Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ikja e trishtuar e Bushit te dyte

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Ikja e trishtuar e Bushit te dyte

George W. Bush, duke filluar nga dita e sotme, transferohet nga Shtëpia e Bardhë drejt e në arkivat e historisë; afërmendsh dhe në ranch-in e tij të Texas-it, ku për tetë vjet ka kaluar week-end-et e ku nga ky çast do t‘i duhet të shtyjë ditët post-presidenciale të jetës së vet, të cilat, sipas të gjitha gjasave, do të jenë ditë të mbushura me trishtim për të. Ky trishtim duket qysh tani tek mënyra se si po ikën, me një konsensus të rënë në nivele tepër të ulëta (ka kohë që vetëm 20% e amerikanëve miratojnë presidencën e tij), me një stuhi qortimesh e kritikash, të cilat nuk kanë të pushuar e të cilat rreken ta damkosin pa asnjë ndërdyshje si Presidentin më të keq të historisë amerikane, me dy luftëra të pambyllura pas shpine (Afganistan e Irak) e me një krizë të rëndë ekonomike, e cila - duhet thënë kjo - nuk ekziston për faj të tij. Tam-tam-et dhe pompat e përurimit të erës "Obama" (kanë qenë disi të zhurmshme e të stërzgjatura këto tam-tam-e, s‘ka gjë se në një masë të madhe duken të përligjura prej ngjarjes, e cila, pavarësisht nga ajo që do të ndodhë, bart apriori një ndryshim epokal) e bëjnë më të trishtuar ikjen e Presidentit të 43-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Eshtë e qartë, megjithatë, se damka e Presidentit më të keq në historinë e SHBA-së nuk është një verdikt historik. Historia nuk flet sot. Historia flet më vonë, pas dhjetë vitesh, pas pesëdhjetë vitesh, e ndonjëherë edhe pas njëqind vitesh. Njerëzit racionalë e mendjeftohtë, ata që nuk janë mësuar t‘i shesin emocionet e së sotmes për përfundime të provuara të së nesërmes, ose me fjalë të tjera, ata që druhen t‘i bëjnë karshillëk historisë, me të drejtë mund të shtrojnë pyetjen: Si dreqin mund të merret vesh, se ç‘vend rezervon historia për njërin apo tjetrin? Po sikur, fjala vjen, pas dhjetë a njëzet vitesh Iraku, pushtimi ushtarak i të cilit e ka nxjerrë zbuluar në një dritë të keqe më shumë se çdo gjë tjetër Bush-in junior, të shndërrohet papritur në një demokraci liberale funksionale, duke shërbyer në këtë mënyrë si një model ndjellës për vendet përreth?

Sigurisht, është një pyetje që mund të bëhet. Po kështu dhe pyetje të tjera, të cilat hë për hë mbeten pa përgjigje. Por kjo nuk na pengon për të nxjerrë disa përfundime, të cilat nuk ka histori që t‘i zhbëjë. Fjala vjen, a ka ndonjë gjë të veçantë për të thënë zonja Histori, kur vjen puna për të gjykuar mbi Guantanamo-n, ku qindra të dyshuar janë mbajtur të burgosur pa iu nënshtruar asnjë procesi gjyqësor e pa iu dhënë mundësia e mbrojtjes? Dikush mund të jetë plot shpresë se edhe në këtë pikë historia mund t‘i japë të drejtë administratës së Bush-it, por për ta përligjur këtë shpresë do të na duhet të mos besojmë më te ‘habeas corpus‘.

E pastaj vjen radha e gjykimit të Abu Ghraib-it, ku të burgosurve u është dashur jo vetëm të vuajnë në heshtje arrestimin pa një proces gjyqësor, por edhe të përballen me nëpërkëmbjen skandaloze të dinjitetit e me tortura të bëra nga duar amerikanësh. Mund ta justifikojë historia Abu Ghraib-in? Kjo mund të ndodhë, veç nëse biem dakord që të drejtat e njeriut janë një karamele, me të cilën jemi gënjyer kot më kot për dekada të tëra e që respektimi i këtyre të drejtave do të shihet pas disa dekadash të tjera si një tabiat njerëzish të zvetënuar, zemërlëshuar e spitullaqë.

Po motivimin e luftës në Irak mund ta gëlltisë kollaj-kollaj historia? Në rastin më të favorshëm për Bush-in (por në këto rrethana edhe për botën), evolucioni i ngjarjeve në Irak mund të finalizohet me një Irak, ku do të konsumohet demokraci e ku do të sundojë the rule of law, por kjo nuk e shpëton pensionistin më të famshëm të botës me emrin George W. Bush nga gjykimi i historisë. Ose të paktën, nuk e shpëton për fare, pasi motivimin e luftës në Irak nuk ka kandar historik që ta mbajë. U tha që kjo luftë synon të rrëzojë një diktator, që nga njëra anë ka armë të shkatërrimit në masë e nga ana tjetër është i lidhur me Al Qaeda-n. Që të dyja këto ishin broçkulla, mbi të cilat, për të kandisur botën, vunë vulën edhe zyra, shërbime e agjenci të sigurisë kombëtare e ndërkombëtare. Ishte e gjitha një gënjeshtër me bisht, për të cilën nuk pamë askënd të skuqet e të zverdhet, e aq më pak të japë llogari. Mund të mendohet se historia jep gjykimet e veta mbi kritere amorale (për të kanë vlerë pasojat e mbara, e jo motivimet e mbrapshta), por një rrenë të tillë të qepur kaq trashë nuk do të jetë e lehtë për ta justifikuar. Një qasje e tillë shtetarësh, d.m.th. kaq e pacipë e kaq e paskrupullt, nuk vërehet as në botë krejt të prapambetura të markës ballkanike.

Shkurt, disa vlerësime objektivisht kritike të historisë mbi George W. Bush-in mund të parashikohen qysh tani. Por këto vlerësime nuk është se përligjin ngutin e atyre që e kanë paradhënë e parathënë tanimë gjykimin final të historisë, sipas të cilit "George W. Bush është Presidenti më i keq në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Nuk e përligjin edhe kur mendojmë se ai ishte një President shumë partizan për Amerikën e pas 11 shtatorit të vitit 2001, se ai nuk mungoi të gradojë e të promovojë miq të vetët në poste të rëndësishme, që s‘kishin të bënin me pushtetin ekzekutiv, se ai bëri të vetën për të mbjellë farën e përçarjes brenda aleancës euroatlantike, se ai e bëri antiamerikanizmin një kauzë për t‘u përqafuar gjithnjë e më lehtë nga gjithnjë e më shumë arabë e myslimanë, se ai e lëndoi imazhin e këtij vendi të madh në një masë të tillë, sa tani do të duhen tre-katër presidentë me qasje hëm të përunjur, hëm empathike në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës, për të riparuar dëmet e bëra. E kështu me radhë. Të gjitha këto pra nuk përbëjnë arsye për ta kryqëzuar Bush-in e Dytë në emër të historisë, së cilës do t‘i duhet kohë për ta thënë të vetën në mënyrë të urtë e të mençur.

Por kjo nuk e ngushëllon George W. Bush-in, i cili afërmendsh nuk do të jetë gjallë në kohët kur historia do të bëjë bilancet e mëdha. Ai është gjallë këto ditë, kur pothuajse të gjithë nuk hezitojnë për t‘i bërë gjyqin presidencës së tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama