Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dosjet dhe disa gabime taktike

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 17 vite më parë

Skënder Minxhozi
Dosjet dhe disa gabime taktike

Mesa duket nuk do të kemi një ligj të lustrimit, ashtu siç e dëgjuam të debatohet herën e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Maxhoranca tashmë është tërhe-qur, përballë kritikave të hapura të bashkësisë ndërkombëtare dhe reagimit të opozitës e grupeve të interesit, të cilët shprehën të gjithë kritika të ngjashme për frymën antikushtetuese dhe për goditjen kolektive të personave, që ky ligj sanksiononte. Projekti ra, por pasojat politike të tij mbetën në kurrizin e shumicës, që i hyri, si shpeshherë së fundi, një iniciative ligjore, duke vënë para emocionet dhe jo arsyen e ftohtë.

Berisha ka bërë gabim të paktën dy kalkulime, kur ka vendosur ta nxehë edhe një herë atmosferën politike, me anë të temës së shpërdoruar të dosjeve. Së pari, ai nuk ka llogaritur se nisma ligjore për hapjen e dosjeve, si çdo ligj me natyrë ndëshkuese, për definicion, s’mund të jetë produktive në rrafshin e përkrahjes popullore. Sensibiliteti publik për dosjet dhe ata që fshihen pas tyre, ka ardhur duke rënë ndër vite. Tashmë shqiptarët e dinë se mirëqenia e tyre, e ardhmja e vendit dhe zhvillimi i tij, lidhen pak ose aspak me faktin nëse dënohen apo jo dhjetë, njëqind apo edhe një mijë ish-spiunë e ish-zyrtarë të regjimit të dikurshëm.

 Në këtë pikë duket se rikthehemi tek një “nerv i zbuluar” i Berishës, i cili e ka pasur historikisht për zemër përdorimin e kësaj teme, sa herë që ka qenë në vështirësi. Me zgjedhjet në prag dhe me një popullaritet që nuk i jep sigurinë se do të jetë sërish ai kryeministri i vendit pas verës së ardhshme, kreu i maxhorancës ka nxjerrë nga xhepi kartën e rreckosur të anti-komunizmit, a thua se vitet që kalojnë dhe koha që ecën nuk ka asnjë vlerë për një politikan me përvojë, që di të lexojë dëshirat dhe aspiratat e shtetasve të tij. Kalimi i një ligji për lustrimin e dosjeve jo që është tejet i vonuar e për pasojë, tashmë jashtë kohe, por është edhe anti-popullor, në kuptimin që nuk të jep vota dhe përkrahje të gjerë publike. E provuan vëllezërit Kacinski në Poloni të luanin të njëjtën kartë vite më parë dhe humbën në vend që të fitonin. Sali Berisha bën gabim që vazhdon të besojë se dikush në këtë vend, përfshirë të përndjekurit (të cilët s’kanë thuajse asnjë shpresë tashmë, se persekutorët e tyre do të preken disi me anë të një ligji), do të entuziazmohen njëfarësoj nga nisma të tilla radikale, agresive, po aq sa edhe absurde.

Së dyti, ka shumë arsye për të besuar se kryeministri nuk arriti të llogarisë drejt raportin e forcave që do të dilnin pro dhe kundër kësaj iniciative. E thënë ndryshe, përtej oponencës së pritshme të partive të majta, kundër ligjit do të rreshtoheshin jo vetëm grupet e interesit, pra sistemi i drejtësisë në rastin konkret, por edhe palë të tjera mjaft të rëndësishme në avancimin e një nisme ligjore. Diplomatët e huaj kanë folur tashmë. Ata e kontestojnë hapur ligjin, ashtu siç është mjaft e logjikshme të besohet se edhe kreu i shtetit do të bënte një gjë të tillë, nga momenti që atij vetë i hiqen kompetenca të rëndësishme në kuadrin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të largimit të përfaqësuesve të drejtësisë jo më nga ky organ kushtetues, por nga dispozitat e një ligji të thjeshtë që i imponohet në mënyrë flagrante ligjit themelor të shtetit.

Ku kuadër aspak i lumtur forcash, bëri që maxhoranca, edhe pse në kapacitet të plotë numerik për ta aprovuar projektin, e mbajti dorën në orët e para të mëngjesit, kur gjithçka dukej e mbaruar. Tashmë ajo ndodhet përballë një situate të ngjashme me atë të disa javëve më parë, kur u sulmua ashpër nga të gjitha anët për presionet politike mbi Prokuroren e Përgjithshme. Projektligji tashmë mesa duket i dështuar i dosjeve i shkon edhe më thellë kësaj taktike mbrojtjeje nëpërmjet sulmit, që është sa e lexueshme dhe e qepur me pe të bardhë, aq edhe e rrezikshme për ekuilibrat politikë e socialë në një vend ku shkelja dhe shpërfillja e ligjit dhe Kushtetutës, është një modë e vjetër dhe e shumëpërdorur nga të gjithë ata që kanë qenë në pushtet. Berisha po luan ashpër që të shpëtojë ministrat e tij nga drejtësia. Por mesa duket nuk po arrin të shpëtojë as vetë nga përplasja me të tjerët. Dhe të tjerët në këtë rast fillojnë në Presidencë e mbarojnë në Rrugën e Elbasanit dhe rrugën e ambasadave.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama