Kryeministri, Sali Berisha, po shpërdoron autoritetet më të besueshme të qeverisë në beteja banale publike që shkatërrojnë imazhin e tyre. Strategjia e zhurmimit të debatit publik dhe unifikimi i zërave, përfshi dhe zërave autoritarë të PD, në tema minore dhe shpeshherë banale, po krijojnë një alergji të panevojshme publike ndaj disa ministrave të paktë që ai ka në kabinet. Ridvan Bode, ministri i Financave dhe njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i partisë në pushtet, është pa dyshim një ministër solid i PD dhe shumë bindës, kur ai shfaqet në publik të flasë temat e tij, siç është buxheti apo reformat fiskale. E kam ndjekur në shumë debate me vëmendje, përfshi dhe debatet në komisionet parlamentare, ku ai ndjehet i sigurt, serioz dhe i arsyeshëm. Të enjten në mbrëmje e kam parë në një nga ditët e tij të këqija si një gjeneral i “armatosur” për të vrarë kundërshtarin me llastiqe guri. Me dosjen e famshme të lejeve të një arkitekti të quajtur Alban, “gjenerali” i fushatës zgjedhore të partisë në pushtet ngjante në të vërtetë një gjeneral i zënë rob. Jo se klientelizmi nuk është temë fushate. Ai është dhe duhet të forcohet si temë e tillë, por ai po zhvillohet jashtë truallit të vet.
Së pari, klientelizmi nuk është një temë debati që mund të zhvillohet në prag të zgjedhjeve parlamentare duke iu referuar modelit të pushtetit lokal, qoftë ky i PS apo i PD, apo qoftë dhe i vetë Edi Ramës. Klientelizmi është një temë e rrezikshme sidomos për Partinë Demokratike në pushtet, e cila ka përsosur në detaje klientelizmin e familjes në pushtet, një kategori primitive klientelizmi, e panjohur asnjëherë në historinë e mëparshme politike në Shqipëri. Është një guxim i tepruar dhe një shpërdorim i madh ta lëshosh si gjah për skifterët sekretarin e Përgjithshëm të partisë në pushtet, të cilit, sapo kundërshtari i përmendi emrin e një biznesmeni që njihet publikisht si sponsor i tij, dhe si njeri që qeveria i ka prokuruar direkt një licencë celulari, heshti dhe filloi të bëhej joserioz. Dhe e dhimbshme është se para shqiptarëve shfaqet një dimension i një ministri që nuk është real, pasi ai është një nga zërat kompetentë, kur flet për financat apo buxhetin, madje dhe korrupsionin. Por shpërdorimi i madh taktik i Berishës për të bërë kalë beteje një detaj klientelizmi, që vetë e ka identitet qeverisjeje, tani po sjell viktimat e para. Në debatin e javës së kaluar ne të gjithë pamë se si u shkërmoq Lulzim Basha para debatit parimor të Blushit dhe Klosit, të cilët e shkërmoqën si lëvozhgë veze, duke e bërë të qajë në fund të emisionit. Këtë javë sërish pamë dy ministra, realisht të mirë të qeverisë Berisha, të cilët, të nxjerrë jashtë teme dhe jashtë natyrës së tyre, të krijonin idenë e njerëzve të zënë peng, pa qenë realisht tipikët e pengmarrjes së madhe të klientelizmit familjar në këtë qeveri. Dhe e tmerrshme është se ky boshllëk i tyre ndjehet përballë disa djemve të rinj që nuk janë agresivë dhe nuk përdorin të njëjtën teknologji agresiviteti kundër tyre.
Përfytyroni një moment sikur opozita t’i kthehet klientelizmit të qeverisë. Të llogarisë që në Shqipëri ka, fjala vjen, dhjetë kompani të mëdha serioze rrugësh, ku mund të hyjë Tris, Geci, Euroteorema, Siac etj., që mund të përbëjnë realisht dhjetë kompanitë më të mëdha të rrugëve në vend. Të gjitha së bashku kanë mijëra ekskavatorë dhe makineri të investuara për 15 vite dhe biznesi i tyre i jetës janë rrugët. Hapni letrat e Ridvan Bodes në vitin 2007-2008 dhe do të shikoni se ky ministër ka firmosur për të dhjetë kompanitë më të mëdha të rrugëve në Shqipëri rreth 70 milionë euro dhe për kompaninë e Fahri Balliut dhe kunatës së vet, që kanë punuar të dy në një gazetë, që s’kanë asnjë traktor apo zetor për të shkuar deri te kantieri, gjithsej nja 120 deri 130 milionë euro. Përfytyroni sikur një skifter i opozitës të ngrihet e t’i thotë Ridvan Bodes në debat se pse nuk ia beson punët publike kompanive profesionale shqiptare, por lobingut të një botuesi gazete, që ka ndërtuar fabrikën e Gërdecit. Ridvan Bode e ndjen këtë handikap, ashtu siç e ndjen dhe Majlinda Bregu dhe ministrat e tjerë solidë të qeverisë, që po Berisha po i fut në beteja qesharake në prag të fushatës elektorale. Ridvan Bode e ndjen, dhe madje e ndjeu sapo i përmendën një biznesmen, që falë raporteve politike është ortak me pronarin e TV “Klan”, Aleksandër Frangaj dhe kryebashkiakun, Edi Rama, u lejua të ndërtojë pesë kate shtesë te një pallat gjithsej me 8 kate. Pasi u lejua nga policia e Edi Ramës, natyrisht si klientelist, me urdhër të Sali Berishës, po ashtu për klientelizëm, Shaban Memia ia legalizoi të parit si shembull i shpërblimit politik. Pra, nëse në qendër të Tiranës, 50 metra mbi shtëpinë e Sali Berishës dhe 100 metra pas Kryeministrisë, dy njerëz lejohen të bëjnë një pallat me 13 kate nga 8 që është leja dhe pallati në krah, dhe nëse te kjo shtesë pa leje shkon për darka çdo javë kryeministri, natyrisht që betejat kundër klientelizmit janë qesharake. Ridvan Bode pesë vite më parë turfullonte në Kuvend për një dosje korruptive të TSH në Durrës, që disa biznesmenë të mëdhenj ia faturonin disa kompanive me administrator të vdekur. E bëri kalë beteje në fushatë, por, sapo hyri në zyrën e tij dhe pa se cilët ishin ata biznesmenë, heshti dhe po hesht akoma. Heshti, se është ministër i një shteti klientelist, dhe jo i klientëve dosido, por i klientëve të vajzës së Sali Berishës.
Unë e kam parë si turfullon Ridvan Bode, kur humb gjyqe për evazion fiskal nga biznesmenë që kanë Argitën avokate, e kam parë si turfullon, kur një biznesmen që s’është marrë kurrë me rrugë, merr radhazi dhjetëra tenderë nga Sokol Olldashi dhe miliona euro nga Sait Dollapi. Por është i pafuqishëm të veprojë. I pafuqishëm, se ata janë klientë të vajzës së ATIJ që ai s’i përmend dot dhe emrin.
Dhe për këtë shkak, ai dhe kolegë të tij po shpërdorohen në debate publike për beteja që realisht duhet të ishin të opozitës kundër tyre. Dhe nuk jam i sigurt pse Berisha po i shpërdoron në këtë pikë. Ose do t’i detyrojë të japin prova besnikërie ndaj klientëve të Familjes, ose do t’i hedhë poshtë si limonë të shtrydhur, që nuk kanë fuqinë e duhur t’i shërbejnë klientëve të Familjes. Në të dy rastet ndjehem keq, kur e shikoj Ridvan Boden të skuqet dhe të kafshojë buzën duke u detyruar të futet në debate që janë të humbura parimisht për qeverinë, mjafton të kujtosh temën.