Sali Berisha u soll gjatë tri ditëve nëpër zyrat e qeverisë italiane në Romë, me shpresën se politika e tij energjetike më se bujare ndaj fqinjit perëndimor, do t’i japë një dorë në përplasjen e brendshme gjashtëmujore me opozitën. Megjithatë sot, në orën 11.00, ai do të ndodhet në të vetmin vend të Tiranës ku nuk do të kishte dashur të ishte: në një tryezë diku në Presidencë, me Bamir Topin në krye të tavolinës dhe Edi Ramën përballë. E tepërt të thuhet se edhe tema e takimit del jashtë çdo parashikimi apo dëshire politike të Kryeministrit. Vetëm pak muaj më parë, debati rreth zgjedhjeve dhe këqyrja e kutive të votimit të 28 qershorit, ishte për zotin Berisha dhe ministrin e tij të jashtëm një modë kalimtare që qarkullonte korridoreve të opozitës. Vetëm pak muaj më parë, edhe kreu i shtetit ishte një spektator i thjeshtë në këtë sherr kutish, me një tagër të ngjashëm mbi krizën, me atë të një banori të Kukësit.
Ja që gjërat ndryshojnë. Për fat mirë, duhet thënë. Bamir Topi s’është më spektator, qeverisja me gjysmën e Parlamentit bosh s’është më normalitet demokratik dhe Kryeministri nuk e ka më sigurinë e dikurshme, sepse i duhet të mësohet me idenë se kriza nuk është vetëm e opozitës, por e të gjithë sistemit. Rezoluta e Këshillit të Europës ka sjellë zhvendosjen e madhe në kolapsin politik të Tiranës, duke detyruar që palët të dalin nga llogoret dhe të ulen në tryezë. Nëse 20 nëntori ishte tronditja e parë e madhe që i erdhi mazhorancës nga rruga, dokumenti në fjalë është sinjali i qartë që vjen nga Strasburgu, për të ndryshuar urgjentisht mënyrë sjelljeje dhe për të marrë përsipër prerogativat dhe përgjegjësitë e një vendi europian dhe vendi anëtar të NATO-s.
Tryeza e sotme është në fakt triumfi i një kauze që kujtohej si e pashpresë. Kur në mes të shtatorit opozita socialiste nisi të hedhë idenë e përdorimit të hetimit të zgjedhjeve si kartë politike, shumëkush ia faturoi këtë lëvizje dëshirës së Edi Ramës për të marrë një mandat të dytë partiak, pas humbjes së zgjedhjeve. Rama e rimori partinë, por mesa duket presioni i kutive i ka kaluar kufijtë e një skeme të ngushtë partiake. Është ende e paqartë nëse sot dhe në ditët në vazhdim kjo kauzë do të ketë sukses. Plotësisht apo pjesërisht. E sigurt është se hapja e kutive të 28 qershorit është tashmë një tezë themelore e debatit politik në Tiranë. Dhe kjo është në vetvete një fitore e vogël e opozitës.
Sa u përket formulave të një kompromisi, ato janë të shumta, po aq sa është i paktë në këtë moment vullneti politik për t’i marrë ato në shqyrtim. Megjithatë hapja e një numri kutish në mënyrë rastësore dhe të monitoruar, në këmbim të një angazhimi publik të opozitës për t’u kthyer menjëherë në Parlament, nuk duket më si fantapolitikë.
Që tryeza e sotme të ofrojë një zgjidhje, duhet që njëri prej dy liderëve të hedhë poshtë esencën e qëndrimit të tij politik gjashtëmujor. Pra, ose Berisha do të pranojë hapjen e kutive, ose Edi Rama do të pranojë hyrjen e pakushtëzuar në Kuvend. Duke parë kokëfortësinë dhe obsesionin e dy zotërinjve të mësipërm për të imponuar që nga vera e shkuar pozicionin e tyre respektiv, është shumë pak e mundshme që kjo tryezë të marrë fund sot. Më shumë sesa fundi i negociatave, ky duket si fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë, për të ulur fillimisht përballë, e më pas për t’i detyruar që të gjejnë një kompromis, dy liderë politikë që prej muajsh shahen me ç’t’u vijë nëpër mend dhe gjuhen me çfarë kanë në dorë.
Historikisht gjetja e kompromiseve politike në Shqipëri ka ndodhur vetëm në minutën e fundit dhe vetëm kur kostoja e tensioneve politike e sociale ka qenë e lartë. Ka pasur gjithashtu premisa për kompromise kur vendi është përballur me ngjarje që impononin afate kohore, si për shembull proceset elektorale. Aktualisht nuk duket të jetë as rasti i parë dhe as i dyti. Kriza është ende një çështje e pallatit të politikës, më shumë sesa e rrugës dhe përpara nuk kemi ndonjë proces votimi. Në të kundërt kemi elemente të tjera specifike që lidhen me vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të opozitës apo miratime aktesh ligjore, të cilat kërkojnë votat e minorancës. Është e paqartë sesa do të jenë të mjaftueshëm këta faktorë, që Berisha dhe Rama të binden për të lëshuar diçka nga pozicioni i tyre politik. Ajo që sot dimë është se ky moment ofron një mundësi që kriza e zgjedhjeve të shihet dhe trajtohet nën një optikë krejt tjetër, jashtë gjuhës së drunjtë të politikës së Tiranës dhe jashtë skemave përjashtuese. Prej sot asnjë kompromis s’duhet të na çudisë më, sepse gjithçka është e mundshme. Natyrisht, përfshirë edhe situatën e kundërt. Pra, dështimin e gjithçkaje. Zaret u hodhën!