Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shpirtrat e gjallë dhe Çiçikovët e Shqipërisë

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 25 vite më parë

Andrea Stefani
Shpirtrat e gjallë dhe Çiçikovët e Shqipërisë

Ndërsa Çiçikovi i shkrimtarit Gogol mashtronte me shpirtrat e vdekur të bujkrobërve, gogolët tanë të politikës kanë arritur një shkallë aq të lartë mjeshtërie në këtë lloj zejeje, sa mashtrojnë me shpirtrat e gjallë të qytetarëve të lirë. Nëse Çiçikovi e shiste një shpirt të vdekur vetëm një herë, çiçikovët shqiptarë i përdorin shpirtrat e gjallë disa herë. Nëse Çiçikovi kish vetëm një listë me shpirtra të vdekur, çiçikovët e mashtrimit politik kanë një pafundësi listash me shpirtra të gjallë votuesish, madje ata po bëjnë kujdes që këto lista të ripërtërihen sa herë në Shqipëri ka zgjedhje. * * * Pas kaq procesesh zgjedhore të dështuara është plotësisht e qartë se një nga premisat që lehtëson manipulimin e votimeve në Shqipëri, që i bën ato jo të ndershme, është edhe ekzistenca e listave të votuesve me vendqëndrim të përkohshëm. Mungesa e përgjegjësisë së qeverive që kanë ndërruar njëra-tjetrën, si dhe mungesa e një burokracie korrekte dhe të sofistikuar që të regjistrojë lëvizjet e shtuara të njerëzve, e ka shndërruar këtë lëvizje në një kaos të vërtetë. Dhe nuk është hera e parë që, në saj të keqqeverisjes, një formë lirie shndërrohet në një kaos. Kaosi i piramidave financiare u maskua atëherë nga qeveria, me gjoja lirinë që kanë qytetarët për të bërë ç’të duan me paratë e tyre. Kaosi demografik është justifikuar dhe justifikohet prapë sot, me të drejtën e qytetarëve për të lëvizur të lirë nëpër shtetin e tyre. Por kush paska thënë se liria dhe kaosi janë binjakë? Kush nënkupton se aty ku ka liri duhet të ketë medoemos edhe kaos? Askush përveç politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë. Sepse në të gjithë shtetet me demokraci më të zhvilluar se kjo e Shqipërisë, pra në ato shtete ku ka edhe më shumë liri se te ne, ka edhe më pak ose aspak kaos. Atëherë cili është problemi me shqiptarët? Problemi është se shqiptarët nuk dinë si ta qeverisin lirinë. Deri më sot ata njohin vetëm dy gjendje politike, ose diktaturën, ose kaosin. Të dyja janë gjendje politike pa liri. Sepse vërtet mund të dalësh nga kafazi i diktaturës, duke shembur ligjet e përgjakshme të saj, por nuk do të hysh kurrë në botën e lirisë nëse nuk ngre ligjet dhe rregullat, që e bëjnë lirinë të mundur. Në këtë kuptim Xhon Lok thoshte se “aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri”. * * * Shqipëria është ndoshta shteti i vetëm në botë (jo në gjendje lufte), që për faj të klasës politike dhe qeverisjeve të paafta, nuk ka ende një regjistrim të saktë të njerëzve të vet. Autoritetet qendrore dhe lokale nuk kanë informacionin e duhur se ku ndodhet banimi i qindra mijë qytetarëve. Ka qytetarë që figurojnë të regjistruar në dy ose më shumë gjendje civile, ose që, pasi janë larguar nga qendra e tyre e banimit të përhershëm, jetojnë e votojnë diku tjetër pa u regjistruar kurrkund. Edhe biznesi më i thjeshtë nuk do të mund të jetonte as edhe një muaj, nëse do të kish për paratë këtë lloj “kontabiliteti” që shteti shqiptar ka për njerëzit. Në fakt, i tërë ky kaos nuk ka munguar të japë pasojat e veta negative. Në çdo prag zgjedhjesh, apo edhe në fund të tyre, shpërthejnë polemikat mbi manipulimin e votimeve. Të përsëritura në mënyrë kronike, këto kriza po bjerrin besimin e zgjedhësve tek institucioni i votës, te shteti, te demokracia. Dhe nuk do të qe çudi që gjithë këto kriza politike pa fund, të na çonin në një krizë përfundimtare kur qytetarët e lodhur dhe zhgënjyer nga kaosi pa liri, do ti jepnin “shtetit” leje ta mbyste kaosin duke vendosur sundimin pa kaos. Por edhe pa liri. * * * Para se të vinte në pushtet, por edhe pak muaj më pas, kryeministri Berisha u betua dhe u stërbetua se një nga punët më të para të qeverisë së tij do të ishte përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Berisha premtoi se do të përgatiste listat e sakta të zgjedhësve, se do të pajiste votuesit me karta identiteti, madje se do të kryente regjistrimin e popullsisë. Të gjitha këto premtime përputheshin me parullën e Berishës “Koha për ndryshim”. Dhe do të qenë të shumtë ata jo vetëm fanatikë apo simpatizantë të Berishës, që do të përshëndesnin realizmin e premtimeve të tilla. Por ja një vit qeverisje e Berishës po kalon, dhe këto premtime kanë mbetur në letër. Tashmë kanë nisur të dëgjohen zëra nga zyrat e qeverisë që kërkojnë më shumë kohë. Gati sikur duan të thonë se premtimi i Berishës për zgjedhje të lira e të ndershme, nuk nënkuptonte zgjedhjet e ardhshme lokale. Gati sikur thonë që edhe këtë herë shqiptarët duhet të pranojnë një palë zgjedhje jo të ndershme. Pra që shqiptarët nuk duhet të presin nga qeveria e “ndryshimit” ndonjë ndryshim të madh në fushën e votimeve. Përsëri do të ketë lista zgjedhësish me regjistrim të përkohshëm dhe bashkë me to, edhe dyshime e akuza për manipulim zgjedhjesh nga pushteti. I vetmi ndryshim është se partia që mbron tani këtë statuskuo me lista zgjedhësish me regjistrim të përkohshëm është PD, dhe se në të kundërtën është PS, me aleatët e saj në opozitë, ajo që e sulmon dhe kërkon ndryshim. Sot PD mbron atë që dje e sulmonte ndërsa PS, sulmon atë që dje e mbronte. * * * Sikundër PS dje edhe PD sot, nuk e ka vënë fare ujët në zjarr për të korrigjuar situatën kaotike me listat e zgjedhësve. As për të realizuar vërejtjet e OSBE-ODIHR-it të cilat që në tetor 2003 rekomandonin që listat e zgjedhësve me vendqëndrim të përkohshëm, të përshijnë mundësisht vetëm rastet jashtëzakonshme të njerëzve të shtruar në spitale, ata me shërbim ushtarak, apo të dënuarit me burgim. Madje shumica e sotme, duke mos përfillur as protestat e pakicës, ndryshon ligjin “Për gjenden civile” krejt në kundërshtim me këto sugjerime të ndërkombëtarëve. Kështu, ndërsa deri dje një kryefamiljar detyrohej me ligj të bënte transferimin e gjendjes civile të familjes jo më vonë se 45 ditë nga vajtja në vendbanimin e ri, sot me ndryshimet e ligjit, kryefamiljari mund ta anashkalojë këtë detyrim, duke bërë vetëm deklarimin e vendqëndrimit të ri. Në këtë formë që ka marrë, ligji nuk nxit më qytetarët e larguar nga zonat ku kanë regjistrim të përhershëm, të transferojnë këtë regjistrim. Dhe në kushtet e një burokracie të fjetur, pa përgjegjësi dhe me infrastrukturë të prapambetur të zyrave të gjendjes civile, është thuajse e pamundur të bëhen rakordimet përkatëse në regjistrat e gjendjes civile, pa bashkëpunimin e vetë qytetarëve. Me ndryshimet kontradiktore të bëra në ligjin e Gjendjes Civile, shumica e sotme e ka shpallur të ligjshme atë që deri dje nuk ishte e tillë pra, mostransferimin e regjistrimit civil nga ata qytetarë që ndërrojnë vendqëndrimin e përhershëm. Shumica ka ligjësuar kështu një premisë për kaos demografik dhe zgjedhor. Ndryshimi i ligjit “Për gjendjen civile” është një tjetër fakt që denoncon hipokrizinë e premtimit të kryeministrit Berisha për realizimin e zgjedhjeve të ndershme. * * * Kryeministri Berisha është bërë sot avokat i listave sa më të gjera të zgjedhësve me vendbanim të përkohshëm. Duke ndjekur populisht interesa personale pushteti, ai e retushon këtë qëndrim me mbrojtjen e të drejtës dhe lirisë (përsëri spekulim me lirinë) që kanë të gjithë qytetarët për të votuar. Por e gjithë kjo është sa dinake, e gabuar dhe e rrezikshme për interesat e demokracisë. Nuk është as në frymën e lirisë dhe demokracisë. Sepse në demokraci nuk ka të drejta pa detyra. Çdo qytetar është i lirë të lëvizë dhe të jetojë ku të dojë. Por në rast se zhvendoset përkohësisht nga interesa personale dhe jo i detyruar nga ngjarje e forca madhore (sëmundje, shërbim ushtarak etj.) qytetari duhet ta gëzojë të drejtën e votimit aty ku edhe ka vendbanimin e përhershëm. Kjo do të thotë që ditën e votimit, t’i hipë autobusit, furgonit apo trenit dhe të shkojë të votojë atje ku është i regjistruar. Për fat Shqipëria nuk është një shtet i madh dhe atij nuk i duhet të udhëtojë me ditë të tëra. Nëse përton të udhëtojë vetëm disa orë, qytetari e humb të drejtën e votimit njësoj si një tjetër qytetar, që mund ta ketë qendrën e votimit 10 metra larg shtëpisë, por që përton të shkojë të votojë. Ndërkaq, rasti i zgjedhjeve lokale nxjerr në pah absurditetin e listave me “votues të përkohshëm”. Se ç’kuptim ka që një qytetar me banim të përhershëm në Tiranë, të japë një votë vetëm pse ndodhet për ca ditë në Kukës për kryetarin e Bashkisë së Kukësit, me të cilin rrezik se nuk do të ketë të bëjë fare sapo të kthehet në Tiranë? Ose anasjelltas. Ndërsa në rastet kur një qytetar shpërngulet përgjithnjë, ai ka detyrimin që brenda 45 ditëve të bëjë regjistrimin e përhershëm të ri, duke u vetëçrregjistruar nga regjistri i mëparshëm. Nëse nuk plotëson këtë detyrim, ai nuk mund të përfitojë të drejtën që të votojë. Këto janë standarde që i zbatojnë shumë shtete demokratike. Pra nuk është qeveria, por qytetari vetë që mund t’ia heqë ose jo të drejtën e votimit vetes në raport me qëndrimin që mban ndaj ligjit. Çdo pozicionim jashtë kësaj marrëdhënieje të ndërtuar mbi bazën e raportit të qytetarit me ligjin dhe të drejtën, të drejtën dhe detyrën, është një avokati e rreme e lirisë së qytetarëve për të votuar, është një përligjje a asaj që është me e keqja e të këqijave dhe që demokracia shqiptare po e vuan prej 15 vjetësh. Eshtë një përligjje e kaosit me listat e zgjedhësve dhe një garanci se edhe zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të ndershme, sepse do të ketë përsëri hapësira të mëdha për të manipuluar me listat. Një lakmi që duket se nuk i mungon as pushtetit të sotëm të Berishës, që premtoi ndryshimin, por nuk ka ndryshuar zakonin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama