Këtë titull ia kam huazuar fjalorit të muzikës: bëhet fjalë për interpretime të ngjashme të të njëjtit motiv muzikor, por secili me ndryshime të vogla të improvizuara sipas fantazisë dhe frymëzimit të instrumentistit. Meqenëse sapo festuam ardhjen e Vitit të Ri, më duhet të pranoj që pikërisht natën e largimit të pashmangshëm të Vitit të Vjetër, ndërsa jashtë gjëmonin fishekzjarret dhe në kanalet televizive përherë e më shpesh përsëritej e stërpërsëritej në gjuhë të ndryshme formula tradicionale “Gëzuar Vitin e Ri!”, më shkrepi në kokë ideja e variacionit mbi një temë, të cilën e gjeta fare natyrshëm bash te formula “Gëzuar Vitin e Ri!”.
Së pari, se ç’më shtyu ta shtrembëroja paksa këtë formulë duke thënë me vete “Gëzuar Rripin e Ri!” sepse, doemos, kriza botërore që ka nisur të fashitet në vendet e zhvilluara, po ndihet më fort në vendet në zhvillim, për pasojë, edhe te ne, në Shqipëri, prandaj do të na duhet ta shtrëngojmë, sado pak qoftë, rripin e ri, atë të krizës në fjalë.
Së dyti, shtrembërimi i radhës qe variacioni “Gëzuar VIP-in e Ri!”: Përse? Sepse po shtohet numri i VIP-ave aq sa nuk merret dot vesh se cilën sferë të jetës shqiptare prek më tepër ky term: biznesin, politikën, artin e kulturën apo sportin. I vetmi problem që kam me termin VIP, është se bëhet fjalë për një huazim nga anglishtja, “Very Important Person”, pra, në shqipe, “Person Shumë i Rëndësishëm”; nëse e shkurtoj, sipas modelit origjinal, arrij në termin mirëfilli shqip PSHUR, çka më heq çdo dëshirë apo tundim për t’u quajtur VIP.
Së treti, nuk, e di se si më erdhi, por papritmas në ekranin e imagjinatës sime lexova: “Gëzuar Mitin e Ri!”. Ç’është e vërteta ose, më saktë, pothuajse e vërteta, po krijohet te ne, në Shqipëri, miti i lumturisë së kushtëzuar nga përfshirja e vendit në Bashkimin Europian. Do të ishte mirë që të shihnim çfarë po ndodh me Bullgarinë e Rumaninë, dy vende ish-socialiste të sapofutura në BE: popujt e tyre nuk po duken fort të lumtur për arsye që nuk kam as kohë as vend t’i trajtoj gjerësisht në këtë shkrim. Të mos harrojmë gjithsesi që mitet, ndoshta të nevojshme për njëfarë kohe, janë jetëshkurtra dhe ata që ndërtojnë ardhmërinë e tyre mbi to, nuk vonojnë të zhgënjehen dhe e kuptojnë përse shembja e miteve u lë një shije fort të keqe: vetëm një shkronjë e vetëm një e dallon fjalën “mit” nga fjala “m...t”!
Së katërti, sesi u ndjeva kur një zë gjysmë i njohur, gjysmë i panjohur më pëshpëriti në vesh: “Gëzuar Ritin e Ri!”. Kësaj here vështirë se mund të më kundërshtojë njeri: ne festojmë çdo vit të njëjtin rit, atë të zbythjes drejt së ardhmes, rit ky po aq i vjetër sa vetë njerëzimi, rit që përsëritet pa mëshirë dhe ne gënjejmë veten duke pandehur se ai është i ri, rit ky që përfshin ekonominë, politikën, artin e kulturën, madje edhe sportin, pa përmendur marrëdhëniet shoqërore, zgjedhjet, mitingjet e antimitingjet, debatet, festivalet, pritjet qeveritare e diplomatike, festat kombëtare e ndërkombëtare, ato të bamirësisë, takimet brenda e jashtë shtetit, si edhe të tjera dukuri, emërtimet e të cilave sa vijnë e zbrazen nga lënda e tyre kuptimore.
Së pesti, variacioni i fundit, por jo më i pakti, është “Gëzuar Tipin e Ri!”. “Për çfarë tipi e keni fjalën, zoti Tupja? – mund të pyesë me të drejtë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës. E thjeshtë fare: E kam për tipin e ri të pozitarit e të opozitarit, të mikut dhe të armikut, të të mirit e të të keqit, të të ndershmit dhe të të pandershmit, të besnikut e të të pabesit etj. etj. Ky është një tip i ri, derivat i prototipit homo albanicus, ky vetë derivat i arketipit homo illyricus, me më shumë fytyra se vetë Janusi i romakëve me dy fytyrat e tij të kundërta, në muajin e të cilit ndodhemi tani (Januarius), i konvertueshëm deri edhe në të kundërtën e vet, një tip që e hasim çdo ditë e çdo natë në çdo hallkë të shoqërisë sonë të hallakatur.
Për tipat e këtij lloji duhet shkuar përtej batutës së Volterit që paskesh thënë: “O Zot, mbromë nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”, duke i këshilluar njerëzit që kanë të bëjnë me ata, të luten kështu: “O Zot, mbroi nga vetvetja se nga miqtë dhe armiqtë dinë të mbrohen vetë!”. Kurse ne, vdekëtarë të rëndomtë, duhet të ruhemi nga tipat në fjalë, këta zengjinë të rinj, d.m.th. VIP-a të rinj që krijojnë mite e rite të reja joshëse në dukje, por të rrezikshme në thelb. Gëzuar, pra, Vitin e Ri, me tërë variacionet e tij të mundshme e të përfytyrueshme!