Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lindja e analistit dhe vdekja e intelektualit

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 16 vite më parë

Blendi Kajsiu
Lindja e analistit dhe vdekja e intelektualit

Ka vite tashmë që vendin e intelektualëve në skenën publike e kanë zënë analistët. Gjëja e parë që të bie në sy tek kjo kategori është fakti që në parim analist mund të bëhet kushdo; gazetari, shkrimtari, intelektuali dhe çdokush që ndjek rregullisht përditshmërinë e zhvillimeve politike. Ashtu sikurse komentatorin sportiv mund ta bëjë kushdo që ndjek me vëmendje sportin, pavarësisht nga shkollimi. Natyrisht edukimi, inteligjenca, talenti në të shkruar dhe në të folur, madje edhe karakteri i individit, ndikon në suksesin dhe popullaritetin e analistit.

 Megjithatë në parim çdokush mund të bëhet analist për sa kohë ndjek me vëmendje dhe komenton zhvillimet politike në vazhdimësi. Në këtë aspekt analisti ndryshon nga çdo profesion apo specialitet tjetër, qoftë ky mjeku, inxhinieri apo edhe gazetari. Këtu del në pah edhe elementi thelbësor i fenomenit të analistit; analisti nuk është profesion, por funksion. Analisti nuk është specialist, ai është rol.

Prandaj për të kuptuar dominimin e debatit publik nga analisti duhet që të kuptojmë funksionin që ai (sepse analisti pothuajse gjithmonë ka penis) kryen. Argumenti kryesor që synoj të shtroj para jush të dashur lexues, është se funksioni kryesor i analistit është ruajtja dhe justifikimi i rendit aktual politiko-ekonomik. Ky rend në vija të përgjithshme ndërthur ideologjinë neoliberale të zhvillimit ekonomik me modelin neokolonial të zhvillimit social-politik. Sistemi ynë është në thelb neoliberal, sepse ai ndërtohet mbi një logjikë neoliberale që i jep përparësi individit përballë kolektivitetit, konkurrencës përballë bashkëpunimit, interesit personal përballë atij kolektiv, tregut përballë shtetit, e kështu me radhë. Sistemi ynë politiko–ekonomik është neokolonial (ose suprakolonial) sepse legjitimiteti dhe vlerësimi i tij buron shumë më tepër nga jashtë (BE-ja) sesa nga brenda. Janë kriteret dhe raportet e BE-së që përcaktojnë sa dhe si ne jemi zhvilluar dhe civilizuar.

 Në kuadrin e integrimit ne kemi përqafuar një inferioritet total historik, kulturor, social, politik dhe ekonomik në raport me Europën. Përballë BE-së ne jemi shndërruar në fëmijë; një popull pa traditë, pa kulturë, pa histori, pa eksperiencë, ashtu si dikur popujt e kolonizuar të Azisë dhe Afrikës përballë kolonizatorëve europianë. BE-ja na jep detyrat që ne si fëmijë të mbarë duhet t’i bëjmë për t’u futur në klubin e kombeve të civilizuara. Marrëdhënia neokoloniale në raport me BE-në reflektohet edhe te fakti që ne jemi një ekonomi subsidiare (ndihmëse) e ekonomisë europiane. Ne eksportojmë krah të lirë pune dhe lëndë të parë dhe importojmë të mira industriale.

 Një marrëdhënie tipike kjo e Europës me kolonitë e saj. Momenti neokolonial dhe ai neoliberal ushqejnë njëri-tjetrin nëpërmjet koncepteve si tregtia e lirë, sipas të cilit nga hapja e tregjeve përfitojnë të gjithë, ndonëse ekonomikisht ne kemi mbijetuar nga hapja e kufijve dhe kemi humbur nga hapja e tregjeve. Edhe pse këto 20 vite integrimi, BE-ja na ka ofruar mbylljen e kufijve dhe hapjen e tregjeve.

Ky rend politiko-ekonomik bazohet në disa “të vërteta” bazë që mbështesin dhe riprodhojnë njëra-tjetrën, duke krijuar atë që mund të quhet ideologjia dominuese. Këto “të vërteta” janë presupozimet mbi të cilat ngrihet, funksionon dhe legjitimohet modeli ynë aktual i zhvillimit ekonomiko-politiko-social. Ja një listë e disa prej tyre:

Shqipëria nuk ka demokraci, sepse i mungon kultura demokratike;
Futja në Bashkimin Europian është e vetmja mënyrë që Shqipëria të bëhet vend i zhvilluar;
Fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë kanë qenë politikanët e saj;
Politikanët janë të predispozuar të abuzojnë me pushtetin;
Problemi i Shqipërisë është se ligjet janë të mira, por nuk zbatohen;
Po të mos ishte faktori ndërkombëtar, Shqipëria do kthehej në diktaturë;
Shteti është nga natyra i paaftë dhe burokratik;
Tregtia e lirë do të thotë zhvillim;
Konkurrenca është thelbi
i zhvillimit

Këto “të vërteta” mund t’i quajmë ndryshe edhe klishetë mbi të cilat mbahet sistemi ynë ekonomiko-politiko-social. E rëndësishme te klishetë nuk është vërtetësia, por roli që ato kryejnë. Nëse themi që politikanët janë në thelb të predispozuar të abuzojnë me pushtetin, automatikisht kemi justifikuar reduktimin e shtetit dhe të kompetencave të tij.    Po kështu ideja se neve na mungon kultura demokratike, nuk është një e vërtetë historike, por sistemike. Historikisht shumë zona në Shqipëri prej shekujsh janë qeverisur në mënyrë demokratike, duke u mbledhur te sheshi i fshatit dhe duke votuar fshatçe, pasi është pleqëruar (mes meshkujve) puna në publik. Kjo është njësoj si ajo që në Shtetet e Bashkuara quhet Townhall Meeting dhe që e mrekulloi aq shumë Tokvilin.

 Një traditë e tillë shekullore është fshirë jo sepse nuk ka ekzistuar, por sepse në marrëdhënien neokoloniale Shqipëria duhet të tregojë inferioritetin e saj përballë BE-së, ajo duhet të paraqitet si tabula rasa. Për këtë qëllim eksperienca lokale duhet fshirë dhe ne duhet të paraqitemi para BE-së si fëmijë që s’dimë asgjë, por duhet të imitojmë gjithçka, ligjet, institucionet, madje edhe emrat që do u vëmë kalamajve. 

Siç besoj se tregojnë qartë shembujt e mësipërm, rendi aktual mbahet në këmbë për sa kohë vërtetësia e premisave bazë nuk kontestohet. Në momentin që këto premisa kontestohen, atëherë i gjithë sistemi rrezikon të bjerë. Imagjinoni për një moment sikur ne të hidhnim poshtë idenë se ligjet janë të mira por nuk zbatohen, duke argumentuar se problemi me ligjet shqiptare është se ato janë një trup i huaj.

 Ligjet tona kopjohen nga jashtë dhe nuk formulohen në mënyrë demokratike me pjesëmarrjen e qytetarëve apo grupeve të interesit, për pasojë ato nuk kanë rrënjë në realitetin shqiptar, prandaj nuk mund të zbatohen dhe të respektohen. Një arsyetim i tillë vë në rrezik procesin e përafrimit të legjislacionit me BE-në, që është një nga shtyllat e integrimit tonë në BE. Në këtë mënyrë matrica neoliberalo-neokoloniale rrezikohet, pasi rrëzimi i premisave bazë krijon premisë për një tjetër sistem, ku p.sh. prioritet nuk është më kopjimi i legjislacionit evropian, por krijimi i legjislacionit lokal, me rrënjë në realitetin shqiptar dhe me pjesëmarrjen e aktorëve lokalë dhe jo thjesht atyre ndërkombëtarë. Imagjinoni për një moment sikur premisë e zhvillimit tonë të ishte ideja se demokracia dhe zhvillimi ekonomik burojnë nga brenda dhe jo nga jashtë komunitetit tonë. Në momentin që zhvillimi i legjislacionit apo edhe ai ekonomik kërkohet nga brenda dhe jo nga jashtë, kemi dalë nga matrica neoliberalo-neokoloniale. 

Roli i analistit është kyç në eliminimin e kësaj mundësie.  Analisti është një nga agjentët themelorë të matricës që ruan, riprodhon dhe rafinon elementët e saj bazë. Këtë ai e arrin duke kombinuar katër strategji; përdorimin e klisheve, diversionin, personalizimin e politikës dhe analizën fragmentare ose anti-intelektualizmin. Përdorimi i klisheve është ndërtimi i analizës mbi ato premise që pranohen nga të gjithë çka prodhon konkluzione pseudo-kritike, që në thelb e ruajnë sistemin duke mos vënë në dyshim premisat e tij. Diversioni konsiston në zhvendosjen e vëmendjes nga problemet themelore në ato sipërfaqësore, nga shkaqet te pasojat.  Personalizimi është analiza që fokusohet te politikani si person dhe jo te problemet strukturore apo sistemike.  Fragmentarizmi ose anti-intelektualizmi është analizimi i një ngjarje apo individi të izoluar në nivel mikro, pa e lidhur atë me fenomene më të gjera sociale. Kuptohet këto strategji janë të ndërlidhura dhe jo të ndara me thikë. Megjithatë për të lehtësuar analizën ne do t’i shqyrtojmë ato veç e veç. Le ta shikojmë më konkretisht secilën strategji, duke filluar me përdorimin e klisheve.

Përdorimi i klisheve është një detyrim mediatik. Sikurse e shpjegon Bordieu në libërthin sa të vogël aq edhe madhështor “Mbi televizionin”, koha televizive është aq e kufizuar saqë brenda saj mund të komunikosh vetëm duke u bazuar mbi të vërteta që pranohen nga të gjithë, pra klishetë. Meqenëse klishetë nuk kanë nevojë për një shtjellim të zgjeruar, pasi ato pranohen nga të gjithë, ato të krijojnë mundësinë e një arsyetimi shumë konciz që bëhet në 2 apo 3 minutat që të ofron koha televizive. Në këto kushte prodhohet një arsyetim që më shumë sesa diçka të re, riprodhon premisat mbi të cilat ai ngrihet. Një arsyetim i tillë është pseudo-kritik, sepse ai në fakt forcon premisat bazë mbi të cilat ngrihet edhe kur duket sikur i kritikon ato.

 Le të marrim një shembull konkret.  Shpesh ndër analistë dëgjojmë të kritikohet, me mjaft të drejtë, komuniteti ndërkombëtar për inkoherencën e tij në vlerësimin e zgjedhjeve apo qëndrimin ndaj demokracisë shqiptare. Ama një kritikë e tillë bëhet në kuadrin e integrimit në BE si pashmangshmëri historike që mbart një premisë të pashprehur; imagjinoni sikur mos t’i kishim fare ndërkombëtarët, me siguri do përfundonim në diktaturë!  Konkluzioni; ndërkombëtarët shpesh ia fusin kot, por pa ta do ishim edhe më keq. Tutela ndërkombëtare është një e keqe e domosdoshme. Një e keqe e domosdoshme është akoma më solide se sa një e mirë e padiskutueshme, sepse të krijon hapësira për ta kritikuar, por pa e ndryshuar.

 Në fund të ditës riprodhohet premisa bazë se demokracia shqiptare nuk mund të zhvillohet dot nga brenda, por vetëm nga jashtë. (Që duhet thënë se shkon mjaft mirë me idenë se zhvillimi ynë ekonomik mund të ndodhë vetëm nga jashtë, nëpërmjet investimeve të huaja. Edhe pse për zhvillimin e deritanishëm të Shqipërisë kanë qenë përgjegjës vetë shqiptarët). Do duhej më shumë kohë e hapësirë televizive si dhe një tërësi premisash të tjera për të argumentuar premisën e kundërt, se raporti i varësisë që ne kemi krijuar me BE-në është vetë arsyeja se përse demokracia jonë nuk konsolidohet. Kështu pra, nëpërmjet klisheve dhe si pasojë e kufizimit të kohës mediatike, pozicionimi i analistit si kritizer në fakt fsheh mjaft mirë mungesën totale të kritikës.
 
Këtu fillon edhe strategjia e dytë, ajo e diversionit.  Diversioni e zhvendos vëmendjen e publikut pafundësisht nga dështimet themelore të sistemit aktual. Duhet thënë se diçka e tillë nuk është e qëllimshme. Diversioni shpesh është produkt i një axhende publike që reflekton interesat dhe shqetësimet e mediave dhe bizneseve që janë pas tyre. Roli i analistit është thelbësor në mbajtjen gjallë të kësaj axhende, shpesh duke “debilizuar” publikun, po të huazojmë një koncept të Lubonjës.    Rasti më tipik ishin zgjedhjet e fundit parlamentare. E gjithë fushata mediatike u përqendrua te një dhe vetëm një pyetje “themelore”; Kush fiton? Ky shqetësim dominoi të gjithë diskutimin mediatik.

Por pyetja “kush fiton” më shumë sesa shqetësim i mbarë popullatës ishte, së pari, një shqetësim themelor i vetë mediave, fati i të cilave ishte dhe mbetet tejet i lidhur me politikën. Ky shqetësim legjitimohej dhe bëhej “publik” nëpërmjet analistëve. Analistë nga të gjitha anët dhe televizionet diskutonin pafund sondazhet dhe arsyetonin se kush, pse dhe si do fitonte. Në këtë mënyrë u mënjanua pyetja që cekte dështimin themelor të sistemit tonë aktual: Përse pas 20 vitesh demokraci kemi kaq pak zgjedhje?

  PD dhe PS, Berisha dhe Rama, e majta dhe e djathta ngjajnë si dy pika uji. Tashmë çështja nuk shtrohet më sa të lira ishin zgjedhjet, por sa kuptim ka liria e zgjedhjeve kur nuk ke se çfarë të zgjedhësh. Diversioni që kryejnë analistët shmang pikërisht pyetje të tilla themelore, duke analizuar pafund deklarata politikanësh apo raportet e OSBE-së, që pavarësisht nga numri janë po një.

Një nga elementët themelorë të diversionit është personalizimi i analizës politike. Duke u marrë pafund me politikanin si person, analisti e zhvendos vëmendjen nga kritika e rendit tonë politiko-ekonomik te kritika e aktorëve që gjallojnë brenda tij. Ky personalizim e ruan sistemin në dy mënyra. Së pari, ai krijon iluzionin se në skenën tonë politike ka zgjedhje. Analistët vazhdimisht na tregojnë se si Berisha është i ndryshëm nga Rama, që është i ndryshëm nga Blushi, që është i ndryshëm nga Meta.

Ajo që këto diferenca mes politikanëve si individë fshehin janë ngjashmëritë mes tyre si aktorë politikë. Edhe nëse Berisha si individ, familje, prejardhje apo karakter është shumë i ndryshëm nga Rama, si aktorë politik ata janë identik; të dy janë të përfshirë në korrupsion sistemik, të dy i kontestojnë zgjedhjet kur humbasin, të dy janë populistë, të dy janë autoritarë etj., etj. Pra në rolin e tyre politik që na intereson ne si qytetarë, ata nuk ofrojnë ndonjë zgjedhje reale, ndonëse si individë mund të jenë të ndryshëm. Së dyti, duke kritikuar vazhdimisht politikanët, analistët forcojnë idenë se nuk ka asnjë problem me sistemin, problemi janë thjesht individët. Kështu çdo problem apo krizë e skenës sonë politike është reduktuar tashmë te karakteri i një politikani.

Korrupsioni socialist buroi nga karakteri liberal i Nanos, ndërkohë që viti 1997 buroi nga karakteri kryeneç i Berishës. Në këtë mënyrë eliminohet analizimi i dështimeve më të gjera sistemike që nuk kanë të bëjnë thjesht me individin. P.sh., një nga faktorët që krijoi vitin 1997 ishte politika e ndjekur nën udhëheqjen e FMN-së, që në luftën kundër inflacionit e futi në kontroll aq të rreptë kreditimin nga bankat shtetërore saqë e detyroi biznesin vendas të shkonte drejt skemave informale të kreditimit (huave) duke çuar në lindjen e piramidave. Pra, kritika e “ashpër” e analistit ndaj politikanëve është më shumë një kritikë personale, që injoron analizën dhe kritikën e sistemit që prodhon Nanot, Berishët, Ramët dhe Metët.

Personalizimi nënkupton një analizë fragmentare dhe mikro, që na sjell te strategjia e fundit. Në shumicën dërrmuese të kohës analisti shtjellon një aksion specifik të një politikani, një shprehje apo lëvizje të tij politike. Ai “zbulon” atë që X i tha Y, pasi ka folur me Z dhe ka denoncuar S. Pra, analisti bën një mikro analizë që shtjellon në detaj një fragment të caktuar politik të tipit; do iki apo do rri Rama? A do fitojë Blushi? Me kë është Ruçi? A do ta tradhtojë Meta Berishën? Në këtë aspekt analiza e analistit është e kundërt me atë të intelektualit, që synon të bëjë lidhjen sistemike mes një sërë faktorësh, që në dukje mund të duken të palidhura, si tregtia e lirë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i administratës. 

Kështu analisti problemin e korrupsionit apo klientelizmit politik e sheh të izoluar, si problem që buron ose nga mungesa e kulturës sonë demokratike, ose nga karakteri klanor i politikanëve tanë, dhe jo si produkt të sistemit tonë ekonomik që ka shkatërruar sektorët socialë, të prodhimit, të punonjësve, apo të fermerëve, nëpërmjet modelit neoliberal të zhvillimit. E thënë thjesht, tek ne politika është personale dhe klienteliste, sepse nuk mund të jetë sektoriale, sepse ne nuk kemi sektorë prodhimi, por vetëm individë që merren me tregti dhe ndërtim.

Në këtë aspekt mund të themi analisti me analizën e tij fregmentare dhe mikro na tregon pafund pemët, duke na fshehur pyllin.
Është në fakt ky funksion që shpjegon si lindjen e analistit dhe vdekjen e intelektualit. Analisti jo vetëm është produkt i rendit aktual, por edhe mbulon dështimet e tij duke mbajtur gjallë premisat bazë mbi të cilat ai ngrihet. Nuk është çudi që rritja e numrit të analistëve kohët e fundit të jetë pasojë direkte e dështimeve gjithnjë e më të mëdha të sistemit që reflektohet te pakënaqësia në rritje e elektoratit me politikanët dhe politikën. Përballë kësaj pakënaqësie mediat kanë prodhuar një pafundësi analize dhe analistësh që e zhvendosin vëmendjen nga shkaqet te simptomat e dështimit të rendit aktual. Kështu ndodhi të paktën në zgjedhjet e fundit, ku reduktimi drastik i mundësisë për të zgjedhur u shoqërua me shtimin drastik të analistëve dhe analizës që fshehu pikërisht këtë mungesë. Përtej analizave dhe “kritikave” të analistëve fakti është që ekziston një simetri mendimi e frikshme mes politikanëve, diplomatëve dhe analistëve. Me ndonjë përjashtim që gjithnjë e më tepër margjinalizohet, alla Lubonja, nuk ka asnjë ndryshim themelor mes politikanëve, diplomatëve dhe analistëve përsa i përket NATO-s, BE-së, tregtisë së lirë, forcimit të institucioneve, zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit etj., etj. Të gjithë bien dakord se hapja e tregjeve, përmbushja e kushteve të BE-së, anëtarësimi në NATO apo lufta kundër korrupsionit do ta zhvillojë dhe demokratizojë Shqipërinë. 

Për të njëjtat arsye që prodhon analistin, rendi aktual margjinalizon intelektualin, i cili është potencialisht i rrezikshëm për të, pasi për nga vetë profili intelektuali konteston, teston dhe analizon premisat bazë të një rendi apo sistemit të caktuar, duke bërë lidhjen mes fenomeneve që në pamje të parë duken të palidhura. Këtu duhet të ruhemi nga idealizimi i intelektualit, sepse jo rrallë sistemet më të tmerrshme janë mbajtur në këmbë dhe janë justifikuar nga intelektualët. Sidomos në Shqipëri, ku intelektualët tanë tradicionalisht janë njehsuar me dogmën ekzistuese më shumë sesa me kritikën e saj, dhe ky gjithashtu ka qenë një faktor në margjinalizimin e tyre pas rënies së komunizmit.

Ama kjo ka ndodhur në sisteme të mbyllura. Ndërsa në sisteme të hapura, siç është edhe ky i yni, intelektuali mbetet potencialisht i rrezikshëm, pasi gjithsesi ka hapësirë mendimi dhe shprehje.  Prandaj margjinalizimi i tij nuk bëhet duke i mbyllur gojën, por duke prodhuar një hapësirë publike ku lulëzon analisti.  Prandaj lindja e analistit dhe vdekja e intelektualit në skenën tonë publike duhen parë si dy anë të së njëjtës medalje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama