Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vdekje gjakmarrjes qe akuzon!

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Vdekje gjakmarrjes qe akuzon!

Nuk ka më justifikim për gjakmarrjen barbare. Për të gjithë "ne". Kushdo qofsh, president, lider, kryeministër, ministër, fanatik, punëtor, militant, i papunë, emigrant, biznesmen, intelektual, milioner, pabuks, gazetar, minator, qytetar, malësor, fshatar e kushdo qofsh, je një dorëras (kështu e quan Kanuni atë që vret për gjak) që rri në pritë me plumbin e vdekjes gati. Por po ashtu, jemi edhe viktima, jemi edhe ai që bie në pritë, jemi ai që kërkon ndihmë nga "ne", jemi ai që kërkon ndihmë edhe nga ai që i zë dhe do t‘i zërë pritë për t‘i marrë jetën në emër të "nderit". Jemi viktima që kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga vetvetja dhe nuk e merr kurrë. Sepse me këtë Kanun të tmerrshëm, nderi i jetës qëndron te vdekja.

Pra, "ne" të gjithë si shtet, si burokraci dhe si mizëri, jemi si në "Prillin e Thyer" të Kadaresë, edhe Berishaj edhe Kryeqyqe, "ne" që vrasim që të vritemi, "ne" që mekanizmin e pavdekshëm të vdekjes e bëjmë edhe më të gjallë dhe jetën më të vdekshme. Jemi "ne" që vrasim veten tonë me heshtjen tonë, indiferencën tonë. Sepse kush hesht, pranon. Jemi fajtorë "ne" që nuk duam t‘ia dimë për kullat e ngujimit të foshnjave, të kërthive, sepse jemi ngujuar në vilat, shtëpitë, kasollet e pallatet tona, bizneset, punët, ambiciet hallet tona, jemi ngujuar e kyçur me shula, dryna e kode të sofistikuara në egotizmat tona private duke tradhtuar jetën kudo që ajo po dhunohet jashtë derës sonë dhe duke u bërë kështu, shërbyes të vdekjes. Të gjithë jemi dorërasi dhe njëherazi viktima e tij. Të vetmit të panjollë, të papërgjakur në këtë odise sa totale aq edhe kriminale të vdekjes, janë fëmijët dhe mbi të gjitha, ata kërthij të mjerë që mbahen mbyllur në mes të katër mureve dhe që për t‘i shpëtuar dimrit të vdekjes, janë të dënuar të braktisin diellin e jetës, gëzimin dhe lodrat e saj. Mos të na gënjejë mendja se ata jetojnë, sepse thelbi i jetës, është liria. Ata fëmijë kanë lindur, por nuk jetojnë.


***

Për të gjithë "ne" nuk mund të jetë shfajësim forca e një zakoni mesjetar që ka 18 vjet që është ringjallur si kuçedra e fshatit në përralla, duke gllabëruar jetë panginjshëm. Eshtë gjakmarrja që na akuzon, janë foshnjat e ngujuara që në akuzojnë, janë vdekjet e paralajmëruara pafundësisht dhe jetët e braktisura pafundësisht në thonjtë e vdekjes nga po "ne", që na denoncojnë si hordhi të vdekjes. Mos bëni sikur nuk shihni, sikur nuk dëgjoni dhe s‘kuptoni! Të gjithë jemi nën akuzën e gjakmarrjes dhe fajësisë për të. Dorërasi që shkreh pushkën vrasëse jemi "ne" edhe përballë tij biem po "ne" që kemi vrarë më parë vëllain apo babën e dorërasit. Jemi ne që po vrasim veten tonë pafundësisht.


***

Tashmë si flamuri ynë, edhe shteti ynë ka dy kokë. Njëra kokë është ligji dhe tjetra ajo e Kanunit. Por Kanuni po ia ha kokën ligjit dhe në vend që të shkojmë para drejt Evropës, po degdisemi prapa në Mesjetë. Edhe akujt e diktaturës së djeshme po na duken më të ngrohtë. Sepse, sikundër thotë Ismail Kadare, bashkë me ta kishte ngrirë edhe gjakmarrja. Por ja akujt e dimrit të diktaturës shkrinë dhe bashkë me të, si një gjarpër deri atëherë i ngrirë, shkriu edhe gjakmarrja. Dhe tashmë për turpin dhe zinë tonë, stina e lirisë, prilli i saj, ka 18 vjet që përgjaket nga një Kanun që njerëzit e hartuan në Mesjetë për të kompensuar mungesën e shtetit dhe të ligjit. Dhe e kanë gabim ata që thonë se Kanuni nuk lejon vrasjen e fëmijëve. Mjerisht, Kanuni e lejon një tmerr të tillë, ose më saktë, e ka lejuar atëherë kur s‘kishte shtet, për ta bërë shumë të vështirë marrjen e një jete, për t‘i thënë babait apo vëllait dorëras se ndërsa qëndron në pritë dhe merr shenjë, është duke vënë në thepin e vdekjes jetën e birit, vëllait, motrës, vajzës apo axhës së tij. Kanuni nuk merr gjak vetëm te gruaja dhe te prifti.


***

Pra, mjerisht, është Kanuni që po zbatohet me besnikëri. Ndërsa ligji jo. Ligji është braktisur bashkë me jetën. Dhe sot, gjakmarrja akuzon pikërisht për mungesën e shtetit dhe të ligjit. Sepse, nuk është shtet ai që nuk mbron dot jetën e anëtarëve të tij dhe fëmijëve të tij nga vetë anëtarët e tij. Nuk është shtet ai ku zakoni i tmerrshëm i gjakmarrjes, zakoni i vdekjes, është bërë ligj në një kohë që shpresat tona, përpjekjet tona duhet ta bëjnë ligjin zakon, ligjin që mbron jetën. Gjakmarrja nuk është nder. Gjakmarrja është krim. Mesjeta e instaloi gjakmarrjen në strukturën e moralit dhe nderit, por sot, morali i një shoqërie moderne, i një shoqërie të ligjit, drejtësisë dhe lirisë, duhet ta gozhdojë atë në shtyllën e turpit.

Shoqëria shqiptare duhet të ngrihet në një protestë të madhe në mbrojtje të jetës dhe moralit të jetës që të mbrojë nderin, moralin e saj modern. Duhet të ngrihet në një protestë që duhet të na bashkojë të gjithë si shqiptarë që duam Evropën dhe shtetin me ligj e liri, si të majtë e të djathtë, të krishterë e myslimanë, sepse bashkë me mëkatin tonë të përbashkët të braktisjes së jetës, ne ndryjmë të gjithë brenda nesh jetën si thelbin tonë të përbashkët. Ky thelb duhet t‘i bashkojë shqiptarët që indiferencën e përbashkët përpara plojës së mbrame të gjakmarrjes, mëkatin e heshtjes së tyre të madhe që ulërin dhe damkos si barbari, ta shndërrojnë në protestën më të madhe çliruese, në alarmin më të madh, në klithmën më të thekshme, më totale për jetën.

E nëse shoqëria, nëse "ne", nuk do jemi në gjendje që me moralin tonë të revoltuar nga dashuria për jetën dhe fëmijët, ta gozhdojmë gjakmarrjen në shtyllën e turpit, atëherë politika ka detyrë të ngrihet mbi nivelin e kësaj shoqërie të padenjë për modernitetin, dhe ta mbrojë jetën e saj. Ajo që di të përleshet aq mirë për pushtet dhe pasuri, le të përleshet edhe me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ajo "politikë e re" që rrëfen mëshirë "për plakat e hashashit" si nuk derdh lot, si nuk revoltohet dhe proteston për burgosjen e dhjetëra fëmijëve, për burgosjen e pafajësisë vetë? Dhe ajo tjetra që betohet për integrim të shqiptarëve me botën e ligjit, lirisë dhe jetës, le ta mposhtë Kanunin e vdekjes me ligjet që mbrojnë jetën. Ta mbrojë po qe nevoja edhe me ligje të jashtëzakonshme që dënojnë me vdekje gjakmarrjen, marrjen e jetës dhe të lirisë. Dhe le ta kryqëzojë Evropa politikën tonë, sepse do të guxojë të dënojë me vdekje-vdekjen, le të sakrifikohet politika dhe ambiciet e saj në emër të fëmijëve të ngujuar në shtëpitë burgje, në emër të lirisë. Le të ndëshkohet nga Evropa, por do të jetë një politikë më evropiane.


***

Mos pengohet procesi i integrimit po të dënojmë me vdekje gjakmarrjen? Po a ka naivitet më të madh të besosh se mund të integrohet me botën e lirisë, me botën e jetës, një shoqëri që i kthen djepet në varre dhe varret në djepe? A mund të besosh se mund të integrohet me shoqërinë e ligjit, drejtësisë dhe lirisë një shoqëri që nuk është shoqëri, sepse sundohet nga kanunet e një gjendjeje pa shtet, nga kanunet e një gjendje thuajse natyrore? Gjakmarrja po merr gjakun e sistemit të lirisë, po thith gjakun e ligjit, po mposht drejtësinë, jetën dhe lirinë. Ata fëmijë të ndrydhur e shtypur mes muresh, duhet të na bëjnë më në fund të kuptojmë se nuk ka liri pa drejtësi, pa ligj. Dhe nuk do të ketë integrim për shqiptarët me gjakmarrjen nëpër këmbë. Kupa e mëkatit është mbushur plot gjak dhe po derdhet.

Ndoshta vërtet do të na ndëshkojnë edhe me dezintegrim nëse dënojmë me vdekje gjakmarrjen. E megjithatë, fëmijët tanë do të ndihen më pranë jetës, më të integruar me thelbin e saj, lirinë. Edhe "ne" bashkë me ta. Sepse ata fëmijë të ngujuar janë fëmijët tanë! Edhe të Evropës, po i deshi. Sot, ndoshta pikërisht tani, tamam si në "Prillin e Thyer" të Kadaresë, tamam si në Mesjetë, në një rutinë shekullore vdekjeje, ndoshta dikush sapo ka shtënë në pritë për të marrë gjak. Dhe ashtu si Gjorgut në "Prillin e Thyer" apo dhe mijëra shqiptarëve në shekuj, tabani i tokës mëmë i është përplasur vertikalisht në fytyrë. Është rrëzuar dhe ndërsa po jep shpirt, dëgjon të largohen hapat e atij që sapo e ka vrarë. Por duhet të kuptojmë thellë se edhe ai që qëlloi edhe ai që u vra, jemi "ne".

Nuk ka shpëtim për "ne" nga gjakmarrja, shoqëria nuk mund të vlojë si një vullkan dhe të shpërthejë me llavë urrejtjeje kundër vdekjes, pa këtë empati që vjen nga dashuria për jetën, pa aftësinë për të marrë plagën e tjetrit, për ta bërë tënden vdekjen, dhimbjen e tjetrit. Ndaj të shtrirë, të vrarë me plumb në zemër nga gjakësi, duhet të dëgjojmë kumbimin e atyre hapave dhe secili prej nesh duhet të kuptojë (ashtu si Gjorgu në çastin e tij të fundit), se ata janë hapat e tij dhe se është ai vetë e askush tjetër, që po vrapon kështu duke lënë pas, të shtrirë midis rrugës, trupin e vet, që porsa e ka vrarë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama