Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pazari u hap!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
Pazari u hap!

Afrimi i 28 qershorit po fillon të na kujtojë se kjo datë do të jetë jo vetëm një ushtrim kompleks dhe stresant vote për të gjithë shqiptarët, por edhe fundi i një procesi të koklavitur negociatash mes krahëve, që pritet të çojnë në formatimin e plotë ose të pjesshëm të disa prej aleancave të katër viteve të fundit. Në qendër të kësaj tërheqjeje litari mes PD dhe PS qëndron edhe një herë, si më 2005, partia e minoritetit grek në Shqipëri, PBDNJ. Mediat jepnin dje disa detaje rreth ofertës, apo më mirë ofertave, që kryeministri Berisha parashikon t’u bëjë aleatëve aktualë, për t’i pasur edhe një herë në krahun e tij në këtë fushatë. Përtej posteve në pushtetin qendror, përfshirë postet ministrore, PD pritet t’i propozojë PBDNJ rreth 34 drejtori të ndryshme në strukturën administrative që mbulon të gjithë territorin e vendit.

Berisha kërkon të ketë sukses aty ku Nano dështoi katër vjet më parë, kur partia e Vangjel Dules, pasi qeverisi gjatë dy mandateve me PS, s’pati asnjë brejtje koshience dhe vështirësi të natyrës politiko-etike, për t’u hedhur në krahun e fitimtarëve, madje duke valëvitur pa asnjë sens turpi idenë se kjo forcë politike ka vetëm një detyrë themelore: të gjendet rregullisht në koalicionet qeverisëse. Dhe e gjitha kjo e ambalazhuar me kujdes me petkun “gjeopolitik” të afërsisë me Athinën!

Megjithatë problemi nuk prek vetëm këtë forcë politike. Ai është sot kod komunikimi dhe veprimi për të gjithë harkun politik, për të gjitha negociatat e hapura dhe të mbyllura që zhvillohen mes partive në prag të fushatave elektorale. Ajo që po ndodh është e dhimbshme. Po i hiqet çdo dinjitet dhe moral një procesi që duhet bazuar mbi programe dhe vlera, më shumë sesa mbi ndarje “plaçke lufte”. Përse PBDNJ apo një parti tjetër duhet të ndjehet më e joshur sepse i ofrohet të drejtojë zjarrfikëset e Delvinës, Azilin e Pleqve të Fierit apo Institutin e Handikapatëve të Beratit? Çfarë peshe mund të luajë në bisedimet mes partive me rezonancë kombëtare që dalin në zgjedhje, Pyjorja e Sarandës? Dikush mund të thotë se në këto skuta të këtij shteti të varfër fshihet leku dhe mundësia për përfitime. Natyrisht abuzive. Nëse i hidhet një sy listës së ofertave të kryeministrit, shihet qartë se gishti është drejtuar në atë pjesë të administratës që lidhet me aspektin social. Një linjë drejtimi që vërtet PBDNJ e mbulon edhe sot përmes ministrit të saj, por nga ana tjetër edhe një mjedis ku lëvizin fonde shumë-milionëshe dhe ku mundësitë e punësimit të funksionarëve lokalë të partisë janë të mëdha dhe të shumëllojta. Shkurt, me gjuhën e varfër, por konkrete të partiakut, Berisha po i ofron Dules një mundësi për të mbijetuar edhe në kushtet kur sistemi aktual zgjedhor parasheh përgjithësisht jetë të vështirë për të gjitha forcat e vogla politike.

Kjo mund të jetë pjesërisht e vërtetë dhe e kuptueshme, nga momenti që bazohet në logjikën që ka rregulluar të gjitha negociatat ndër-partiake të njëzet vjetëve të fundit. Por ama është edhe tërësisht e shëmtuar nëse pozohet kështu. T’i falësh një partie poste administrative edhe në rrethet më të largëta, pa e ditur aspak se çfarë potencialesh reale, çfarë idesh dhe njerëzish mund të ofrojë ajo në këto pjesë të territorit, kjo është cinike dhe e papërgjegjshme. Ndërsa tingëllon normale që të diskutohet për programe dhe qëndrime politike të caktuara ndaj çështjeve madhore, është absurde që negociata të kthehet në një pazar gjëje të gjallë. Kjo mënyrë e të trajtuarit të pushtetit reflekton hapur shkallën e ulët të emancipimit dhe të etikës që rregullon marrëdhëniet e sotme politike në Shqipëri, ku profesioni i politikanit shihet si licencë tregtie, më shumë sesa si një zeje e vështirë, plot përgjegjësi e përkushtim. Logjika e mësipërme prej matrapazi, e dëmton rëndë, veç të tjerash administratën e re shqiptare, e cila mbushet me partiakë, në vend të profesionistëve, me dallkaukë partish, në vend të ekspertëve, me gjithfarë njerëz të rastësishëm, në vend të shërbyesve civilë. Pra, kryeministri po kërkon t’i gjejë punë nja 30 a 40 aparatçikëve të partisë së Dules, në vend që të gjejë po kaq profesionistë.

Partitokracia, ky fenomen i skajshëm në tokën shqiptare, është sot një gangrenë që e ka kapur për fyti këtë vend dhe që ka marrë përmasa të pështira. Nëse ndodhesh jashtë një skeme partiake, je një hiç edhe pse mund të kesh një CV të shkëlqyer. Nëse je një mediokër që kullot nëpër baret dhe lokalet rreth e rrotull selisë së partisë duke qerasur me ose pa dëshirë krerët e partisë, mund ta shohësh papritur veten drejtor, shef apo administrator të diçkaje që ti s’e ke ditur kurrë më parë se ekziston. Merimanga e partive është shtrirë në të gjitha gjirizet dhe skutat e shtetit të sotëm, ajo gëlon kudo, nga ministritë e deri te zyrat më të parëndësishme të provincës shqiptare. Një imazh që të risjell papushim në mend surrealizmin e filmit klasik shqiptar “Koncert në vitin ‘36".

Për t’iu rikthyer negociatave zgjedhore, është e paqartë nëse PBDNJ do ta pranojë këtë ofertë. Është gjithashtu e paqartë nëse diçka të ngjashme me Berishën do të bëjë edhe Rama. Sido që të ndodhë, tashmë tingëllon arkaike dhe jashtë kohe që në vitin 2009 torta elektorale të ndahet kaq trashë dhe pa respekt për shtetin dhe qytetarin. E dimë që këto zgjedhje shënojnë një pikë kthese, në një mënyrë a një tjetër, për shumë nga liderët politikë në lojë, por dimë edhe që ato janë një shans i madh emancipimi dhe ndarjeje të vërtetë nga era e tranzicionit. Dhe tranzicioni lihet pas shpine duke nisur nga mënyra sesi do të konceptohet dhe menaxhohet pushteti që do të prodhojnë votimet e 28 qershorit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama