Zëvendësimi i politikës nga spektakli Botuar tek gazeta Shqip www.adrinurellari.com Zgjedhjet e këtij viti në aspektin e komunikimit politik shënuan një hap të ndjeshëm përpara, njëherazi cilësor dhe sasior jo vetëm si pasojë e rëndësisë së madhe të këtyre zgjedhjeve për palët që morën pjesë por edhe si rrjedhojë e reformës elektorale. Pikësëpari vlen të përmendet se më shume sesa një fushatë që niste nga hiçi disa javë para zgjedhjeve, periudha parazgjedhore ishte një lloj ngritje dhe intensifikim e asaj qe Sidney Blumenthal e ka quajtur dikur fushatë permanente. Evoluimi i konsiderueshëm i marrëdhënieve me publikun dhe komunikimit politik në Shqipëri është dëshmuar me aplikimin e fushatës permanente jashtëzakonisht të sofistikuar të të dy partive kryesore në periudhën mes dy zgjedhjeve. Liderët politikë e kanë çuar në qendër të vëmendjes së veprimtarisë së tyre të zakonshme mbajtjen e një profili publik aktiv e të kujdesshëm si dhe veprimtarinë mediatike apo në terren që synon të garantojë popullaritet e vizibilitet. Në fushatën zgjedhore 2009 ajo që të tërheq menjëherë vëmendjen është sasia e madhe e parave e hedhur në këto zgjedhje nga burime jo transparente, që dukeshin qartë që ishin harxhuar nga luksi që rrezatonte kudo fushata, gjë që dëshmon për lidhjen e fortë të ekonomisë me politikën si dhe për nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri. Vetëm politikanë të majmur nga korrupsioni mund t’i lejonin vetes gjithë atë kosto që ka pasur fushata zgjedhore. Gjithashtu mund të thuhet se sistemi i patronazhit ka pasur një rol vendimtar në financimin e fushatës pasi biznese të shumta ose janë të zotëruara nga politikanë ose janë të motivuar që të fitojë një palë e caktuar politike pasi e dinë që nëpërmjet klientelizmit politik mund të sigurohen tenderë, licenca apo imunitet për veprimtari të paligjshme si kontrabanda apo evazioni fiskal. Pra pati shumë aktorë të cilët nuk u kursyen në hedhjen e parave për të mundësuar zgjedhjen e një aktori të caktuar politik e madje pati një numër të madh biznesmenësh me emër që u bënë pjesë e listave të kandidatëve të partive kryesore. Kjo gjë bëri që marketingu politik të zaptonte e përmbyste hapësirën publike, duke nisur nga mediat kombëtare e përfunduar tek muret e lagjes, shumë muaj përpara se të niste zyrtarisht fushata. Reforma elektorale pati gjithashtu një impakt domethënës pasi mundësoi përqendrimin e fushatës në dorën e partisë, duke zëvendësuar fushatat e bëra gjatë mazhoritarit ku luante shumë më tepër rol iniciativa apo improvizimi i kandidatit në distriktin përkatës. Sistemi i ri elektoral bëri të mundur përdorimin e strategjive edhe taktikave gjithëpërfshirëse nga partitë politike, solli prodhimin e materialeve të unifikuara të marketingut, nxiti koordinimin e përpunimit dhe transmetimit të mesazhit politik në gjithë vendin nga partitë e ndryshme si dhe rriti rolin e medias kombëtare. Centralizimi i madh i fushatës u vu re në mënyrë të veçantë tek raportimi televiziv ku televizionet e ndryshme u ndaluan që të mbulonin ngjarjet e ndryshme të fushatës dhe iu servirën kronika të gatshme të përpunuara e censuruara me hollësi nga shtabet fushatuese të partive të ndryshme. Reforma elektorale gjithashtu eklipsoi akoma më tej rolin e individëve të ndryshëm në ndjelljen e elektoratit duke e përqendruar vëmendjen tek partia dhe tek lidershipi i partisë. Kjo e bëri këtë fushatë të ngjante më shumë me një gare elektorale presidenciale amerikane sesa zgjedhje parlamentare evropiane. Vlen gjithashtu për t’u theksuar se në këto zgjedhje të gjithë aktorët kryesor politik qenë pak a shumë të provuar të paktën njëherë në pushtet, asnjë nuk rezervonte më surpriza apo ngjallte ndonjë shpresë të veçantë, prandaj partitë nuk mund të krenoheshin më me sfilatën e kandidatëve të panjohur apo që vinin nga fusha të tjera të jetës, sikurse ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005. Duke qenë se të dy palët kryesore mund t’i lejonin vetes jo vetëm që të kishin intensitet e volum marketingu por edhe që të pajtonin ekspertët më të mirë të botës në këtë fushë, përfliten këtu Mark Penn dhe Arthur Finkelstein si strategët e dy partive kryesore. Në aspektin e mesazhit politik tre partitë kryesore të cilat edhe kryen një fushatë profesionale elektorale, Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrimi, i kishin shumë mirë të përvijuara e konturuara linjat e fushatës. Partia Demokratike si edhe partia në pushtet mbajti në më të shumtën e kohës një mesazh pozitiv duke u krenuar me bilancin e qeverisë së deriatëhershme dhe duke theksuar arritjet që motivonin rikonfirmimin e mandatit. Partia Socialiste anoi më shumë nga fushata negative duke nxjerrë në pah problemet, dështimet dhe skandalet e qeverisë së Partisë Demokratike ndërkohë që LSI u bazua më shumë në një çështje atë të krizës ekonomike si dhe tek lideri i forcës politike duke dashur që ta portretizojë si njeriu me një plan. Një tjetër element karakteristik i fushatës zgjedhore që ka çuar në përqendrimin tek imazhi i partisë dhe marketingu politik ishte mungesa e përmbajtjes ideologjike apo programore. Për rrjedhojë partitë politike kësaj radhe garuan më shumë me formën sesa me përmbajtjen, më shumë me imazhin sesa me mesazhin, më shumë me ambalazhin sesa me produktin, duke e shndërruar fushatën më shumë në një përplasje të kompanive apo konsulentëve të ndryshëm të marketingut e fushatimit politik e duke e amerikanizuar në mënyrë të skajshme fushatën. Në fakt më shumë se një ballafaqim alternativash politike fushata ishte si një festival ku partitë e ndryshme garonin për të pajtuar në mënyrë ekskluzive artistët më të njohur për të organizuar edhe spektaklin më të arritur. Fatkeqësisht gjithë ky profesionalizimi i fushatës u bë në kurriz të lojës politike dhe nuk ia doli që të maskojë shterpëzimin e ofertës politike të garuesve dhe shterimit të admirimit politik për liderët respektiv. Prandaj gjithë kjo fushatë politike jo vetëm që nuk i dha një zgjidhje të shëndoshë politike vendit duke i lënë krahun e majtë dhe krahun e djathtë me një numër të barabartë deputetësh, por nuk ia doli as që të mobilizojë në mënyrë të bindshme elektoratin i cili kësaj radhe pati një pjesëmarrje prej 50.77% ndërkohë që tre zgjedhje më herët ka qenë 72.6%. Në fakt prania intensive e marrëdhënieve me publikun, marketingut politik dhe teknikave të avancuara fushatimi jo vetëm që nuk kompensojnë për mungesën e një oferte cilësore politike, por përkundrazi, rrisin kontrastin dhe e vënë më shumë në dukje dhe e bëjnë më të kuptueshme këtë shterpësi.