Kjo lloj marrëveshjeje apo pazar nuk ka të bëjë fare me konsensusin. Sepse, konsensusi presupozon një klasë politikanësh, që pavarësisht nga dallimet partiake, ndajnë disa vlera filozofike dhe politike themelore lidhur me sistemin politik. Eshtë fjala për ato vlera të demokracisë liberale (si ndarja dhe kufizimi i pushteteve) që e mundësojnë dhe e jetëgjatësojnë demokracinë, sistemin e saj politik. Këto vlera e parime, të shpërndara në të gjithë klasën politike dhe në shoqëri, e bëjnë konsensusin të mundur, janë majaja e tij. Por, nëse përballë politikanëve që udhëhiqen nga këto parime bazë të lirisë politike, ulet për bisedime një lider apo një forcë që synon jo ndarjen, por bashkimin e pushteteve, jo kufizimin, por zgjerimin e tyre, pra nëse përballë tyre ulet një autoritarist i pandreqshëm si Berisha, atëherë konsensusi është i pamundur. I mundur në këtë rast është vetëm pazari: më jep, të jap. A thua përsëri do të ndodhë kështu? A thua përsëri opozita do t‘i bëjë lëshime autoritarizmit të Berishës (si në mars ‘97, si në shtator ‘98) në kurriz të demokracisë dhe të vetes? Bisedimet sekrete nuk lejojnë të shohësh qartë. Dhe pikërisht kjo të tremb ngaqë dihet se e keqja gatuhet në terr. Por, nëse ndodh një lëshim i tillë, atëherë "konsensusi" do të ishte një tradhtim i demokracisë dhe në radhë të parë, i një prej parimeve mbi të cilat ajo themelohet, i parimit të ndarjes së pushteteve. Të japësh "konsensus" që Berisha të marrë edhe më shumë pushtet, që Berisha, nën maskën e reformave, të fusë nën kthetra zyrën e kryeprokurorit, pikërisht atë që nuk e arriti dot me dy vjet përpjekje, shantazhe dhe konflikt me institucionet, do të thotë ta lësh në baltë demokracinë. *** Konsensusi është praktikisht një përforcim politik i parimeve dhe vlerave, mbi të cilat ngrihet demokracia, është prova e forcës që ushtrojnë parimet e demokracisë mbi politikën. Konsensusi, si dukuri politike, i përket ekskluzivisht demokracisë. Si mendësi politike konsensusi është Perëndimor, pazari është Lindor. Ndërsa për konsensusin kërkohet një pikë e përbashkët, për pazarin jo. Ndërsa konsensusi bashkon vlera, pazari i këmben ato. Konsensusi përbashkon, pazari shpërndan. Nën diktaturë, nën autoritarizëm, nën despotizëm nuk ka konsensus, por nënshtrim. Konsensusi është i mundur vetëm në demokraci, ku alternativat politike, pavarësisht nga dallimet, rrjedhin në të njëjtin shtrat për sa i takon qëndrimit ndaj lirisë dhe lirive. Të gjitha alternativat frymëzohen nga liria dhe synojnë lirinë. Në demokraci, si të majtët ashtu edhe të djathtët, ndajnë të njëjtat parime e vlera që ushqejnë lirinë politike dhe të gjithë liritë e tjera. Të gjithë politikanët jo vetëm përshëndesin, por edhe mbështesin me vepra lirinë e fjalës dhe të medias, ndarjen e pushteteve, të gjithë janë tolerantë me mendimin ndryshe, madje edhe me kritikat që i thumbojnë dhe djegin fort, të gjithë nuk lakmojnë dhe njëherazi nuk tolerojnë te njëri-tjetri dhe te askush, lakminë cezariane për t‘i grumbulluar pushtetet në të njëjtën dorë. Por, pikërisht ky është qëllimi konstant i Berishës në 17 vjetët e jetës së tij politike. Dhe shqiptarët, si dhe shumë nga politikanët që negociojnë sot me të, e kanë parë se çfarë i punon Berisha demokracisë dhe të drejtave të njeriut, po të mund të vendosë si kryeprokuror një nga kamikazët e tij politikë. Përballë kësaj përvoje tragjike dhe kokëfortë, nuk pi ujë asnjë premtim, asnjë demagogji, asnjë "nevojë historike për luftë kundër krimit apo për reforma", asnjë zbutje e zërit nga ujku i vjetër i politikës. Asnjë qëllim sado i lartë që të shitet, asnjë luftë sado e shenjtë që të shpallet, nuk i bën të majtët apo të djathtët e një demokracie të vërtetë, të tolerojnë grumbullimin e hapur apo të maskuar të pushteteve në duart e një njeriu të vetëm, të një lideri të vetëm. Sepse, arma më e fuqishme e demokracisë kundër të gjithë armiqve të saj pra, edhe kundër korrupsionit dhe krimit, është liria e njerëzve dhe e institucioneve që mbrojnë liritë e njerëzve. Erich Fromm thotë diku se rreziku më i madh për një popull, është pikërisht tolerimi i grumbullimit të pushteteve në duart e një njeriu normal. Përkrahësit e Berishës duan ta shesin atë si një njeri që e tejkalon normalen, pra si një njeri jo normal. Na duket se në këtë rast, grumbullimi i pushteteve i paralajmëruar nga Fromm, bëhet akoma më kërcënues për demokracinë. Prandaj, duhet refuzuar me çdo kusht. Edhe nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme. Me zgjedhje të parakohshme demokracia është e rrezikuar. Por, me grumbullimin e gjithë pushteteve në dorën e Berishës, demokracia është e mbaruar. Demokracia duhet të rrezikojë në mbrojtje të demokracisë, sepse "nuk ka ç‘humbet veç prangave" që po tringëllijnë në prapaskenën e politikës. Demokracisë nuk i duhet një pazar që shet kryeprokurorin për të blerë Presidentin. Demokracisë i duhet një konsensus që nuk shet askënd dhe askujt. Aq më tepër parimin e saj të shenjtë dhe jetik të ndarjes së pushteteve. *** E keqja është se përballë opozitës në negociata për konsensus, qëndron një pushtet dhe një pozitë që dominohet nga një njeri që nuk ka për qëllim zhvillimin e lirive, por stabilizimin e sundimit të tij. Këtë ka në kokë Berisha kur flet për "stabilitet" dhe jo një liri të qëndrueshme përballë një kaosi që ai vetë fshehtazi e ushqen. E keqja është pra se e majta në opozitë duhet të arrijë konsensus me një të djathtë në pushtet, që për faj të kultit të Berishës "e ka humbur identitetin e vet". Përkufizimi i fundit dihet tashmë së i përket Bamir Topit. Por, thelbi alarmues i kësaj thënieje nuk është rrokur sa duhet. Ndoshta as nga Topi vetë. Një e djathtë që ka humbur identitetin është pikërisht një e djathtë që ka braktisur parimet bazë të demokracisë, që themelohet mbi ndarjen e pushteteve. Ajo në vend që të luftojë për jetësimin e këtyre parimeve, po priret nga e kundërta, në vend që të luftojë për ndarjen, copëzimin e pushteteve që e bëjnë të pamundur despotizmin, rend prej vitesh si manar pas një lideri që nuk e fsheh dot etjen bolshevike për të qenë kudo në shumicë, për të pasur në dorë të gjitha institucionet, për të vendosur për gjithçka dhe mbi çdo gjë. Mjerisht, deformimet e tij si Bolshevik i vjetër, Berisha ka mundur t‘ia injektojë edhe thuajse krejt lidershipit të djathtë. Në këto kushte, e majta dhe partitë e tjera opozitare duhet të arrijnë një konsensus me një të djathtë, që, në fakt, nuk është e djathtë. Në fakt, është politika e re dhe liderët e saj që duhet të arrijnë konsensus me politikën e vjetër dhe liderin e saj. Si mund të realizohet kjo mrekulli? Sepse konsensusi është, fjalë për fjalë, sens i përbashkët për diçka, bashkëndjerje. Në rastin konkret, senset, ndjesitë politike shfaqen krejtësisht të ndryshme. Ndërsa opozita kërkon një President që të mbrojë pavarësinë e institucioneve, Berisha lakmon një President që të mos mbrojë pavarësinë e institucioneve. Dhe fakti që në tryezën e negociatave u hodhën kaq shumë emra kandidatësh, fakti që nuk u pranuan herë nga njëra palë dhe herë nga tjetra, nuk ka të bëjë shumë me cilësitë e tyre. Ose më saktë ka të bëjë me cilësitë e kandidatëve në atë masë që këto cilësi, mund të influencojnë synimet e secilës palë lidhur me institucionet e pavarura dhe në radhë të parë, me institucionin e kryeprokurorit. Besnik deri në vdekje i qëllimit të vet për sundim, Berisha po përpiqet të shfrytëzojë dinakërisht propozimet e opozitës për një platformë reformash bipartizane, për të kënaqur synimin e tij lidhur me kryeprokurorin. Prandaj i ka deleguar (si jo rrallëherë këto dy vjet) edhe Rusmalin në përpilimin e tekstit të një marrëveshjeje reformash që do të përfshinte edhe çështjen "Sollaku". Shpejt do të shohim më në hollësi se çdo të prodhojë dyshja Rusmali-Islami, por që sot, mund të thuhet se opozita do të bënte një gabim të pafalshëm, nëse i krijonte hapësirë "kushtetuese" Berishës të vendoste sipas midesë së tij autoritariste lidhur me kryeprokurorin. Në këtë rast, "konsensusi" i arritur do të qe vetëm një pazar me pasoja shumë të rënda për demokracinë. Sepse do të ishte, si në çdo pazar, një tregti me parimet e saj. Dhe ky është edhe dallimi mes pazarit politik dhe konsensusit politik. Pazari i shet parimet, konsensusi i përforcon ato. Pazari politik mbyll një sherr për të hapur shumë shpejt një sherr edhe më të madh. Konsensusi, duke rikonfirmuar besnikërinë e forcave politike ndaj parimeve të përbashkëta të lirisë, hap perspektivën e një konkurrence liridashëse paqësore. Opozita ka marrë mandate nga elektorati i saj të mbrojë institucionet nga epshet prej sundimtari të Berishës. Ka dy vjet që ajo e ka përmbushur me sukses këtë mandat. Përse do ta tradhtonte tani? Që të "merrte" Presidentin? Po përse do të shërbente një President që "as shkruan dhe as vulos"? A nuk do të qe kjo një tallje me gjithë atë luftë që zhvilloi, ajo vetë dhe Presidenti Moisiu, për të mbrojtur pavarësinë e postit të kryeprokurorit? Sepse, nëse shpëtimi i "kombit" fshihej në një "konsensus" të tillë, atë mund ta kish bërë vetë Moisiu që para dy vjetësh dhe sot, do të ishte mjaft i pranueshëm dhe "konsensual" për Berishën. Madje, Berisha është i gatshëm ta lërë edhe Moisiun aty ku është, mjafton të marrë kryeprokurorin. Për dy vjet rresht Moisiu, duke mbrojtur pavarësinë e institucioneve, nuk e tradhtoi opozitën dhe demokracinë. Tani i takon opozitës të mos e tradhtojë demokracinë dhe Moisiun. Por, mbi të gjitha, misionin për të cilin u sakrifikua dhe po sakrifikohet Presidenca e tij.