Kjo ka qenë ndër fjalët e para që personalisht kam mësuar nga greqishtja. Në fillim-vitet ’90 kur të afërm e kushërinj rrahën rrugë e parrugë malet e kufijtë për “një copë bukë”, kjo ishte fjala e parë që çdokush sillte me veten kur kthehej! Ishte e pakta sepse mund të kishin edhe shenja të kuqërremta e të zeza në trup! Kështu fqinjët tanë jugorë i thonë policisë për ata që ende nuk e dinë.
Një plumb direkt apo i rioshet i kësaj policie vrau një të ri 15 vjeçar grek në Athinë dhe më pas gjithçka shkoi drejt kaosit. Greqia ka më se 3 ditë që ndodhet në krye të lajmeve ndërkombëtare ku pamjet e shkatërrimit shfaqen frikshëm. Është e dhimbshme vdekja e një të riu në një protestë paqësore... por e dhimbshme edhe flaka në dyqanet, shtëpitë, automjetet dhe bizneset e njerëzve të pafajshëm!
Personalisht unë dhe çdo shqiptar duhet e pakta të pikëllohemi për shkatërrimin, pasi atje në ato rrugë, në ato biznese punojnë e nxjerrin bukën e gojës edhe bashkëkombësit tanë. Por nga ana tjetër, policia greke po merr përgjigje për papërgjegjshmërinë e saj...
Ka ndodhur me qindra herë kur janë keqtrajtuar deri në maksimum emigrantët shqiptarë. Mjafton të hapni arkivin e çdo gazete dhe të gjeni rastet në fjalë... madje disa kanë përfunduar në mënyrë tragjike! Bij nënash kanë humbur jetën, qofshin të ligjshëm a jashtëligjshëm në atë dhe...mbi të gjitha ata ishin njerëz. Elmi Lata, Vullneti Bytyçi, Sotiraq Butka e shumë raste të tjerë ishin fatalë!
Astinomia greke po merr përgjigjen nga populli i saj, i cili nuk të fal kur preket në kockë. Kjo polici në njëfarë mënyre shkaktoi atë që po ndodh tani në rrugët e Athinës. Papërgjegjshmëria e saj e ka futur qytetin me mbi 4 milionë banorë në kaos dhe padyshim ka prekur jo vetëm jetën e qytetarëve grekë por edhe të emigrantëve shqiptarë atje.
Ndaj kjo ngjarje e dhimbshme, le të bëhet shkak që kjo polici të bëjë kujdes sepse ka përpara njerëz e jo patate. Ka përpara qenie njerëzore dhe përkatësia e tyre etnike s’ka asnjë lloj rëndësie. Të ndalësh keqbërësin është tjetër, por t’i bësh keq një të pafajshmi është krejt tjetër!
Urojmë që skenat e dhunës në Athinë të mos përsëriten më kurrë. Jeta e athinasve, grekë, shqiptarë apo të një kombësie tjetër, duhet të kthehet në normalitet. Ajo që do mbetet është dhimbja dhe pësimi. Pësimi duhet të behet mësim. Dhe mësimi të vlejë për të gjithë.
Jeta njerëzore është e shenjtë. Dhe atë s’ka të drejtë ta marrë askush, aq më tepër në një Evropë që e ka hequr edhe dënimin me vdekje. Ndaj policia greke - astinomia, duhet të dalë nga memoria jonë dhe të hedhë tej gëzofin e gogolit! Dhe për këtë duhet të ndikojnë paqësisht edhe vetë qytetarët grekë. Pasi egërsia sjell vetëm egërsinë dhe dhuna dhunën.
Kështu, asnjë nënë greke dhe asnjë nënë shqiptare s’do qajnë më nesër...