Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Identikiti i maxhorancës dhe opozita

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
Identikiti i maxhorancës dhe opozita

Ka një identikit të parë shumë herë në 20 vjetët e fundit në këtë vend. Një identikit që përkufizohet pak a shumë në refrenin popullor të atij që “ka vjedhur shumë, por edhe ka punuar shumë”. Demokratët u lodhën dekadën e fundit, duke ia faturuar këtë përcaktim Edi Ramës  por ranë edhe vetë viktimë e tij. Berisha nuk i shpëtoi dot fatkeqësisht këtij identikiti. Në katër vjet ai rrëshqiti gradualisht, nën efektin dekompozues të pushtetit, në hendekun ku janë dergjur rëndom të fuqishmit e këtij vendi. Njeriu që për 15 vjet rresht kishte sfiduar çdo kundërshtar, duke e damkosur me akuzën e hajdutit, sot gjendet rob dhe peng i identikitit të së njëjtit personazh, që kërkon të shkëmbejë me zgjedhësit, si në një tregti të pandershme, faktin se përkundër akuzave që e rrethojnë nga të gjitha anët, përkundër skandaleve që ia kanë rralluar me radhë ministrat që ka në krah, ai ofron një kundërpërgjigje: ka ndërtuar rrugë, tunele dhe hidrocentrale.

Ky imazh i liderit politik që herë shfaqet si drejtor ndërmarrjeje Rruga-Ura, herë si drejtor ujësjellësi e herë si shef nënstacioni elektrik, është përqafuar plotësisht dhe pa asnjë dilemë nga kryeministri, pavarësisht se është tejet e përdorur dhe e konsumuar në sytë e publikut në 18 vjetët e fundit. Berisha nuk ka një mjet tjetër për të kompensuar imazhin e tij të dëmtuar rëndë nga skandalet e njëpasnjëshme, përveçse të shitet para zgjedhësve si një njeri i aksionit dhe i punës. Një gjetje krize në një moment krize. Por Sali Berisha nuk po e kalon fort keq në këto zgjedhje. Fushata e tij nuk mund të konsiderohet më e vështira dhe më problematikja e mundshme. Të paktën jo deri tani. Kjo i detyrohet jo edhe aq zotësisë së tij, cilësisë së fushatës së PD apo ndonjë rrethane tjetër që lidhet me maxhorancën, sesa qëndrimit të butë të socialistëve. Skena që shpalosin imazhet e mitingjeve, përballjet televizive dhe lufta e posterave nëpër rrugë e sheshe, është ajo e demit të plagosur që ka para tij një toreador që po ngurron të ngulë shpatën dhe t’i japë fund shfaqjes. PS ka impostuar një fushatë që nuk parasheh gjeste të forta dhe që i beson më tepër inercisë dhe zhargonit pajtues, sesa thyerjeve të forta dhe toneve të ndezura. Opozita e sotme po kompleksohet shumë kollaj nga planimetritë e ngjyrosura që demokratët po tundin nëpër emisione televizive, ku duken blloqet e pallateve të Delijorgjit në Tiranë. Mjafton kjo hile e vogël mediatike, që socialistët të tkurren e të harrojnë (ose të bëjnë sikur) se i njëjti person që akuzohet se ka ndarë para me kreun e bashkisë për të ndërtuar në trojet e Tiranës, vetëm pak kilometra më tutje ka kurdisur një tjetër biznes, kësaj radhe me pasoja tragjike për qindra jetë njerëzish. Të ndërtosh, sipas këtij koncepti hipokrit, qenka “krim kundër njerëzimit”, “mynxyrë e përbindshme” etj., etj., kurse të hedhësh në erë Shqipërinë e Mesme, na u dashka konsideruar si “aksident”, “fatkeqësi” apo si një episod që nuk duhet përmendur sepse na u shkelka “kodi i vdekjes”. Kamuflimi i skandaleve si ai i Gërdecit, me akuza për favorizime në lejet e ndërtimit, tingëllon i ngjashëm me historinë e gjethes së fikut. E cila megjithatë po duket se funksionon, nëse shikon sesa vakët dhe pasivisht reagon PS dhe aleatët e saj.

Opozita e sotme dhe jo Sali Berisha duhet ta shpjegojë para zgjedhësve të saj se cilat janë arsyet që po ndodh një paralelizëm i tillë inegzistent dhe i sforcuar. Përse Gërdeci duhet të vlejë në sytë e publikut po aq sa disa leje ndërtimi? Kjo tingëllon e pakuptimtë kur sheh sesa e pasur dhe “pluraliste” paska qenë axhenda telefonike e biznesmenit të Gërdecit. Të gjithë paskan dashur të kenë një komunikim me Delijorgjin, të mbajnë kontakte të rregullta telefonike me të. Por aktualisht vetëm një palë bërtet “kapeni hajdutin”. Është pikërisht pala që aferën me Mihal Delijorgjin e shndërroi në një eksplozion spektakolar, që ka mbetur i gdhendur në mendjet dhe sytë e shqiptarëve. Përse ndaj Delijorgjit dhe tutorëve të tij politikë në maxhorancë u dashka qëndruar në majë të gishtave, kur shihet qartë në dritën e diellit sesa e përfshirë ka qenë qeveria shqiptare me aferat e këtij personi? Cilat janë më në fund arsyet që opozita e sotme belbëzon më shumë sesa flet, për faktin se disa prej ministrave ose ish-ministrave të kësaj qeverie, në vend që të shkojnë në gjykatë, vazhdojnë të qetë fushatën? Pse kjo PS elektorale preferon kryesisht të dëgjojë dhe të pësojë, dhe thuajse kurrë të replikojë apo të kundërsulmojë?

E majta po e përjeton dramatikisht, shumë përtej lidhjeve dhe eventualisht fajeve që ajo ka, përballjen me listën e skandaleve katërvjeçare të qeverisë aktuale. Ajo që kujtohej si një kartë fituese në këto zgjedhje për të majtën, lista e gjatë e skandaleve të kësaj maxhorance, po lihet pa u shfrytëzuar në një cep, a thua se distanca mes krahëve është e tillë, saqë mund t’i lejosh vetes luksin të ulësh shpejtësinë dhe të braktisësh garën! Socialistët vijojnë t’i besojnë një fushate pozitiviste dhe me tone të ulura, megjithë frymën jo fort të karrikuar që po vërehet në kampin e tyre. Tre javë para ditës së zgjedhjeve duket se ka vend për ta rishqyrtuar strategjinë elektorale, duke nisur nga studiot e debatit, e deri tek mesazhet që hidhen në mitingjet dhe takimet e përditshme elektorale. Ndoshta është koha për të kuptuar se një politikë e përqendruar me kokëfortësi vetëm tek moderacioni, rrezikon të shihet si shenjë dobësie nga zgjedhësit, më shumë sesa si një filozofi e re e paqtimit dhe e refuzimit të dhunës. Politika e re e socialistëve ndoshta do të jetë vërtet një shans historik për shqiptarët, por më së pari asaj do t’i duhet të mbijetojë dhe mundësisht të dalë fitimtare në përplasjen e 28 qershorit. Ndryshe, gjithçka do të jetë e kotë dhe pa asnjë të ardhme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama