Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Panajot Pano dhe 'Qemal Stafa'!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 15 vite më parë

Blendi Fevziu
Panajot Pano dhe 'Qemal Stafa'!

Nuk e kam parë asnjëherë në fushë Panajot Panon. Ishte larguar nga stadiumi, kur unë nuk kisha lindur ende ose kur nuk kisha filluar ende të shihja një ndeshje në TV. Por ai e ka shënjuar fort fëmijërinë time , si atë të shumë bashkëmoshatarëve të mi, të atyre që kishin qenë më parë ose që erdhën më pas.  Çdo të diel në stadium, emri i tij përmendej me trishtimin që nuk ishte më në fushë, por edhe me krenarinë që kishim pasur një futbollist si ai. Moshatarët e mi, që ndoqën ekipet zinxhir, ëndërronin t’i ngjanin atij. Ai ishte kampioni i madh, njeriu që kishte entuziazmuar stadiumet për 25 vjet me radhë, sulmuesi që kish trimëruar ekipin kombëtar shqiptar në përballjet e mëdha me RFGJ, futbollisti që i kish dhënë shkëlqim ngjyrave kuq e zi të Shqipërisë, që kish kënduar himnin kombëtar në shumë fusha të Evropës. Por edhe një njeri që fati i keq i asaj kohe nuk e lejoi kurrë të dilte jashtë Shqipërisë dhe të luante me një klub të huaj. Një gjë, që nëse do të kish ndodhur, mund ta kishte bërë atë ndër më të njohurit në kontinent.

Dy ditë më parë, kur mësova vdekjen e tij, ndjeva dhimbje. Edhe pse nuk e kam takuar kurrë ndonjëherë nga afër. Ndjeva dhimbje sepse e kujtova si një futbollist, një kampion, një shembull për breza të tërë fëmijësh që e kishin parë në fushë, ose thjeshtë kishin dëgjuar për famën e tij. U ndjeva keq sepse çdo vend krijon disa vlera, disa simbole, pavarësisht se ku shkëlqejnë ata, në kulturë, letërsi, muzikë, sport. Panajot Pano ishte një simbol. Dhe ai nuk është më. Por simbolet nuk braktisen lehtë. Veç veprës së tij, që nuk mund të harrohet asnjëherë, veç golave dhe shpërthimeve të tij që janë të fokusuara në celuloidë, Panajot Pano meriton më shumë. Do të ishte në nderin e Federatës, Ministrisë së Kulturës, Presidentit të Republikës, që të inicionin emërtimin e Stadiumit më të madh të Tiranës, atij që sot quhet “Qemal Stafa”, me emrin e tij. Edhe pse një metodë që nuk zbatohet më sot në Evropë (stadiumet mbajnë kryesisht emra biznesi), ky stadium meriton të quhet sot Panajot Pano. Siç ndodh me shumë stadiume të tjera në Evropë dhe në botë. Mbi të gjitha, riemërtimi i Stadiumit Kombëtar të Tiranës, nuk është një zhvlerësim për Qemal Stafën, dëshmorin e luftës, por një rivlerësim për të. Qemal Stafa qe një i ri që ra në luftë.

Një njeri i lidhur me letrat, kulturën dhe librat. Le t’i vënë një institucioni tjetër emrin e tij. Pallatit të Kulturës a diçkaje që ka lidhje me të. Por emërtimi i një stadiumi me një figurë të luftës, që s’ka pasur asnjë lidhje me sportin, nuk duket edhe kaq logjik. Mbi të gjitha, emri i Qemal Stafës gjendet kudo. Edhe Dita e Dëshmorëve në shenjë simbolike është vendosur dita e vrasjes së tij. Ose ka mbetur e tillë. Ndoshta është koha, që stadiumi sportiv t’i kthehet sportit dhe figurave të tij. Shumë prej kolegëve të mi kujtojnë ngritjen e supeve të gazetarëve të huaj, sa herë ju duhet të shpjegojnë për televizionet e tyre emërtimin aktual të stadiumit. Një dëshmor, thonë dhe nuk kuptojnë se pse një dëshmor duhet t’i japë emrin një stadiumi, kur mund t’ju japë shumë godinave apo rrugëve. Ndaj, rikthimi i stadiumit te sporti, emërtimi i tij me emrin e njeriut që luajti për 25 vjet në atë stadium, që e ngriti peshë dhe që e nderoi më shumë se kushdo, do të ishte një gjest dinjitoz. Le ta quajmë stadiumi “Panajot Pano” në nderim të një njeriu që e kemi admiruar të gjithë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama