Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

E kundërta e një fjale prej burgu

Shkruar nga: Krenar Zejno  
Botuar më: 16 vite më parë

Krenar Zejno
E kundërta e një fjale prej burgu

E kundërta e një fjale prej burgu

Krenar Zejno

 

Po e nis këtë fjalë gabimisht. Pra, me këtë meditim mbi gabimin, nga një prej vargjeve të ekspozuara të të dënuarve, që mban emrin Dritan Mustafa, Burgu Vaqarr 17.10.2003:

Pyes veten ç’mund të jetë një gabim / Qoftë vepër e paligjshme / Apo fund pa kuptim

Por çdo njeri duhet të kuptojë / se në këtë botë / ekziston edhe fjala mendoj

                                                                                         

Këto rreshta, varur në këtë sallë biblioteke burgu, janë vargje prej të burgosuri. Ose dikur të burgosuri, ndonëse, tashmë jo vargje të varura a të burgosura, si dikur. Dhe kjo fjalë sot në këtë burg, nuk është më burgu i dikurshëm për një fjalë. E di që sot, këtu, kjo nuk do të mjaftonte edhe si ngushëllim, por nuk është faji im.

Gabimi është njerëzor, ndëshkimi me burg është prej njeriu. Sidoqoftë, edhe ky duhet të ketë fatin të mbetet njerëzor. Thonë që e rëndësishme është t’i shpëtohet atij hyjnor. Shpagimit njerëzor i takon, pra, një ndëshkim që e mban gjithmonë parasysh njerëzoren; si dhe, nën një trajtim të tillë të dënimvuajtësit, të denjë për rikthimin tek njerëzit. Heqja e lirisë për të qenë tek jeta e zhurmshme, nuk mund të jetë izolim i jetës për të ardhur tek ju, të izoluarit e përkohshëm, pasi kështu i shtojmë ndëshkimit një të dënuar të ri, gjigand – vetë jetën e shoqërisë, shoqërinë. Ndaj sot jemi këtu.

Një fëmijë prej prindërish që tash kryejnë diku një dënim, Fatjoni, që e ka të shkruar, qysh në emër, vendin brenda fatit tonë, është sot këtu para jush, para nesh pra. Jam thirrur për një fjalë mbi artin, për të lexuar poezi tuajat, edhe për të ndihmuar sadopak që Fatjoni, i cili pikturon, të bëhet piktor. Ai më tha, rrugës nga shtëpia e fëmijëve për në burg, se donte të bëhej futbollist. Bukur! E rëndësishme është që njerëzit, më së pari, të jenë të lirë para zgjedhjes së tyre, qoftë edhe gabimit. Rrugës drejt jetës, aq më tepër në art. Një i mënçur ka thënë, se jeta jonë kalon edhe përmes gabimesh që mandej, i quajmë eksperiencë. E thënë shqip i bie më mirë përvojë. Pse ka rrjedhur ndër kohëra, ndoshta prej fjalës përvojtje, vuajtje. Edhe si kjo e juaja. E thamë, janë edhe ato kohërat kur që të gjithë nuk kemi qenë të lirë, as për të zgjedhur gabimin. Ama, kësisoj mund të mos e kishim kryer fare fajin, thotë dikush! Por, sot po flasim për gjëra të artit dhe jetës, përndryshe, ja ku është burgu, bile i bie më kollaj duke kaluar edhe nga ana e vdekjes.

Duke i qëndruar bisedës, pra, njeriu si i gabueshëm, dhe me përvojat e veta prej gabimi, është natyrë rrëfimtare, e në mos do kemi gjithherë diçka të mirë tonën për të rrëfyer, arti bujar pranon gjithçka të rrëfyer mirë, që më tej do t’i shërbejë vetes dhe të tjerëve të cilët e ndjejnë. Për të njohur dhe gabimet, edhe të tyret, që u rrinë pas shpine. Arti mund ta ekzagjerojë, meqë edhe vetë ai është ekzagjerim, kur do të na mëtojë se jeta është e bukur pikërisht ngaqë s’ka kuptim. Ndoshta kjo në kuptimin artistik. Por ne mund të besojmë këtu atë pjesë që na bën të kuptojmë se gabimet bëhen edhe ngase kërkon t’i japësh gjërave të jetës më tepër kuptim se ç’mbajnë, dhe të kapesh me thonj pas këtij kuptimi. Me thonjtë që siç dihet rriten kollaj. Dhe, sidomos, të mos i japim jetës, me çdo kusht, kuptimin tragjik. Pavarësisht nga kushtet. Sepse kjo ishte, ndoshta, mënyra e shikimit që solli gabimin e ndëshkueshëm dhe dënimin.

Ndoshta ka që janë dënuar më pak se faji, mbase ka që janë dënuar më shumë se gabimi. Janë edhe ata që janë ndëshkuar ndryshe nga ç’kanë për të shpaguar. Edhe ata që s’janë dënuar. Asnjëherë gabimi dhe ndëshkimi s’do të jenë krejt të përputhshëm, që në këtë botë. Ngase mund të puthen dy gjëra të ndryshme, por jo të kundërta. Duhet vuajtur dënimi, por pa vuajtur edhe mbi marazin lidhur me të. Nëse ka ende vend për të drejtën, duhet kërkuar. Se dënimi mund t’i zërë vendin gabimit, por s’duhet të bëhet një tjetër gabim edhe vetë; madje edhe jashtë së këtejmi, ku thonë se ndonjë gazetë shkruhet brenda një gardhi, apo një shkollë mëson brenda një rrethimi, gjëra që nuk përputhen dhe janë e kundërta e njëra-tjetrës.

Ka një rresht letërsia, që mban emrin Gëte: “lermë çast të të jetoj!” E që është e kundërta e “lermë jetë, të të dorëzoj te çasti”. Cilido qoftë ai. Para, gjatë, apo pas dënimit.

Në mur janë edhe këto rreshta pa emër, prej një të dënuari, thonë me burgim të përjetshëm.

Të kam kërkuar disa herë falje / që të dua, sepse di që, / jam i tepërt për ty. /

Të lutem hapi sytë /  ktheje kokën pas dhe / shiko se si po zvarritem të të arrij...

 

Është një varg i vdekur që mban gjallë vetëm shpresën e të përtejmes. Ose ndoshta e mban gjallë njeriun që tenton të vargëzojë. E meqë jemi te gabimi, krimi im është se e lexoj gabim, duke i shkëputur vetëm një copë:

falje që të dua,

sepse di që jam i tepërt për ty.

 

Dhe vetëm nëse do të ishte kështu, drejtuar faljes dhe jo viktimës, dedikuar faljes, ky bëhet nga ato vargje që mbajnë gjallë poezinë. Pa qasjen e së cilës brenda jetës, njeriu nuk do ta kish dashur kaq shumë lirinë. Sidoqoftë unë e lexova gabim, krejt gabim, kërkoj falje për këtë. Pse krimi dhe poezia ngjajnë, ngase lindin prej inkoshencës dhe keqkuptimit.

Ja, dhe një tjetër varg:

As.../ As lumë / As breg / As tokë, as qiell / As mall, as urrejtje / As jetë, as vdekje / As dritë, as terr / As tmerr

 

Fatmirësisht për autorin, ky varg e ka titullin “Dashuri”. Kështu e ka quajtur ai vetë, i zoti i vargut. Që, sidoqoftë, na kumton se ai jeton, mbahet në këmbë, shpreson. Sërisht, si pa dashje e lexova gabim, pa e vënë re titullin. Fatkeqësisht për poezinë, ky varg nuk e ka titullin “Burg”. Metafora e dashurisë si një burg është një nga ushqimet më të kripura të poezisë. Sidoqë, njeriu, sado poet, nuk e ka gëlltitur dot metaforën e burgut si dashuri. Edhe pse poetët kanë kryesuar kudo, ndër kohëra, listën e të dënuarve që ligji u pat caktuar shpagim.

            Për fat, ky ishte një varg mbi një letër tashmë të zverdhur ngjitur në mur, që më bën të shpresoj se është hedhur vite më parë. Në të tjera kushte. Burgu i njerëzve meriton kushte sa më njerëzore. Dinjitetit njerëzor i duhet ky kusht. E kundërta e këtij kushti e ka vendin tek ajo çka lidhet me dhunën apo heroiken nëpër faqet e historisë, që e pranon dhe njërin dhe tjetrin kusht. Ndërsa ajo e ndërmjetme “as ... as”, që do të na shpallte ky varg i kryer mbase vite përpara, të cilit i ndërruam, pra, gabimisht titullin, meriton veç të bëhet kurban i letërsisë. Dënimi duhet të ketë dinjitetin e vet që shoqëria të pretendojë lirinë e saj dinjitoze.

Dhe për ta mbyllur këtë fjalë, po kthehem sërish te Fatjoni. Fatjoni thotë se pikturën e ka për qejf. Ndërkohë mua më kanë thirrur për të parë se çfarë thotë vizatimi i tij për hallet. Si përkthehet vizatimi për të thënë dertet që mund të ketë ai vetë. Vërtet tentativa drejt artit mund të lindi edhe prej hallesh, të cilat mund të bëhen edhe zembereku i tij. Por, këtu, kjo është një temë për psikologët e burgut. Mua do të më interesonte fjala. Dhe ndër fjalët e fëmijës, ajo fjala qejf. Pra, ai ka qejf. Dhe ka qejf të ketë më shumë se një. Kaq qejf të bëjë dhe të bëhet. Të bëhet futbollist dhe pikturën ta bëjë për qejf. Ka qejf të bëjë një gjë, dhe të projektojë qejfin e të ardhmes. Jeton në të ardhmen. Ndonëse, me dy prindër të dënuar, për çështje të miturish si ai. Për një copë të së djeshmes. Por që e ardhmja e tij nuk dashka ta pranojë. Shumë mirë. Dhe ndoshta nuk do ta pranojë. Aq më mirë!

                                   Nga një fjalë në burgun e Vaqarrit. 16 Qershor, 2009

Botuar te Gazeta Metropol

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama