Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A na duan tani në Europë?!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
A na duan tani në Europë?!

Europa e Bashkuar është në ethe. Jo vetëm financiare, sepse ato dihet, nuk janë atribut vetëm i kontinentit të vjetër. Institucionet e familjes europiane janë duke u rinovuar gradualisht, janë duke ndryshuar skenarët dhe zhvillimet politike në Bruksel. Zgjedhjet për Parlamentin Europian këtë verë do të çojnë në rinovimin e të gjithë ngrehinës europiane, sipas një formule të komplikuar raportesh etnike dhe politike, që nuk le të shihen qartë tendencat dhe zgjidhjet në horizont. Duke nisur nga fati i Komisionit Europian dhe i kreut të tij, Barroso. Ajo që dihet është se në vjeshtë do të kemi një Europë të re politike dhe se kjo do të sjellë ndryshime të pashmangshme në të gjitha rrafshet.

Ky është një lajm jo i mirë në vetvete, për të gjitha ato vende, që si Shqipëria, shpresojnë ta kapin sa më parë trenin e BE-së. Sinjalet që vijnë këto ditë drejt qeverisë shqiptare për të ngadalësuar planet për paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat, janë në fakt pasqyrimi i humorit të keq që ekziston aktualisht në Bruksel sa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian. Ashtu siç u shpreh këtu e dy vjet më parë ministri i Jashtëm spanjoll pas valës së fundit të aderimit të vendeve lindore (‘na lini ta tresim këtë zgjerim të fundit për disa vjet’, pati thënë Moratinos), BE-ja ka aktualisht disa halle që nuk përkojnë me aspiratat tona dhe të vendeve të tjera rreth nesh. E tha më së fundi edhe Doris Pack para dy ditësh, në krye të delegacionit europian që vizitoi Tiranën.

Deklarimet e përsëritura të qeverisë tonë për dërgimin e kërkesës për statusin e kandidatit, tingëllojnë më shumë si një lëvizje elektorale, pra me efekt dhe term të kufizuar kohor, sesa si një gjest afatgjatë që kërkon të shfrytëzojë konjukturat e favorshme europiane. Kjo, për faktin e thjeshtë se konjuktura të tilla nuk ekzistojnë dhe sepse në horizontin e BE-së nuk duket asnjë vullnet politik që shtyn drejt zgjerimit. Krejt e kundërta madje. Dështimi i ratifikimit të Traktatit të Lisbonës në Irlandë në qershorin e shkuar, ka sjellë një goditje të fortë për të gjitha planet që lidhen me përfundimin e projektit europian, ashtu siç ai përfytyrohet nga euro-entuziastët. Nga ana tjetër, nuk është e re të thuhet se zgjerimi drejt Lindjes ka një çmim jo të vogël për t’u paguar nga vendet e mëdha europiane, pa harruar faktin se kriza e fundit financiare sjell paqëndrueshmëri dhe frikë në të gjithë hapësirën e kontinentit të vjetër. Nëse në këtë listë faktorësh negativë do të rendisim edhe situatën tonë të brendshme delikate dhe zgjedhjet në pragun e derës, atëherë peizazhi shqiptar merr ngjyra që anojnë nga grija e thellë.

Megjithatë kryeministri Berisha, siç e ka provuar edhe herë të tjera, është i gatshëm të sakrifikojë dhe të rrezikojë të tërën për të pjesshmen. Ku me të tërë kuptohen interesat tona si shtet dhe me të pjesshme lufta e tij për të qëndruar në pushtet në 28 qershor. Nëse kandidimi ynë do të pritej me një reagim skeptik të vendeve anëtare, projekti ynë europian do të dëmtohej jo pak. Disa vende europiane kanë tërhequr fort së fundi frenin e dorës, lidhur me hyrjen në BE të vendeve të tjera, më së pari të Ballkanit Perëndimor, duke e justifikuar këtë tërheqje edhe me çështjen e Turqisë. Së treti, nëse gjithçka do të kalonte në heshtje, Berisha do të kishte rastin ta shiste i qetë gjestin e tij si një fitore politike të qeverisë.

Por pak shanse ka që të ndodhë e treta, pra që Brukseli të reagojë pozitivisht sapo të marrë në dorë dosjen shqiptare. Kjo duket qartë nga deklarimet e tërthorta dhe përgjithësisht negative që kanë shoqëruar planet e Shqipërisë për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit. E meqë asnjëri nga këto skenarë nuk dihet nëse do të fitojë apo humbasë, më logjikja do të ishte që fitonte maturia dhe vetëpërmbajtja. Po a e njohin vetëpërmbajtjen në Tiranë?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama