Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

T‘i thuash pakices dyll, dyll

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
T‘i thuash pakices dyll, dyll

Votimi i ligjit "për dosjet e komunizmit", duke shpërfillur kritikat e opozitës dhe kërkesat e ndërkombëtarëve, ishte një tjetër shfaqje e vrazhdë e tiranisë së shumicës. Por tashmë janë PS-ja dhe "ndërkombëtarët" që po pësojnë të njëjtën arrogancë tiranike të Berishës, me të cilin hynë në konsensus apo e mbështetën, në rastin e amendamenteve të Kushtetutës dhe votimit të Kodit Zgjedhor. Po provohet edhe një herë sesa e rrezikshme është ta lësh pakicën pa një mjet parlamentar që do t‘i jepte mundësi t‘i thoshte ndal arrogancës, dhunës së çeliktë (staliniste) të kartonëve të shumicës.

Po dëshmohet se sa e padrejtë është ta lësh pakicën pa mbrojtje, duke e shtyrë drejt mjeteve të dëshpëruara, sikundër janë greva e urisë që ndërmorën 10 deputetë në rastin e Kodit Zgjedhor, ose të bojkotojë. Mos thamë gjë bojkot? Por a nuk ishte pak kohë më parë kjo një fjalë e ndaluar, një akt i gjykuar si jo konstruktiv dhe mjaft i ashpër nga PS, Edi Rama (madje edhe nga "ndërkombëtarët") dhe që prandaj nuk u përdor për të imponuar dorëheqjen e Kryeministrit në rastin e tragjedisë së Gërdecit? Mediat raportojnë: Kuvendi në krizë, opozita bojkoton. Lavdi Zotit, këtë herë akti nuk gjykohet më si një "krim", por si legjitim. Madje dhe nga "ndërkombëtarët". Pse? Sepse diktohet nga arroganca e shumicës.

Por habia është se ndërsa detyrohet të bojkotojë Kuvendin për shkak të arrogancës së Berishës lidhur me "dosjet", Edi Rama vazhdon t‘i drejtohet Ilir Metës me të njëjtën arrogancë lidhur me Kodin: Kjo është një çështje e mbyllur. Pse? Sepse edhe pse po vuan të njëjtën tirani nga Berisha, lideri socialist nuk ka aftësinë që të hyjë nën lëkurën e atij që vuan dhunën e shumicës, nuk ka atë aftësi që Barak Obama e quan "empati". Prandaj ja bën Metës ekzakt ashtu si po ia bën Berisha atij vetë: dyll, dyll.

Nuk bojkotojmë Kuvendin, tha Rama në rastin e Gërdecit, duke e klasifikuar bojkotin si "politikë të vjetër". Por, po detyrohet ta bojkotojë në rastin e ligjit të dosjeve. Dhe nuk ka faj. Sistemi që kemi nuk i jep opozitës mjet tjetër përveç bojkotit ose grevës së urisë për të protestuar kundër tiranisë së shumicës që është forma parlamentare e arrogancës. Sistemi ynë parlamentar nuk u jep pakicave një mjet mbrojtës sikundër "obstruksionizmin" (filibasterin) që rregullorja e Senatit ja njeh pakicës në SHBA. Në Shqipëri pakicat parlamentare kanë mundësi vetëm për të protestuar, për të sensiblilizuar opinionet dhe mbi të gjitha "ndërkombëtarët" dhe brenda tyre, "amerikanët".

Sepse po nuk u arrit ndonjë reagim i fortë publik dhe më pas "ndërkombëtar" me bojkot dhe grevë, opozita nuk e ndal dot, nuk e obstrukton dot tiraninë e shumicës. Kjo e fundit mund ta bëjë veshin shurdhër lidhur me protestat dhe qarjet e opozitës dhe të votojë vullnetin e saj. A nuk ndodhi kështu me amendamentet e Kushtetutës, me Kodin Zgjedhor dhe së fundmi me ligjin për dosjet? Dhe nuk ka nevojë që "Ulisi" Berisha të ngjeshë dyllë në veshët e deputetëve dhe ministrave të tij. Pollot, Rulët, Imamët, Alibeajt, Rusmajlët dëgjojnë dhe shohin vetëm ato që dëgjon dhe sheh Berisha. Kur Berisha nuk dëgjon, nuk dëgjojnë edhe ata. Pushteti që ka ngritur ky politikan primitiv është sistemi me një kokë, me dy veshë dhe vetëm një palë sy. Është pushteti ciklopik i kultit të tij.

Por tashmë e dimë që edhe shqiptarët nuk para dëgjojnë klithmat e opozitës apo pakicës. Sepse shqiptarët "flenë" dhe që të dëgjosh duhet të jesh "i zgjuar". Shqiptarët bëhen me më të fortin dhe të bëhesh me pakicën, për shumicën prej tyre, nuk është zgjuarsi. Në Shqipëri u përmbys bolshevizmi si sistem, por kokat e shumë shqiptarëve janë plot me mendësinë bolshevike të shumicës. Bolshevizmi është shndërruar në prakticitet. Deri dje të ishe "menshevik" ishte armiqësore, por sot është budallallëk. Po ç‘ndodh sikur "ndërkombëtarët" dhe veçanërisht "amerikanët" të mos "dëgjojnë" kur opozita apo pakica ulëret nga dhimbja? Nuk është e vështirë të përgjigjesh, sepse ne kemi qenë në situata të tilla kur për shkaqe nga më të ndryshmet, diplomacia ndërkombëtare i ka pasur veshët të zëna. A nuk ndodhi kështu me amendimet e Kushtetutës më 21 prill?

As "ndërkombëtarët" dhe as "amerikanët" nuk kishin sy e veshë të shikonin dhe dëgjonin se u krijua një Komitet për Mbrojtjen e Kushtetutës, se u bënë dhjetëra protesta, se shumë figura të shquara të politikës dhe shoqërisë civile nuk ishin dakord me amendamentet. Madje ata nuk po i dëgjojnë dhe shohin as sot kritikat e Komisionit të Venecias për këto amendamente! A nuk ndodhi po kështu edhe me Kodin Zgjedhor, kur as "ndërkombëtarët" dhe as "amerikanët" nuk panë dhe nuk dëgjuan "krismat" e grevës së urisë së 10 deputetëve, protestat e mijëra qytetarëve dhe peticionin e 200 intelektualëve? Për saktësim duhet thënë se në këtë rastin e dytë ndodhi diçka e pazakontë. Kreut të OSBE, Bosch, duket i ra dylli nga veshi dhe rastisi të dëgjojë sirenat e opozitës, ndaj një mëngjes mori qëndrim pro tyre.

Por pasdite "Ulisi" (që në këtë rast nuk ishte vetëm Berisha, por ndoshta edhe Rama e ndonjë tjetër ndërkombëtar), ia ngjeshi prapë dyllin në llapën e veshit dhe OSBE vazhdoi të mos dëgjojë më. As të mos shikojë. Dhe të mendosh që OSBE në flamurin e saj ka për simbol ca si sy! Rrjedhimisht, shumica tiranike dykokëshe PS-PD, vazhdoi e pashqetësuar punën e vet. Kushtetuta u ndryshua si asnjëherë në historinë e një demokracie, por padyshim si rëndom në historinë e një jodemokracie. Kodi Zgjedhor po ashtu u bë si i deshi koka Ramës dhe Berishës dhe pakica, ndonëse protestoi, nuk kishte fuqi t‘i bënte obstruksion vullnetit të bashkuar tiranik të Ramës dhe Berishës.

Por vjen momenti që mund të biesh vetë në gropën që i përgatit tjetrit. Dhe kjo po ndodh me PS-në dhe lidershipin e saj. Tashmë kur Berisha shfaqet më arrogant se kurrë, duke aprovuar ligjin për "dosjet" (si i vetmi mjet për t‘u shpëtuar hetimeve të Gërdecit, Rrëshen-Kalimashit dhe skandalit "Fazlliç"), Rama detyrohet t‘i kthehet atij që e quante sakrilegj kur sapo kish shpërthyer Gërdeci. I kthehet bojkotimit të seancave të Kuvendit. Deputetët socialistë u larguan nga seanca që votoi ligjin e spiunëve. A nuk është ky bojkot? S‘ka asnjë dyshim që po. Po përse e bëri Rama një gjë të tillë, përse përdor një mjet "destruktiv"? Sepse nuk ka mjet tjetër për t‘i thënë jo tiranisë së shumicës berishiste, sepse sistemi nuk i ka dhënë pakicës një mjet për ta penguar, për ta obstruktuar këtë tirani.

Sistemi nuk i ka dhënë pakicës në Shqipëri atë mburojë që, sikundër shkruan Barak Obama, e ka shpëtuar pakicën në SHBA (pra edhe demokracinë) që nga koha kur atje u vendos demokracia. Nuk i ka dhënë një mjet procedural obstruksioni. Por Rama është me fat se këtë herë "ndërkombëtarët" dhe "amerikanët" nuk i patën veshët të zënë. Është për të thënë lavdi Zotit ngaqë s‘dihet ende pse këtë herë ata dëgjuan zhurmën rreth ligjit për dosjet dhe reaguan. Dhe denoncuan shkeljet që i bën ky ligj Kushtetutës, duke sugjeruar po ashtu shtyrjen e kohës së miratimit për t‘i dhënë më shumë kohë (ah, ta kishin bërë edhe për Kushtetutën!) një diskutimi publik. Por Berisha, vullneti i tij nuk u zbyth. Ai ua bëri "dyll, dyll" edhe "amerikanëve". Dhe mund të bëjë fare mirë avokatinë e vetes, po ashtu si "ndërkombëtarët" ia bënë atij dhe Ramës në rastin e amendamenteve të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

Mund të thotë me plot gojë se është proceduralisht në rregull. Por demokracia është më shumë se procedurë, më shumë se shumicë. Demokracia është mbi të gjitha qeverisje me pëlqim, është konsensus. As vetëm pazar PS-PD. Prandaj Edi Rama e ka shumë gabim kur, ndërsa bojkoton Kuvendin për shkak të tiranisë berishiste, vë si kusht për rikthim në Kuvend votimin me Berishën të Kodit Zgjedhor, duke shpërfillur në mënyrën më arrogante kërkesat e pakicës opozitare. Gjë që e vendos atë ekzaktësisht në pozitat tiranike të Berishës, që sapo ia bëri atij dhe gjithë të tjerëve: dyll, dyll. Dhe kjo, fare dukshëm, nuk është "politikë e re".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama