Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përse me të njëjtët hajdutë?!

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 16 vite më parë

Mero Baze
Përse me të njëjtët hajdutë?!

Prokurorja dha dje shpjegime publike për medien rreth një kompanie të paverifikuar të Mihal Delijorgjit dhe disa ortakëve të tij. Nuk dua të merrem as me reagimet haluçinante të Balliut, as me mizorinë e tij për të traumatizuar vajzën e tij të pafajshme në këtë histori, për shkak të lakmisë për pará. Tashmë nuk është më tabu fakti që enturazhi i afërt i kryeministrit ka leje për të bërë pará kundrejt shërbimeve publike, dhe për këtë arsye nuk është ndonjë zbulim as ortakëria e Balliut me Delijorgjin, as me Kalaverin, as me serbët e Bosnjës dhe as me boshnjakët e Shqipërisë. Shumë mbështetës të PD më kanë telefonuar këto ditë, e sidomos dje, të habitur nga fenomeni që ata ende nuk e kuptojnë. Pyetja e tyre është natyrisht joparimore, por e sinqertë: Përse me të njëjtët hajdutë?

Këtë pyetje ma kanë pas bërë shpesh, kur doli në dritë për herë të parë Delijorgji në Gërdec. Shoqëria e tij me rrethin e ngushtë të djalit të kryeministrit, pastaj me Fatmir Mediun dhe, siç u pa më vonë nga faktet, aftësia e tij për të kapur shtetin dhe për ta tërhequr atë zvarrë në një punishte vdekjeje, ishte shokuese për demokratët. Të pafuqishëm për të luftuar me të keqen që ka kapur kokën e pushtetit, tashmë shqetësimi tyre kryesor dhe natyrisht banal është pse nuk gjetën një tjetër, por bënë dhe këta pará me Delijorgjin. Me Delijorgjin socialistët, me Delijorgjin Rrahmani, Fahriu, Fatmiri, Berisha…. Pyetja, sa naive dhe e sinqertë e tyre, është pse nuk ndërruan së paku partnerin. E njëjta pyetje u lind dhe për Rezart Taçin, kur shikojnë faqen e parë të gazetës RD dhe gazetës “55” që mbajnë reklamën e tij si emblemë të biznesit shqiptar, ndërkohë që kryeministri i tyre e ka akuzuar për supertrafikant. Përsëri pyetja 1 milion dollarë është: Përse me Rezart Taçin dhe jo me dikë tjetër të panjohur më parë? Kështu, lista e gjatë e pyetjeve vazhdon me një sërë klientësh të akuzuar më parë për korrupsion dhe që tashmë janë në paradhomën e qeverisë. Mes tyre shquan në mënyrë të pabesueshme Ilirian Celibashi, kunat dhe avokat i Fatmir Mediut, që del e mbron atë për llogari të demokratëve në opinion publik. Ata nuk e kuptojnë dot se si Sali Berisha në opozitë mblidhte qindarkat e tyre për të hapur një televizion që quhej ATN1 dhe që përpiqej të thyente rrethimin mizor të qeverisë socialiste dhe të TVSH së drejtuar nga Eduard Mazi dhe tani që kanë ardhur në pushtet televizionin që ata e kanë bërë me qindarkat e tyre, e ka privatizuar mbesa e Lirisë dhe kunati i Sali Berishës, dhe drejtor i atij televizioni është po Eduard Mazi. Dhe në fund, natyrisht, të gjithë pyesin për Damir Fazlliçin. Po pse me atë dhe jo me dikë tjetër xhanëm?

Përgjigjja është e thjeshtë. Ky pushtet kishte nevojë për klientë të gatshëm të korrupsionit dhe ofertat e tyre ishin shumë joshëse për t’u rezistuar. Më lehtë se me këdo tjetër, enturazhi në pushtet mund të bënte pará me këta njerëz, pasi, nëse do të përzgjidhnin “për të vjedhur” me dikë që ishte i tyre, do të viheshin në pozitë të vështirë. Kryeministri si njeri më me namuz natyrisht që e zgjodhi sekserin e vet serbo-boshnjak, të tjerët rrotull i gjetën sekserët e gatshëm nga klientela e mëparshme socialiste.

Pyetja torturuese për shumë demokratë në këtë moment nuk është e ndershme dhe nuk ia vlen të komentohet, por sidoqoftë ajo shpreh një mentalitet makthi në prag të ndërrimit të pushtetit. Të dëshpëruar nga një qeverisje, të cilën nuk e mbrojnë dot, të dëshpëruar nga pamundësia për t’u integruar në pushtetin e tyre këto katër vjet, të dëshpëruar nga zhgënjimi për sakrificat e tyre, ata, me sa duket, duan një përgjigje dëshpëruese dhe për klientët e korrupsionit. Dhe në përpjekje për të gjetur një shpjegim, shpresojnë se fajin nuk e ka pushteti i tyre, por klientët e korruptuar të pushtetit socialist që i janë ofruar këtij pushteti. E kuptoj këtë nga pyetjet dëshpëruese të Jozefina Topallit dy javë më parë, që pyeste për ortakët e Delijorgjit. E bindur se së paku ky hajdut nuk ishte i partisë së saj, ajo iu turr koleges së saj socialiste duke i thënë se “e keni ortak”. Tashmë doli se dhe ky është ortak me dikë nga të sajtë. Dhe kjo e bën të dhimbshme pafajësinë e shumicës së pushtetit të PD, i cili po digjet për shkak të pazareve të kupolës së pushtetit me klientët e mafies që iku nga pushteti. Ndaj dhe pyetja e tyre dëshpëruese, e bërë nën dhëmbë dhe me shumë dhimbje, është: Po pse me të njëjtët hajdutë?!!! Së paku ata të ndryshonin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama