Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

NATO dhe ato që u harruan për t‘u thënë

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 16 vite më parë

Adri Nurellari
NATO dhe ato që u harruan për t‘u thënë

NATO dhe ato që u harruan për t‘u thënë Adri Nurellari www.adrinurellari.com Retorika e tepruar, konteksti i fushatës zgjedhore dhe ndjeshmëria ndaj impaktit elektoral të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut Verior ka bërë që kjo ngjarje të mos përcillet, shtjellohet e kuptohet sa duhet nga opinioni publik. Për këtë arsye vendosa që tani që ka kaluar më shumë se një javë nga ngritja e flamurit tonë në Bruksel, kur vëmendja politike është përqendruar në fushatën në terren, të ndalem në mënyrë reflektive për të përmendur domethënien dhe dobinë historike që ka për ne anëtarësimi në NATO. Personalizimi kundërproduktiv i festimeve për anëtarësimin dhe retorika shumë e ndezur që e shoqëroi, bëri që anëtarësimi të konsiderohej si një trofe simbolik, për të cilën garuan partitë politike e jo një ndër zhvillimet më të rëndësishme të vendit tonë. Mirëpo, fatkeqësisht entuziazmi i tepruar nga ana e djathtë bëri që në anën e majtë të ndizej një reagim agresiv, që e ndikuar nga zelli nuk denigroi vetëm menaxhimin e anëtarësimit, por edhe vetë anëtarësimin në NATO. Kur thuhet e majta, duhet përmendur që eksponentët politikë të së majtës që marrin erë nga shteti e politika dhe që kanë kontribuuar duke mbajtur një linjë konstante të politikës së jashtme pro-NATO u gëzuan dhe e çmuan anëtarësimin. Mirëpo dallohen tri grupime individësh që artikuluan përçmimin për futjen në NATO. Së pari, pati satelitë të opozitës, që të ndikuar nga anti-Berishizmi i verbër, iu mjaftoi vajtja e Berishës në Bruksel për të sharë NATO-n dhe çfarë ka të bëjë me të. Grupimi i dytë ishte i atyre të pseudo të majtëve antiglobalistë, që nuk janë të dhënë pas parimeve, idealeve apo filozofisë politike të së majtës, por ndaj imitimit mot a mot të modës majtiste dhe gëlltisin veprime të të majtëve perëndimorë pa ia përshtatur aspak kontekstit, sikur të ishin duke mbjellë një bimë tropikale në mes të Antarktidës. Grupimi i tretë përbëhej nga individë ekzibicionistë, që nuk humbasin rast për të dalë në pah, duke u dëshmuar jokonformistë dhe duke notuar kundër rrymës, por këto janë raste të dëshpëruara patologjike. Cilado qofshin motivet që përgojuan apo eklipsuan anëtarësimin në NATO, është e domosdoshme që të nxirren në pah përfitimet prej këtij anëtarësimi dhe të hidhet poshtë çdo përpjekje e bërë për ta relativizuar ose zhvleftësuar domethënien e këtij momenti historik. Shqipëria në NATO do të shijojë garancitë e sigurisë kolektive që vijnë prej nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, i cili angazhon të gjithë aleatët të reagojnë ndaj një sulmi që mund t‘i bëhej Shqipërisë. Kjo, mbase duket e paimagjinueshme për disa, mirëpo ne shqiptarët nuk kemi minimumin e luksit për të qenë cinikë apo shpërfillës ndaj nevojës për siguri prej aleatëve, duke pasur parasysh që ende i vuajmë pasojat e shkeljes flagrante të integritetit tonë prej ushtrisë serbe. Në verilindje janë me dhjetëra të vdekurit dhe qindra të lënduarit prej minosjes së territorit tonë dhe ky numër vazhdon e shtohet. Kanë qenë vende të NATO-s që e çliruan Kosovën prej krimeve çnjerëzore të Serbisë; i janë gjendur Shqipërisë nëpërmjet misioneve "Pelikan" dhe "Arcobaleno" në kushtet kur shteti ynë ishte i shkërmoqur, apo mundësuan vendosjen e paqes mes maqedonasve dhe shqiptarëve në shtetin fqinj. Po kështu, siguria e dobët e vendit tonë dhe nevoja për aleatët duket qartë në fatkeqësinë më të vogël, qoftë edhe natyrore, ku të lënduarit i çojmë menjëherë për t‘u kuruar në Itali e Greqi, kur nxjerrim të mbyturit me anijet italiane, apo shuajmë zjarret me helikopterët grekë. Por, NATO nuk përkthehet vetëm siguri shtesë, por edhe sigurimi i mbrojtjes me një kosto më të ulët sesa do të duhej të harxhohej për të njëjtën cilësi shërbimi, pa NATO-n. Për të realizuar standardet cilësore të sigurisë së NATO-s si shtet më vete, do të duhej të harxhohej shumë më tepër sesa nëpërmjet infrastrukturës së përbashkët, si dhe plotësimit të ndërsjellë sipas nevojave. Një rast klasik ilustrues është misioni policor ajror i NATO-s në Baltik; me anë të këtij misioni, republikat anëtare të Baltikut sigurojnë hapësirën ajrore nëpërmjet kontributit të vendeve aleate. Përndryshe, secilës prej këtyre republikave do u duhej të blinte avionë supersonikë modernë, të cilët do të rrënonin buxhetin e tyre, ndërkohë që SHBA-ja ka mbi 2500 të tillë në rezervë. Por, gabimin kryesor kundërshtarët apo cinikët e hyrjes së vendit tonë në NATO e bëjnë duke e analizuar aleancën me anën e një konceptualizimi primitiv dhe të ngurtë të dimensionit të sigurisë, si dhe duke ruajtur për NATO-n përshtypjen e Luftës së Ftohtë. Pikësëpari, në vetë Traktatin e Uashingtonit, që edhe themeloi aleancën, në asnjë rast nuk është përmendur Traktati i Varshavës, apo shtetet komuniste si moti për krijimin e aleancës, por mirëqenia dhe stabiliteti i vendeve anëtare. Kjo do të thotë që aleanca nuk është krijuar thjesht kundër komunistëve, por edhe kundër kërcënimeve të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë. Dhe janë këto lloj kërcënimesh jo konvencionale që vazhdojnë ta bëjnë të nevojshme aleancën veriore. Kështu, kërcënimi i terrorizmit është një ndër sfidat më të rëndësishme me të cilat përballemi të gjithë dhe i vetëm nuk ia del dot asnjë shtet të përballet; krimi i organizuar dhe trafiqet ilegale kërkojnë një bashkërendim përpjekjesh gjithnjë e më të mëdha ndërshtetërore, e për të cilat ne jemi të dëshpëruar për ndihmë. Kërcënimi që vjen nga armët e shkatërrimit në masë, apo ndihmë në menaxhimin e krizave të ndryshme natyrore, apo humanitare me të cilat mund të përballemi e që fatkeqësisht nuk i kemi pasur të rralla. Për të mos folur pastaj për kërcënime të tjera akoma më të ndërlikuara si cyber-terrorizmi, ku nuk kemi kurrfarë ekspertize, siguria energjetike që po merr një dimension marramendës sot në marrëdhëniet ndërkombëtare e ne jemi ndër me të prekurit, apo pirateria, që siç po duket në brigjet e Somalisë tani nuk kursen anijet me flamujt e shteteve më të fuqishme. Anëtarësimi në NATO ka edhe një implikim politik thelbësor, që lidhet me integrimin në BE. Ky anëtarësim shërben si një shtysë për thellimin e reformave dhe një mbështetje e mirë për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Nuk është rastësi fakti që asnjë vend ish-komunist nuk është bërë anëtar i Bashkimit Evropian pa u bërë paraprakisht anëtare e NATO-s. Edhe NATO-ja ka efektin shpërhapës (spill-over) të BE-së, pasi bashkëpunimi i ngushtë në siguri sjell njëherazi edhe bashkëpunimin më të gjerë e të thellë mes vendeve anëtare edhe në fusha të tjera, si ekonomia e politika. Përpos kësaj, vetë partneriteti me këto vende të zhvilluara do të mundësojë transferimin në Shqipëri dhe aplikimin të informacionit, teknologjisë, praktikave, procedurave administrative në mënyrë graduale e të qëndrueshme. Një tjetër përfitim akoma më i madh për Shqipërinë është ai ekonomik, sipas parimit "investimi në siguri, për të siguruar investime". Mjafton të shihen shembujt e vendeve si Republika Çeke, Polonia dhe Hungaria, ku anëtarësia në NATO, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë solli një vërshim investimesh që i afrohet dyfishimit të investimeve të drejtpërdrejta të huaja për të kuptuar rëndësinë ekonomike. Shqipëria, mes të tjerave, mbart në vetvete dy damka shumë të mëdha që eliminohen nga anëtarësimi në Aleancën Atlantike, të qenit vend ish-komunist dhe vend ballkanik. Njolla komuniste nënkupton për investitorët potencialë një mentalitet agresiv ndaj tregut, mungesën e rregullave të lojës, legjislacion të papërshtatshëm etj. Ndërsa ajo ballkanike nënkuptonte automatikisht tensione ndërshtetërore, ndëretnike dhe një instabilitet të vazhdueshëm. Është e vërtetë që do të kemi edhe kosto, do na duhet të mbrojmë aleatët tanë nëse sulmohen, gjë që e kemi bërë edhe pa qenë brenda NATO-s, si dhe do të na duhet ta çojmë në 2% buxhetin për sigurinë. Kjo, gjithsesi, është e papërfillshme po të kemi parasysh përfitimet. Megjithatë, shumë prej investimeve në sektorin e mbrojtjes në kuadër të përmbushjeve të standardeve të NATO-s kanë një impakt dhe dobi të drejtpërdrejtë edhe në jetën civile, si për shembull investimet në infrastrukturën e transportit, telekomunikaciot, shkollimin, shkencës, shërbimet e emergjencës, apo të mjekësisë. Për më tepër, falë anëtarësisë, kompanitë tona do të mund të përfshihen në tenderët apo komisionimet e shumta për infrastrukturën, të organizuara në vendet e tjera dhe të financuara nëpërmjet programeve të NATO-s. Por, anëtarësimi në NATO jo vetëm do të na mundësojë marrjen e ndihmës nga aleatët për sfidat konvencionale dhe jokonvencionale të sigurisë, por do të na japë një zë dhe një ndikim në këto çështje me dimensione globale si palë në aleancën më të madhe botërore. Dhe kjo gjë ka për ta ngritur lart autoritetin e vendit tonë në politikën e jashtme, për të mbrojtur interesat tona kombëtare, ekonomike politike e kulturore. Vendet e kontinenteve të largëta kanë për ta konsideruar krejt ndryshe Shqipërinë, tanimë që është aleate me SHBA-në, Anglinë, Francën dhe Gjermaninë. Së fundmi, ajo që duhet thënë me të fortë, është se anëtarësimi në NATO duhet konsideruar si një fitore e madhe morale që vulos shkëputjen njëherë e mirë nga regjimi komunist, një gur kilometrik që tregon se tranzicionit po i vjen fundi, dhe lë të kuptojë që pavarësisht nga ankesat, vonesat, pakënaqësitë apo pritshmëritë e papërmbushura, Shqipëria është gjithsesi duke ecur përpara dhe shqiptarët kanë një motiv të fortë më shumë për të qenë krenarë e për ta dashur vendin e tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama