Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Xhelozia e Pandorës

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 15 vite më parë

Edmond Tupja
Xhelozia e Pandorës

Nuk e kam fjalën as për ndonjë mikeshë, shoqe apo ish-të dashur të kohës sime të beqarisë së largët, as për ndonjë kolege resëtare të dikurshme apo të tanishme. E kam fjalën për Atë, Femrën e parë, të paktën sipas Heziodit, për të mistershmen... krijesë mitologjike së cilës perënditë i kishin besuar, përveç bukurisë, joshjes, shkathtësisë, edhe dinakërinë, gojëtarinë e artin e të mashtruarit, si edhe një kuti, ku gjendeshin të kyçura gjithë të këqijat: sëmundje dhe epidemi, tërmete, përmbytje, ciklone, shpërthime vullkanesh, cuname etj., etj., të cilën kuti, nga kureshtja përvëluese, ajo e hapi duke lënë të dilte gjithçka përmbante dhe kështu botën e përfshinë fatkeqësi, mynxyra e gjëma të paparashikueshme e të papërballueshme deri sa më në fund Perëndia ndërhyri dhe, sa për t’i qetësuar njerëzit, bëri sikur i mbylli përsëri këto në kutinë e Pandorës.

Ajo më erdhi dje pasdite në shtëpi, në momentin kur isha shtrirë për t’u çlodhur pasi kisha ngrënë një drekë të mirë shqiptare e rrëkëllyer dy gota verë franceze; më bënë përshtypje tiparet e saj çuditërisht edhe mashkullore, edhe femërore, bash si Monaliza e Da Vinçit; mezi mori mundimin të më përshëndeste dhe nisi të më qahej për Kryetarin e Partibashkisë duke bërtitur me të madhe: “Nuk ka turp! Kërkon me ngulm e paturpësi që të hapen kutitë e mia pa më paguar së pari të drejtat e autorit”. Pastaj, nisi të më ankohej edhe për Kryetarin e Partiqeverisë, duke klithur me të madhe: “Nuk ka turp! I ka fshehur diku kutitë e mia pa i mbyllur siç duhet, çka shpjegon fatkeqësitë që po pllakosin sot jo vetëm Shkodrën por edhe mbarë botën, ndoshta edhe planetin e porsazbuluar me hënë blu”. Më bëri përshtypje se fliste për kuti në shumës, ndërsa, nga ç’kisha lexuar për të, ajo kishte vetëm një kuti, atë që prej shekujsh e shekujsh quhet “kutia e Pandorës”.

Pandora që shihja unë kishte çuditërisht një pamje jo fort mitologjike, ajo të kujtonte vagëllimthi deputetet e kohës së PPSH-së si edhe, për habi, një ish-kolegen time e cila, para disa vitesh, arriti të bëhej edhe ministre mëngjërashe.  Kur i thashë se e kuptoja shqetësimin e saj, por që nuk e ndihmoja dot, ajo u bë krejt rozë dhe, aty për aty, nisi të më bënte një numër striptizi komunist. Duke vërejtur mospërfilljen time aspak të shtirur, u orvat t’i jepte performancës së saj ngjyrën blu. Më kot: isha i vendosur të mos ia zgjasja më. Më në fund, m’u afrua dhe më pëshpëriti në vesh: “Vetëm perënditë e lashta greko-romake të drejtësisë, me qendër në Hagë, mund t’i pajtojnë dy rivalët e mëdhenj të politikës shqiptare. A e di pse? Sepse ato duhet të disponojnë jo vetëm provat që Edi Rama është në krye të njërës prej mafieve më të rrezikshme të Evropës, ndoshta edhe të botës, mbase edhe të galaktikës sonë, por edhe ato që Berisha është përgjegjës jo vetëm për përmbytjet në Shkodër, por edhe për rrëshqitjet e tokës në Brazil, për tërmetin në Haiti, për atentatet kamikaze në Irak, Afganistan e Pakistan, si edhe për cunamin e para disa viteve në Oqeanin Indian”. Këto të dhëna i kishte nga një e keqe me emrin “spiunllëk”, që brenda kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, e cila, me tele(psiko)pati, ia kishte komunikuar para pak orësh. Me këto prova në dorë, një gjykatë kompetente si ajo e Hagës, do t’i detyronte dy liderët në fjalë të pajtoheshin, përndryshe ata do të përballeshin pashmangësisht me drejtësinë ndërkombëtare, ndoshta edhe ndërplanetare.

Gjithsesi, më e çuditshmja ishte se të gjitha fletët e votimit po ktheheshin në lejla, meqë roza dhe bluja, po të rrinë gjatë bashkë, shkartisen e marrin këtë ngjyrë; për këtë arsye secili nga të dy liderët ka vendosur (por do të shohim se kush do t’ia arrijë i pari) të ndryshojë ngjyrën e partisë që drejton në mënyrë që të dalë i fituar ditën kur, befasisht, që të dy do të kërkojnë njëzëri që të hapen në çast kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Mirëpo Pandora ka frikë se mos gjithë të këqijat e kutisë së saj, për solidaritet, marrin edhe ato ngjyrën lejla dhe anëtarësohen që të gjitha në atë parti që do të vishet e para me këtë ngjyrë. E kuptova fare mirë problemin e Pandorës: kishte edhe frikë, por ishte edhe xheloze, për kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Pyetjes sime se nga cili kishte më shumë frikë e për kë ishte më shumë xheloze, ajo m’u përgjigj pa pikë ngurrimi: “Për Berishën, sepse ai ka gjithë ato kuti, ndërsa unë kam vetëm një. Por, me sa shoh, edhe vendet e Bashkimit Evropian duan që kutitë të mos hapen e që Rama t’i lejojë më në fund deputetët e tij të hyjnë në Kuvendin tuaj. Por nëse nuk hapen kutitë, e imja do të mbetet përjetësisht bosh, veç në u futtë atje vetë Rama me partinë e vet”. Pikërisht në atë çast u zgjova dhe e kuptova që gjithçka sapo rrëfeva më lart kishte ndodhur vetëm në ëndërr.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama