Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Revolucioni i bërë nga Adelat e Shqipërisë

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Revolucioni i bërë nga Adelat e Shqipërisë

Më ka ardhur me këmbëngulje e me bollëk jehona e edicionit të dytë të programit televiziv ‘Big Brother‘, s‘ka gjë se unë nuk e kam ndjekur atë asnjë çikë. Nuk kam dashur ta ndjek. Eshtë një refuzim kulturor që i bëj kësaj formule televizive, shpikësit e së cilës janë nxitur thjesht e vetëm prej patologjisë humane të voyeurism-it e rezultati i së cilës është promovimi i vlerave të dyshimta/kitsch, për pasojë ç‘edukimi në përgjithësi i audience-ës televizive, e në veçanti i brezit të ri të Shqipërisë.

Por - sipas meje - ky është një diskutim teorik që vlen kudo gjetkë, por jo dhe aq në Shqipëri. Ç‘është më e bukura - gjithmonë, sipas meje - situata në Shqipëri na vjen në një farë mënyre edhe me kokëposhtë: ‘Big Brother‘-i këtejpari është një ndërmarrje televizive që funksionet edukative i ka më të qarta se sa ato ç‘edukative. Më ka bërë të arrij në këtë përfundim edhe ajo jehonë e këtij edicioni që vjen dhunshëm në veshët e mi (mjaft të lexosh titujt e faqeve të para të gazetave dhe kupton se stërpikja me lajme mbi Bjordin e mbi Adelën është një gjë e pashmangshme), por edhe informacioni që kam pasur në vetë të parë mbi edicionin e parë, të cilin e ndiqja tek-tuk të shtunave me atë kureshtje që mund të ndiqet një risi e bujshme televizive.

Nuk munda të mos vija re në atë edicion të parë një përpjekje të autorëve për të përfshirë në lojë të rinj e të reja me - në mos tjetër - formim të dallueshëm civil. U hoq dorë, pra, nga prirja për të gjetur personazhe përfaqësuese të botës shqiptare (nuk merrej vesh mirë se pse ishte adaptuar kjo zgjidhje nga televizioni ‘News24‘, i cili kish nxituar para të tjerëve ta sillte në Shqipëri formulën e stërnjohur televizive), dhe iu dha karar punës për të çuar në shtëpinë e ‘Big Brother‘-it, jo një copëz të Shqipërisë kështu si është, por një copëz të Shqipërisë ashtu si duhet të jetë.

Rezultati? Rezultati është shumë i qartë: ‘Big Brother‘-i, në vend që ta imitojë realitetin e prapambetur shqiptar, e ka tronditur fort atë. E ka tronditur nëpërmjet këtyre të rinjve e të rejave, të cilët ca prej faktit se ashtu janë (një pjesë), ca prej faktit se duan të duken ashtu siç nuk janë përballë kamerave të "përgjimit" (një pjesë tjetër syresh), e ca prej faktit se nuk duan ta humbasin rastin për të qenë si biçim protagonistësh të jetës shqiptare, rrjedhimisht për t‘u bërë një copë herë të famshëm (që të gjithë), sillen me sho-shoqin në shpërfillje të tabuve, të moralit tradicional, madje dhe të moralit të këtyre ditëve këtej nga anët tona.

Dhe kështu, hëm duke u shtirur, hëm duke u sforcuar, e hëm duke u shfaqur krejt cullak (cullak, jo në terma fizikë) përpara kamerave, ata ia kanë dalë mbanë të sjellin të kondensuar e të thukët në shtëpinë e ‘Big Brother‘-it atë Shqipëri, që në të vërtetë ekziston thërrime-thërrime, e hapërdarë keqas në trojet e Arbërit, d.m.th Shqipërinë e njerëzve mendjehapur, Shqipërinë e njerëzve që duan dhe dinë të jenë të lirë, Shqipërinë e njerëzve që nuk janë dakord ta harxhojnë jetën e tyre në moçalin ku e kanë harxhuar prindërit e tyre, Shqipërinë e njerëzve që dinë të respektojnë deri në fund (e jo thjesht për të marrë poza snobësh) zgjedhjen, mendimin, qëndrimin e sjelljen e atyre që janë të ndryshëm prej tyre, Shqipërinë e njerëzve, që në vend të dhunës, preferojnë bisedën e dialogun, e kështu me radhë.

Eshtë kjo mënyrë rekrutimi e lojtarëve, që e ka shndërruar ‘Big Brother‘-in në një ent gati edukativ, gjë që unë kam pasur rast ta shoh edhe te nervozizmi i asaj Shqipërisë tjetër, mesjetare, kanunore, patriarkale etj., etj (dy vetë, të zbritur në Tiranë prej larg, prej shumë larg, më ndalën një ditë prej ditësh në rrugë, e m‘u derdhën me fjalët: kemi ardhur në Tiranë të ankohemi, por nuk dimë se ku. Ju po na shthurni fëmijët, zoti gazetar! Ju po na shthurni familjet! Po nëpërkëmbni kodin e nderit të shqiptarit).

Të kuptohemi, nervozizmi i "palës tjetër" nuk është domosdoshmërisht tregues i fakulteteve edukative të një programi të tillë, por kur sheh që "pala tjetër" është tronditur prej modelit të vajzave të reja, që kërkojnë të fitojnë një nënfish të imunitetit moral (asëll-asëll, një nënfish të të drejtave de facto) që kanë këtejpari burrat me namuz, funksioni edukativ nuk mund të mohohet.

Në këtë diskutim e sipër duhet thënë, se revolucionarja par excellence në Shqipërinë e këtyre ditëve është një vajzë me emrin Adela. Eshtë një vajzë e bukur, tërheqëse, që e do jetën e që dëshiron ta jetojë këtë jetë mes një non-chalance-e të natyrshme rinore. Po çfarë ka në këtë mes, që e bën atë revolucionare? Jo, deri këtu s‘ka asgjë, ashtu sikurse nuk ka asgjë edhe te fakti që Adela është vajzë modeste në pikëpamje intelektive dhe është gjithashtu një vajzë me shije jo fort të përpunuara ("ajo sheh akoma telenovela", paska thënë për të një pjesëmarrëse tjetër në lojën e ‘Big Brother‘-it). Por çfarë ka, atëherë? Hm, ka një gjë shumë më të rëndësishme: Adela është nga Kavaja.

Eshtë e çuditshme se si nuk u ka shkuar në mendje gazetarëve të shkojnë këto ditë herë pas here në Kavajë, dhe prej andej të na sjellin në ekranet e televizorëve të shtëpive tona se çfarë mendojnë banorët e atij qyteti lidhur me Adelën, se si e kanë përjetuar ata çalltisjen mass-media-tike për ta vizatuar Kavajën si një Kunduz afgan, se përse nuk shfaqet e nuk ngrihet asnjë zë kavajas për ta thënë të vetën në këtë situatë, se çfarë mendojnë mësuesit, mjekët, klerikët e Kavajës lidhur me vajzën "heroinë" nga qyteti i tyre, se çfarë thonë burokratët lokalë, gratë e vajzat, besimtarët etj., etj. Ja, më thoni, a nuk do të ishte më mirë që, në vend të takimeve banale paraelektorale, ne të na përcilleshin çdo ditë "pamje" të Kavajës, të këtij qyteti që është duke bërë sehir mes një heshtjeje krejt të pashpjegueshme edhe medemek palavitë e vajzës së vet, edhe përqeshjen që po i bën, ndoshta pa të drejtë, e gjithë Shqipëria?

Të vetmit kavajas, që nuk bëjnë sehir, janë prindërit e Adelës, të cilët dalin në televizor - për çfarë? Për t‘u thënë të gjithëve, se ata e duan vajzën e tyre? Për t‘u thënë të gjithëve, se nuk bëhen merak për atë që mendojnë mendjet prapanike në Kavajë? Për t‘u thënë të gjithëve se, mjaft të shohin vajzën e tyre të lumtur, dhe ata vetvetiu janë të lumtur? Jo, jo, për gjë tjetër - se "Adela nuk mund të bëjë kurrë asgjë pa marrë bekimin e babës e të nënës". Çfarë është kjo? Dëshmi publike e prapambetjes së tyre? Apo është provë besnikërie që u jepet kavajasve të zemëruar nga dy prindër të mbuluar me turp prej vajzës së tyre? Në të dy rastet kemi të bëjmë më një gjë për t‘u shqetësuar.

Dhe është pikërisht kjo që të bën të mendosh se Adela është një revolucionare par excellence. Ja, më thoni prapë ju, se cili prej nesh në këtë botë ka guxuar më tepër sesa Adela, cili prej nesh në këtë botë ka bërë një gjë kaq lënduese për gjindjen që na rrethon, cili prej nesh ka shpërfillur në mënyrë kaq spektakolare ortodoksinë morale të fshatit, të qytetit apo të kombit të vet në emër të dashurisë për jetën, cili prej nesh ka qenë i gatshëm të provokojë me jetën e vet moskuptim e keqkuptim, madje më keq akoma, përçmim e urrejtje, të njerëzve të habitatit të vet?

Ja pra, pse Adela dhe Adelat e Shqipërisë meritojnë mbështetje e përkrahje nga të gjithë. Dhe kjo përkrahje e mbështetje është mirë t‘u vijë në radhë të parë nga prindërit e tyre, nga të afërmit e tyre, nga shokët e miqtë e tyre, e nga ajo pjesë e bashkëqytetarëve të tyre, të cilët, edhe pse nuk mund të kenë guximin e Adelës, janë megjithatë bartës të një mënyre të të jetuari apo të të menduari, që bie ndesh me botën e ngrirë e të kallkanosur ku kanë lindur e ku jetojnë.

Ja, më thoni ju më në fund: A nuk ka programi televiziv ‘Big Brother‘ një funksion edukativ?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama