Mediat dhe Politika
Mediat, Zhivoradi dhe Albani
Në Kosovë mbizotëron një agjendë e një fushate mediatike me tipare të plota të diferencimit etnik dhe fizik. Shtrohet pyetja: si paraqiten pakicat, e në veçanti serbët, në mediat tona?
Kohët e fundit në lajmin e mediave shqipe po shkruhet e flitet shumë, tepër shumë për përkatësinë etnike të pakicave. Është fjala për transportimin e lajmit dhe informatës jo politike. Duke parë ndërtimin e "realitetit" nga mediat, ne mund të bindemi dhe të kuptojmë, se dallimet në mes të varfërve dhe të pasurve, dallimet në mes të atyre me arsim të lartë dhe atyre me arsim të ulët, dallimet në mes fshatit dhe qytetit, duket sikur të mos ekzistonin në Kosovë.
Në hulumtimin tim bërë mediave të shkruara dhe RTK-së, del se etnia serbe, në raport me numrin e popullsisë, është më e theksuara në mediat shqipe. Faktorizohet dyshimi im, se në më shumë se 80% të lajmeve, raportimeve dhe të reportazheve, fotografia e serbëve të Kosovës, prezantohet në opinion si "viktimë", e "dobët" dhe e "mjerë". Përmes gjuhës dhe shablloneve mediatike opinioni publik nënkupton, se pakica serbe ka qasje të dobët në media; opinioni (keq)informohet, se pakica serbe ka trajtim e shërbime më të dobëta ekonomike, sociale e mjekësore, sesa fqinjët e tyre shqiptarë. Nga këto media ne "kuptojmë", se këta kanë qasje të dobët edhe në sistemin edukativ e arsimor. Sipas mediave shqipe, serbët e Kosovës, pavetëdijshëm, paraqiten në hapësirën tonë publike, si kolektivitet i "dhunuar" dhe i "harruar" nga shumica shqiptare. E, në anën tjetër mediat, pak dhe imtësisht, paraqesin pjesëtarë të pakicës serbe si shkelës të lirisë apo si delikuentë.
Agjendat politike "nuk lejojnë" mediat që të fokusohen në pabarazinë në mes të të pasurve dhe të varfërve në Kosovë. Mediat më shumë fokusohen në varfërinë me tipare një etnike e biologjike. Dhe, ky raportim mediatik është duke u përforcuar në mënyrë sistematike.
Përqendrimi dhe përkufizimi i mediave shqipe në një racë e në një komb, dhe jo në individ e shtresa sociale (pa dallim gjinie, moshe, e përkatësie kombëtare) na çon atje ku ne më sa paku e duam: Kjo gazetari na çon e na imponon në një debat të shtrembër e të çoroditur; debat që është antipod i kulturës, traditës, mentalitetit, mikpritjes dhe bujarisë sonë tradicionale.
Pse mendoj kështu?
Përqendrimi i mediave tona do të duhej të fokusohej në pabarazinë e thellë sociale. Gazetarët tanë do të duhej të provokojnë debate për gërmimin dhe hulumtimin e shkaktarëve të lindjes dhe përforcimit të krimit të organizuar. Këta do të duhej të fokusoheshin në ngjalljen e debatit për të përmirësuar gjendjen e mjerë të arsimit, shkencës dhe kulturës për të gjithë qytetarët e Kosovës; E, jo në stilin e identifikimit të debatit me një pakicë kombëtare.
Fatkeqësisht mediat më shumë janë të interesuara "ta luftojnë diskriminimin dhe varfërinë njëetnike", sesa "varfërinë dhe diskriminimin shumetnik"; po, këto media më shumë janë të interesuara për lajmin për pakicën serbe, sesa për të debatuar për defektet sociale dhe luftimin e krimit shumetnik. Gazetarët dhe gazetaret shqiptare duhet të ndërpresin mbifokusimin në lajmin njëetnik, e, të përqendrohen, më shumë, në diskriminim social shumetnik. Është edhe tjetra ajo që alarmon në këtë hulumtim: Me këtë nuk dua të them se media nuk duhet fokusuar në problemet që ka pjesëtari i pakicës serbe apo i tjerave etni. Këtu është me rëndësi të kuptohet, se si të konkretizohet ky fokusim gazetaresk.
Shtypja e identitetit
Nëse zihen dy të rinj në një qytet apo fshat të Kosovës, prezantimi i këtij rasti në media do të shumëdallohet, e kjo, varësisht nga përkatësia kombëtare e të involvuarve. Nëse Draganit, Zhivoradit apo Stojanit i jepet një flakaresh, atëherë ky lajm do të ndërtohet e paraqitet, përafërsisht, kështu: Në artikull/lajm do të ceket, gati secilën herë, përkatësia kombëtare (serbe), emri dhe mbiemri i tij, dhe, zakonisht, ngjarjeve të tilla u jepet konotacion me prapavijë nacionaliste. Shembuj nga disa media dhe agjenci informative shqipe (viti 2004): "..një serb u grushtua nga....", "një shtëpi e një serbi...” “..bagëtia e një serbi...” “...dje pas dite është gjetur trupi i pajetë i një serbi 76-vjeçar...", "Një serb dhe dy shqiptarë janë arrestuar gjatë përleshjes", .."për vrasjen e një serbi dhe plagosjen e një tjetri... ", "Një serb u gjuajt me armë zjarri duke punuar në fushë", "kundër të shtënave ndaj një të riu serb nga sulmues të panjohur, ...", "Një serb nga veriu i Mitrovicës.. ", "një mësues i shpërngulur serb nga Deçani është sulmuar.." etj.
Përmes ndërtimit të tillë të lajmit, shqiptarët paraqiten e nënkuptohen si kolektivitet e komb që fare "natyrshëm vepron në këtë mënyrë", sepse ngatërresa dhe gjuetia në serbë është pjesë e "kulturës, mentalitetit dhe zakonit të tyre". Ndërsa, nëse Albani, Migjeni e Kujtimi grushtohen, për vdekje, nga njerëz me përkatësi tjetër etnike, ky rast, të shumtën e rasteve, nuk do të prezantohet me elementin e përkatësisë etnike; këtu mediat do të raportojnë për një ndodhi e delikt të lokalizuar e me karakter individual.
Kjo mënyrë e paraqitjes stereotipe e pakicës serbe, pavetëdijshëm, paraqet dhe ndërton një opinion të gabuar në hapësirën tonë publike; Sepse çdo gjë rreth Zhivoradit, Draganit e Jovicës servohet si problematike dhe konfliktuoze për Kosovën dhe shqiptarët. Në këtë mënyrë, apriori, serbët e Kosovës, nga mediat shqipe, më shumë prezantohen si "problem dhe ngarkesë" e shoqërisë, sesa si një element stabiliteti, paqeje e pasuri kulturash.
Nëse këta gazetarë e gazetare vazhdojnë në këtë mënyrë me ndërtimin dhe paraqitjen e lajmit, këta, duhet të japin llogari për thellimin e humnerës kulturore e politike në mes shqiptarëve dhe serbëve. Dramaturgjia mediatike ka pasoja të mëdha në objektivitetin dhe transportimin e “realitetit”; e, në këtë pjesë të Ballkanit, kjo dramaturgji mediatike ka pasoja akoma më të mëdha. E pra, janë (pa) kryeredaktorët ata që duhet të marrin më shumë përgjegjësi në parandalimin e mbjelljes së frikës dhe panikut përmes “lajmit një-etnik”.
gezim@mekuli.com
www.mekulipress.com