Ndërsa po bëhej gati të ndërpriste programin e vet të së dielës, për t‘i lënë vend edicionit informativ të orëve të para të pasdites (ky është një edicion shumë i rëndësishëm për të gjitha televizionet), Ardit Gjebrea njoftoi se ka ndodhur diçka dramatike; dhe ishte kjo arsyeja që shefat e redaksisë së lajmeve të televizionit "Klan" po e cytnin Arditin (kjo përshtypje të krijohej) që të bënte sa më shpejt adetet e ndarjes televizive me të ftuarit (një prej të cilëve isha dhe unë) e ta dorëzonte linjën në duart e tyre.
Nuk ka asgjë për t‘u çuditur në këtë mes, pasi lajmet janë indikatori i parë i forcës dhe i ndikimit të mjeteve të komunikimit masiv; thënë me fjalë të tjera më të forta, lajmet janë motivi i lindjes (në daçi, edhe të ekzistencës) të çdo mjeti të komunikimit masiv. Është e vërtetë, që pjesa jo informative po mëton të zërë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në botën televizive, por është e sigurt se nuk ka për ta marrë asnjëherë rolin e prima donna-s apo të violinës së parë, rol që i ka takuar dhe do t‘i takojë lajmit. E në këtë kuptim, gjithçka është normale. Madje, ka ndodhur shumë më tepër se sa kaq nën pushtetin e kultit të lajmit: shumë shpesh në të gjitha televizionet e botës (në këto tonat, po se po), me të ardhur informacioni mbi një ngjarje tragjike, ndërpritet fët e fët çdo program i natyrës edukative, argëtuese etj., etj. Në ndonjë rast, lajme të tilla pështjellojnë gjithë palinsestin televiziv të ditës apo të javës. Pikërisht, për këtë shkak provokoi një diskutim të madh vendimi i drejtuesve të kanalit televiziv italian "Canale 5" për të mos i bërë asnjë ndryshim axhendës së televizionit të tyre e për të vijuar, sipas një logjike pastërtisht komerciale, me transmetimin live të programit "Big Brother" edhe në ditën që dha shpirt Eluana Englaro, vajza që jetonte prej gati dy dekadash një agoni të pandërprerë vegjetative. Prej këtu lindi dhe rebelimi i Enrico Mentana-s, një prej anchormen-ëve të televizionit "Canale 5", i cili tanimë e ka braktisur këtë të fundit. Dhe në Itali, krahas debatit mbi eutanazinë, u bë dhe një debat mbi deontologjinë e profesionit të gazetarit, gjë që u nxit, pra, prej veprimit të Mentana-s.
Por rasti, për të cilin po flas, është paksa i ndryshëm, s‘ka gjë se në thelb kemi të bëjmë me "diktaturën" e lajmit në një televizion. Është fjala, pra, për fuqinë jashtëzakonisht ndjellëse të lajmeve dramatike apo tragjike në gazetarinë shqiptare, gjë që ka sjellë në një - le ta quajmë kështu - mortorizim të edicioneve informative. Është për të ardhur keq, por e vërteta është tanimë e qartë për të gjithë: informacioni që ne, gazetarët shqiptarë, i japim publikut tonë është një informacion me ngjyra tepër të përzishme, d.m.th një informacion që ka të bëjë me vrasjen e dikujt për një motiv banal apo për motive gjakmarrjeje, me vdekjen e dikujt në një aksident rrugor, me djegien e një shtëpie, me një krim në familje, me një vetëvrasje etj., etj. E sikur të mos mjaftonte kjo, shpesh ky lloj informacioni jepet i pari në renditje, ja, ashtu si ndodhi ditën e diel në TV Klan, e në një numër televizionesh të tjera, të cilët informuan fillimisht në detajet më të mundshme aksidentin tragjik të Firences, ku gjetën vdekjen tre shqiptarë.
Nuk duhej dhënë lajm i parë një ngjarje e tillë? Është evidente që kemi të bëjmë me një tragjedi (në atë ngjarje kanë gjetur vdekjen një nënë e re, tok me dy fëmijët e saj të moshës 13 e 14-vjeçarë), ashtu siç është evidente që kemi të bëjmë me një lajm, rrjedhimisht kemi të bëjmë me një ngjarje, për të cilën ia vlen t‘i thuash diçka publikut. Por - sipas meje - ngasja gazetareske për të hapur një edicion informativ me këtë ngjarje ha diskutim. Është një tragjedi mjaft tronditëse, që nuk të lë kurrsesi indiferent, por nga ana tjetër, lajmi i parë, bazuar në përkufizime neutrale, të ftohta e cinike (vetë informacioni në përgjithësi, e informacioni mbi një tragjedi në veçanti, është neutral, i ftohtë e cinik), është tjetër gjë, e nuk është e thënë të ngrihet thjesht mbi dhembshurinë dhe përdëllimin human. E di që në këtë mes nuk ka gjëra të ndara si me thikë; një aksident mund të sjellë një vdekje tepër banale, ashtu siç mund të sjellë dhe një tragjedi të vërtetë (jemi ne gazetarët, në fund të fundit, që heqim atë vijën ndarëse të vdekjes banale nga vdekja tragjike), e bash për këtë arsye, më duhet të them se nuk është rasti konkret gazetaresk që më shqetëson; përkundrazi, është dukuria, d.m.th mortorizimi i edicioneve informative.
E shqetësimi im nuk vjen vetëm e thjesht prej një meraku e kokëçarjeje deontologjike, por edhe prej një bindjeje (që nuk është vetëm e imja) se lajme të tilla mbjellin trishtim e dëshpërim; lajme të tilla, me të cilët, ne, gazetarët bombardojmë publikun nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër, e shushatin, e lodhin dhe e stress-ojnë këtë publik; lajme të tilla prodhojnë njerëz - në mos depresivë - të squllur, të ligështuar, inaktivë, të dorëzuar, lehtësisht të nëpërkëmbshëm. Nëse në Shqipërinë e sotme ndodhin çdo ditë vrasje e vetëvrasje, krime për motive banale e krime brenda familjes, nëse në këtë Shqipërinë e sotme gjithashtu nuk para gjenden qytetarë me "Q" të madhe, faji duhet kërkuar dhe te tonet patetike të gazetarëve e speaker-ëve televizivë që informojnë me lehtësi e në vijimësi mbi dhunën, hajdutëritë, imoralitetin, aksidentet, viktimat, vrasjet, krimet etj. Është kjo mënyrë të informuari që lëshon mesazhin e rëndë se, kjo jeta jonë, ky vendi ynë, apo kjo bota jonë, janë ose të ndyra, ose të pakuptimta.
Mos vallë duhet të japim me pahir lajme të gëzueshme? Jo, duhet të japim çdo lajm të kësaj bote, por lipset ca skrupull e ca sens mase më shumë, të cilat do të na bëjnë të kuptojmë se për çfarë lajmesh ka nevojë realisht publiku shqiptar. E me siguri, ky publik nuk ka nevojë të informohet 24 orë non stop mbi ngjarje makabre.