Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Na lipsen vullnetarë e misionarë të përnjimendtë!

Shkruar nga: Kico Blushi  
Botuar më: 25 vite më parë

Kico Blushi
Na lipsen vullnetarë e misionarë të përnjimendtë!

Me të njëjtën metodë përshtatjeje spiunët vullnetarë të Sigurimit të Shtetit u bënë spiunë vullnetarë e zelltarë të Gazidedës, sigurisht pasi zunë kryet e vendeve nëpër biznese e media.Mbrojtësit e flaktë të realizmit socjalist sakaq u bënë armiq të zjarrtë ë të papajtueshëm të tij, duke u bërë fillimisht idhtarë të Arshi Pipës, Martin Camajt, apo të Zef Plumit, pa e ditur se një ditë edhe ata do të mbeteshin pa punë, pas mbylljes së Akademisë dhe sidomos pas mosmarrjes tufërisht të rrogave…! Kështu pra, me të njëjtën “filozofi të tjetërsimit”, ata që deri dje thërrisnin shesheve e gjirizeve të Shqipërisë “Nano ik!”, sot çirren “Nano hajde”! Nesër kemi për të dëgjuar të hulumntojnë nëpër media:.”Berisha ik!”, “Berisha thyej qafën!”,-pikërisht ata që sot për sot janë mbrojtësit më të flaktë të tij, ata që të japin përshtypjen se mund të hidhen edhe në zjarr për të!Kur edhe këta të mbeten me gisht në gojë nga “reformat”, nga konkurrenca pa konkurrencë, si dhe nga goditjet e tij të befta me siglën e antikorrupsionit, atëhere ka për t’u bërë medemek qameti!Këta “vullnetarë të Berishës”kanë për të nxjerrë fakte e dëshmi rrënqethëse se sa kanë pas vuajtur nën “rregjimin e dushmanit Sali”, siç janë hakatur për ta kthyer edhe atë në udhë të mbarë, por më kot! Pra, kur të bjerë Berisha, kur të jetë e sigurt se edhe ai edo të thyejë qafën, do të shohim e do të dëgjojmë se si do ta nëmosin e do ta përbaltin “udhëheqësin historik”pikërisht ata analistë e vullnetarë që deri dje kishin pas qënë fanatikë të çartur të tij! Ne nuk do të na mbetet gjë tjetër veç të psherëtijmë: Inshallah rrojmë të shohim se si ish këshilltarët t’u nxjerrin nesër bojën e sytë ish shefave të tyre! Ne nuk do të na mbetet gjë tjetër veç të besojmë se në Shqipëri nuk ka e nuk ka pasur as edhe një burrë të shquar që të ketë qënë vërtet i ndershëm! Duke nisur që nga Skënderbeu, e të gjithë pasuesit e toj, pakëshin qënë ca faqezinj, dallkaukë, biçimsëzë, hajdutë, kriminelë, antikombëtarë të kamufluar! Vullnetarët, ose, si thuhet sot ‘militantët’, kanë për ta menderosur opinionin publik me të thëna e të pathëna! Ky është çmimi që ata do të duhet të paguajnë për t’u ribërë shërbëtorë te një tjetër usta! Dhe ne, qytetarëve të zakontë, do të na vijë turp jo vetëm për veten, po edhe për njëritjetrin, për fatin e zi që Perëndia na hodhi në këtë cep të hallakatur e të handakosur të të botës që nuk po gjen dot karar sidomos nga këta lloj “vullnetarësh”/ këshilltarësh/bashkëpunëtorësh pa din e pa iman! Nuk mund të gjejë dot karar sa kohë një ish i burgosur dukagjinas për 11 vjet, doli në media dhe mburri rregjimin e Enverit, duke thënë se të paktën “në atë kohë Enveri të jepte drita, një kothere bukë, ujë e punë.Po ky rregjim, çfarë po na jep veç listave të bukës? Edhe ndihmat që vijnë në Dukagjin, i vjedh”…Ky rregjim po na jep me shumicë vullnetarë cuba , ca kotanakë të karfosur kotekot kafeneve! Nuk jep vullnetarë për të pastruar gjirizet e partive, lumen e katundit, plehrat e lagjes, për të mbjellë pemë, për të shuar fshatçe zjarret nëpër pyje, për të ndrequr e mirëmbajtur hidrovoret, kanalet kulluese e ujitëse, që të mos përmbytemi në dimër, për të ndrequr shkollën e ambulancën e katundit, etj…Jo, në Shqipëri nuk gjen më të tillë vullnetarë!Tek ne parrulla e djeshme e komunizmi “Një për të gjithë, të gjithë për një”, u zëvëndësua me bindjen ‘Secili për vete, Zoti për të gjithë’! Ndaj tek ne ka vetëm vullnetarë partiakë dhe fetarë që as nuk denjojnë të qajnë hallin tonë të përbashkët, po vetëm hallin e vetes,pasi vullnetarizmi është mjet për përfitime vetiake sa më të shpejta. Kur kam qënë para ca vitesh në Danimarkë, na çuan në një qytet të vogël në veri, me emrin Skanderborg. Ishte e shtunë. Banorët kishin dalë të pastronin brigjet e lumit, që përshkonte qytetin mespërmes si Lana jonë. Na thanë se aty nuk mund të dalloje milionerët, pasi të gjithë bënin “punë vullnetare”…Kurse te ne, tani që nuk ka as Ndërmarrje të Komunales, nuk ke ku mund të ankohesh për tarracën që rrjedh apo për fasadat që janë mysybet! Mjafton të futesh në çfarëdo pallati të Shqipërisë, shkallët e ndarjet e kateve gjithandej janë për faqe të zezë! Mjafton të hysh në çfarëdo spitali,. infermieret jo vetëm që nuk janë “motra”, dmth si murgesha, po janë më harbutet e më rryshfetxhijet e shoqërisë! Pas derës të secilit mund të ketë luks, po plehërat hidhen nga dritarja…Pas derës të shtëpisë është një botë që nuk ka lidhje me ty, që nuk të njeh e që nuk të pranon, se atë e zotërojnë vullnetarët partiakë që njohin vetëm një zot, shefin e madh të partisë në pushtet! Andaj e gjithë administrata e sotme, nga nivelet më të larta e deri poshtë, është e rrëmbushur me lepeqër të tillë, me vullnetarë partiakë të vetes, po jo të shoqërisë. Këta “vullnetarë të vetes” janë sot për sot njerëzit më të sigurt e më të suksesëshëm! Kjo është një kategori shoqërore tipike shqitare e ngjizur thellë në palcën e të gjitha partive, e, me sa duket edhe në indin e shoqërisë! *** Po ku dhe si mund t’i gjejmë këta vullnetarë? Ku dhe si të gjejmë ca misionarë që t’u besojmë shpirtin, votën, fjalën e të mos i shohim me dyshim? Nisma e Ramës për të kthyer partinë socjaliste në të gjelbër, duket se nuk ka lidhje me këtë synim, po më shumë me një premtim të dhënë apo të marrë diku në Gjermani.Të pastrosh Shqipërinë nga plehërat (nga cilat plehëra më parë?), të zgjerosh hapësirat e gjelbra, të çlirosh hapësirat publike (po edhe mediatike), është vërtet një mision i vështirë dhe i ndritur që kërkon jo vetëm fonde kolosale, po më së tepri të kesh vizion, si dhe të të ndjekin pas misionarë, vullnetarë të vërtetë!Po a mund të realizohet ky qëllim me instrumentë partiakë?A mund të transformohen anëtarët dhe vullnetarët e PS-së në ekologjistë të tillë, në misionarë të mirëfilltë, kur ata militojnë në atë parti për qëllime krejt të tjera, kur shumica syresh aktualisht janë të papunë, kur … më tepër se çereku i popullsisë jeton në varfëri të plotë, kur nuk ka drita, ujë e shpresë, kur shumica i mer ushqimet me listë etj, etj?Një premtim i pambajtur, një synim i parealizuar, nuk është vetëm një gënjeshtër e radhës, po është një zhgënjim që prodhon reagime negative, sepse vret shpresën. E shpresën për një demokraci të vërtetë e kanë vrarë në këtë vend “vullnetarët” e papërgjegjshëm të “enverëve” të pafund partiakë, të cilët, nga metamorfoza e përherëshme ik-hajde-ik, dashuri-urrejtje, ashtu si dje, edhe sot, gjithësesi mbeten në majë të piramidës, mbeten të nderuar, model imitimi për rininë, për familjet e për lagjen: “E shikon sa i famshëm e i shquar u bë ai, po ti, më i pazoti je ti, o qyqar?!”E pra, ky model vullnetar/misionari e ka shvleftësuar modelin e misionarit të ndershëm e të devotshëm, të përkushtuar deri në flijim, duke shkatërruar atë shqisë jetike që e shtyn njeriun të luftojë për të qënë jo vetëm një qënie biologjike, po më së pari një qënie shoqërore. Shoqëritë e reja si e jona janë si fëmijët, ato drejtohen më shumë nga imitimi, se nga arsyeja. Po a kemi ne sot modele që e meritojnë t’i ndjekim? Kë të ndjekim pra, Berishën apo Nanon, Ramën apo Metën, Xhuvelin apo Ndokën? Në art Ciljetën apo Ziso Kastron? Në mjekësi, njeriun e mirë Matosh? Në shkencë, Beqir Metën apo Kristo Frashërin?...etj, etj. Prej vullnetarëve të Enverit të transformuar në vullnetarë të Berishës e nga të Berishës të Nanos e prapë të Berishës, ne na është vrarë vetëdija e bashkëjetesës normale si dhe na është prishur peshorja kombëtare e vlerave.Madje kemi frikë nga qasja e bashkëjetesës, pasi mjedisi jashtë shtëpie është bërë rreziksjellës, kanosës, mosbesues, armiqësor.Në rrugë ka jo vetëm drogë pa kthim, krim pa ndëshkim, zhurmë-turmë, terr-sherr, pluhur-gropa, urrejtje-mosbesim, pisllëk dhe propagandë, demagogji dhe gënjeshtra më shumë se kurrë.Natyrisht për këtë një pjesë të fajit e ka edhe diktatura, morali i saj që vullnetarizmin dhe vullnetarin e shpërblente me një S, pra me një sulmues, që nëpërmjet bombardimit me propagandë e degradoi punën në dobi të komunitetit në punë të detyruar (aksionet), të cilat, në shumicën e rasteve rezultonin në punë të padobishme, në propagandë partie ( sukseset, vendi i parë në botë pa taksa, etj!), që e bëri “njeriun e ri”(sot të plakur) të mbijetojë duke qënë i hasmosur me pronën publike si dhe me dyshimin e parreshtur (vigjilenca) për njëritjetrin.Mjerisht edhe ky sistem deledash që po instalohet në Shqipëri prej gati 20 vjetësh nuk e ndreqi këtë mendësi, po e çoi edhe më tëhu hasmosjen e individit me pronën publike, me ekologjinë, me rrugët e Shqipërisë si dhe me idhujt pa krena.. Edhe misionet e panumurta fetare që na kanë mësyrë në këto vite, duke tentuar të na futen nëpër shtëpira, për të na ofruar ndihma, para, idhuj të rinj fetarë (të mormonëve a të jehovajve), bursa për fëmijët, kurse për gjuhë të huaja në këmbim të konvertimit, etj, tanimë shihen me të drejtë me dyshim e mosbesim.As ata nuk janë misionarë, po mercenarë të paguar!Ata na trajtojnë si indigjenë, si njerëz që mund të përtypin besimet fetare si ripërtypin buajt kashtën… *** Rregulli e tradita jonë e dashka që të braktisen udhëheqësit kur këta bien nga kali, po nuk braktisen parimet e idealet të cilat vullnetarët partiakë në të vërtetë nuk i kanë, se realisht ato nuk egzitojnë se nuk mbillen më nëpër familje, nëpër shkolla, në ekrane, në rrugët tona e aq më pak nëpër partira.Sot më e rëndësishme qënkesh të bëhesh miss, apo topmodel, showgërl se sa të bësh një vepër humanitare e të studjosh që t’i shërbesh vendit e popullit tënd! Të jesh vullnetar në dobi të komunitetit apo të kombit, quhet idiotësi, por ama të jesh vullnetar fanatik (politik ose fetar, vetëm ky lloj vullnetarizmi mund të gjallojë hë për hë tek ne!), sot është një profesion që jo vetëm nuk të lë në baltë, po më së shumti të mban familjen me bukë e më së paku të bën të pasur e të shquar fët e fët.Të kesh ideale, të jesh idealist sot quhesh derdimen, humbameno, i dalëboje, një kot-njeri jashtë mode e natyrisht edhe jashtë kohe!Trutë na janë shpëlarë fund e krye nga çdo lloj idealizme!Trutë tona janë nën sundimin e mosbesimit të ndërsjellë. Por veç vullnetarëve të kryetarëve të partive, sot kemi edhe vullnetarë që nisen e shkojnë ushtarë në Irak.Nuk jam fort i sigurt nëse këta vullnetarë do të shkonin në luftë pa pagesë, në se ata vërtet e urrejnë me gjithë shpirt terrorizmin ndërkombëtar, ndaj duan ta luftojnë, ashtu si shkuan vullnetarë sivëllezërit e tyre dikur në Spanjë për të luftuar fashizmin, po megjithatë këta djem e meritojnë respektin dhe nderimin e shoqërisë, pasi, sidoqoftë, ata vënë kokën në rrezik dhe, për më tepër, përfaqësojnë me dinjitet flamurin kombëtar.Ndërkohë kemi edhe jo pak vullnetarë fetarë.(i quaj jo rastësisht vullnetarë e jo misionarë). Këta janë kryesisht të rinj që prej fukarrallëkut të skajshëm të familjeve të tyre kanë pranuar të studjojnë pa pagesë teologji jashtë vendit, ku, pasi u janë shpëlarë trutë mbarë e prapë, kthehen në Shqipëri që të mbajnë mjekra, dollomara, pantallona treçerek dhe ferexhe, me një fjalë duke u shfaqur të dogmatizuar, tamam si në vendet arabe…Nuk jam fort i bindur në se shumica e tyre është përnjimend fanatike! Për këta të manipuluar më së pari prej fukarallëkut të vjen keq, teksa i sheh në sy e duket që edhe atyre u vjen turp. Po ama halli hallit nuk i ngjan, ndaj nuk dihet se në ç’derë të çon e keqja të trokasësh!Natyrisht, njeriu sot është i lirë të besojë e t’i japë vetes atë pamje e përmbajtje që dëshiron.Gjithësesi,unë do të respektoja më shumë ata vullnetarë që do të pranonin të shkonin mësues, infermjerë, mjekë, etj, për të shërbyer nëpër zonat e thella e të mjera të Shqipërisë ku ambulancat e shkretuara nuk kanë as mami e ku shkollat e rrënuara nuk kanë as çati, as nxënës e as mësues! Respektoj deri në adhurim ata misionarë fetarë që jetojnë nëpër zonat e thella malore dhe ndikojnë të falen gjaqet, të dalin fëmijët nga ngujimi, ato gra e vajza si Nënë Tereza që ndihmojnë të mjerët, lebrozët, të sëmurët me Sida (si nuk u dëgjua as edhe një klerik për fatin e dy binjakëve me sida?),por ama nuk mund të respektoj ata klerikë injorantë që flasin me kryeministrin e vendit si xhambazë kuajsh, si ndodhi në Kavajë, ditën e Bajramit! Të rinj të tillë duket se nuk ka e nuk gjen dot më as edhe në lëvizjen “Mjaft”që vepron më së shumti nëpër trotuaret dhe bulevardet e Tiranës.Nuk ka as prindër që do të pranojnë të dërgojnë e të lejojnë fëmijët e tyre për misione të tilla bamirësie e humanitare, aq më pak me thelb kombëtar. Përkundrazi, ka me bollëk prindër që e heqin edhe bukën e gojës dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në Tiranë apo edhe jashtë shteti për të studjuar e punuar e sidomos për të bërë edhe këta jetën e pabeve e të diskove, për t’u veshur edhe ata me minifunde dhe me xhinsa firmato, që të mos “mbeten prapa botës”!…E pra, ky është problemi themelor i yni: ne kemi topmodele, po nuk kemi modele, kemi militantë, po nuk kemi vullnetarë, kemi misse, po nuk kemi misionarë, kemi krerë, po nuk kemi udhëheqës, kemi popull, po nuk kemi shoqëri, kemi shkolla, po nuk kemi arsimim, kemi qeveri, po nuk kemi qeverisje… Kemi, në vend të tyre, jo pak “vullnetarë”batakçinj e Hiçër profesionistë që na rrijnë mbi krye e na tregojnë udhën qorre! Kjo është kriza jonë. Ndoshta edhe më e rënda në mbijetesën tonë si komb.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama