Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dosjet, fituan nderkombetaret e jo drejtesia

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Dosjet, fituan nderkombetaret e jo drejtesia

Pezullimi nga Gjykata Kushtetuese e ligjit për "Dosjet" si për paradoks ritheksoi edhe më shumë skllavërimin thuajse total të pushtetit të drejtësisë nga bota e politikës, përfshirë këtu edhe ndikimin e madh që ushtruan "ndërkombëtarët". Nuk është vështirë të kuptohet se pa presionin në rritje të "ndërkombëtarëve", Gjykata Kushtetuese nuk do të kish guxuar, si në jo pak raste të tjera, të merrte një vendim që "ia theu hundët" Kryeministrit Berisha, autoritarizmit dhe intrigave të tij politike. Prandaj edhe pse ishte në drejtimin e duhur, vendimi i Kushtetueses kundër "dosjeve" nuk jep ende shpresë për pavarësi, por përkundrazi, është një tjetër sinjal alarmi. Sepse pa një pavarësi absolute të pushtetit të drejtësisë nga bota e politikës që akoma e bën atë të dridhet, që e ngadalëson apo e shpejton në vendimmarrjen e tij, nuk mund të ketë shtet ligjor dhe drejtësi të vërtetë në Shqipëri. Dhe pjesë e botës së politikës janë edhe "ndërkombëtarët".

* * *

Një vendim i marrë nën tutelë sot, edhe kur është i drejtë, është në vetvete një premisë padrejtësie për nesër. Sepse tregon që mungon liria. Dhe kur drejtësia nuk është e lirë, kjo do të thotë që nuk mund të japë drejtësi. Drejtësia dhe liria janë pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën, si dy anë të një sendi të vetëm. Drejtësia lind si realitet mendor, por realizohet si vullnet. Vullneti si liri, shfaqet si realizimi praktik i konceptit (ligjit) të së drejtës. Në këtë rast, vullneti iu importua Gjykatës Kushtetuese nga jashtë, nga "ndërkombëtarët". U dëshmua edhe një herë se ajo nuk ka një vullnet të vetin. Sepse mjerisht nuk është e lirë. Përse? Sepse politika shqiptare, dhe veçanërisht lidershipët e dy partive më të mëdha PD-PS, që kanë më shumë forcë, pra më shumë pushtet, vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim dhe presion të madh mbi drejtësinë që nuk ka mundur as ta fitojë lirinë e saj. Jo rastësisht një nga problemet më shqetësuese që po shtrohet gjithnjë e më me shqetësim (më në fund lavdi Zotit!) nga "ndërkombëtarët" (edhe nga ambasadori amerikan, Withers) është mungesa e drejtësisë së pavarur dhe nevoja urgjente për krijimin e një pushteti të pavarur drejtësie. Por inkurajimi që "ndërkombëtarët" i dhanë Gjykatës Kushtetuese në rastin e ligjit për "Dosjet", nuk mund të mos tregojë se asaj vetë, gjykatës që është garant i Kushtetutës, garant i vullnetit të sovranit, i mungon guximi për të vepruar vetë dhe pa pasur nevojë për mbështetje, në mbrojtje të vullnetit të sovranit, që është Kushtetuta. Duhet të jemi të sigurt se pa mbështetjen e "ndërkombëtarëve", Gjykata Kushtetuese nuk do ta kish mbrojtur dot Kushtetutën e kërcënuar nga ligji për "Dosjet".

* * *

Dhe në fakt nuk e ka mbrojtur Kushtetutën, nuk e ka realizuar këtë mision të shenjtë atëherë kur ka pasur mbi kokë vetëm presionin e dy dinozaurëve të politikës shqiptare, por jo mbështetjen e "ndërkombëtarëve". Bëni krahasimin: Me mbështetjen e "ndërkombëtarëve", Gjykatës Kushtetuese nuk ju deshën as dy javë që të merrte një vendim për pezullimin e ligjit për "Dosjet". Përse kaq rrufeshëm? Sepse jo vetëm opozita, por edhe "ndërkombëtarët" thanë që ligji për "Dosjet", në formën se si është hartuar, cenon Kushtetutën. Ndërkaq, megjithëse kanë kaluar muaj që kur një grup nismëtarësh kanë depozituar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për dhunimin e Kushtetutës nga amendamentet e 21 prillit, të realizuara nga Berisha dhe Rama, ende nuk kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese. Përse? Për faktin e thjeshtë se duket që e ka të vështirë të japë një vendim që do të ishte njëherazi edhe i drejtë edhe i pëlqyeshëm për të dyja "kokat" që realizuan amendamentet. Por edhe për faktin se "ndërkombëtarët" nuk janë deklaruar prerë kundër mendimeve, ndonëse kanë kritikuar mungesën e transparencës. Në rastin e ligjit për "Dosjet", "ndërkombëtarët" nuk ngurruan të fshikullojnë përmbajtjen e tij. Në rastin e amendimeve antikushtetuese deklaruan se përmbajtja e tyre është punë e Parlamentit që i miratoi ato. Ky standard i dyfishtë i "ndërkombëtarëve" tregon se edhe ata vetë nuk janë gjithnjë të lirë nga presionet e dinozaurëve të politikës shqiptare. Veçanërisht kur këta të fundit bashkohen.

* * *

Kjo vartësi e turpshme, por edhe e rrezikshme e drejtësisë nga politika, duhet të mbarojë. Natyrisht edhe me mbështetjen e "ndërkombëtarëve". Por këta të fundit duhet ta kuptojnë se misioni i tyre për të ndihmuar integrimin e Shqipërisë në sistemin e lirisë do të jetë kryer vetëm atëherë kur drejtësia shqiptare (pra edhe Gjykata Kushtetuese) e lirë nga presionet, shantazhet dhe skllavërimet e politikës, do të ketë guximin të shqiptojë vendimin e saj sovran, edhe kur një vendim i tillë nuk do të përputhej, jo vetëm me vullnetin apo epshet e dinozaurëve të politikës, por edhe me deklaratat e ndërkombëtarëve. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë dhe të ndihet e lirë, e pa kërcënuar të dalë edhe kundër gjithë botës në kryerjen e misionit të saj si garante e Kushtetutës. Duhet të jetë e lirë të dalë jo vetëm kundër atyre që flasin në emër të "popullit", por edhe kundër përjetimeve të çastit të "popullit" që jo rrallë, për shkak të manipulimeve të politikës, nuk përputhen me interesat e popullit të fiksuara në Kushtetutë. Dhe pas kësaj, askush të mos guxojë ta prekë, ta fyejë dhe shantazhojë sikundër po bën me tërbim Berisha pas pezullimit të ligjit për "Dosjet", edhe pse deklarohet për "respektim të shtetit ligjor". Prandaj "ndërkombëtarët" duhet të urojnë që të vijë sa më shpejt ajo ditë kur Gjykata Kushtetuese, e lirë dhe jashtë ndikimeve politike, të ketë guximin të kundërshtojë edhe "ndërkombëtarët". Sepse misioni i "ndërkombëtarëve" është integrimi dhe jo kolonializimi i Shqipërisë. Besojmë se një rast i tillë është edhe ai për amendamentet e Kushtetutës. Ndaj, ndërsa në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për "Dosjet" shohim triumfin e tyre sot, guxojmë të shpresojmë edhe në një humbje të "ndërkombëtarëve", përballë po një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, nesër. Me bindjen se jo triumfi i sotëm, por vetëm ajo humbje nesër, do t‘i bëjë ata do të ndihen vërtet të fituar. Sepse do të triumfojë liria dhe prandaj, drejtësia!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama