Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bumerangu i qelbësirës

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 25 vite më parë

Andrea Stefani
Bumerangu i qelbësirës

Sepse është një paqe që premton përsëri sundim, një paqe e ngritur në kurriz të konkurrencës së lirë politike dhe drejtësisë. * * * Nano dhe Berisha janë dy liderë historikë që refuzojnë të jenë historikë. Sepse të jesh historik do të thotë t’i përkasësh një momenti të rëndësishëm dhe të largohesh bashkë me këtë moment. Megjithëse momenti i tyre historik ka kaluar prej vitesh, Nano dhe Berisha këmbëngulin të mbeten sundues absolutë të vendimmarrjes politike në Shqipëri. Ata krijuan kultin stalinist të liderit të përjetshëm në mosmarrëveshje të egër me njeri-tjetrin, ndërsa tani aspirojnë t’i përjetësojnë këto kulte të neveritshme me një marrëveshje po mes tyre. Ja përse si atëherë kur përleshen edhe kur puthen Nano dhe Berisha mbeten jashtëzakonisht të rrezikshëm për demokracinë. Sepse marrëveshja e tyre i jep fuqi prapaskenës së fshehtë dhe jo skenës së hapur politike, i jep fuqi kulisës dhe jo transparencës, fuqizon tribalizmin dhe skllavërinë mesjetare politike dhe jo demokracinë moderne të bazuar mbi vullnetin e lirë të anëtarësisë së lirë partiake, ngre liderin mbi institucionet e shtetit dhe partinë. * * * Por vetë pakti Nano-Berisha është pohim i vështirësisë së madhe që po kalon politika e vjetër autoritariste e bazuar jo në institucione demokratike, në parti realisht demokratike, por në parti skllevërish të nënshtruara ndaj liderit absolut, ndaj Mesias, “shpëtimtarit”. Pakti i bujshëm është shenja se ideatorët e kësaj politike të vjetër post diktatoriale dhe parademokratike, e ndjejnë fundin e saj dhe të atyre vetë. Sepse tashmë Berisha ka përballë një opozitë gjithnjë e më reale, që këmbëngul të mos i shesë interesat e elektoratit për përfitime personale sikundër po del qartë se ka bërë “lideri historik” i së majtës Fatos Nano, ky prind i politikës së vjetër që pabesinë ndaj të vetëve kërkon ta marketojë si tolerancë bashkëkohore, si politikë të re. Berisha e ndjen sesi zien në heshtje kundërshtimi brenda radhëve të një maxhorace që ka mundur ta mbajë sus deri tani. Dhe një e tillë disiplinë e hekurt partiako-parlametare, është e mundur ose si fanatizëm primitiv dhe idiotesk ose me anë të kurruptimit, shantazhit dhe frikësimit të forumeve partiake dhe parlamentarëve. Demokracia dhe integriteti i individit si produkt i parë i lirisë së tij nuk kanë të bëjnë fare me të tilla unitete të çelnikta të tipit bolshevik. Dhe duke ndjerë tronditjen e nëndheshme të unitetit, Berisha i drejtohet për ndihmë armikut të vjetër siamez, Nanos. Mendon dhe shpreson se një paqe “moderne” me Nanon jo vetëm do të zhvleftësojë opozitën reale të së majtës duke e ekspozuar këtë të fundit (sidomos para ndërkombëtarëve të budallallepsur nga manovrat makiaveliste të Berishës) si konfliktuale, por edhe do të dekurajojë çdo rebelim të mundshëm brenda së djathtës. * * * Vendimi i Berishës për t’i zgjatur dorën Nanos është rrjedhojë e dinamikës politike të shpalosur që nga koha kur ai erdhi në pushtet. Ai është pohimi i dështimit të strategjisë së Berishës për të vendosur sundimin mbi institucionet e shtetit. Dështimi për të shtënë në duar Prokurorinë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dështimi për të instaluar plotësisht mekanizmin e manipulimit (sepse diçka ka mbetur ende e paçmontuar) të zgjedhjeve të ardhshme lokale, ka në rrënjë të vet faktin që Berisha nuk ka pasur shumicë absolute në Kuvend, që opozita ka mundur për herë të parë të aplikojë me shumë sukses atë që Berisha e mallkon më shumë, pakicën bllokuese. Këtë pakicë bllokuese të opozitës Berisha kërkon ta shkatërrojë me anë të Nanos. Dështimi i strategjisë së sundimit absolut, e detyroi Berishën ti drejtohet planit “B”, planit të përçarjes. Dhe zemra e planit “B” të Berishës është armiku i tij i vjetër dhe njëherazi miku i tij i ri, është Nano. Ashtu sikundër planet e Berishës lidhen tërësisht me vullnetin e tij të sëmurë për pushtet, po ashtu janë të lidhura dhe planet e Nanos me ambicien po aq të sëmurë për t’u bërë President i Republikës. Edhe Nano, sikundër Berisha ka armiq të përbashkët opozitën reale dhe veçanërisht kryetarin aktual të PS, Edi Rama. Nano ka interes që Rama të humbë në zgjedhjet e ardhshme, sepse kjo do t’i krijonte pretekstin Nanos të rikthehej në krye të PS. Prandaj Nano shihet të “stërvisë” në pub-et e natës rivalin e Ramës për Bashkinë e Tiranës, Olldashin. Kthimi i Nanos (ose i ndonjërit prej kukullave të tij) në krye të PS, do ta bënte më të lehtë konsensusin për Presidentin e Republikës në verën që vjen. Gjë që e dëshiron shumë edhe Berisha dhe pse jo, edhe ndonjë nga burokratët ndërkombëtarë në Tiranë që është i interesuar të mos ketë kriza (sepse i prishet sezoni i skive), por vetëm stabilitet, paçka se ky i fundit mund të jetë një stabilitet i kalbur prej varri, stabilitet si ai i komunizmit, stabilitet pa liri i partive të mbyllura ku elitat jo vetëm nuk qarkullojnë, por mbretërojnë për dekada të tëra. Dhe Nano dhe Berisha po mbushin dekadën e dytë në krye të partive të tyre. Edhe 2-3 vjet dhe ata mund të festojnë si dikur ish-diktatori Hoxha, XX- vjetorin të gdhendur me shifra romake edhe në faqen e malit të Dajtit. Enver Hoxha mbretëroi 40 vjet në diktaturë. Nano dhe Berisha po mbushin 20 vjet në “demokraci”. Askujt në fillim të viteve ’90, as Nanos dhe Berishës vetë, nuk ia priste mendja se dy prijësa do të mund të skllavëronin kaq gjatë tranzicionin shqiptar drejt demokracisë. Por ja arritën duke pasur për aleatë fanatizmin politik, varfërinë dhe korrupsionin që mpijnë integritetin e njerëzve, duke i shndërruar në skllevër më të fortit. Dhe e jashtëzakonshmja në këtë odise paradoksale është se të dy, si Nano dhe Berisha, mbijetojnë duke qenë liderë të dështuar gjë që faktohet pa fjalë, nga gjendja e mjeruar e Shqipërisë. Pse mbijetojnë? Sepse Nano, Berisha dhe klanet e tyre, kanë vrarë konkurrencën politike, kanë paralizuar qarkullimin e elitave, kanë mposhtur demokracinë partiake. Dhe këta liderë, si mbeturina të enverizmit në kohën tonë, mund të largohen vetëm nëse demokracia partiake i shpëton paralizëz ku ata e kanë futur. * * * Deklarata mes Nanos dhe Berishës ishte një diversion në shpinë të opozitës, që ndërkohë ndodhej e angazhuar në bisedime shumë të vështira me përfaqësuesit e maxhorancës. Komentet e Nanos lidhur me “maxhorancat europiste” më të mëdha se shumica parlamentare nënkuptonin pikërisht hyrjen në lojë të mbështetësve të tij në grupin parlamentar të PS, në mbështetje të opsioneve të ofruara për zgjedhjet nga pozita, por të papranuara nga partitë e opozitës. Një diversion që duket se nuk kaloi pa pasoja. Konsensusi i arritur para dy ditësh në Presidencë e vështirëson, por nuk e përjashton përdorimin e certifikatave false. E ndodhur mes dy zjarresh dhe para presioneve të jashtëzakonshme, opozita u detyrua të lëshonte. Ajo që nuk lëshoi ishte pozita, Berisha i ndihmuar nga Nano dhe njerëzit e tij në PS. Berisha arriti ta ruajë shansin e manipulimit. Por kjo “fitore” e Berishës është asgjë para humbjes së madhe morale të binomit Nano-Berisha. Asnjë propagandë, asnjë sofizëm nuk mund të fshehë dot hipokrizinë ekstreme të paktit Nano-Berisha të mishëruar në deklaratën e tyre të përbashkët, që përpiqet të maskojë epshet e tyre të sundimit me gjoja, sikundër shprehej me stil nanoist deklarata, interesat kombëtare dhe “europiste”. Një term i gjetur ky, sepse vërtet të tilla interesa janë shumë të pista për të qenë evropiane. * * * Pjesa dërrmuese e opinionit publik, ajo pjesë që është e aftë të mendojë me kokën e vet dhe jo me atë të liderit, shfaqet e skandalizuar nga pakti Nano-Berisha. Vetë këta të fundit, ndërsa tentojnë të mashtrojnë opinionin me “politikën e re” dhe paqen që ofron pakti, po përballen (natyrshëm - do të shtonte Nano) me depozitimet e një lufte të egër 15-vjeçare që kanë zhvilluar mes tyre. Askush nuk mund të pranojë sesi sot mund të jetë shpëtimtar ai që deri dje u quajt “qelbësirë” dhe u kërkua me egërsi (deri edhe me kallash) që të shporrej nga Kryeministria. Për shumë njerëz, pavarësisht nga përkatësia politike, është e pamendueshme sesi pushteti i sotëm i Berishës, që u arrit me anë të fushatave disavjeçare nën parullat “Nano ik”, “Ta shporrim qelbësirën”, “Koha për ndryshim”, “Me duar të pastra” do të kërkonte shumë shpejt bashkëpunimin e mbetjeve të pushtetit të vjetër, se “Nano ik” do bëhej “Nano hajde”, se duart e pastra do të shtrëngonin krenarisht duart e pista, duart e … “qelbësirës”. Prandaj në këtë pakt që të mbyt me duhmën e një tolerance skandaloze ndaj korrupsionit dhe krimit, në këtë pakt ku nuk shquhet asnjë pikë devocion ndaj drejtësisë dhe lirisë, politika e vjetër dhe këneta e saj e qelbur e sundimit dhe nënshtrimit do gjejnë jo shpëtimin, por bumerangun e vet fatal.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama