Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha shpreson te ndarja mes Evropës dhe SHBA

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 17 vite më parë

Mero Baze
Berisha shpreson te ndarja mes Evropës dhe SHBA

Kryeministri, Sali Berisha, u përpoq të bënte dje diferencën mes drejtësisë evropiane dhe asaj amerikane, gjatë fjalës së tij për të bindur deputetët të votonin ligjin e dosjeve dhe pastrimin e figurave. Thelbi i fjalës së kryeministrit ishte fakti që drejtësia evropiane dhe Asambleja e Këshillit të Evropës ishte shumë më e ndërgjegjshme se administrata amerikane lidhur me krimet e komunizmit dhe mënyrën se si duhen dënuar ato. Retorika e tij ishte një përgjigje e tërthortë për debatin e tij me ndihmës/sekretarin e Shtetit për Çështje të Jashtme, Daniel Fried, i cili i ka telefonuar zotit Berisha ditën e shtunë dhe i ka kërkuar ta fusë në kornizë kushtetuese projektligjin për dosjet dhe pastërtinë e figurave. Berisha u përpoq ta mbajë sekret debatin e vështirë me të, por u detyrua ta pohonte, pasi ambasada e SHBA e përgënjeshtroi vetë zotin Berisha pas konferencës së tij për shtyp.

 Dje në seancën plenare në Kuvend, ai u përpoq ta justifikonte debatin me SHBA, me një ide tejet origjinale, me faktin që SHBA nuk e kanë provuar komunizmin dhe nuk dinë ç’pasoja lë ai në jetën e një vendi. Këtë e tha dhe stërtha përmes shumë fjalive të tërthorta, duke iu referuar atyre përtej Atlantikut si të paditur për krimet e komunizmit dhe Evropës së përgjegjshme apo duke theksuar se ne që e kishim provuar ishim fatkëqij, por ishte koha për t’u ndarë prej tij.

Përpjekja për të bërë një diferencë mes Evropës dhe SHBA në rast krize, me SHBA është një histori, e cila duhet të marrë fund. Qëndrimi ndaj komunizmit dhe kundër komunizmit nuk është qëndrim që buron nga gjeografia, por doktrina e demokracisë dhe Perëndimi e ka dënuar dhe e dënon njësoj komunizmin. Përpjekja për të bërë arsyetime sempliste dhe diferenca mes tyre, me qëllim që të mbulojë çarjen e re që ka prodhuar mes qeverisë shqiptare dhe administratës amerikane, është një acarim më shumë për administratën amerikane. Dhe acarimi kryesor vjen nga fakti se nuk është e vërtetë që ka diferencë mes SHBA dhe Evropës për qëndrimin ndaj komunizmit dhe as diferencë mes Evropës dhe SHBA në qëndrimin ndaj Berishës.

 Të dyja palët, si Evropa dhe SHBA, e dënojnë njëlloj komunizmin dhe po ashtu kanë të njëjtat rezerva për Berishën. Përpjekja e Berishës për të bërë Evropën pro tij dhe kundër komunizmit dhe SHBA pro komunizmit dhe kundër Berishës është qesharake, dhe nervangritëse, si për SHBA, dhe për Evropën. Është e tillë, pasi ata janë në të njëjtin zë dhe në të njëjtin qëndrim. Njësoj si SHBA foli dhe OSBE, dhe ambasadori anglez. Nuk di se ku e gjen qëndrimin ndryshe të Evropës zoti Berisha veçse te citimet e tij spekulative për ligje dhe rezoluta që nuk janë ashtu si i citon ai.

Ligji për dosjet dhe për pastërtinë e figurave duhet të jetë i rreptë, i thellë dhe i zbatueshëm. Zoti Berisha gënjen, kur citon ligjin çek, pasi ligji çek përjashton dhe sekretarët e partive në rrethe ose rangjet e ngjashme dhe nuk është identik me ligjin tonë. Ai ishte një ligj i zbatueshëm dhe si i tillë u bë i suksesshëm. Ligji i zotit Berisha nuk është çek, pasi çekët kanë dy ligje, një për dosjet dhe një për pastërtinë e figurave, nuk është gjerman, nuk është perëndimor dhe në finale nuk është antikomunist. Ai është amalgamë inatesh personale që projektojnë dëshirën e tij për t’u bllokuar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mos u zbatuar, me qëllim që ai të ketë të drejtë të akuzojë pa dënuar njeri dhe të mbrojë të dënuarit e vet për korrupsion duke akuzuar. Ajo që ai ka tri ditë që bën duke u futur në krizë me SHBA për disa rekomandime kushtetuese, nuk janë gjeste prej antikomunisti dhe as prej lideri perëndimor.

Përpjekja e tij për t’i mbushur mendjen qeverisë amerikane se nuk e kupton këtë punën e komunizmit, po ashtu është vulgare dhe tregon se ai është i qartë në planin e tij. Zoti Berisha po e çon vendin në krizë me vetëdije, se është i sigurt se vetëm kriza është mjeti me të cilin ai mund të mbijetojë tashmë politikisht. Në çdo situatë ai del i humbur, pasi ka një bilanc tragjik me korrupsionin. Në vitin e tij të tretë si kryeministër, ai ka në prokurori dhe vajzën, dhe djalin, dhe Lulin. Nga kjo situatë ai nuk mund të dalë veçse me krizë. Dhe krizën po e provokon çdo ditë me të gjitha mënyrat, me qëllim që palët të hidhen në luftë ose me atë, ose kundër atij.

Ashtu ai do të mbijetojë politikisht si heroi i pakicës dhe do shmangë legjitimitetin e humbjes së tij. Gabojnë opozitarët kur mendojnë se ai do të dënojë eksponentët e regjimit. Ata duhen dënuar një orë e më parë, pa patur nostalgji për humbjen e karrierës së tyre. Mjafton që të bëjmë një ligj të zbatueshëm dhe efektiv për spastrimin e figurave të komunizmit. Por zoti Berisha nuk kërkon këtë. Ai kërkon të prodhojë krizë me një arsyetim formal antikomunist, duke shpresuar se kështu do të rigënjejë viktimat e komunizmit që i ka lënë rrugëve pa lekë dhe pa dëmshpërblim financiar. Aq lekë sa është diferenca mes çmimit real dhe atij formal për rrugën Durrës- Kukës, do të mjaftonin të qetësoheshin mijëra shpirtra të lënduar nga komunizmi që janë ende rrugëve pa shtëpi dhe pa perspektivë.

Aq pará sa ndërmjetësonte djali i tij në Gërdec dhe Rinas, mund të mjaftonin për të rehabilituar qindra familje të persekutuara, nëse do t’u jepej shansi i biznesit të ndershëm, në vend që atë ta bënin ish- mafiozë komunistë. Problemi i Berishës tani është si të përdoret ky ligj për të ndarë Shqipërinë pro dhe kundër tij, dhe për të vazhduar idenë e tij donkishoteske për të ndarë dhe Perëndimin pro dhe kundër tij. Kam shpresë se kjo nuk do të funksionojë. Kam shpresë se nuk do të na fusë dot në krizë, pasi nuk e meritojmë t’i rikthehemi një historie të rëndë për shqiptarët, tashmë për shkak të djalit, vajzës dhe Lulit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama