“Ka me dasht Zoti e ka me e ba ma mirë kët punë!” Kjo fjali është dëgjuar shpesh në këto ditë, kur uji i akullt përmbyti fushat e pamata të Fushës së Nënshkodrës. Kjo shprehje është dëgjuar edhe herë të tjera, ndoshta që prej kohësh që nuk mbahen mend. Me shekuj me radhë shkodranët e duruar i kanë bërë ballë Kirit, Bunës, Drinit e Liqenit. Me shekuj me radhë kanë thënë “mes vedit”: “Ky paska pas kenë fati jonë. Të pshtojmë kryet se për të tjerat ka kush mendon”. Për shumë veta ky lloj reagimi ka qenë një shenjë e madhe e dinjitetit qytetar, që zakonisht i ka karakterizuar shkodranët dhe fshatrat rreth e rrotull, që ushqeheshin me kulturë e qytetërim nga njëri prej qyteteve më të vjetra në Ballkan. Mund të jetë vërtet kështu. Njerëzit që shikojnë të zgjidhin hallin e tyre pa ia zgjatur dorën askujt dhe duke u përballur kryendeshas me jetën e vështirë meritojnë absolutisht respektin më të madh. Në një farë kuptimi fati ua ka dashur që të jenë në njërën prej nyjeve ujore më të vështira të Ballkanit dhe këtë ata tashmë, pasi kanë jetuar me dhjetëra breza ndër ato troje, e dinë fort mirë.
Por e gjithë historia e shkodranëve dhe lezhjanëve durimmëdhenj e ka edhe një anë tjetër. Tashmë është e ditur që ka një linjë ndarëse që i dallon kombet që në këtë dynja kanë ecur para dhe të tjerët, që rrinë ende me sytë nga qielli dhe nga Allahu, Zoti, Perëndia. Ka disa kombe a popuj që mbijetesën e kanë bazuar te lufta e gjatë, sfilitëse, porse mençur me natyrën. Të tilla kombe e dinë zakonisht se çfarë i pret në dimër. Holanda është një prej tyre sa për ta ilustruar. E dinë, ose e nuhasin me kohë, se ka lumenj që pasi flenë me dhjetëra vjet, befas zgjohen dhe bëjnë hatanë, e dinë se deti nuk është gjithnjë ajo gjëja e paqtë që na shërben për të shkuar me pushime, por është edhe ai që sjell një mal me dallgë që fshin gjithçka gjen para. Dinjiteti i shkodranëve është për t’u lavdëruar, e thamë edhe më parë, kjo gjë nuk vihet aspak në dyshim, por a mjafton vetëm kjo? Në fund të dekadës së parë të mijëvjeçarit të tretë a mjafton vetëm humori, menefregizmi, dinjiteti, solidariteti shkodran për të na rreshtuar në sërën e vendeve të civilizuar të Europës, ashtu sikurse shumëkush pretendon se jemi? Për fat të keq jo. Tashti që ujërat kanë nisur disi “të teren”, tashti që për fat, e gjithë kjo punë po kalon pa asnjë viktimë njerëzore të dukshme, por fatura e kësaj përmbytjeje do të shihet më vonë, tani që po e kalojnë të gjithë atë hallin e madh që i zuri, mbase ka ardhur koha që të pyesim të gjithë veten: A mjafton vetëm dinjiteti shkodran në raste të tilla?
Ky dinjitet nuk mjafton absolutisht. Në radhë të parë, sepse duke qenë tipik e krahinor është fare i izoluar. Fatkeqësia që goditi Shkodrën, Lezhën, Zadrimën dhe zonat ngjitur me to në fakt goditi të gjithë Shqipërinë. I gjithë vendi mbeti i gozhduar me sytë dhe veshët te shtëpitë, kur për të hapur derën duhej më parë të lidhje lundrën. Fatkeqësia vuri në shënjestër një gjë që kishim nisur ta harronim: sa të vegjël apo të mëdhenj jemi në fakt përballë hatave të tilla? E parë kështu, hareja e shkodranëve që peshkonin ndërsa shtëpitë e të tjerëve përmbyteshin nga vërshimi ishte krejt i izoluar. Ndokush mund të thotë, dhe mbase e ka thënë, që me të tilla gjëra shkodranët janë mësuar. E vërtetë, fare e vërtetë. Autori i këtyre radhëve e mban mend vetë ujin që vërshonte deri matanë Parrucës. Por ato ishin kohë të tjera. Kohë kur njeriu e ndiente veten vetëm dhe i lutej Allahut, Zotit, a dreqit vetë, që uji të “shkonte n’punë t’vet”. Nëse vazhdojmë të mendojmë kështu ende në këto kohë, a jemi më dinjitozë, apo jo? Përgjigjen e kësaj pyetjeje secili mund ta japë si ta ndiejë, por e kanë pasë thanë edhe ma t’moçmit: “Tek Allahu a Zoti duhet besu, por ai nuk të ndihmon nëse nuk ndihmon vedin…”.
E gjithë kjo punë mund të përmblidhet edhe më, nëse kemi parasysh panikun që i zuri disa dhe ngazëllimin që i zuri disa të tjerë, fort të ngjashëm me të parët. E cilët janë këta që hutohen dhe ngazëllehen sipas rastit? E cilët tjetër, përveç politikanëve. Politika nuk arriti të bëhej bashkë edhe këtë herë. Uji është njësoj i frikshëm apo vrastar për të gjithë, qofshin këta majtas apo djathtas. Ai nuk pyet, nuk mban erë dhe as kahe. Ai vetëm vërshon dhe lë pas gabimet e të gjithëve, të të majtëve dhe të të djathtëve, të të mëdhenjve dhe të të vegjëlve. Në Shqipëri ra një tërmet, nëse do të ishte kjo fjala që na frikëson më tepër. Një tërmet, vdekja, frika prej tij, vlerësimi i jetëve njerëzore, i bëjnë njerëzit të jenë bashkë. Kjo gjë nuk ndodhi në Shqipërinë e përmbytur. Përkundrazi ndodhi ajo që edhe kjo fatkeqësi u shndërrua brenda pak orësh në një ushtë të betejës politike. Zëdhënës, ministra, deputetë, të gjithë i hynë një lufte për punët e veta, teksa uji i turbullt merrte me vete pasurinë e vënë me një okë mund të shkodranëve dhe lezhjanëve “dinjitozë”.
Pastaj hyri në lojë Shërbimi i Emergjencave Civile. Ndryshe nga të gjitha vendet e Europës, me të cilët disa, me fare të padrejtë e quajnë veten shumë të afërt, ne kemi vërtet një shërbim të tillë, porse ky nuk përbën gjë tjetër veçse një strukturë të brishtë që kufizohet vetëm teksa mban shënim dëmet dhe rrugët e bllokuara. Pasi e ka bërë këtë, ky u kërkon dikastereve të tjera: Ushtrisë, RENEA-s, Shëndetësisë dhe, sidomos të huajve, që të ndërhyhet për ndihmë. Kështu shpjegohet përse ne shohim helikopterë grekë e italianë që të fluturojnë mbi qiejt tanë.
Pastaj del zoti Olli, që fort i shqetësuar, gjen kohë që të bëjë një rezyme, e cila është optimiste gjithherë, por ai duket sheshazi se nuk ka edhe aq shumë gjëra në dorë. Ne jemi një vend me aktivitet të njohur sizmik, një vend ku lumenjtë janë ende të panënshtruar, një vend ku aksioni i famshëm absurd “t’u qepemi kodrave dhe maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat” i ka shndërruar faqet e rrëpirëta të maleve dhe kodrave tona në një kurth vdekjeprurës, një vend ku ëndrra për të pasur më në fund një shtëpi për së mbari mund të bëhet realitet vetëm buzë një lumi, që në pak minuta përlan gjithçka. Ende na mungon një strukturë e vërtetë, në këmbë, e alarmuar, e organizuar, e specializuar. Kjo ngrihet duke nisur - dhe përvoja më e fundit duhet t’ia ketë kthjelluar mendjen ndokujt - vetëm duke vënë në lëvizje mjete të posaçme kundër fatkeqësive natyrore.
Sikurse e thamë edhe më parë, kjo i dallon kombet që mendojnë jo sot për nesër, por edhe për të ardhmen, nga ata që ushqehen vetëm duke zgjatur dorën te dega e bananes. Ekspertët, çadrat, ushqimet, mjetet amfibe… të gjitha duhet të jenë në gatishmëri, nëse janë sigurisht. Nëse edhe pas kësaj përmbytjeje të fundit kjo gjë nuk do të ndodhë, atëherë do të na duhet që, larg qoftë, edhe në rastin e ndonjë katastrofe më të rëndë të ngushëllohemi me “dinjitetin” e njerëzve që ngrenë sytë nga qielli dhe thonë duke vënë buzën në gaz: Vetëm Zoti e din këtë punë. Tesh për tesh jena tu shku për peshk. Atëherë do të mundohemi më kot të gjejmë fajtorin dhe do të nisim sërish të shajmë njëri-tjetrin, ndërsa fëmijët do të na shohin në sy me këmbët e zhytura në baltë. Këtë zënkë të fundit sigurisht që do të kryejmë me dinjitet. Tashmë kjo paska qenë gjëja e fundit që na ka mbetur. Të paktën kështu thonë.