Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Patriotë me bateri

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Patriotë me bateri

Ka disa ditë rresht që mediumet tona dhe shumica e oratorëve deklarativë të partive të vogla shqiptare, nëpër gjithë hapësirën, po denoncojnë provokacionin e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë ndaj shqiptarëve dhe historisë së tyre. Recidivizmi maqedonas, në këtë rast, është dëshmi e ndërservirjes abuzive që bëjnë sllavofonët në tërësi, për të vërtetat historike dhe identitetësinë e rajonit dhe popujve autoktonë të Ballkanit në veçanti. Në kompleksin e tyre ekzistencial, maqedonasit e sotëm tentojnë herë pas here të përvetësojnë historinë e ikonat e të tjerëve, kryesisht të shqiptarëve.

Në fakt, faji s‘është vetëm i atyre që vjedhin, por faji i përsëritur, ngarkon me përgjegjësi edhe atë që vidhet përsëritshëm.

Ky vërshim patetik, Maqedoni, në Shqipëri e Kosovë, në fakt duket se po na zvogëlon dhe po na bën karem të qëllimit të vet, nacionalizmi maqedonas. Prej dekadash elita e dyshimtë e kësaj Maqedonie, e cila gjendet në proces ndërkombëtar për emrin, vijon procesin qesharak të përvetësimit dhe falsifikimit të historisë së fqinjëve.

Në vitin 2003 gjithkush e mban mend, se, në prag të procesit shenjtërues të Nënë Terezës, Shkupi zyrtar i tezave diletante, tentoi të shpërndante nëpër botë, rrenën se Gonxhe Bojaxhi ishte maqedonase. Trillet për falsifikime të tilla kanë qenë të riciklueshme prej elitës së këtij shteti, ato janë bërë të hershme dhe tentojnë të këpusin identitetin e "mollëve të arta" të kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Kështu tentuan motmot me Skënderbeun, me Pjetër Bogdanin së fundi me Nënë Terezën etj. Qytetarët e vetëm në këtë kompleks, maqedonasit e kësaj Maqedonie të mbetur, si shtetas të shtetit që qysh nga dita e parë e deri më sot, mbetet i diskutueshëm në ekzistencën e vet, duket se përfitojnë nga mefshtësia institucionale e shqiptarëve.

Ngritja në këmbë e menjëhershme e opinionit shkencor dhe atij kulturor shqiptar për denoncimin dhe dënimin e këtij akti të fundit fyes që ka për autore Akademinë e Shkencave, është ende e paplotë. Kjo ngritje aktualizon në memorien time një shprehje të një kolegu të nderuar në Prishtinë, i cili shprehej se ne shqiptarët jemi "patriotë me bateri".

Akti i fundit i Akademisë së Maqedonisë, meriton ndëshkim në një mënyrë jo klasike. Kësaj here shqiptarët e Maqedonisë kanë arsyen, të drejtën dhe mundësinë, për riverifikim të kontratës së bashkëjetesës institucionale me maqedonasit. Në një mënyrë civile, me një maturi dhe ndërgjegje institucionale, partitë parlamentare shqiptare të Maqedonisë, gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë të kësaj shoqërie në këtë shtet, kanë rastin t‘u japin maqedonasve një leksion të vërtetë për ekzistencën e mëtejshme multietnike. Shqiptarët e Maqedonisë kanë mundësinë të nisin kurimin e patologjisë antishqiptare që trashëgon elita, (qoftë edhe akademike) e këtij vendi në krizë të përjetshme identiteti.

Kjo betejë denoncimi dhe ndëshkimi, për historinë dhe identitetin shqiptar, duhet të ketë vetëm protagonizmin e shqiptarëve tanë në Maqedoni. Ata janë të vetëmjaftueshëm për ta përballuar këtë luftë të fituar. Çdo pjesëmarrje tjetër, qoftë edhe institucionale apo politike nga dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, do të krijonte përshtypjen e një kompleksi të paqenë shqiptar në raport me fqinjët. S‘është e tepërt të thuhet se ky akt shemërak i akademikëve sllavo-maqedonas me të dikurshmin e akademikut serb, Qosiq, tenton të ripërsërisë kurthin e rënies në një polemikë ndërkombëtare publike, për llogari kontekstesh ndërfqinjore. Kjo betejë nuk ka pse na përfshin si shtet, pasi në një lloj kuptimi na zvogëlon, aq më tepër kur ajo mund të jetë projektuar si një paradhomë për riciklimin e polemikës me akademikët serbë të riangazhuar. Hyrja e të gjithëve në këtë betejë të provokuar, na zvogëlon përballë të zvogëluarve. Është një betejë në një kohë të favorshme për punë të tjera, aq më tepër që ajo imponohet prej një pale që, që nga lindja, deri në ditën e sotme, vijon të mbetet e pabërë.

Akademia e Maqedonisë duhet të marrë një mësim përfundimtar për këtë guxim politik dhe patologjik që ka marrë në raport me shqiptarët. Janë të gjitha rrugët ligjore dhe hapësirat institucionale që shqiptarët e Maqedonisë të kërkojnë zyrtarisht veprimin e ligjit të këtij shteti me shtetarë dhe akademikë meskinë. Akademikët shqiptarë të gjendur si anëtarë të kësaj akademie, duhet të reagojnë më energjikisht dhe deri në hapa konkretë bllokues, të fyerjes antishqiptare. Partitë politike të fusin në rend të ditës kërkesën për shkarkim të kryesuesve të kësaj akademie, të risjellin edhe një herë në Parlamentin e tyre, nevojën e verifikimit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe pse jo, edhe zbatueshmërinë e Kushtetutës për të drejtat e pakicës kryesore të vendit. Strukturat dhe elementet e shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni, janë vënë para momentit të riaktivizimit dhe provës për energjizmin reagues për një të drejtë kapitale kombëtare siç është mbrojtja e identitetit. Provokacioni i ngritur me bekimin ose tinzarllëkun politik të Shkupit, duhet të kapë në çark qeverinë e pa shtat të Kryeministrit Nikolla Gruevski. Partneri kryesor politik i tij, kryetari i BDI, Ali Ahmeti, nuk mund të mbetet te një prononcim apo kërkesë publike për solidaritet nga Akademia e Shqipërisë apo ajo e Kosovës. Përvetësimi i artefakteve të shqiptarëve nga Akademia e Maqedonisë, duhet të përballet me forcën bllokuese të vetë shqiptarëve. Deklarimi dhe përdorimi i kësaj force prej përfaqësimit shqiptar në Maqedoni, do të vitalizojë vetë shqiptarët dhe do të preventojë ndërhyrjen e tyre për ta bërë serioze ndërgjegjen institucionale të Maqedonisë, e cila dje s‘ka qenë, e sot po mbahet.

Kjo betejë duhet orientuar në atë kah që zvogëlon vjedhësin dhe jo popullin që tentojnë pacipërisht t‘i falsifikojnë e vjedhin të shkuarën apo ikonat historike të tij. Por kjo nuk mund të bëhet me patriotizëm ambulant e as nga patriotë me bateri. Kjo meriton të eklipsohet prej seriozitetit dhe investimit tonë. Maqedonia duhet të ketë shumë e shumë herë më tepër kopje të Enciklopedisë shqiptare se kopjet provokative të këtij botimi. Vetinjorimi dhe neglizhenca shqiptare për historinë dhe kontributin historiografik shqiptar, janë aleanca dhe solidariteti vetëvrasës që u kemi bërë fqinjëve dhe akademive të molepsura të tyre. Botimi i Akademisë së Shkencave ishte bateria që provokoi shpalosjen dhe vërshimet e reagimeve tona kombëtariste. Po pse u desh të pritej shpërndarja e këtij botimi mijëra kopjesh që ne të reagonim.

Reagimi ynë i passëndodhurës, mund të jetë menduar si një tjetër qëllim marketing prej autorëve të këtij provokimi atentatues. Ku ishin akademikët tanë në atë akademi? Cilët janë ata shqiptarë të administratës së kësaj akademie që e kanë vënë re përgatitjen e këtij botimi, aq më tepër të kësaj të ashtuquajture enciklopedi zyrtare dhe nuk dhanë alarmin apo njoftimin për ndalimin qarkullues të tij?! Askush. Syçeltësia në marrëdhënie dhe momente të tilla vlen më shumë se çdo solidaritet apo tubim populist, qoftë edhe nacional.

Ky incident i pakaluar ende, në marrëdhëniet mes shqiptarëve si bashkëqeverisës në Maqedoni dhe maqedonasve si shumicë etnike në këtë shtet, ka sjellë arsye të shumta për të dalë prej "patriotizmit me bateri" dhe për t‘ju rikthyer paritetit ndëretnik në Maqedoni. Udhëheqësit politikë shqiptarë në këtë shtet, kanë një arsye më tepër të jenë bashkëprotagonistë të një diplomacie partiako-etnike jo vetëm me institucionet relevante në dy shtetet shqiptare, por sidomos në atë rajonale.

Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi pas kësaj, janë të detyruar të vlerësojnë pozitën e tyre dhe marrëdhënien partneriale dhe institucionale me kolegët e bashkështetit. Në një kuptim, sugjerimi i kolegut të tyre të tërhequr prej pak vitesh, njëherazi shprehës autoritar i analizave dhe orientimeve politologjike shqiptare, Arbër Xhaferi, meriton të merret në konsideratë. Xhaferi pohon se: "Politika e shqiptarëve të Maqedonisë vetvetiu do të detyrohet ta ndryshojë mënyrën e veprimit, qëllimet, prioritetet dhe të fillojë të demonstrojë kapacitetin real politik dhe demokratik. Tash është momenti për verifikim të arritjeve në të gjitha fushat, duke krahasuar me marrëveshjet paraprake dhe me arritjet e popujve të tjerë. Kjo enciklopedi dëshmon se institucionet e sistemit janë bërë bastione të nacionalizmit maqedonas dhe se të gjitha shpresat e faktorit ndërkombëtar se pjesëmarrja e shqiptarëve në këto institucione të nacifikuara do të mjaftojë që kontesti ndëretnik në Maqedoni të zgjidhet në mënyrë qytetëruese ishin iluzion i radhës. ..Kjo dëshmon se politika e ndjekur vjen ndesh me realitetet, prandaj duhet të ndërrohet politika dhe jo realitetet.

Zgjuarsisht, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, nuk kanë pse harxhojnë energji për t‘u futur në këtë garë prononcimesh apo deklaratash që zvogëlojnë në një farë mënyre qibrin shqiptar ndaj historisë kombëtare. Qeverive dhe ndërgjegjes sonë institucionale nuk u vlen e nuk u shërben patriotizmi ambulant apo patriotët me bateri. Patriotizmi është virtyt njerëzor dhe dëshirohet si cilësi gjithëkombëtare. Nëse biem pre e amplifikimit të tij, atëherë edhe për shumë provokime të tjera fqinjësh ne do të shfaqemi në tipologjinë e injektuar të të qenit "patriotë me bateri".


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama