Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politika, ose panairi i marrezive

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Politika, ose panairi i marrezive

Sali Berisha në seancë plenare:

"Juve ju mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare; është i biri i një anëtari të Komitetit Qëndror, që gjithë përkushtimin e tij maksimal e kishte kur lustronte Enver Hoxhën në buste e statuja; po, po, dhe e merrte aty të birin me vete, si kone, për të lustruar bustet. Së dyti, është nipi i Kolekës, i atij që çoi në litar intelektualët, vetëm e vetëm se ata ishin më të zotë se ai".

Sali Berisha pesë minuta më pas:

"Edi Ramën e njoh; prandaj i thashë të gjitha këto. E kam ftuar në vitin 1991, më 31 mars e kam ftuar, për ta bërë kandidat për deputet. E kam bërë atë dhe për këtë kam dëshmitar. Kam Neritan Cekën. Atij dhe Ardian Klosit u kam kërkuar që të futen në listën e deputetëve të Partisë Demokratike. Nuk merrem unë pra me punë gjenetike, me punë familjare".

Në këtë mes verifikohen dy sëmundje kronike të Sali Berishës. Sëmundje të rënda e serioze. E para, është ajo psikike (t‘i bësh tjetrit biografinë faqe botës me synimin për ta denoncuar atë, e vetëm pesë minuta më pas të thuash, po njësoj faqe botës, se "unë nuk merrem me origjinën e tij familjare", kjo është as më pak, as më shumë, një çrregullim psikik). E dyta, është një sëmundje - le ta quajmë kështu - politike; e në këtë kuadër, një sëmundje që atij i vjen prej formimit bolshevik. Ka tetëmbëdhjetë vjet që nuk merret me çfarë thonë kundërshtarët e vet politikë; nuk merret as me vetë kundërshtarët politikë; përkundrazi, merret me të shkuarën e tyre, origjinën e tyre familjare dhe me familjarët e tyre, me synimin për t‘i bërë me turp mbi faktin që, në vend të kenë ruajtur dele e lopë në të ritë e tyre (gjë që e ka bërë ndershmërisht e pafajshmërisht Berisha, tok me të atin e me të atin e të atit), kanë kaluar kohë nëpër studio e atelier-ë arti; me synimin për t‘i bërë me turp mbi faktin, që në vend të kenë qenë komunistë fanatikë për 25 vite me radhë (kuptohet, ky është rasti i Berishës vetë), e kanë urryer komunizmin; dhe me synimin për t‘i bërë me turp mbi faktin që, në vend të kenë pasur pacipësinë për t‘iu qurravitur krerëve të nomenklaturës së kuqe (siç ka bërë Berisha vetë, dhe kjo është e dokumentuar), kanë pasur fatin të jenë bij e pinjollë të këtyre krerëve.

Nëse ia përmend origjinën e thjeshtë familjare, këtë e bëj më së shumti për simetrizuar gomarllëkun e bartur prej tij, e kështu për ta bërë atë të kuptojë se kjo punë është edhe një pesë me hiç, edhe fyese. Mirëpo, nuk ka asnjë gjasë që ai ta kuptojë. Dhe kështu, ka rrezik që të vijojë të bëjë me turp të tjerët që babai i tyre nuk quhet Ramë, që në të ritë e tyre kanë rendur pas femrave e jo pas deleve e dhive, që kanë fjetur në krevat e jo mbi kashtë ahuresh, që kanë ecur mbi trotuare e nën ndriçimin e llambave neon, e jo në baltë, pyll e terr, etj., etj., etj.

Seanca e parmbrëmshme parlamentare, ku u diskutua projektligji mbi spiunët e komunizmit, na dha dhe një provë tjetër të faktit, që Gërdeci është një tragjedi e markës "Berisha". Kemi pasur në dorë deri tani një numër provash, që dëshmojnë nakatosjen e Berishajve, jo vetëm në tragjedinë e Gërdecit, por edhe në një seri aferash korruptive të përmasave të padëgjuara. Cilat janë këto prova? Nuk janë të natyrës penale; janë të natyrës gazetareske. Fjala vjen, broçkulla, sipas së cilës, Sali Berisha nuk e dinte që baxhanaku i punonte në Gërdec; ose broçkulla tjetër, sipas së cilës ai atje mbante arka; ose broçkulla tjetër, sipas së cilës ai nuk e kish dëgjuar asnjëherë fjalën "Gërdec", ose sjelljen e çuditshme në periudhën postGërdec (ndonëse kemi të bëjmë me një tragjedi, ku mbetën të vrarë gati 30 vetë, atij nuk i ka bërë goja të thotë qoftë dhe një fjalë të vetme kundër mafies që e polli atë tragjedi; e të mendosh që nuk ka lënë mafie e mafiozë pa shpikur e pa denoncuar); ose blerjet e pronave të bëra nga vajza e tij në ndonjë cep të humbur të Shqipërisë pak përpara se qeveria e të atit ta shpallë këtë cep si "zonë e lirë investimesh të qindra milionë eurosh", gjë që valorizon tak-fak këto prona (çfarë kusarësh të ndyrë!), ose mbrojtja që i bëri atij serbit vulëhumbur, mikut për kokë të tij e ortakut të vajzës së vet (në "duelin" midis Prokurorisë së Republikës dhe këtij xhambazi ballkanas, kryeministri ynë, jo vetëm mori anën e xhambazit, por edhe mobilizoi gjithë qeverinë në mbrojtje të tij), ose sulmi që është i është bërë gjatë gjithë kësaj kohe Prokurorisë së Përgjithshme (sulm verbal dhe konkret), e cila duket e vendosur për të mos i mbyllur hetimet mbi korrupsionin e qeverisë e të familjes "Berisha", ose sulmi që i është bërë Presidentit të vendit, ngaqë ky i fundit ka lidhur "aleancë" me Prokurorinë e Përgjithshme.

Tani na vjen prova e fundit: po na bën një ligj, nëpërmjet të cilit synon të penalizojë ata prokurorë, të cilët janë iniciatorët e përgjegjësit e këtyre hetimeve.

Po si është e mundur që këto gjëra i bën kaq hapur? I bën, ngaqë nuk ka asnjë rezistencë serioze nga ana e opozitës politike dhe jopolitike. Të gjithë janë ose të lodhur, ose të mësuar, ose të paaftë për t‘u marrë me një si ai. Edi Rama përsërit si papagall sloganin e "politikës së re", pa e ditur në fakt se ç‘do të thotë politikë e re; nga ana tjetër vazhdon të besojë pa u lodhur e në mënyrë budallaqe tek një appeasement gati didaktik e pedagogjik (me fjalë të tjera, të luash në tërheqje, plot kujdes e skrupull, me shpresën e edukimit të kundërshtarit), gjë që, ashtu siç po ndodh me Veltroni-n, mund të sjellë një tkurrje të mbështetjes elektorale. Ilir Meta vazhdon pa u lodhur të merret me Edi Ramën. Pjesa jo politike e rezistencës ndaj Berishës është e përbërë kryesisht nga një numër gazetarësh, të cilët, edhe pse e ngrenë zërin ndaj të gjitha zullumeve të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, kanë zënë të besojnë një nga sendërgjitë më të pabesueshme të periudhës postkomuniste. Sipas kësaj sendërgjie, "Edi Rama është më i çmendur e më i rrezikshëm se sa Sali Berisha".

Hë për hë, nuk para e thonë publikisht, por do të vijë koha e do ta thonë. E nuk është se është vetëm një koleg që e thotë. Janë shumë, aq shumë, sa edhe unë e kam gjetur veten në ndonjë rast nën efektin dehës e shushatës të shumicës (opinioni njëngjyrësh i një shumice njerëzish të lirë, apo më saktë, njerëzish që jetojnë në liri, ta bën mendjen dhallë më tepër se sa makina propagandistike e një regjimi totalitar): ore, mos e ka drejtë edhe Blendi Fevziu, edhe Fatos Lubonja, edhe Andi Bushati, edhe Artur Zheji, edhe Arjan Çani, edhe Henri Çili, edhe Fahri Balliu, të cilët vijojnë t‘ia pëshpërisin sho-shoqit apo t‘ia thonë publikut me ngazëllim këtë gjë? Mos vallë, kjo pjesa e qortueshme dhe e keqe që unë arrij ta shoh tek Edi Rama (e që, ndërsa më shqetëson, nuk është se më fut të ngjethurat) është në fakt veçse një nënfish i asaj të keqeje që gjallon në të vërtetë brenda tij, të cilën arrijnë ta shohin tamam e të plotë kolegët e mi?

Unë nuk e besoj këtë; nuk jam dakord hiç fare me kolegët e mi, më të ndershmit e më të zotët e të cilëve e besojnë, apo bëjnë sikur e besojnë, apo bëjnë të tjerët ta besojnë këtë sendërgji, ngaqë duan të duken si të paanshëm. Mirëpo, kjo paanësi e kërkuar dhe e ndjekur si një modë, kjo paanësi që mbahet si kulmi i korrektesës dhe i ndershmërisë profesionale, kjo paanësi, nëpërmjet së cilës kërkojmë reputacion e besueshmëri, kjo paanësi pra nuk ka të bëjë fare me objektivitetin e me të vërtetën. Unë nuk uroj që kolegët e mi të mbështesin Edi Ramën, pasi ky i fundit është një produkt par excellence i politikës së vjetër (e këtë nuk e them - kolegët e mi e dinë tanimë - për të balancuar qëndrimin e mësipërm nën trysninë e modës së paanësisë), por të thuash se "Edi Rama është më i rrezikshëm e më i çmendur se sa Sali Berisha" është në fakt gjëja më e rrezikshme e më e çmendur që mund të dëgjojnë veshët. Me këtë arrihet - edhe pa e synuar - përjetësimi i pushtetit të Sali Berishës, e kjo është përveç të tjerash simptomë e një mazokizmi të pashembullt.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama