Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duhet te bëmë divorc me gardën e vjetër

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Duhet te bëmë divorc me gardën e vjetër

Sikur të përpiqeshim të ndërtonim tipologjinë e të vjetërve (duke ecur në drejtim të kundërt me ata, që prej ditësh, duke marrë shkas nga një debat i mjerë televiziv mes ca të rinjve, po bëjnë çmos të skualifikojnë të gjithë gjeneratën e re), një element do të ishte më domethënës e më karakterizues se të tjerët: të vjetrit dinë të përbaltin, janë mësuar të përbaltin, provojnë qejf sa herë që përbaltin.

Thënë me fjalë të tjera, ata nuk kanë punë me atë që ti thua, por me ty, që e thua; ata, edhe në rastin kur janë gërmadha të njëmendta morale, kanë megjithatë një prirje e një gatishmëri të çuditshme që në vend të kredencialeve politike-intelektuale-kulturore të tjetrit, të shohin me lupë - shih pa shih! - kredencialet morale; ata nuk merren me projektin tënd, por kanë në majë të gjuhës shprehjen: prit mor prit, na thuaj njëherë kush je, i kujt je, nga vjen etj, etj; ata nuk e kanë mendjen të zhvleftësojnë peshën e idesë së hedhur, por të denigrojnë personin që e hedh atë ide; ata janë të prirur të shohin tek çdo person yçkla e njolla biografike, tek çdo ide një gënjeshtër, tek çdo gjest një hile, tek çdo qëndrim një hesap për të përfituar, tek çdo zë i ngritur një shërbim ndaj të tjerëve e tek çdo ambicie një logjikë të mbrapshtë konspirative.

Po pse kështu xhanëm? Hm, një dreq e di; dikush do të thosh shpejt e shpejt, se ja, ky ka qenë prore e ky është edhe sot e kësaj dite shqiptari, e do të vijonte të kërkonte shembuj historikë që ilustrojnë e mbështesin këtë tezë (ç‘është e vërteta, shembuj mund të gjenden plot), për të arritur më në fund ndoshta tek zbulimi i një predispozite gjenetike unikale ndër ne. Nuk ka dyshim, që kjo e fundit është një broçkull. Kjo dukuri, ashtu si dhe dukuri të tjera, lidhen e shpjegohen me një prapambetje tradicionale socio-kulturore, e cila pjell po prapambetje dhe e cila, pavarësisht nga përpjekjet e kulturës shqiptare për ta mundur e për ta kapërcyer, mbetet e fortë deri në atë pikë sa ndot fort dhe vetë kulturën.

Përveç kësaj, ka gjasa që të vjetrit tanë ta shohin këtë sjellje edhe si një mënyrë për t‘i bërë bisht introspeksionit e për të mos bërë asnjëherë një mea culpa, gjë që mund të bëhet edhe kështu, d.m.th. në rastin më të keq duke përqeshur e baltosur ose kundërshtarët, ose ca personalitete fringo të reja, e në rastin më të mirë duke projektuar veset, pafuqinë, zullumet e tyre tek pala apo gjenerata konkurruese. Për vete kanë bërë një mijë e një të zeza, ndërsa të tjerët duan t‘i fusin në një sitë të imtë morale, për t‘u thënë më në fund: ja, edhe ju nuk jeni ndryshe; si ne jeni.

Po përmend dhe një arsye të tretë (mund të ketë të katërt, të pestë, e kështu me radhë, por unë po mbetem këtu): ne, shqiptarët, jemi ndër popujt më reaksionarë të Evropës e të botës; ne nuk e duam prurjen e re, ne kemi frikë prej risive, ne kemi frikë prej ndryshimit. Neve ndryshimi na kall datën, na fut të dridhurat, na shushat, na prish rendin e gjërave. Ne dashurohemi lehtësisht me status quo-në, edhe kur kjo status quo nuk është gjë tjetër, veçse një regjim i vazhdueshëm mjerimi, pasigurie, banditizmi etj.

Po si është e mundur që ne, që kemi gjithë ditën e ditës akses tek foltoret publike, nuk bëjmë asgjë për ta ndryshuar këtë situatë. Shumë e thjeshtë: jemi reaksionarë, gjithashtu. Gjithë kohën gjurmojmë me një zell të madh vese e mëkate, gjithë kohën dyshojmë te të tjerët, e gati kemi harruar të pohojmë, kemi harruar të gjurmojmë shembullin e mirë, kemi harruar ta nxisim e ta përkrahim këtë shembull, edhe në rrethanat kur ky shembull mund të duket i ndotur prej pozave ngrefosëse, apo prej ndonjë ... hesapi tjetër të hamendësuar.

Sikur një Roberto Saviano të bëhej i gjallë në Shqipëri, është e sigurt që ne të gjithë, përpara se të shihnim tek ai një djalë guximtar, do të shihnim një gazetar mediokër, një njeri të sëmurë prej një protagonizmi lukrativ, një njeri që ka kalëruar te një heroizëm i stisur me synimin për të zbukuruar pak jetën e tij prej një provinciali të padëgjuar e prej gazetari dosido, apo me synimin për të fituar vëmendjen e metropoleve. Edhe në Itali ka pasur plot njerëz me qasje "shqiptare", të cilët kanë bërë çmos të shfryjnë tullumbacen e heroizmit e të famës së Savianos, apo më keq akoma, ta bëjnë pis veprën e tij. Por shyqyr që në Itali ka një vullnet të qartë të opinionit publik për të pohuar gjëra pozitive e për të përshëndetur njerëz pozitivë, ka një vullnet të opinionit publik për ta gjurmuar të mirën edhe në embrion, në mënyrë që më pas ta rrethojnë me ngrohtësi, ta mbështesin, ta rrisin, e ta bëjnë - pse jo? - një model edukativ. Shyqyr që në Itali ka dhe një Umberto Eco, i cili nuk e sheh fare të udhës të ndillet prej zërave që duan të theksojnë pozat shtinjake e pretencioze të Saviano-s; përkundrazi, ai bërtet me të madhe faktin, që Roberto Saviano është një hero kombëtar.

"Mirë mor mirë, por puna është që në Shqipëri nuk ka Saviano" - mund të thotë ndokush. Unë mendoj se gjërat janë disi ndryshe: jemi ne që nuk lejojmë të ngrenë kokë Saviano-t shqiptarë, jemi ne që veç dimë të rrethojmë me dyshime e paragjykime çdo nismë e çdo ndërmarrje të re individuale a kolektive, jemi ne që sillemi si ata sicilianët kokulur e të kapitulluar përballë realitetit mafioz, që janë rrekur ta skualifikojnë Saviano-n e vërtetë me frazën: u bë ky spurdhjak të luftojë mafia-n! - jemi ne që hedhim baltë, baltë, baltë, jemi ne më në fund që nuk dimë të pohojmë gjëra e të promovojmë njerëz.

Një gjë është më e sigurt, se çdo gjë tjetër në gjithë këtë histori: janë fajtorë të vjetërit për faktin që ka të rinj, të cilët janë më të vjetër se të vjetrit, për faktin që pikërisht këtyre të rinjve u jepet akses tek foltoret publike, për faktin që pikërisht këta të rinj, edhe pse janë belbacukë në planin intelektual e hiçër në planin moral, bëhen pjesë e establishment-it drejtues, për shkak të mentalitetit prej shërbëtori që ata demonstrojnë. Edhe sikur dikush prej të vjetërve të jetë dorëjashtë në procesin e promovimit e të rekrutimit të këtij soji të rinjsh, prapë mbetet përgjegjës; mbetet përgjegjës, pasi është bashkautor në krijimin e një klime e të një konteksti të tërë, në të cilin të rinjve të zotë e me vlerë u jepen munxët dhe të rinjve pa asnjë vlerë u jepet një post, apo një foltore publike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama