Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Edhe historia duhet te kete respekt per ne

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Edhe historia duhet te kete respekt per ne

Dy ditë pas publikimit të shkrimit tim të fundit me titull "Me njerëzit e varfër e të shushatur, mund të bësh ç‘të duash?", më bie zilja e telefonit celular, dhe nga ana tjetër e linjës më vjen zëri i plotë e i sigurt i një gruaje të moshuar. Nuk m‘u prezantua, dhe në fund e mora vesh se këtë e bëri prej zemërimit. As sot nuk e di se kush ishte ajo grua, ndonëse do të doja ta dija. Sidoqoftë, di për të shumë më tepër se sa ajo vetë mund të mendojë. Di që është një veterane e luftës partizane kundër nazi-fashizmit (në mos, një grua e lidhur fort me atë luftë), di që ka qenë e lidhur fort me regjimin politiko-shtetëror që u ndërtua më pas në Shqipëri prej fitimtarëve të asaj lufte, di që idhnimin e vjetër ndaj ballistëve e kishte ende të konservuar (këto i kuptova nga ato që më tha), di që e kish mendjen qiqër e gojën brisk. Di më në fund që shkrimi im i kish prekur telat e zemrës; sidomos ajo pjesë e shkrimit, ku flitej për lapidarin kushtuar luftës partizane, të ngritur mú në sheshin kryesor të qytetit të Çorovodës. Ja se ç‘më tha përmbledhtazi, me një frymë, pa më lënë t‘i kthej një përgjigje e duke ma mbyllur telefonin në mënyrë jo fort elegante:

"Ju ndjek vazhdimisht zoti gazetar, ju ndjek nëpër gazeta e nëpër televizione, por këtë radhë ke gabuar rëndë. Nuk është e drejtë të vësh në lojë "emocionet e kallkanosura" të veteranëve; nuk është e drejtë të tallesh me luftën, rrjedhimisht me sakrificat e me gjakun e derdhur të rinisë shqiptare në ato mote të vështira; ti mund ta përqeshësh luftën e bërë, pasi të parët e tu mund të kenë qenë ballistë, por ta dish se ajo që kanë bërë partizanët gjatë Luftës së Dytë Botërore i bën nder gjithë kombit shqiptar."

Kjo telefonatë më ngacmoi ca si tepër. Më vjen keq që e kam prekur mú aty ku s‘mban më këtë nënë (veterane, bijë veterani apo grua veterani), por nga ana tjetër nuk ndjej se duhet t‘i bëj ndreqjen më të vogël mesazheve të shkrimit në fjalë. Asnjë prej të parëve të mi nuk ka qenë ballist apo me ballistët (përkundrazi, kanë qenë partizanë e me partizanët). Por - kjo është shumë e rëndësishme - qëndrimet e mia publike nuk i lë të diktohen prej origjinës sime apo prej qëndrimeve të të parëve të mi. E di që ka plot njerëz, të cilët nuk dinë të bëjnë gjë tjetër në këtë botë, veçse të ndjekin symbyllurazi "amanetin" e të parëve të tyre, dhe nuk kam ndërmend t‘i qortoj njerëz të tillë; nuk kam ndërmend t‘i qortoj, pasi nuk është se bëjnë ndonjë të pabërë. Është në natyrën e njeriut të sillet si fugë rreth origjinës së vet. Në të shumtën e herëve, edhe kur nuk është krenar për këtë origjinë, ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me të dhe i kushtëzuar prej saj; është i lidhur kësodore në mënyrë irracionale.

Ndërsa unë i kam dhënë dum kësaj pune në një mënyrë racionale; duhet të kërkojmë të drejtën e të vërtetën, e në këtë çalltisje a kokëçarje nuk duhen shumë mend për të kuptuar, se qëndrimet e rreshtimet që ngremë mbi bazën e respektit të veprës të të parëve tanë, nuk është e thënë të kenë lidhje domosdoshmërisht me të vërtetën apo me të drejtën.

Të mijtë kanë qenë të rreshtuar me Luftën Nacionalçlirimtare, dhe më pas në mënyrën e tyre të përkorë e larg çdo protagonizmi me regjimin komunist të Enver Hoxhës, por e gjithë kjo histori nuk ka asnjë fuqi të kushtëzojë qëndrimet e mia qoftë mbi luftën, qoftë mbi regjimin që fitimtarët ndërtuan pas kësaj lufte. Qëndrimet e mia i ngre mbi një logjikë tjetër, që vjen prej leximeve, prej formimit e prej përvojave personale. E di që në këtë mes mund të jem i favorizuar prej faktit që origjina ime është modeste dhe e pabujshme (ca e cave, për t‘i rezistuar ngasjes së origjinës, u duhet më shumë guxim e mençuri; sa më zhurmëmadhe të jetë origjina jonë, aq më të vështirë e kemi për të gjurmuar e bërtitur një të vërtetë, që i jep munxët kësaj origjine), por ja, që kështu është.

E thashë të gjithë këtë për të theksuar se nuk duhet kërkuar me domosdo një origjinë balliste apo fashiste te të gjithë ata që nuk gjejnë arsye të thonë gjithmonë e në çdo rrethanë fjalë të mira për Luftën Nacionalçlirimtare. Është mirë të kuptohet njëherë e mirë, se raporti me të vërtetën i disa njerëzve nuk është e thënë të kalojë nga origjina e tyre; madje, në të shumtën e rasteve as që mund t‘i bjerë rruga andej. E me termin "origjinë" nuk nënkuptoj vetëm jetën e babait, gjyshërve e stërgjyshërve, por edhe jetën e secilit prej nesh, të pasur me një numër përvojash të forta. Mirëpo, në anën tjetër - kjo vlen në radhë të parë për mua - duhen kuptuar edhe ata që vënë duart në kokë përballë dikujt që, në emër të së vërtetës, na bëkërka hasha origjinën apo jetën e vet. Eseisti italian, Giampaolo Pansa, është një provë e gjallë për këtë. Ka qenë gjithë jetën afër të majtës italiane, por kur një ditë prej ditësh në udhëtimin e tij të gjatë drejt së vërtetës u ndesh me masakrat e partizanëve në fund të Luftës së Dytë Botërore, ai nuk e mbajti dorën; përkundrazi, shkroi "Il sangue dei vinti", e pas kritikave të egra, shkroi dhe një libër të dytë, "La grande bugia". Pansa e di se ç‘hoqi. Për pak e linçuan bijtë e partizanëve. Me ç‘duket, njerëzit, mjaft të duash kauzën e tyre (që shpesh kushtëzohet nga origjina e tyre), të falin edhe kur thua gënjeshtra; amá nuk të falin kurrë të thuash të vërteta (të kuptohemi, jo të vërteta absolute; të vërtetat ashtu si i sheh secili prej nesh) mbi kurriz të kauzës së tyre.

Në shkrimin që zemëroi zonjën e telefonit unë nuk shkrova gjëra alla Pansa; unë nuk iu vërsula Luftës, e ç‘është e vërteta, nuk e kam menduar ndonjëherë këtë gjë. Thjesht thashë se kjo luftë, sido që të mendojmë për të, nuk mund të përbëjë një shenjë ekskluzive dalluese të identitetit të shqiptarëve, thashë se nuk është e udhës që në qendrën e një qyteti, i cili simbolizon administrativisht e politikisht qendrën e një zone të tërë plot me tradita e me histori, të ngrihet një përmendore e kësaj lufte, thashë se në vend të saj mund të ngrihet një përmendore tjetër, e cila të jetë në respekt të këtyre traditave e të kësaj historie të gjatë e të thukët, thashë se glorifikimi i kësaj lufte vijon të bëhet për synime politike e elektorale nën presionin e "emocioneve të kallkanosura" të veteranëve, thashë më në fund që, bash për këto arsye, ajo përmendore duhet shembur.

Sigurisht, unë nuk e kam hiç të sikletshme të shpreh gjithë respektin tim për veteranët e Luftës Nacionalçlirimtare, por po kështu nuk e kam hiç të vështirë të theksoj se lufta e sakrificat e bëra i shërbyen thjesht një kaste, e cila ndërtoi për pesëdhjetë vjet në Shqipëri një regjim despotik. Unë u heq kapelen atyre që luftuan ato mote, por sot jam i prirur të respektoj më shumë vuajtjen e mijëra njerëzve (përfshirë ballistët) nën thundrën e regjimit komunist, sesa heroizmin e mijëra të tjerëve, të cilëve iu vra kauza prej këtij regjimi. Por kur vjen puna te ndeshja midis "emocioneve të kallkanosura" të të dy palëve, e kur vjen puna që të dy palët na tundin pa pushim para hundës heroizmin/sakrificat e tyre, do të ishte më mirë për të gjithë ne të tjerët që të mos u vinim veshin as njërës palë, as tjetrës. Sigurisht, duhet të kemi respekt në çdo kohë për historinë tonë plot vuajtje e sakrifica, por edhe "historia duhet të ketë respekt" për ne, për ne që na duhet t‘i bëjmë hesapet me sakrificat tona e me sakrificat e brezave që vijnë.

Unë mund të bie dakord t‘ia heq të gjitha mesazhet atij shkrimi, por dy mesazhe mbeten amá: së pari, unë jam shqiptar, dhe Lufta Nacionalçlirimtare është më e fundit ngjarje që mund të më identifikojë si të tillë. Së dyti, ajo përmendore në sheshin kryesor të Çorovodës duhet rrëzuar; duhet rrëzuar, jo për të fyer luftën e veteranët e saj, por për të mos fyer veten; ajo përmendore është po aq e pavend në atë shesh sa është dhe xhamia pak metra më tutje. Maks Velo në këtë rast do të thoshte: jam dakord që kjo përmendore e kjo xhami të rrinë ashtu si janë, por me kushtin që të më gjeni një njeri të vetëm, që të ketë dalë në fotografi duke pasur në sfond njërën sosh. Në fakt, nuk besohet të ketë njerëz që ta kenë bërë këtë. Edhe veteranët vetë nuk e kanë bërë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama