Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tradhtia dhe demokracia

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 25 vite më parë

Andrea Stefani
Tradhtia dhe demokracia

Shkurt, ruajnë për kapitalizmin imazhin e sistemit të kalbur dhe pa moral, imazh që ka rrënjosur në trutë e tyre propaganda e dikurshme komuniste. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që 6 deputetë dhe lideri i tyre Fatos Nano, pasi i bëjnë një tradhti të hapur interesave të Partisë Socialiste, elektoratit të saj dhe gjithë opozitës, vërdallosen krenarisht duke i kërkuar PS dhe lidershipit të saj edhe "kusurin". Vetëm individë besëpakë që e mendojnë tradhtinë si një të drejtë dhe liri personale, si lubrifikant të makinës politike, mund ta ushtrojnë krenarisht dhe kaq pa turp zanatin e tradhtisë. Sepse a nuk votuan këta 6 deputetë fare hapur kandidaturën për President Republike të mazhorancës kundërshtare, duke u shtirur sikur po bënin aktin më patriotik në botë? A nuk u justifikuan se e zhbllokuan makinën politike (lubrifikanti) duke e shpëtuar vendin nga zgjedhjet e parakohshme? E vërteta është se atë votim e bën të pashembullt jo vet tradhtia, sepse tradhti ka pasur e do ketë sa kohë do të jetë politika. Në atë votim i pashembullt është fakti se tradhtia guxoi të dilte hapur, duke sfiduar nderin politik, fjalën e dhënë elektoratit. Asnjë votues i vetëm i këtyre 6 "patriotëve" nuk do ta ketë çuar nëpër mend ndërsa hidhte votën për ta, se një ditë ata që sapo ishin betuar për mposhtjen e autoritarizmit berishist do ta përdornin mandatin e deputetit për të mbështetur Berishën. Dhe ai votim, duke qenë një besëthyerje, jo vetëm që nuk mund të kontribuonte në shpëtimin e demokracisë, por përkundrazi, ka krijuar premisa të reja për nënshtrimin e saj nga autoritarizmi berishist. Ajo pabesnajë zëvendësoi konkurrencën (dhe bashkë me të edhe konsensusin që po shfaqej si produkt i saj), me një pazar korruptiv antipluralist. Parlamenti u shndërrua në një "bursë" ku deputetët, për interesa klanore dhe të kultit të Fatos Nanos, tregtuan mandatet politike sikur të ishin letra me vlerë. Dhe lidershipit të PS, për të shpëtuar jo vetëm veten dhe partinë, por edhe shoqërinë nga kjo gangrenë e tradhtisë, nuk i mbetet rrugë tjetër përveçse ndarja e përfundimtare me ta. *** Përjashtimi i të gjashtë nanoistëve nga radhët e socialistëve u ka krijuar kriptoaleatëve të tyre berishistë rastin për të akuzuar Edi Ramën si diktator, që njësoj si Enver Hoxha ndëshkon ata që mendojnë ndryshe. Por i gjithë ky sulm dhe kjo avokati "liridashëse" e këtyre skllevërve politikë, që tuten edhe të mendojnë (e jo më të shqiptojnë) një germë ndryshe nga lideri i tyre Berisha, është një provë tjetër e përfitimit që kampi berishist pati nga tradhtia e fundit nanoiste. Tregon se tradhtia punon për ta. Vetëm kështu mund të shpjegohet simpatia që berishistët po tregojnë këto ditë për pabesnajën nanoiste, si dhe mbrojtja që përpiqen t‘i bëjnë asaj. Dhe këshillat që japin për mospërjashtimin e tyre nga partia, të kujtojnë ato këshilla që i bindën trojanët të fusin kalin e drunjtë në qytet. Por është lehtësisht e kuptueshme se berishistëve u leverdis që ushtarët e "Uliksit" të mbeten brenda PS. Dhe në këtë rast "Uliksi" nuk është Nano. "Uliksi" është vetë Berisha. Po Nano çfarë është? Nano tashmë është kali i drunjtë që i mban ushtarët e "Uliksit" në barkun e vet. Pra të mbajë apo të flakë të 6-ët dhe shefin e tyre nga partia, është për PS po aq jetike sa ishte për trojanët dilema për kalin grek. Dhe demokracia, dhe liria e mendimit ndryshe, nuk e dënon asnjë parti apo lidership të mbajë gjarprin në gji, të falë tradhtinë. Demokracia nuk burgos, nuk pushkaton, nuk cilëson si tradhti ndryshimin e bindjes dhe rreshtimit politik. Por ajo nuk mund të tolerojë deputetët të shpallen të majtë dhe të votojnë djathtas, të betohen si socialistë dhe të votojnë si demokratë. Asnjë parti, sado demokratike, nuk mund ta tolerojë një anarki të tillë. Vërtet demokracia nuk shpik dhe përjashton "tradhtarë" si Enveri, por kjo nuk do të thotë se mund të tolerojë tradhtinë. Aq më tepër kur ata që bënë tradhtinë nuk kërkojnë falje, por krenohen me tradhtinë. E gjitha kjo është madje, tej konceptit të lirisë dhe skllavërisë, është marrëzi politike. Është marrëzi të votosh në favor të demokratëve kundër kandidaturës së socialistëve dhe mbarë opozitës, dhe të këmbëngulësh të mbetesh në partinë e socialistëve. Është arrogancë (unë bëj ç‘të dua) që s‘ka të bëjë fare me lirinë dhe me mënyrën si funksionon demokracia në parti, ku vërtet duhet lejuar mendimi ndryshe (deri edhe fraksionet), por nuk mund të tolerohet veprimi politik ndryshe. Aq më tepër për çështje me ndikim strategjik në ndeshjen mes demokracisë dhe autoritarizmit, lirisë dhe nënshtrimit. Kështu, një pakicë ka liri dhe të drejtë të propozojë mënyrën e veprimit të partisë, të japë argumente, të këmbëngulë fort dhe publikisht, por në rast se nuk arrin të marrë mbështetjen e shumicës, i bindet vendimit të partisë që nuk mund të mos jetë vendim i shumicës. Por nëse vepron në kundërshtim me vendimin e shumicës, i heq të drejtën politike dhe morale vetes për të milituar në atë parti. Asnjë parti, sado liberale dhe demokrate, nuk mund të lejojë që deputetët e saj të votojnë strategjikisht kundër partisë dhe elektoratit që i ka zgjedhur. Si të gjashtët shpëtuan atdheun duke shmangur zgjedhjet e parakohshme? Broçkulla! Kjo nuk është aspak e vërtetë. Sepse zgjedhjet e parakohshme mund të shmangeshin duke votuar edhe për Cekën madje, duke arritur kështu edhe përzgjedhjen e një kandidature konsensuale. Por edhe në këtë rast shihet se tradhtia, si një nga format e poshtërisë politike, kërkon të gjejë strehë përsëri tek atdhetarizmi. Ndërkaq, mos vallë bindja ndaj vendimit të shumicës bën që partia të bjerë pashmangësisht nën tiraninë e shumicës së një lideri, sikundër edhe po ndodh prej 18 vjetësh në PD? Aspak, nëse ka me të vërtetë demokraci në parti. Demokracia i jep liri pakicës që edhe të analizojë pasojat politike të një vendimi. Dhe në rast se do të rezultonte që vendimi i shumicës e ka shpënë partinë në disfatë, ndërsa propozimi i refuzuar pakicës do ta kish shpënë në një përfundim më të mirë, atëherë partia duhet të bëjë ndryshimet jo vetëm në politikën e saj, por edhe në udhëheqje. Kështu, pakica e djeshme bëhet gradualisht shumicë dhe shumica pakicë. Por këto nuk ndodhin në ato parti ku nuk ka demokraci, ku shumicat janë të skllavëruara nga lideri i përjetshëm. Natyrisht pakica nuk i bindet shumicës edhe në ato parti ku një lider i dorëhequr dhe humbës si Nano përdor pabesisht klanet dhe besnikët e tij për të rrëmbyer kreun e partisë. Duke votuar me urdhër të Nanos, të gjashtët treguan që nuk i përkasin më PS, por Nanos. Dhe nëpërmjet Nanos, i përkasin Berishës. Ata nuk janë të lirë, prandaj tradhtojnë. Vetëm njeriu i lirë që ndjek bindjen e tij nuk tradhton. Dhe është tamam ashtu sikundër ka thënë Kim Filbi: që të tradhtosh duhet që të jesh pronë e dikujt. Dhe duhet ta besoni se Filbi, ky spiun me famë i njohur edhe në Shqipëri për bëmat e tij agjenturore, e njihte mirë mekanizmin e tradhtisë. *** Ndërkaq është qesharake të shohësh dhe dëgjosh PD dhe berishistët t‘i japin opozitës dhe PS leksione demokracie. Sepse PD mbetet partia më pa demokraci në vend, partia më e nënshtruar ndaj diktatit të liderit. Kjo ka qenë dhe mbetet sëmundja e saj kronike që nga themelimi. Ky është edhe shkaku i disfatave dhe tragjedive të PD, por edhe të demokracisë e të Shqipërisë. Sikur PD të kish pasur demokraci brenda vetes, vendit do t‘i ishin shmangur shumë tragjedi dhe konflikte në këto 18 vjet. Kështu, nëse në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit të mbrapshtë ‘97 do të ishin dëgjuar zërat ndryshe, nëse qeveria do të kish dhënë me kohë dorëheqjen, duke u hapur rrugë me kohë zgjedhjeve të parakohshme, vendi nuk do të kish kaluar as në gjendje të jashtëzakonshme, as në shkatërrimin e ushtrisë dhe kolapsin e shtetit dhe as në vrasjen e rreth 2000 njerëzve. Por mungesa e demokracisë në PD bëri që të triumfojë kulti, prepotenca dhe arroganca e Berishës, të triumfojë strategjia e tij e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, edhe atëherë kur shihej qartë se besimi dhe mbështetja e popullatës për qeverinë jo vetëm kish firuar, por ishin me qindra mijëra njerëz ata që kërkonin me protesta largimin e saj. Krejt në kundërshtim me këto zhvillime, ata që propozuan dorëheqjen e qeverisë si zgjidhje politike që do të shmangte shumë kosto, u anatemuan në debate të ashpra me Berishën si "karrigethyer" dhe u trajtuan si armiq të partisë dhe agjentë të kundërshtarit. Dhe u bë ashtu sikundër deshi Berisha. Por e keqja nuk mbaron këtu. Edhe pse kjo strategji e Berishës çoi në konfrontime të armatosura (lufta cilivie u shmang vetëm nga ndërhyrja e të huajve), edhe pse qeveria u detyrua të dorëhiqej kur ky akt nuk sillte më ngushëllim, edhe pse Berisha nuk e arriti qëllimin për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit, por përkundrazi rriti kostot politike jo vetëm për PD, por edhe për demokracinë dhe shtetin, askush në PD nuk guxoi të ngrihej dhe të analizonte gabimet fatale të Berishës. Po të kish ndodhur kështu, po të kish funksionuar demokracia në PD, "doktori" do të qe sot në shtëpi, ndërsa PD me një lidership të ri (mjerisht në PD vazhdojnë të thonë se PD vdes pa të pazëvendësueshmin Berisha), ndoshta do të kish ardhur në pushtet shumë më parë se viti 2005. Por kjo nuk ndodhi. Berisha mbeti, sikundër është edhe sot e kësaj dite, lider i padiskutueshëm dhe simbol i mungesës së demokracisë në PD. Dhe rierdhi në pushtet, në radhë të parë jo për meritë të tij, por për shkak të "meritave" të Fatos Nanos, liderit po aq historik të PS. Nano i ka bërë kështu shërbimin më të madh Berishës. Ka bërë që të rivijë në pushtet (duke habitur jo pak botën mbarë) një lider që është fajtori kryesor për kolapsin e shtetit në vitin ‘97. Prandaj Berisha nuk i përmend më skandalet dhe krimet dhe korruptimin e Nanos për ndëshkimin e të cilave, betohej duke shkumëzuar deri dje nëpër mitingje. Ndërsa sot, Nano po i bën shërbime të tjera Berishës, në rolin e "Kalit të Trojës" në PS. Natyrisht, duke shpresuar edhe ai vetë ndonjë thelë të majme pushteti. Ndaj PS jo vetëm nuk duhet të humbasë kohë me dialogë për bashkëpunim me të gjithë kontributet (pra edhe me ato të tradhtisë) sikundër edhe po përflitet këto ditë, por duhet ta flakë sa më shpejt këtë "kalë" jashtë mureve të veta. Natyrisht nëse nuk dëshiron të digjet përsëri në zjarrin e pashuar të epshit për pushtet të Nanos dhe Berishës, të këtyre dy liderëve historikë që për të keqen e tyre dhe të demokracisë refuzojnë të kalojnë në histori.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama