Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Halabakëri diplomatike!

Ajo që ndodhi dje (7 Maj) në Turqi nuk është tjetër veçse një halabakëri diplomatike. Dhe e keqja është se nuk ndodh për herë të parë. Mendoni se çfarë impakti e ndikimi ka ajo tek zyrëtarët e huaj, ata të vendit pritës apo konkretisht të vendit ku ndodhi ngjarja... Është e turpshme dhe treguese se Shqipëria nuk ka dhe me këtë ecuri s’mund të ketë kurrë një shërbim të jashtëm të pastër e të aftë! Personi i kapur në Turqi më 65 kg heroinë s’mund të justifikohet me pagën e ulët apo me kushedi çfarë tjetër, ai s’mund të thotë asgjë dhe s’mund të bëjë më asgjë për imazhin e nëpërkëmbur që i bëri peshqesh vendit të tij! Ai individ përfaqësonte këtë vend, këtë shtet e këtë shoqëri e jo thjesht veten e tij. Për këtë arsye, ai duhet të dënohet dyfish për dëmin e shkaktuar. Në radhë të parë, një ngjarje e tillë ul në nivelet më të ulëta kredibilitetin e diplomatëve tanë. Shërbimi i jashtëm nuk është një lodër. Ai është mundësia e përfaqësimit të këtij vendi në botë. Ndaj edhe oshilacionet politike në këta 18 vjet, vetëm e kanë dëmtuar e shkatërruar atë ndërsa njerëz që s’kanë asnjë lidhje me diplomacinë, marrëdhëniet ndërkombëtare e aq më tepër me përfaqësimin e imazhit të Shqipërisë janë përfshirë. Sado anonim të jetë trafikanti diplomatik, ai lë një njollë ashtu si edhe punonjës të tjerë të shërbimit të jashtëm që janë përfshirë në skandale të këtij lloji. Ka njerëz të ndeshëm që i karakterizon ndjenja e patriotizmit në këtë shërbim. Personalisht kam pasur mundësinë të njoh shumë prej tyre në shumë vende të botës. Janë diplomatë seriozë e të përkushtuar dhe gjithmonë të rrezikuar nga politika. Dhe më vjen keq që edhe ata duhet të ecin kokulur në takimet e recepsionet që zhvillohen në vendet ku shërbejnë vetëm e vetëm se ca “halabakë diplomatikë” si ky i fundit gjenden mes tyre. E dyta, sado anonim të jetë ai, shteti shqiptar nuk është anonim. Çdokush e di imazhin që ne gëzojmë jashtë Shqipërisë që më shumë se dashakeqësia e fqinjëve e ka sjellë dashakeqësia jonë ndaj vetvetes. Ngjarja e fundit thjesht e përforcon këtë imazh. Tregon që ky vend është një republikë bananesh që një shërbyes publik kthehet në trafikant publik. Për sa më lartë, MPJ në mënyrë direkte por edhe politika (forcat politike që qeverisin) duhet t’i japin fund këtij fenomeni. Ata duhet të aplikojë terma e kushte të veçanta për të punësuarit në këtë sektor e jo thjesht teserën përkatëse të partisë... Shërbimi i jashtëm nuk është fletë lavdërimi për punë të mirë në fushatën elektorale. Shërbimi i jashtëm s’mund të jetë çerdhe trafikantësh e të paaftësh që çohen jashtë se s’mund të bëjnë asgjë këtu. MPJ duhet të aplikojë terma e kushte të veçanta për ata që shërbejnë jashtë por edhe sanksione të veçanta në rast shkeljesh e dëmesh. Nëse jo, atëherë MPJ dhe kushdo forcë politike që drejton, le t’u mbajë ison këtyre halabakëve diplomatikë. Nëse nuk e bëjmë, krekosja jonë prej gjeli në takimet ndërkombëtare, nuk është veçse një tallje publike që i bëjmë vetvetes. Të tjerët thjesht mund të gajasen me komedinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama