Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dergata e qyqeve

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 15 vite më parë

Andrea Stefani
Dergata e qyqeve

Jo vetëm për opozitarët, por edhe për jo pak zëra më të paanshëm, dërgata e Këshillit të Europës (KiE) rezultoi një dështim. Me një kujdes komik, sikur po shkelte mbi mina, dërgata dhe deklarata e saj, e shmangu atë që mbetet thelbi i krizës së sotme, debatin hamletian të hapen apo të mos hapen kutitë. Por ajo që ra në sy edhe më për keq, ishte një lloj frike për të mos thënë ndonjë gjë që nuk do t’i pëlqente pushtetit dhe mazhorancës të kryesuar nga Kryeministri autoritarist, Sali Berisha. Për një moment u duk sikur nuk ishte pushteti i Berishës nën mbikëqyrjen e dërgatës, por dërgata nga Europa nën mbikëqyrjen e Kryeministrit problematik shqiptar. Droja e dërgatës kulmoi në një përgjigje të dhënë në konferencën përmbyllëse për median, nga kreu i Asamblesë, Mevlud Çavushoglu. I pyetur të saktësojë se cilat ishin përparimet pozitive që priste lidhur me hapjen e kutive, turku Çavushoglu u përgjigj: Opozita duhet të futet në Parlament. Aty ku nuk mund të mos pritej një përgjigje në favor të opozitës dha, për habi, një përgjigje në favor të qeverisë! 

Ndaj pas largimit, duke e lënë Shqipërinë ashtu si e gjeti, po në krizë, nuk mund të mos pyesësh se përse katandiset në një rol kaq qyqar dhe pa efektivitet, një dërgatë europiane që jo pak shqiptarë, e pritën dhe e shpresuan si shpëtimtare? Përgjigjja duhet kërkuar te mungesa e informacionit ose dezinformimi i jo pak qarqeve europiane dhe për rrjedhojë e iluzioneve të krijuara për zhvillimet në Shqipëri. Prandaj edhe shpëtimi duhet kërkuar te shpërndarja e këtyre iluzioneve.

Ndërsa Shqipëria vazhdon të mbetet një vend i politikisht i prapambetur, ku ende përleshen liberalizmi me autoritarizmin, jo pak politikanë europianë e marrin nominalisht Shqipërinë si një “demokraci”. Në fakt, Shqipëria nuk është ende demokraci por në fazën postkomuniste për në demokraci. Kjo e fundit mbetet prej 20 vjetësh një shans, më së shumi i shpërdoruar, dhe më pak një realitet. Fakte? Ja më kryesori: mungesa qoftë e një palë zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë A-ja e një demokracie. Aq më pak mund ta kualifikosh Shqipërinë si demokraci-liberale apo kushtetuese, kur ende nuk ka pushtete realisht të pavarura që të baraspeshojnë dhe kufizojnë qeverinë dhe Kryeministrin. Mjerisht, jo pak politikanë europianë, kur vjen puna të gjykojnë për zhvillimet në Shqipëri, e marrin atë ashtu si duhet të jetë (pra si demokraci) dhe jo ashtu si është në realitet. Ky iluzion bën që ata të shohin me tmerr dhe jo me realizëm, një aksion të opozitës sikundër është bojkoti. Sepse ata, pas kaq dekadash me tradita dhe institucione të konsoliduara të demokracisë liberale në vendet e tyre, nuk mund ta mendojnë dot që opozita të ketë një arsye për të mos vajtur në Parlament përveçse destruksionit. Prandaj lëshojnë dhe deklarata naive që e cilësojnë bojkotin e opozitës si jo të shëndetshëm për demokracinë. Në fakt, po të jetosh në Shqipëri, nën presionin në rritje të një pushteti autoritarist që kërkon të kapë dhe të bëjë zap të gjitha pushtetet, do të mendosh ndryshe. Do mendosh se bojkoti i opozitës është shpëtimtar për shansin e demokracisë. Gjithashtu do kuptosh se bojkoti i zgjatur nuk i ka rrënjët në destruktivitetin e opozitës por në destruktivitetin e pushtetit. Duket se anëtarët e delegacionet të KiE kanë pasur një optikë të tillë të shtrembëruar prandaj edhe deklarata e tyre bartte sugjerime më korrektuese për opozitën sesa për qeverinë. Në fakt duhet të kish ndodhur e kundërta.

Natyrisht, faji për optikën e deformuar nuk mund të bjerë vetëm për anëtarët e një delegacioni që shkelin vetëm për pak ditë në Shqipëri. Përgjegjësia më e madhe bie mbi drejtuesit dhe specialistët e misioneve përfaqësuese dhe monitoruese që ndodhen prej vitesh në Tiranë dhe në Shqipëri, sikundër janë Delegacioni i Komisionit Europian apo misioni i OSBE. Këta të fundit e njohin më realisht gjendjen dhe nuk mund të vuajnë nga ato iluzione optike që karakterizojnë të saposhkelurit. Dhe duhet ta transmetojnë sa më objektivisht këtë përvojë dërgatave të tilla. Me sa duket, për një sërë shkaqesh, kjo nuk ndodh. Komentet për këtë, mund të jenë të shumta. Për shembull: mos vallë ca misionarë që prej vitesh marrin rroga të majme në Tiranë, kanë prirjen që t’i zbukurojnë realitetet, me qëllim që t’i justifikojnë edhe vetë këto rroga që marrin? Në fakt prej kohësh, edhe dokumente të rëndësishme për gjendjen e punëve në Shqipëri, sikundër ato vjetore të OSBE-së apo edhe raport-progresi i KE-së, nuk kanë kaluar pa vërejtje dhe kritika në media për sipërfaqshmëri dhe pasqyrim të zbutur të problemeve. Dhe kriza e sotme e vendit është një fakt që nuk i mbështet këto raporte optimiste mbi përparimin e demokracisë në Shqipëri. Por edhe sa kohë mund të vazhdohet kështu? Edhe sa kohë qeveria shqiptare do vazhdojë të bëjë sikur punon për demokracinë dhe Europa sikur po e integron Shqipërinë? Jo edhe shumë gjatë. Dita e së vërtetës së madhe po afron.

Jo pak politikanë dhe diplomatë europianë nuk e kuptojnë dot sesi vendimi i një komisioni apo kolegji zgjedhor, mund të bëhet burim i krizës. Sepse në vendet e tyre, në realitetet që ata jetojnë, këto organe shërbejnë për të zgjidhur krizat. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë se në Shqipëri ka anëtarë të KQZ që votojnë edhe në shkelje ligjit, nëse ky është vullneti i partisë dhe i liderit që i ka kandiduar në atë post. Dhe në fakt kështu ka ndodhur në Shqipëri. Nëse KQZ do t’i qe përmbajtur ligjit, sot vendi nuk do qe në krizë. Por votimi i hershëm i shumicës së PD në KQZ për moshapjen e kutive, tregon qartë nevojën politike të Berishës për të penguar transparencën. Dhe ç’mund të jetë kjo nevojë veçse mbulimi i një vjedhjeje? Votimi në sinkron me shumicën berishiste në KQZ, i Kolegjit Zgjedhor, erdhi më pas. Pikërisht ky vendim i kësaj gjykate është alibia “ligjore” dhe “kushtetuese” e Berishës për të mos hapur kutitë. Pikërisht këtë alibi që është produkt i kapjes së pushteteve dhe gjykatave, disa europianë e marrin iluzivisht si respekt ndaj pavarësisë së gjykatave. Çfarë ironie! Dhe kjo ndodh edhe sepse shumë politikanë europianë e kanë të vështirë ta kuptojnë sesi disa gjykatës ose për simpati apo lidhje korruptive, ose nga frika dhe presioni, mund të detyrohen me ca telefonata, të marrin vendim jo sipas frymës së ligjit, por sipas vullnetit të qeverisë. Por këtë e dinë fare mirë misionarët dhe diplomatët e Perëndimit në Tiranë. Madje, edhe për rastin që po flasim, atë të Kolegjit Zgjedhor, përflitet se disa anëtarë të kësaj gjykate, janë ankuar edhe në disa përfaqësi diplomatike, për presionet dhe kërcënimet që u janë bërë para marrjes së vendimit lidhur me kutitë. Prandaj, diplomatët dhe misionarët e Perëndimit në Tiranë kanë për detyrë t’i thonë gjërat ashtu sikundër janë, ndryshe edhe dërgatat si kjo e KiE, japin receta të gabuara. Në vend që të korrektojnë qeverinë, korrektojnë opozitën.

Optika e shtrembëruar e dërgatave nga Europa është e lidhur pa dyshim, edhe me punën e ethshme që bën i gjithë aparati i pushtetit berishist për të deformuar të vërtetën lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Të qenurit për mbi 20 vjet në krye të politikës, ka dizavantazhe parimore për Berishën, por njëherazi (dhe ky është një shkak më shumë që liderët të mos lihen kaq gjatë në krye), ka edhe disa avantazhe operative. Ai ka mundur të akumulojë njohje të gjera në qarqet diplomatike perëndimore, të cilat po i shfrytëzon jo pa efektivitet në mbrojtjen e një kauze autoritariste sundimi, që është në anën e gabuar të historisë dhe në thelb, nuk mund të mos i kundërvihet integrimit të Shqipërisë në Europë. Sepse sundimi dhe integrimi nuk mund të ecin krah për krah. Autoritarizmi berishist mund ta shtyjë edhe ca kohë, i maskuar nën fletët e raporteve të “ndërkombëtarëve” ku “demokracia” shqiptare marshon vetëm në letra, apo me ndërmjetësimin e miqve të së djathtës europiane, që e shpallin mesianikisht si liderin e vetëm që mund të integrojë Shqipërinë në Europë. Por do të vijë një ditë kur Europa nuk mund të mos shohë monstrën e autoritarizmit që fshihej poshtë zhguallit të raporteve të “progresit”, ndërsa gllabëronte të gjitha pushtetet dhe liritë. Dhe që të mos shkojë puna deri tek ai rivelacion i dhimbshëm, davaritja e iluzioneve të politikës europiane, mbetet sot një nga detyrat parësore të opozitës. Dhe aspak për të prishur imazhin e Atdheut, por për të mos lejuar që imazhe të rreme për “demokracinë”, të mos e vrasin shansin e demokracisë dhe ardhmërinë evropiane të Atdheut.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama