Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Cila do te ishte nje politike e re?

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Cila do te ishte nje politike e re?

Ka kohë që teza e një "politike të re" përbën leitmotivin e të gjitha fjalimeve të Edi Ramës dhe e retorikës së socialistëve, por e vërteta është se kjo tezë nuk po ngjit ashtu si (dhe aq sa) do donte Rama që të ngjiste. Ky i fundit, me t‘u zgjedhur në krye të PS-së, nuk hoqi shumë për të bërë këtë gjetje, e cila sidoqoftë nuk ka gjasa të jetë një shpikje e tij (përpara se ta dëgjoj nga Edi Rama, e kam dëgjuar nga udhëheqësi konservator i Britanisë së Madhe, David Cameron, i cili ka folur shpesh e këmbëngulshëm për nevojën e një të ashtuquajture "new politics").

Nuk hoqi shumë për ta shpikur apo për ta adoptuar këtë tezë, pasi vetë Edi Rama, pa arritur ende tek substanca politike (ose përtej kësaj substance, nëse ai do ta ketë ndonjëherë një të tillë), ka përbërë e përbën një premtim për të qënë një gjë e ndryshme, gjë që - të kuptohemi - nuk është se duhet të na ngrohë apriori. Të gjithë e dinë që Rama është një gjë e ndryshme (Rama vetë e di më shumë se të tjerët e më shumë se sa duhet), por kjo nuk të bën vetvetiu një agjent të ndryshimit. Për të bërë një ilustrim me Barack Obama-n (kjo është bërë e modës tanimë, aq sa të gjithëve ua ka qejfi të barabiten apo të krahasohen me të), duhet thënë se presidenti i sapozgjedhur i superfuqisë së përtej Atlantikut nuk u shndërrua në agjent i ndryshimit ngaqë ai ishte i ndryshëm par excellence, dmth një njeri me ngjyrë në kontekstin tradicionalisht wasp-ian të SHBA-ve, por ngaqë ai ishte esencialisht i ndryshëm.

Si mund të bëhesh esencialisht i ndryshëm? Me fjalë të tjera, si mund të shndërrohet "politika e re" nga një term i zbrazët demagogjik në një aksion të mirëfilltë politik? Shumë e thjeshtë: duhen shquar mirë të gjitha ato praktika e qasje të politikës shqiptare në harkun e dy dekadave të fundit, të cilat jo vetëm nuk u janë bërë krah përpjekjeve për të ndërtuar një demokraci gjenuine e një shtet funksional të së drejtës, por kanë ecur në drejtim të kundërt me këto përpjekje. Pas kësaj, është radha, jo thjesht për të lëshuar britmën populiste "ndryshim", por për ta shpjeguar e për ta bërë të mundur këtë ndryshim, d.m.th politikën e re.

Merret vesh se njohja e sëmundjeve të politikës shqiptare në periudhën postkomuniste, tok me përpjekjet për t‘i kuruar, do të ishin themelet, mbi të cilat do të duhej të ngrihej një politikë e re. Cilat janë këto sëmundje? Ou, janë të shumta. Të panumërta. Fjala vjen, partitë shqiptare nuk kanë identitet politik, gjë që i ka shndërruar ato në struktura klanore, klienteliste, nepotike, etj; ose - kjo është e lidhur me të parën - praktika e njohur me emrin Spoils System, ose thënë shqip, mirënjohja ndaj klientëve e miqve për kontributin në të mirë të partisë, dhe shpërblimi i tyre me poste në administratën shtetërore; ose arroganca e pushtetit ekzekutiv, i cili ka dëshmuar se nga njëra anë mund të vërë lehtë nën thundër institucionet e pavarura kushtetuese, deri dhe parlamentin, e nga ana tjetër mund t‘i japë të drejtë vetes të shkelë apo të injorojë ligjet e kushtetutën; ose personalizimi i skajshëm e i frikshëm i institucioneve; ose ligjërimi politik i dhunshëm, që synon demonizimin e delegjitimimin e kundërshtarit politik; ose tentativat për ta parë politikën dhe moralin si dy gjëra që s‘kanë lidhje me njëra-tjetrën; ose një kulturë e dhunimit të opozitës, gjë që është demonstruar e demonstrohet edhe nëpërmjet sundimit parlamentar nga ana e shumicës (akoma nuk po kuptohet se kryetari i parlamentit, me t‘u zgjedhur nga shumica, duhet të shndërrohet automatikisht në një mbikëqyrës të paanshëm të rregullave të jetës parlamentare e në një figurë e rëndësishme institucionale e shtetit); ose debati politik i ashpër në tone e i varfër në argumente, i cili ka bërë që dialektika demokratike midis palëve të katandiset në një kacafytje të paprinciptë mes udhëheqësish; ose udhëheqësit që kapen me thonj pas statusit të udhëheqësit apo pas karriges së pushtetit; ose transparenca e munguar e financave të partive në raste fushatash apo në periudhat midis fushatash; ose lidhjet e dyshimta të politikës me biznese gjithashtu të dyshimta; ose …. Kuptohet pra, kjo listë është praktikisht shumë e gjatë.

Asnjë politikë e re nuk mund të ngrihet e nuk mund të ekzistojë jashtë dijes e vetëdijes mbi këto probleme të mëdha. Agjent i ndryshimit nuk mund të bëhesh me fjalë, por me vepra. E kur vjen puna tek veprat, Edi Rama ka mbetur vetëm tek një mënyrë e re e sjelljes opozitare, gjë që është vënë re tek qasja konstruktive e tek ikja prej kacafytjes së kërkuar e shterpë me kundërshtarin e tij të drejtpërdrejtë. Kjo është një gjë për t‘u përshëndetur, por afërmendsh nuk mjafton as për të marrë spaletat e agjentit të ndryshimit, as për të kandisur elektoratin mbi nevojën për ndryshim, e në këto rrethana, qasja konstruktive mund të merret për s‘qullje, zbythje, apo - më keq akoma - për appeasement. Për të mos thënë që nuk merret fare në konsideratë, kur shihet që dialogu e marrëveshjet bëhen me kundërshtarin natyral e nuk bëhen me aleatët e natyrshëm. Kështu risia komprometohet.

Në këtë kuptim, edhe sikur të mos bëhet fjalë për s‘qullje, zbythje e appeasement (jam i prirur të besoj se nuk bëhet fjalë), Edi Rama prapëseprapë nuk përfaqëson një politikë të re. Kjo është shumë pak. Përtej kësaj, ai thjesht ka folur për një politikë të re, por as e ka shpjeguar këtë, as e ka premtuar në terma konkretë. Përballë Berishës, Rama mund ta ketë të kollajtë ta shesë veten si një gjë fringo e re. Mirëpo kjo, ndërsa mund të bëjë të pamundimshëm e të pranueshëm ndërrimin e pushtetit, nuk bën të mundur ndryshimin e njëmendtë, megjithatë; nuk bën të mundur atë ndryshim, që zë me fill me njohjen e me denoncimin e asaj politike të vjetër, që nuk ka të bëjë domosdoshmërish me personat, por që ka të bëjë absolutisht me praktikat, me frymën, me idetë, etj, etj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama