa ligjësi universale, që i tejkalojnë si realitetin shqiptar, ashtu edhe fajet e kusuret e klasës së tij drejtuese. Në librin e tij magjik "E ardhmja e lirisë", publicisti dhe studiuesi i famshëm Farid Zakaria parashtron një problem dhe jep disa përgjigje, lidhur me raportin që është krijuar që disa shekuj më parë, mes demokracisë dhe lirisë. Zakaria e thotë qartë dhe thjeshtë, se e para nuk nënkupton, ashtu siç kujtohet rëndom, të dytën. Demokracia mund të ekzistojë, madje ajo mund të bëhet në mënyrë paradoksale edhe shtrati i lindjes së disa devijimeve shumë të rrezikshme, të cilat prodhojnë autokraci apo edhe diktatura të reja me kalimin e kohës. Mungesa e asaj që ai e quan liri, ose ndryshe frymë "liberale kushtetuese", përbën kleçkën që i mungon një qeverisjeje demokratike, për të qenë e plotë dhe normale. Ku me normale nënkuptojmë padyshim modelin e sotëm të vendeve të zhvilluara perëndimore, që shtrihen në kufinjtë natyrorë të Evropës Perëndimore, Amerikës së Veriut dhe kontinentit australian.

Mësimi i Zakarisë ka një vlerë universale, analiza e tij e thellë e sintetizuar në këtë paradigmë në dukje të thjeshtë, është e vlefshme dhe e aplikueshme për shumë e shumë realitete gjeopolitike të botës së sotme, sepse përbën një lloj ekuacioni, në të cilin mjafton të futësh "prefiksin" e vendit apo qeverisjes në një cep të botës, dhe del menjëherë rezultati. Natyrisht asgjë nuk është kaq e thjeshtuar, por nocionet bazë të teorisë së Farid Zakarias mbi demokracinë dhe lirinë janë një deduksion i provuar me qindra shembuj brenda librit dhe që shtrihen në të gjitha epokat shoqërore, nëpër të cilat ka kaluar bota së paku në 300 vjetët e fundit.

Rasti shqiptar, i parë me këtë "lente", rezulton një rast klasik i një qeverisjeje demokratike joliberale. Pra, një sistem që zbaton rregullat kryesore të lojës, por jo "rifiniturat" e saj. Zgjedhje pluraliste, ekonomi tregu, e drejtë e fjalës dhe e grumbullimit, por prapë mesa duket nuk mjafton. Jemi një vend që në 18 vjetët e fundit kemi bërë një copë të mirë rruge, por jo të gjithë rrugën. Fryma kushtetuese që hedh teza e Zakarias, ajo frymë që bën që ligji të qëndrojë mbi personat me pushtet dhe mbi palët në përgjithësi, ende nuk ekziston. Më tej akoma, liritë janë të cenuara nga shteti, ndarja e institucioneve gjithashtu. Ka sot zyrtarë të lartë të shtetit që akuzohen nga drejtësia, theksojmë, nga drejtësia, për rrëmbim personi apo abuzime financiare të përbindshme, dhe që nuk e përfillin aspak vullnetin e ligjit, por vazhdojnë të recitojnë përralla për "persekutimin" që po iu bëhet. Në 18 vjet Shqipëria nuk mundi të ndërtojë diçka më të mirë sesa një demokraci defektoze, e cila nuk bazohet në frymën kushtetuese-liberale.

E thënë me fjalë të varfra, me pak përjashtime, të cilat është e detyrueshme t'i nënvizojmë fort, kemi rënë këto 18 vjet në duar të këqija, hileqare dhe të paafta. Për këto dhe arsyet e tjera të mësipërme, ndodhemi ende në mesin e një procesi që është i ngadaltë, që kërkon kohë dhe mbi të gjitha, kërkon pjekjen e disa kushteve të cilat lidhen me standardet ekonomike, po aq sa edhe me liritë e të drejtat. Shqipëria e sotme hyn me vështirësi në "epruvetën" demokratike liberale të Zakarias, pak a shumë siç ndodh me një numër të madh vendesh të të gjitha meridianeve e paraleleve, nga Kaukazi e deri në Amerikën e largët Latine. Jemi me shumë shokë, na thotë Farid Zakaria, por jo me shokët më të mirë të mundshëm...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama