Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pa entuziazëm, pa oponencë

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
Pa entuziazëm, pa oponencë

Fitimtari, thonë, nuk gjykohet. Sidomos kur fitorja vjen me fotofinish dhe kur të jep një mandat të dytë qeverisës. Dhe, mbi të gjitha, të mos e harrojmë për asnjë çast - kur fitimtari quhet Sali Berisha. 48 orë pasi takoi Papën në Vatikan, kryetari i vjetër dhe i ri i Partisë Demokratike ka bërë dje një "xhiro" nga Pallati i Kongreseve, për të mbajtur një fjalim emotiv dhe spontan (të pashkruar) para delegatëve, e për të ikur menjëherë më pas. Kjo sjellje e habitshme protokollare e Kryeministrit është shenja e parë e sigurt se rëndësia e Kuvendit të Nëntë të PD të 14 dhjetorit është mjaft relative, ashtu siç ishte i parashkruar edhe rezultati i tij. Berisha është sërish kryetar partie dhe ndryshimet statutore kanë anashkaluar pa kujdes propozimet e anëtarit të kryesisë Biberaj, për kufizimin e mandateve të kryetarit, zgjedhjen e tij me sistemin "një anëtar, një votë" apo edhe përjashtimin nga forumet drejtuese të zyrtarëve që kanë procese të hapura penale.

Kuvendi i PD qe, në fakt, një zgjatim i qetë i mitingut të 8 dhjetorit. Ata që kanë shpresuar në një manifestim të lirë të mendimit ndryshe, do t‘i duhet të presin një rast tjetër, sepse kjo që panë dje ishte thjesht një "adet" formal, një ritual që në PD nuk fshihen më për ta paraqitur si të tillë. Në fakt, në një lexim më të gjerë të kontekstit në të cilin mblidhet, demokratët duket se nuk kanë probleme me të tashmen e tyre. Kulti i kryetarit tashmë është vendosur prej vitesh, zëvendësimi i tij i përket edhe një herë së ardhmes (së largët), partia është në pushtet, Shqipëria është në NATO, opozita në rrugë dhe ndryshimet statutore apo "detaje" të tjera si këto, janë një luks i panevojshëm që i përket njerëzve që kanë "kohë për të humbur". Berisha nuk fshihet, as e ka bërë ndonjëherë dhe as ka ndërmend ta bëjë këtë. Ai kandidon i vetëm dhe drejton i vetëm në krye të partisë. Gjithçka tjetër është në funksion të këtij binomi lider-parti, të paciflosur në 19 vitet e fundit. Pak rëndësi ka situata politike në vend, kriza ekonomike dhe sfidat e integrimit. I rëndësishëm është qëndrimi në pushtet. Dhe zoti Berisha e ka siguruar këtë, për vete dhe për partinë.

Nëse dikush pati nevojë ta prekë edhe një herë me dorë, ose nuk qe plotësisht i bindur, PD ofroi dje një standard demokracie të brendshëm, pikë për pikë të ngjashëm me standardin demokratik që ofron së jashtmi. Pra, ndaj pjesës tjetër të shqiptarëve që nuk kanë një mandat delegati në xhep dhe që mendojnë ndryshe nga ata. Asnjë debat nuk u dëgjua në Kuvend, asnjeri nuk kishte asgjë për të thënë, megjithëse momenti politik në shkallë kombëtare është më se delikat dhe i mbarsur me gjithfarë sfidash, kurthesh e vështirësish. Kuvendi kaloi ashtu siç pritej. Qetë dhe në mënyrë lineare.

Megjithatë, nuk është flori gjithçka që shkëlqen. I parë nga afër, Kongresi i demokratëve të jep përshtypjen se konsumi i avashtë, por i pandalur i pushtetit mbi partitë tona politike, është një fenomen transversal, gjithëpërfshirës. Në katër vjet e ca, burokracia drejtuese e kësaj partie ka transformuar parkun e automjeteve mbi të cilat lëviz, ka shtrenjtuar veshjet dhe aksesorët dhe nga ana tjetër ka ulur ritmin e duartrokitjeve dhe entuziazmit, përballë fjalimeve të Berishës, të cilat dikur konsideroheshin një kult i vërtetë në parti. Kësisoj nuk ishte aspak e vështirë të vëreje se, pas tonalitetit të lartë karakteristik që Berisha i futi fjalimit të tij kundër "aleancës punisto-mafioze", pasoi një duartrokitje përtace njerëzish të dhjamur dhe të "lodhur" nga të qenit në pushtet. Salla nuk e kishte pulsin e dikurshëm të njerëzve të etur për të rimarrë pushtetin dhe për të dëshmuar adhurimin për liderin historik.

Natyrisht, në këtë reagim të përmbajtur, jo karakteristik për një parti populiste si PD, qëndron edhe qetësia e të qenit edhe një herë në krye të shtetit edhe për katër vjet të tjera. Mandati i dytë qeverisës duket se ka qenë melhemi që ka zbutur edhe një manifestim tradicionalisht impulsiv dhe luftarak, si Kuvendi i PD. Gjithsesi mund të thuhet se PD po "dhjamoset" gradualisht, e kjo është një sëmundje e rrezikshme, që krahas sfidave të ndryshme të cilat konsumojnë ngadalë imazhin dhe pozitën e partisë, mund të rezultojë fatale në momentin e një verifikimi elektoral. Evitimi i problemeve nuk është mënyra më e mirë për t‘i zgjidhur ato. As në rastin kur rotacioni i pushtetit duket i largët dhe kur qeverisja ofron qetësi dhe siguri në vetvete. PD dëshmoi dje se ka zgjedhur të flasë me vete, më shumë sesa me partnerët dhe kundërshtarët. Kjo është një zgjedhje e vështirë dhe sfiduese, në një moment po kaq të vështirë dhe sfidues. Zakonisht këto lloj përzgjedhjesh, karakteristike për klasën tonë politike të viteve ‘90, kanë çuar në përplasje të mëdha sociale në vend. Mbetet të shihet se ku do të na çojë mandati i dytë i kryetarit Berisha dhe lidershipi i tij i konfirmuar pa entuziazëm, por edhe pa oponencë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama