Qeveria shqiptare po përpiqet të zbusë presionin e institucioneve ndërkombëtare perëndimore kundër ligjit për lustrimin e figurave duke premtuar se do ta zbatojë atë me korrektësi dhe do të jetë e paanshme në implementimin e tij. Kjo formulë, e cila po recitohet përditë nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, në të vërtetë nuk përbën asnjë shenjë reflektimi ndaj vërejtjeve perëndimore për ligjin. Nëse ligji është gabim, çdo implementim korrekt i tij është zbatim i gabimit.
Përpjekja për të krijuar idenë se po reflektohet, ngaqë do të bëhet kujdes në implementim, është një fasadë qesharake, e cila nuk duhet të pranohet as si diskutim. Thelbi i problemit është nëse kemi një ligj të mirë real kundër komunizmit apo një ligj selektiv, i cili është hartuar jo duke pasur parasysh parime, por njerëz konkretë, disa për t’i ndëshkuar, e disa për t’i shpëtuar. Në këtë pikë dhe reagimet ndërkombëtare nuk do t’ia vlente të merreshin në konsideratë, nëse do bazoheshin te mënyra si do të zbatohet ligji. Mënyra se si do të zbatohet ligji nuk duhet të paragjykohet, por duhet marrë e mirëqenë që do të zbatohet mirë. Problem është, a është ligj i mirë apo jo, dhe ku qëndrojnë problemet e tij.
Korpusi i parë i kritikave është fokusuar tek ideja që ligji prek sistemin e drejtësisë. Këtu kihet parasysh rasti Shtylla, i cili, sapo hoqi dorë nga dosja e Gërdecit, u lavdërua prej kryeministrit dhe nuk iu përmend më e kaluara.
Fokusi i dytë i kritikave ka të bëjë me dialogun politik dhe faktin që ky ligj u bë pa konsensus dhe si i tillë është problematik.
Por, një objektiv fare i qartë i ligjit është dhe shërbimi sekret ekzistues. Shërbimi ynë informativ ka aktualisht rreth 50 për qind të ekipit të tij nga ish-kuadro të Sigurimit të Shtetit. Kryeministri Berisha ka tentuar disa herë ta fusë atë nën kontroll, por presioni ndërkombëtar e ka zmbrapsur. Kështu dështoi përpjekja e tij që SHISH të futej në ombrellën e qeverisë. Dështoi po ashtu dhe përpjekja për të ngritur një super-shërbim sekret si qendër koordinative për t’i ulur rëndësinë SHISH, sipas modelit të Tom Ridge pas 11 Shtatorit. Tashmë goditja reale mund t’i vijë nga ligji. Nëse ligji zbatohet, gjysma e SHISH shpërbëhet dhe qeveria i ka duart e lira ta kontrollojë atë para zgjedhjeve. Dhe ky është një privilegj që Berishës ia kanë bërë vetë socialistët, të cilët, në përpjekje për ta mbajtur të pareformuar SHISH, e kanë vënë tashmë nën goditje serioze, nëse ligji arrin të implementohet me sukses, siç premton dhe Genc Pollo.
Ky besoj mund të jetë dhe alarmi kryesor që mund të kenë disa kancelari perëndimore dhe sidomos SHBA, të cilat e kanë shërbimin sekret shqiptar një bashkëpunëtor të tyre, sidomos në luftën kundër terrorizimit. Ka së paku pesë vite, ndoshta pas vitit 2004, që SHISH është shkëputur ndjeshëm nga implikimi politik dhe po merret me detyrën e tij dhe sidomos me partnerët e tij perëndimorë. Kjo status quo mund të prishet papritur dhe këtu qëndron ndoshta alarmi dhe nervozizmi i madh i disa kancelarive perëndimore ndaj këtij ligji.
Duke qenë të rezervuar të flasin hapur për shërbimin sekret, dhe duke përdorur gjuhën e tyre diplomatike, Berisha po bën sikur do t’i respektojë këshillat e tyre në zbatimin e ligjit.
Por problemi është se zbatimi i ligjit nuk është një proces që mund të kthehet në vlerë duke luajtur me cilësinë e tij. Ligji është boll selektiv në përmbajtje, nuk mund të bëhet selektiv dhe në zbatim, pasi kështu do të rritej shkalla e abuzimit me të. Ai ose është demokratik, ose nuk është demokratik. Dhe si i tillë, nëse ka problem, ai duhet të korrektohet nga Gjykata Kushtetuese. Loja me mënyrën e zbatimit të tij është vulgare dhe nuk duhet humbur kohë me të.