Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Boceti i parlamentit të ardhshëm

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Boceti i parlamentit të ardhshëm

Si do të jetë Parlamenti i ardhshëm shqiptar, vështirë ta thotë gjithkush. Mirëpo, se me ç‘forum multipartiak të zgjedhurish, mund të krahasohet ai, këtë e themi qysh tani.

Parlamenti i zgjedhjeve të pas 28 qershorit të këtij viti, pashmangshmërisht do të ngjajë me Këshillin Bashkiak të Tiranës. Do të jetë pashmangshmërisht i shëmtuar në sjelljet dhe qëndrimet e veta në sallën e Parlamentit. Parlamentarizmi i ardhshëm i vendit, qysh tani, mund të thuhet se do të mbartë një okë budallallëqesh, një imazh vrastar anti-etikë, një zhurmësi të frikshme papërgjegjshmërish dhe, natyrisht, një sjellje prepotente dhe jocivile, në raport me detyrimin ndaj syve të publikut dhe qytetarisë së këtij vendi.

Pse shkojmë në këtë krahasim? Si mund ta iluzojmë vetveten me kësi profecish?

Këto janë pyetjet që mund të vërshojnë pas leximit të pasazhit hyrës së këtij shkrimi në gazetë apo qoftë edhe në forumet virtuale, por ajo që ka lidhje të drejtpërdrejtë me të vërtetën është mënyra si po përgatiten zgjedhjet e pritshme, mënyra se kush po i përgatit këto zgjedhje, mënyra si po administrohen përgatitjet e këtyre zgjedhjeve, mënyra si po zgjidhen administratorët e tyre dhe, ç‘është më e keqja, disa prej këshilltarëve që tmerruan qytetarët e kryeqytetit me atë sjellje dhe oratori lumpenike, nuk përjashtohet mundësia të jenë edhe në listat e kandidatëve për deputetë të ardhshëm të këtij vendi.

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit është foto reale e një mjerimi përfaqësues në nivelin bazik të qeverisjes së metropolit. Ajo mbledhje është një kosto e sotme dhe e ardhme për imazhin e përfaqësimit politik në partitë kryesore të vendit dhe pse jo, në nivele të ndryshme të përfaqësimit institucional. Këshilltarët e kryeqytetit, të cilët fatkeqësisht u dëshmuan në atë mbledhje se sa pak detyrim sjelljeje kanë ndaj qytetarisë, arritën të dëshmohen siç janë dhe se sa të pahijshëm mbeten në cilësinë e tyre si këshilltarë të Tiranës së vitit 2009.

Kjo mbledhje e fundit e Këshillit Bashkiak duhet marrë si një "eco" reale e anatomisë së përmbajtjes dhe përfaqësimit njerëzor në forumin më të rëndësishëm të qeverisjes së sotme të kryeqytetit shqiptar. Ai imazh, i përcjellë fatmirësisht me aq përqendrim dhe fokusim mediatik, na shërben ne, qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, të shtojmë edhe më tepër brengën tonë për këtë mjerim përfaqësues dhe këtë skandalitet që shpalos përfaqësimi në qeverisjen e Tiranës së shekullit XXI.

Pas asaj mbledhjeje, mediat tona janë ndarë dukshëm në kampet trepalëshe partiake, një dëshmi kjo flagrante e shndërrimit të tyre në "pisqolla dhe këllëfe" për luftëtarët politikë. Kurrë ndonjëherë nuk është ndëshkuar profesionalizmi, pavarësia dhe integriteti profesional si në rastin e mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Kurrë ndonjëherë më parë (dhe këtë e pohoj duke iu referuar pashqitshmërisë sime në 18 vjet karrierë, prej realitetit të informacionit mediatik) nuk ka pësuar misioni shoqëror i reporterit një ndëshkim të tillë përdorues, si ai i ndarjes për rezultatin e votimit dhe të numërimit të votave në atë mbledhje. Atij numërimi votash, vështirë t‘i gjendet shembulli krahasues në letërsi e jo më në përvojën demokratike të votimeve.

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak është "boceti" i imazhit real që, fatkeqësisht, do të ketë Parlamenti i afërt shqiptar. Në këtë "bocet" spikasin këshilltarët e sotëm që nesër do të jenë në listat e përfolura për deputetë të rinj. Këta protagonistë të sherreve vetëm ideal qytetar nuk mbartin. Ata janë të armatosur me inat provincial, i cili shitet në kamera dhe në sallën e bashkisë, si brengë për financat publike të kryeqytetit. Përballë dhe përkrah këtij lloji, me fytyrën e të pasinqertëve shfaqen edhe kundërshtarët e tyre si mbrojtës të projekteve, ku vjedhja dhe mashtrimi, gjenden e shfaqen, si puna e "sythit të gjelbër" në fasulen e lagur.

Cilësia më spikatëse në debatin e shëmtuar për buxhetin bashkiak të vitit 2009, për shumëkënd që e soditi, mund të jetë demagogjia. Kjo demagogji, e demonstruar në këtë mënyrë, e përdorur me kaq paskrupullsi dhe e shitur publikisht si një devizë për kontroll e transparencë për qytetarin, në fakt duhet quajtur një "veladon" që mbështjell shtatin politik dhe partiak të këshilltarëve të përdorur dhe atyre të rekrutuar. Ky "veladon" i këshilltarëve të vegjël të Tiranës, mesa duket është veshja që do të kenë skotat e militantëve të kësaj fushate elektorale të saponisur. Kjo skotë e shumështuar në numër dhe e ndarë më shumë se kurrë në tri palë partiake, po shemb realisht besueshmërinë qytetare ndaj përfaqësimit dhe destinacionit të votës. Në këtë mënyrë përdorimi, të përballjes dhe konfrontimit politik, qytetari i këtij vendi, institucionet dhe parlamentarizmi shqiptar, fatalisht përfitojnë vetëm vijimësinë e tranzicionit dhe jetëzgjatjen e "demokracisë hibride".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama