Spiralja dëshpëruese e patronazhit politik shqiptar Botuar tek gazeta Shqip www.adrinurellari.com Tani që po mbushen 20 vite prej rënies së murit të Berlinit, në gjithë Evropën lindore është vënë re një prirje e rënies së pjesëmarrjes në zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e para të tranzicionit. Studimet të shumta tregojnë se një ndër faktorët kryesor që ndikon në daljen në votime është pikërisht korrupsioni. Kjo prirje e rënies së pjesëmarrjes vihet re edhe në Shqipëri, nga një pjesëmarrje prej 72.6% në vitin 1997 ka rënë në 51.8% në 2009. Porse interesant është fakti që marrëdhënia midis pjesëmarrjes në politikë dhe korrupsionit nuk është lineare por ka formën e një kurbe që fillimisht ngrihet e pastaj bie poshtë. Është vënë re se fillimisht korrupsioni është një faktor shumë i fort mobilizues për të ngritur peshë votuesit. Është parë që në hapat e para është indinjata dhe revoltimi ndaj politikanëve të korruptuar që i nxjerr votuesit të hedhin votën nëpër kutitë e votimit. Në këtë rast bëhet fjalë për një frymëzim për të ndëshkuar e vënë para përgjegjësisë ata politikanë të korruptuar. Kjo votë reaktive që hidhet si protestë është në mënyrë të veçantë e spikatur në rastet kur mungon debati ideologjik dhe prania e partive me identitet të qartë politik. Gjithashtu wshtw e pranishme kjo lloj vote edhe kur debati politik përqendrohet tek personazhet e jo tek përmbajtja e platformave, alternativave apo çështjeve me të cilat mund të ballafaqohen partitë në një garë elektorale. Në këtë vakum konkurrimi programor , gara përqendrohet vetëm tek emrat individual, dhe për rrjedhojë integriteti apo përlyerja e kandidatëve protagonist shndërrohet në esenciale për votuesin. Mirëpo pasi kalojnë disa rotacione pa patur ndryshime rrënjësore ne mënyrën e administrimit të pushtetit, dhe kur janë të njëjtit aktorë që ndërrojnë rolet por pa ndryshuar skenarin e lojës, atëherë shikohet një prirje e kundërt me periudhën fillestare. Dhe mund të thuhet që Shqipëria është pikërisht në këtë fazë tw dytw. Votuesit kanw kuptuar se ndryshimi i pushtetit nuk ka sjell ndonjë ndryshim thelbësor as në ndershmërinë e qeverisjes dhe as në efikasitetin e administrimit të pushtetit. Për më tepër që dallimi i zbehtë i identitetit politik që ekzistonte në fillim të viteve 90-të e që lidhej me qëndrimin ndaj regjimit të kaluar komunist, tashmë i ka lënë radhën një politike pragmatiste, centriste e populiste ku të dy krahët rendin kush e kush të dëshmohet më i paanshëm e fluid. Jo më kot studime që merren me fushën e sjelljes elektorale vënë re se vendet që kanë nivelin më të lartë të perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International shpesh përkojnë me vendet që kanë nivelin më të ulët të pjesëmarrjes. Bëhet pikërisht fjalë për atë moment zhgënjimi e dorëzimi i një pjese të mirë të ndjeshme të elektoratit nga dëshpërimi se vota e tyre nuk ka për të sjellë ndonjë metamorfozë të qeverisjes. Pwr ata të gjithë qeverisin pak a shumë njësoj. Kjo pasi ata vënë re se abuzimi me ofiqet zyrtare, me tenderë, me licenca e forma të tjera është i vazhdueshëm pavarësisht nga forca që është në pushtet. Këtu ndikon edhe përshtypja që sa po vjen e po përforcohet, se institucionet dhe procedurat demokratike nuk vlejnë sa duhet, ajo që vlen është zotërimi i parave sepse me anën e tyre mund të ushtrohet më shumë ndikim në qeverisje sesa nëpërmjet votave. Ky zhgënjim çon padyshim në një mosbesim ndaj institucioneve e proceseve demokratike dhe në një indiferentizëm apo shpërfillje ndaj aktivizimit politik, për një pjesë të madhe të shoqërisë. Mirëpo mospjesëmarrja nuk është thjesht mospjesëmarrje, por shërben si fertilizues, katalizues i konsolidimit të korrupsionit. Më pak votues do të thotë më pak presion për qeveritarët. Partitë politike dhe kandidatët futen në një rrjet marrëdhëniesh klienteliste duke përdorur pikërisht korrupsionin, për të konsoliduar pozicionin e tyre dhe mundësuar rizgjedhjen. Ata krijojnë një rrjet klientelizmi që në fakt mundëson pjesëmarrjen dhe mobilizimin e një pjese të votuesve. Thwnw ndryshe oligarkët politik përdorin pozicionin e tyre pwr tw joshur mbështetësit e tyre politik duke siguruar vota nëpërmjet favoreve politike, emërimeve në administratë dhe shteti ngelet punëdhënësi më i madh në Shqipëri, sigurimit të imunitetit për veprimtari të paligjshme dhe në një ekonomi kaq informale si kjo jona janë të shumtë që janë të shantazhueshëm, dhënia e tenderëve dhe shteti vazhdon të jetë klienti më i madh porositës në vendin tonë apo dhënia e lejeve apo licencave që japin një epërsi të krahasueshme në ekonomi për aktorë të caktuar që bëjnë pjesë në aureolën e klientelizmit politik. Me pak fjalë kur njerëzit e ndershëm heqin dorë nga pjesëmarrja, ky dorëzim jo vetëm që nuk është ndonjë presion moral apo ndonjë akt kërcënues, por përkundrazi, është farkëtimi i një terreni akoma më të përshtatshëm për të begatuar politikanët e korruptuar. Kur njerëzit virtuozë heqin dorë ata nuk lënë vakuum prapa, por një gosti të vërtetë për batakçinjtë e shumtë që na rrethojnë. Edmund Burke thoshte dikur që “E vetmja gjë e nevojshme për të bërë që e keqja të triumfojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”. Dhe mund të kuptohet e imagjinohet lehtë që sa më pak pjesëmarrje të ketë në lojën politike, aq më shumë rritet pesha e votës së “korruptuar” përkundrejt votës së fituar me nder. Në forcimin e këtij rrjeti patronazhi që mundëson nxjerrjen në votim me joshje të mjaftueshëm votuesve për të arritur synimin e rizgjedhjes, ndikojnë gjithashtu disa rrethana. Pikësëpari është varfëria, sa më shumë varfëri të ketë aq më lehtë është që votat e të varfërve që gjenden në skaj të mbijetesës, të blihen me pak gjë. Nëse procesi i votimit është i kontestueshëm, jo-transparent e i manipulueshëm, votuesit ndihen akoma më të pafuqishëm e të çarmatosur para lojës së madhe tw politikës së elitës. Kur e shohin që pesha e votës individuale të tyre është e papërfillshme, sepse dikush gjithsesi do e devijojë atë, atëherë këta individë janë më gatshëm që ta shesin atë votë. Ata kështu kanë prirje që të mendojnë që kjo votë individuale nuk ngre gjithsesi peshë, kështu që të paktën të nxjerr ndonjë përfitim të vogël personal se vendin gjithsesi nuk e ndryshoj dot. Dhe kuptohet që sa më të mëdhaja apo të rënda të jenë problemet me të cilat përballet vendi, aq më i dobwt ndihet një votues e aq më të papërfillshme e sheh ky votues votën. Pra vihet re një spirale e qartë, një lloj rendje drejt fundit, drejt batakut. Më shumë qytetarë nuk dalin në votim sepse zhgënjehen nga korrupsioni, kur ka më pak votues të ndershëm shtohet pesha e votuesve që mund të identifikohen e shpërblehen më lehtë për besnikërinë politike, kjo do të thotë që politikanët e shohin që më mirë të ndjellin me klientelizëm një grusht votuesish sesa të mundohen e të performojnë më mirë në jetën politike për të bërë për vete të gjithë qytetarët, kjo gjë bën që dimensioni dhe niveli i korrupsionit të përkeqësohet akoma më ndjeshëm e të dekurajojë e demobilizojë edhe ata pak votues të ngelur që janë të sinqertë e që dalin të votojnë të motivuar nga përgjegjësia qytetare. Në këtë situatë dramatike vetëm dy janë shpresat që mund ta përmbysin situatën. Ose një forcë apo kandidat i ndershëm me integritet të plotë publik që zotëron besueshmëri e autoritet në mbarë shoqërinë e që angazhohet të veproj kundër establishmentit, oligarkisë ekzistuese. Opozita vetëm këtu mund ta zbulojë arsyen e dështimit ne zgjedhjet e këtij qershori. Në këtë mënyrë mund ta ushqejë me shpresë votuesin e fjetur që të reagojë duke përsëritur pjesën e parë të kurbës së sipërpërmendur. Ose një kthim të parimeve, ideologjizim politik dhe rritje të debati përmbajtjesor, që të shtyj e motivoj njerëzit të angazhohen në politikë jo më për të mbështetur politikanë e nomenklatura të ndotura ekzistuese, por për të aspiruar në përmbushjen e disa idealeve të pastra e të kulluara universale. Fatkeqësisht për momentin as njëra as tjetra nuk duket në horizont.