Tipari kryesor i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike duket qartë se është shkalla e përdorimit të emrave të futur në listë për interesa të kryetarit të PD, Sali Berisha. Ky dimension shfaqet njësoj në të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe duket se përbën identitetin kryesor të gjithë listës. Kështu, nëse i hedh një sy listës së Tiranës, duket se te gjashtë emrat e parë të saj, tre prej tyre janë njerëz të keqpërdorur publikisht prej kryeministrit: Aldo Bumçi, për shkak të historisë së tij me djalin e kryeministrit që loboi kontratën e Gërdecit; Bujar Nishani, për shkak të “blerjes” së heshtjes për Kosta Trebickën dhe Gerti Bogdani për shkak të keqpërdorimit ekstrem në opinion publik si njeri që nuk tentoi asnjë ditë të shkruante një rresht ose të ndryshonte morfologjinë e fjalive të kryetarit të tij.
Por, përveç kujdesit për të vënë në krye të listave njerëzit që ka keqpërdorur, Sali Berisha ka bërë po kaq kujdes të vendosë në vende të pasigurta ose aspak të sigurta njerëzit, të cilëve nuk u beson shumë. Kështu, vendosja e Arben Imamit në vendin e 14 në Tiranë është një fyerje për vetë zyrën e kryeministrit, pasi dëshmon se njeriu, të cilit i beson më pak se Gerti Bogdani, është ai që ka gjithë ditën në paradhomën e vet. Më tej akoma vijon tallja me Bojaxhiun në vendin e 24 apo përjashtimi paraprak nga lista i Besnik Mustafajt.
I njëjti fenomen shfaqet në listën e Durrësit, ku listës i prin Xhaferri dhe Oketa, dy emra që do të mbahen mend gjatë në polikë për qëndrimet e tyre donkishoteske në mbrojtje të familjes së Berishës. Jo më larg se një javë më parë Xhaferri i konsideroi merita të fëmijëve të Berishës përfshirjen e djalit në Gërdec dhe vajzës që lëshonte fatura deri në 30 milionë euro për një koncesion.
Një fenomen tjetër i shëmtuar është futja në listë e njerëzve, të cilët i kanë bërë shërbime perverse muajt e fundit, kur Berisha ishte në krizë. Emri i Mark Markut si deputet në qarkun e Lezhës është shfaqur vetëm pse i ka dalë zot skandaleve të fundit të qeverisë, dhe fëmijëve të zotit Berisha, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2007 ka qenë në shtabin elektoral të Edi Ramës dhe i angazhuar publikisht ditën e zgjedhjeve kundër Sokol Olldashit. Ky bashkëpunëtor shtypi i ka quajtur zgjedhjet e vitit 2007 të humbura thellë prej Berishës, ndërkohë që Berisha tha dje se argument i vetëm i fitores ishte se ai kishte fituar thellë zgjedhjet e vitit 2007. Tashmë dikush duhet të korrigjojë diçka. Po kaq pa lidhje është propozimi i Mesila Dodës, së cilës i përmendet që ka qenë studente në vitin 1990 dhe harrohet që ka qenë zëdhënëse e kryeministrit, Ilir Meta, në vitin 2000, kur është arrestuar Sali Berisha. Shërbimi i vetëm i saj është se i ka dhënë jashtë rregullave dhe ligjeve një licencë televizive Aleksandër Frangajt, i cili, sapo e mori, e shiti 700 mijë euro. Ndonjë kontribut tjetër për PD nuk më kujtohet dhe do të isha i nderuar të ma kujtonte ndokush prej atyre që e kanë propozuar. Përveç kësaj, propozimi i saj në listën e deputetëve së bashku me Altin Ndroqin, një djalë vërtet i përkushtuar ndaj PD, bllokon praktikisht punën e KKRT gjatë zgjedhjeve, pasi ata që sot janë të dorëhequr, ndërkohë që parlamenti nuk është i mbledhur që t’i zëvendësojë. Kjo situatë do të bëjë që fushata elektorale të jetë jashtë kontrollit të këtij institucioni, që dëshmoi në të vërtetë se ishte një celulë klienteliste e njerëzve afër Berishës. Të njëjtën mungesë morali Berisha duket se dëshmon dhe me vendosjen e Paulin Sterkajt si të gjashtin në listën e Shkodrës, edhe pse në vitin 2007 ai u shpall prej Edi Ramës si heroi që udhëhoqi fitoren kundër Sokol Olldashit. Kjo mungesë morali do të ketë natyrisht çmimin e vet, ndërkohë që jashtë listës nga qarku i Lezhës është lënë Preç Zogaj, njeriu që i ka dhënë dy herë mandatin e vet si deputet PD dhe një nga zërat më të artikuluar politikisht të kësaj partie.
Lista vijon të jetë qesharake për qarkun e Kukësit, ku një figurë qesharake si Flamur Noka udhëheq listën duke i dhënë shanse të majtës të barazojë numrin e deputetëve 2 me 2 në atë qark.
Lista është po ashtu dhe një dëshmi e mungesës së seriozitetit në rrethet e jugut. Përpjekja e Berishës për të keqpërdorur figura të pakicës greke, si Spiro Ksera apo Kosta Barka, mund t’i kthehet në bumerang. Me listën e Gjirokastrës Berisha ka vulosur rezultatin e hidhur 4 me 1 në favor të së majtës. I vetmi deputet që do të dalë, Genc Ruli, është në të vërtetë dhe shkaktari i gjithë pakënaqësisë popullore ndaj PD në atë qark. Përpjekja për t’i vënë paterica të tipit Ksera vetëm se irritojnë votuesit e Tepelenës dhe Përmetit.
Po kështu, lista e Vlorës është jashtë çdo kriteri për të marrë së paku 5 deputetë. Përdorimi i Kosta Barkës kundër PBDNj në Vlorë dhe Sarandë thjesht do të kompaktësojë votuesit e PBDNj kundër PD dhe do të krijojë një frymë armiqësie, e cila do reflektohet dhe te ndihma që PBDNj mund t’i japë PS në rrethe të tjera ku ajo s’merr dot deputetët e saj. Veç kësaj, përpjekja e Berishës për të kandiduar ish-figurat e PBDNj e fikson atë në memorien e pakicës greke si kryeministri që përpiqet ta përçajë atë parti dhe që mund të shtojë në të ardhmen konsekuencat e tij politike.
Si përfundim, kjo listë deputetësh ka të qartë vetëm një kriter, futjen në vende të sigurta të njerëzve të keqpërdorur nga Berisha dhe lënien jashtë listave të njerëzve që i jepnin PD fuqinë e fjalës, mendimit ndryshe, dhe një personalitet politik të tyre. Përjashtimi i Zogajt, Mustafajt, Biberajt, Bojaxhiut, Imamit dhe një sërë kandidatësh të tjerë, që kanë patur personalitetin e tyre, tregon qartë se Berisha është përgatitur për një ekip që t’i qëndrojë atij pranë në rast humbjeje. Por kam frikë se dhe atëherë do zhgënjehet.