Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rama, me eger se Berisha

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Rama, me eger se Berisha

Megjithëse po sillen gjithnjë e më shumë argumente mbi dhunimin që, Kodi Zgjedhor i kthyer nga Presidenti i Republikës, diskriminon shumë parti jashtë oborreve të PS dhe PD, madje dhe ato organizime që mund të jenë "tej së majtës e të djathtës", lidershipi i Partisë Socialiste dhe posaçërisht, Edi Rama, këmbëngulin të mos bëjnë në Kod asnjë korrigjim, që do të shmangte diskriminimin e do të rivendoste barazinë e konkurrimit politik. Është ky një qëndrim arrogant dhe intolerant që nuk përputhet fare me frazat dhe premtimet e një "politike të re" të paparë deri më sot në Shqipëri. Sepse, deri më sot politika shqiptare ka qenë e përmbytur pikërisht nga pabesi dhe xherrimandarinizma të tilla antidemokratikë. Dhe dy gjëra bëhen shumë alarmuese në këtë qëndrim të lidershipit të PS: divorci i hapur me të drejtën, duke dhunuar me arrogancë të drejtën e tjetrit, gjë që nuk premton për një pushtet të drejtë në të ardhmen, dhe së dyti, shansi që i krijohet autoritaristit Berisha për t‘u shfaqur në publik si më "tolerant", më "i drejtë", duke deklaruar se nuk do të ishte kundër korrigjimeve në Kod, nëse merren vesh të majtët mes tyre. Sepse edhe ky kalim topi i Berishës tek e majta është një mungesë devocioni ndaj drejtësisë.

Liderët e PS-së ishin ata që e kritikuan më pak kthimin e Kodit Zgjedhor nga Presidenti i Republikës, por që ndërkaq po përpiqen ta shfrytëzojnë deri në fund, në favor të egoizmit të tyre partiak argumentimin që Presidenti i bëri aktit të tij. Valentina Leskaj u shfaq në publik, duke deklaruar se PS është e gatshme të korrigjohen vetëm ato nene që kanë të bëjnë me arsyetimin e Presidentit për respektimin e afateve kushtetuese lidhur me shpalljen e zgjedhjeve. Është qartazi një taktikë për të shmangur korrigjime të tjera, që do t‘u jepnin mundësi partive si LSI, PDK dhe PS ‘91 të kishin të garantuar komisionerët e tyre apo përfaqësim të pëlqyeshëm për ta në komisionet e votimit.

Qëndrimi i liderëve të PS-së këmbëngul të shmangë edhe një korrigjim të mënyrave si llogariten mandatet e deputetëve dhe që në Kodin e kthyer nga Topi, avantazhojnë padrejtësisht partitë satelite të PD dhe PS, ndërkohë që diskriminojnë po padrejtësisht, të gjitha ato parti dhe forca që nuk duan të jenë në koalicione parazgjedhore me PS apo PD. Kjo është ekzaktësisht arrogancë, sepse është një këmbëngulje për të mbrojtur një formulë të padrejtë. Por si e tillë nuk mund të fshihet me metodat e një struci që fut kokën jo në rërë, por pas argumentimit të Presidentit, ndërkohë që e gjithë bota, sheh si i valëviten nga prapa puplat e padrejtësisë. Themi gjithë bota, se tri ditë më parë ishte një eurodeputete gjermane që kritikoi këtë qëndrim, ndërsa vetëm dje, ishte zëdhënësja e Oli Rehn që bëri të njëjtën gjë, duke kërkuar gjithëpërfshirje në procesin e korrigjimit të Kodit Zgjedhor. Dhe gjithëpërfshirja nuk nënkupton vetëm përfaqësim fizik në Komisionin e ringritur të Reformës Zgjedhore, por një gjithëpërfshirje konsensuale interesash të aktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme. Gjë që është dhunuar deri tani me kontributin edhe të lidershipit të PS-së, që për turp po këmbëngul t‘i dhunojë edhe pas shansit të dhënë nga Presidenti Topi.

Rama dhe liderët e PS-së bëjnë një faj të madh që kapen tek argumenti i Topit për të shmangur një korrigjim të Kodit që do të rivendoste barazinë e konkurrimit. Tashmë dihet që Presidenti, si simbol i unitetit të popullit, mund t‘i japë shanse politikës të korrigjojë një akt (si ky Kod Zgjedhor) që nxit papajtueshmërinë dhe konfliktin mes partive edhe pa shqiptuar troç shkaqet e kthimit të një ligji apo Kodi të aprovuar me shumicë tiranike në Kuvend. Por kjo "diplomaci presidenciale" nuk është një pretekst që (në rastin konkret PS) politika të mos i kthehet së drejtës. Sepse për të rivendosur të drejtën nuk është kurrë vonë. Aq më tepër kur këmbëngulja në mbrojtje të një padrejtësie e nxjerr "politikën e re" të Ramës më të vjetër, më të padrejtë, më të pandershme se politika e vjetër e autoritaristit Berisha.

Dhe pasi shohim këtë kokëfortësi të lidershipit të PS-së në mbrojtje të një padrejtësie, kemi të drejtë të alarmohemi se me "politikën e re" të Ramës, demokracia jonë (po të shprehemi me fjalët e Barak Obamës që Rama e përflet me hipokrizi aq shumë), "ka bërë hapa shqetësues prapa" se kjo politikë "e re" nuk po manifeston vlerat e demokracisë, "tolerancën, barazinë dhe mbrojtjen e atyre që ishin më poshtë se të tjerët". Apo më të vegjël, do të shtonim ne.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama