Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lerini në paqe fëmijët, të paudhë!

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Lerini në paqe fëmijët, të paudhë!

Përpara disa ditësh, programi "Fiks Fare" na bënte me dije mbi pezullimin e shkollave në një prej qyteteve të jugut të Shqipërisë, ngaqë atje kish vënë këmbë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Kamerat kishin ndaluar në dyer shkollash të ndryshme, të cilave u ishte vënë dryni. Sikur të mos mjaftonte kjo, ishin intervistuar mësues e drejtues shkollash, të cilët ose e justifikonin urdhrin për pezullimin e mësimit, ose bënin çmos për t‘iu shmangur mikrofonit të gazetarit. Në anën tjetër, fëmijët e të gjitha moshave lodronin të gëzuar në sheshin e qytetit, dhe merrej vesh që nuk e bënin këtë për syçkat e bukura të Jozit; përkundrazi, i gëzoheshin faktit, që bash në atë moment ishin aty, në ajër të pastër (i pastër i thënçin!) e nën shoqërinë e hareshme të sho-shoqit, e jo të ulur ngucshëm në bangat e shkollës, duke dëgjuar zërin monoton të mësuesve të tyre.

Më vonë, pavarësisht nga ky denoncim e ndoshta pikërisht për shkak të këtij denoncimi, kjo histori është përsëritur nga kryetarja jonë e Kuvendit (Jozi, si të gjithë njerëzit e pagdhendur të kësaj bote, nuk synon që sjelljet e qëndrimet e saj t‘i ngrejë në respekt të kodit tonë ligjor e moral, por synon në radhë të parë e mbi të gjitha që, këto sjellje e qëndrime t‘ua hedhë në fytyrë e në mënyrë sfidante atyre që "asaj nuk i duan të mirën"). Është përsëritur domosdo edhe nga ustai i saj, Sali Berisha. Ky i fundit ishte në Vlorë pardje. Kish kopsitur një takim me të rinjtë, dhe siç mund të merret me mend, salla ishte mbushur me gjimnazistë, të cilët, përpara se ta shihnin Saliun si një udhëheqës politik, e shihnin në fakt si manager të një diskoje gjigante. Por Saliut nuk i intereson kjo; i intereson në fakt salla e mbushur dingas, dhe dekori me lajlelule.

Në qytetet dhe qytetthet e periferisë, këto inkursione elektorale të Kryetares së Kuvendit dhe të Kryeministrit janë ngjarje politike, dhe në këtë kuptim ata, d.m.th. fëmijët krejt të pakërthndezur, edhe pse nuk e vënë ujin në zjarr për theksin politik të këtyre vizitave, janë në të vërtetë të përdorur në mënyrën më fyese që mund të mendohet. Këto ngjarje, përveç që mbeten në kokat e tyre si një rrethanë gazmore, ku ata kanë rast të hakmerren në një farë mënyre ndaj (më saktë, t‘i përvidhen) asaj botës së tyre provinciale të sunduar frikshëm prej rutinës, është gjithashtu edhe një leksion i keq, shumë i keq. Është një lloj pedofilie politike, e dënueshme sido që ta shohësh, dhe rrjedhimisht e papranueshme.

Të gjithë prindërit normalë në Shqipëri përpiqen t‘i mbajnë fëmijët e tyre larg ambienteve, ku bëhen e jepen konsiderata politike, e sidomos larg atyre ambienteve, ku këto konsiderata politike ose provokojnë urrejtje ndaj palës tjetër, ose bëhen me një gjuhë rrugaçësh (e mbani mend, besoj, atë tubimin në Shkodër, ku Kryeministri, i rrethuar nga disa njomëzakë, u lëshua të fliste për tredhje e për kastrim, e ku Kryetarja e Kuvendit aty për aty e la mënjanë rolin e një burrneshe rapsodike - të cilin e luan gjithë kohën - dhe mori rolin e nënës së dhembshur, duke tërhequr nga vetja në mënyrë instiktive një prej atyre njomëzakëve të shushatur).

Mirëpo është e kotë që përpiqen. Fëmijët shkojnë nëpër shkolla, dhe aty bien në dorë të ca drejtorëve e të ca mësuesve, të cilët - siç duket - nuk kanë as mend, as kurajo për t‘u thënë politikanëve të ndërkryer të këtij vendi: "Jo, këtë nuk mund ta bëjmë. Nuk mund t‘i mbyllim shkollat e nuk mund ta pezullojmë procesin mësimor për shkak të një vizite elektorale e politike. Nxënësit e shkollave nuk kanë lidhje fare me vizita të këtij lloji. Nuk ka ligj që mund të na detyrojë t‘i mbyllim shkollat e t‘i nxjerrim nxënësit nëpër sheshe në rolin e militantëve njëzetqindarkësh; përkundrazi, ka një ligj që na ndalon ta bëjme këtë". Është për të ardhur keq, që nuk del asnjë mësues e asnjë drejtor shkolle ta bëjë këtë. Është dhe fare e pakuptueshme.

Vërtet, si është e mundur që nuk del qoftë dhe një mësues, vetëm një, mor një për be, për ta denoncuar këtë dukuri, përmasa imorale e antiligjore e së cilës ja bën mu? Çdo gjë është e mundur në këtë Shqipërinë tonë, në këtë Shqipëri, ku fëmijët duhet t‘i mbrojmë jo vetëm nga palavitë e rrugës, por dhe nga palavitë e politikës. Dhe të kuptohemi, edhe sikur të mos bëhej fare fjalë për palavi politike, kjo nuk ndryshon asgjë; ne duhet t‘i mbrojmë nga politika në përgjithësi, e cila, sipas të gjitha udhëzimeve pedagogjike, të sotshme e të moçme, nuk është ushqim për stomakun e fëmijëve 12, 13, 14, 15, 16, 17 vjeçarë. A po, këtyre të fundit duhet t‘u japim një edukim civik, duhet t‘u mësojmë se ç‘është demokracia, ç‘është parlamenti, ç‘është qeveria, ç‘janë partitë, përse mbahen zgjedhjet, ç‘është kushtetuta, ç‘janë institucionet, etj, etj. E në momentin që ne ua bëjmë këtë edukim civik, është mirë të mos i lejojmë të marrin pjesë në tubimet elektorale të Berishës e të Topallit edhe për një arsye shtesë: këto tubime janë bash e kundërta e asaj që na thotë edukata civike. Dhe dukata civile. Dhe ajo etiko-morale, po të doni.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama