Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tranzicioni i gabuar dhe demokracia e banditeve

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Tranzicioni i gabuar dhe demokracia e banditeve

Shqipëria dergjet e përmbytur nga padrejtësia. Indikatorët e lartë të korrupsionit janë shumë pak për të pasqyruar atë pafundësi telashesh, shpesh me fund tragjik, që mungesa e drejtësisë sjell në jetët e njerëzve. Me padrejtësinë janë të lidhura flakjet masive nga puna për shkaqe politike, dhunimet e pronës së qytetarëve nga njerëz me pushtet dhe pranë pushteteve politike, të gjitha pasurimet e paligjshme dhe të dhunshme. Sepse padrejtësia në Shqipëri vazhdon të ketë një rrënjë politike, një rrënjë pushteti. Ajo vazhdon të jetë, si edhe në gjithë periudhën komuniste, vartësim, nënshtrim apo vënie e pushtetit të drejtësisë në shërbim të pushtetit politik.

Me rënien e komunizmit, despotizmi oriental në Shqipëri humbi monopolin politik, por mjerisht nuk humbi sundimin mbi drejtësinë. Bota e politikës vazhdoi ta sundojë botën e drejtësisë. Partitë politike fituan lirinë të konkurrojnë, por drejtësia nuk fitoi dot lirinë nga partitë politike. Theksi u vu te liria politike, te liria si demokraci, por jo te liria si drejtësi. Ky është një nga gabimet më fatale që i ka dhënë mundësi despotizmit politik (pavarësisht bojës) të ringrihet dhe, në aleancë me korrupsionin e krimin, të orvatet për të rimbytur lirinë e njerëzve. Dhe shpëtimi i vetëm i lirisë është pavarësimi i drejtësisë nga thonjtë e pushteteve politike gjithnjë e më të korruptuar, në mënyrë që të mund të luftojë korruptimin e këtyre pushteteve.

Pas thuajse 20 vjet tranzicion postkomunist, refleksionet mundësohen gjithnjë e më të qarta. Eshtë konfirmuar se demokracia dhe liria nuk ecin gjithnjë bashkë. Se e drejta e votës për të gjithë dhe zgjedhjet e lira, mund të krijojnë shanse pushteti edhe për liderë ekstremistë dhe qeverisje të korruptuara. E atje ku mungon pushteti i pavarur i drejtësisë, që mbron të drejtat dhe liritë e njerëzve nga abuzimet e njerëzve me pushtet, qeverisje dhe mazhoranca legjitime të dala nga zgjedhje legjitime, shfaqin në raport me liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve (atë të punës, pronës, fjalës, organizmit), një rrezikshmëri që të kujton diktaturat komuniste dhe jo komuniste.

Shkurt, në të gjitha ato vende ku traditat liberale kushtetuese, pra edhe të pavarësisë së pushtetit të drejtësisë, kanë qenë më të forta, pluralizmi dhe rivaliteti politik kanë qenë më pak konfliktualë, më shumë konstruktivë dhe pushtetet e dala nga zgjedhjet ishin më në harmoni me ligjin dhe të drejtën. Zgjedhjet e lira kanë qenë (këtu ka përsëri kontribut edhe drejtësia e pavarur) edhe të ndershme dhe për rrjedhojë, demokracia i ka shërbyer fuqizimit të lirisë dhe drejtësisë. Demokracia dhe liria kanë ecur krah për krah, duke forcuar njëra-tjetrën. Mjerisht, Shqipëria nuk i përket këtij rasti fatlum.

Gjërat do të kishin ecur shumë më mirë për shqiptarët dhe vendi do kish shmangur shumë trauma e konflikte, sikur që në fillim të tranzicionit të ishte bërë një investim më i fuqishëm për pavarësimin e drejtësisë. Ndodhi e kundërta. Institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjyqësori që sa po dilnin nga skllavëria e pushtetit komunist, u gjendën nën presionin dhe sulmet e pushtetit të ri berishist. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria pati në krye të qeverisjes një autoritarist si Sali Berisha, që u përpoq me të gjitha mënyrat ta përdorte prokurorinë dhe gjyqësorin kundër rivalëve politikë, pra ta përdorte politikisht.

Sot, drejtësia në Shqipëri do të kishte një pushtet real baraspeshues e kontrollues mbi politikën, nëse në nisje të tranzicionit do të kish pasur një lider, si për shembull Kryeministri Nehru, i cili drejtoi Indinë, pasi kjo fitoi pavarësinë nga Britania. Sikundër thekson edhe Fareed Zakaria, në librin e tij "E ardhmja e lirisë", Nehru ishte rritur dhe edukuar në shkollën britanike, me koncepte shpirtërisht të rrënjosura për ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit, prandaj ishte i vendosur t‘i mbronte "edhe kur kjo nënkuptonte se duhej të pranoje disfata politike në gjykata". Krahasojeni për një moment këtë qëndrim me atë të Berishës, Nanos dhe politikanëve të tjerë shqiptarë, që nuk kanë lënë asgjë pa bërë për të ndikuar mbi vendimet e gjykatave kur ato bartin një ngarkesë politike.

Megjithëse, partia e Kryeministrit Nehru ishte superiore mbi partitë rivale, aq sa India mund të quhej "një shtet demokratik njëpartiak", ajo ishte e vendosur të krijonte tradita të forta të qeverisjes kushtetuese. Gjykatat u bënë të pavarura, shtypi vërtet i lirë dhe toleranca fetare e shenjtë. Kjo strukturë mentalitetesh, politikash dhe institucionesh, bënë që liberalizmi të përballojë më vonë edhe populizmin e rrethuar me servilizëm të Indira Gandit. Por gjërat janë përkeqësuar, qëkur sistemi gjyqësor, nga krenari e dikurshme e "demokracisë më të gjerë në botë" është shndërruar në shërbëtor i korruptuar i pushtetit politik. Që nga ky moment, India është bërë më shumë demokratike (pra me më shumë parti që konkurrojnë për pushtet), por gjithnjë e më pak liberale (pra, me më pak liri e të drejta të garantuara për njerëzit).

Në ndonjë shtet të Indisë (si në Utar Pradesh), gjërat kanë arritur deri aty sa sistemin politik mund ta përcaktojmë si një "demokraci banditësh", ku kutitë e votimit dhe zgjedhjet manipulohen, "ku partia fituese mbush administratën - ndonjëherë edhe gjykatat - me militantët e vet dhe u jep ryshfet ligjvënëseve opozitarë që të kalojnë në anën e saj". Na duket sikur Zakaria këtu ka shkruar ekzaktësisht për Shqipërinë dhe "demokracinë e saj të banditëve". Por ka edhe më, sepse ngjashmëria është totale. Zakaria shpjegon se tragjedia e miliona votuesve qëndron në faktin e hidhur se përfaqësuesit e votuar prej tyre pasurohen dhe fuqizohen jashtëzakonisht, duke vjedhur fondet publike, ndërsa flasin për hallet e popullit. Ky proces degjenerimi arriti kulmin në nëntor 1977, kur Kryeministri i Utar Padeshit, siguroi shumicën parlamentare, duke krijuar një kabinet prej 93 ministrash, në mënyrë që deputetët që ndryshonin anëtarësinë e partisë së tyre dhe mbështesnin atë, të merrnin poste qeveritare. Ne kemi rastet e "xhuvelizmit" dhe të tjera variante të tij, që me siguri do të shfaqen edhe nesër, pas zgjedhjeve të 28 qershorit.

Mungesa e pavarësisë së pushtetit të drejtësisë nga politika, korruptimi i tij i brendshëm, që është një hallkë shtesë e zinxhirit që e mban të skllavëruar, po e degjeneron sistemin në një demokraci banditësh që nuk njeh liri dhe të drejta, por majmet duke i dhunuar ato. Kjo po shikohet në të gjitha nivelet e shtetit. Media po raporton gjithnjë e më shumë raste të "të fortëve" në qarqe, bashki apo komuna, që duke qenë të mbështetur nga segmente të pushtetit, dhunojnë pronat e qytetarëve. Gjendja nuk do të qe kjo, nëse qytetarët do të kishin në mbrojtje të drejtat e tyre, gjykatat, prokurorinë. Por në realitet ata dhunohen dhe askush nuk i mbron, flaken nga puna me pretekste të stisura dhe nuk e gjejnë dot të drejtën. Dhe shohin me zhgënjim demokracinë "për atë çka ajo është bërë në të vërtetë: pra një sistem i hapur dhe i kapshëm në teori, por faktikisht i sunduar nga pakica fanatike të organizuara mirë ose të pasura, të cilat sakrifikojnë të ardhmen që të mbrojnë interesat e tyre të tashme".

Me këtë degradim të politikës dhe ambicieve të saj duhen shpjeguar të gjitha rrënimet që vuan sot Shqipëria, rrënimin e mjedisit, e drejtësisë, e bujqësisë dhe industrisë, rrënimin e bilanceve të shtetit nga borxhet gjithnjë e më të larta, rrënimin e të drejtës publike nga korrupsioni. Të gjitha janë rrjedhojë e sakrifikimit deri edhe të së ardhmes së shoqërisë dhe natyrës për ambiciet mediokre të një grushti politikanësh dhe lobeve të lidhur me ta. Po cili është shpëtimi? Eshtë eliminimi i atij gabimi të bërë në fillesë të tranzicionit, është çlirimi i drejtësisë nga thonjtë e politikës, është ri-integrimi i praktikës së demokracisë me liberalizmin kushtetues, me ringritjen e institucioneve si drejtësia e pavarur dhe të atyre të shoqërisë civile. Misioni është shumë i vështirë, por jo i pamundur. Dhe sado i vështirë, është e vetmja rrugë për t‘u shpëtuar despotizmave që kërcënojnë nga horizonte tashmë shumë të afërt. Pa një rifillesë të tillë, demokracia do të mbetet një lëvozhgë e zbrazët, por njëherazi maskë "perëndimore" e një sistemi banditësh politikë dhe jo politikë, që ka për tipare "gërryerjen, manipulimin e lirisë dhe degradimin e jetesës së përbashkët".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama